Jump to content

Palokë Kurti

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Palokë Kurti dhe Daulla e tij, majtas tij Mati Kodheli dhe Kolë Idromeno me trombë

Palokë ose Palok Kurti (Shkodër, 3 korrik 186031 dhjetor 1920) ka qenë dirigjenti i bandës së parë shqiptare dhe kompozitori i parë shqiptar.

U lind në Shkodër më 3 korrik 1860 në gjirin e një familje zanatçinjsh. I ati la zanatin dhe u bë postier[1] i konsullatës angleze, por më 1863 vritet në Shtoj të Ulqinit.[2] U rrit pranë jetimores së drejtuar nga françeskani italian P. Tomë Markoci (Tommaso Marcozzi), prej të cilit mori bazat e dijeve muzikore. Për arsye ekonomike e ëma e futi të punonte në Kafe Adriatikunpargaliut Anastas Papaniku,[1] ku qe në kontakt me ahengjet dhe muzikën qytetare të kohës, por edhe të ndikimeve të huaja ardhur nga italianët që kishin gjetur strehë në qytet pas bashkimit të Italisë.[3] Kurti zuri miqësi me të birin e Papanikut, Gjonin, dhe më pas u martua me të bijën, Angjelinën.[4]

Më 1876 me ndihmën e napolitanit Xhiovani Kanale (Giovanni Canale), P. Markoci hapi bandën e parë muzikore në qytet,[5] ku u bënë pjesë edhe i riu Kolë Idromeno me Mati Kodhelin. Banda u krijua dhe më 1880 Canale u largua nga vendi dhe i la baketën dhe drejtimin e bandës Kurtit.[6] Banda që njihej në mjediset shkodrane si Daulla, u vu në shërbim të Degës së Shkodrës të Lidhjes së Prizrenit më 1881, ngjarje për të cilat Kurti punoi veprën "Bashkimi i Shqypnisë" dhe marshin "Turqit në Maqedoni". Për veprimtarinë e tij u internua nga autoritetet osmane në Diarbekir për 20 muaj.[7]

Në punimin e tij lidhur me Provincën Françeskane, P. Kurti e përmend Palokën ndër mësuesit civilë të shkollës françeskane të periudhës 1861-1900.[8] Më 1900 autoritetet osmane e shpërndanë Daullen, pas një viti shkolla italiane "Arti e mestieri" e hapur në Shkodër pajtoi Palokën për mësimdhënie dhe krijimin e bandës së shkollës. Bandë e cila qe aktive për një dhjetëvjeçar, deri në mbylljen e shkollës më 1911.[9] Më 1914, tok me Luigj Gurakuqin qe në Ishëm në ndihmë të Princ Vidit mbas plasjes së revoltës të Shqipërisë së Mesme.[10]

Jepte mësime muzike në privat, por me pushtim-administrimin austro-hungarez u arrestua në maj të 1916 bashkë me të birin, Zefin dhe u burgosën në Grossau për një vit deri me 1 maj të 1917. Pas tërheqjes së austro-hungarezëve, vendin e tyre e zunë trupat frënge, të cilat dimrin e 1919 e internuan Palokën në Korfuz. Pas marrëveshjeve mes francezëve dhe italianëve, këta të fundit e shpunë në Ostia ku kishte dhe familjen, dhe u kthyen vetëm pas Luftës së Vlorës në vendlindje.[9] Ndërroi jetë ditën e mbrame të atij viti, më 31 dhjetor 1920.[11]

Miku i hershëm dhe bashkëahengxhiu i Daulles, Kolë Idromeno, i bëri një portret të shoqes së Kurtit më 1925, i cili ruhet në Galerinë Kombëtare. Në martesën me Angjelinën patën katër djem: Leci, Zefi, Salvatori, Ndoci dhe një vajzë, Tusha. Djali i madh u bë diplomat i shtetit shqiptar,[4] Zefi themeloi dhe pajisi bandat e shoqërive "Bogdani" e "Vllaznia" dhe dha mësim në gjimnazin e Shkodrës "28 nanduer" dhe derisa vdiq më 1952 dirigjoi bandën e bashkisë,[12] Salvatori mbante Kafen ose Ambëltoren "Adriatik" që Kurtët trashëguan pasi vdiq nga tuberkulozi i biri i Anastasit[13] dhe ishte pjesë e shoqërisë "Bashkimi", kur u armatosën dhe u quajtën bashkimxhinj gjatë Lëvizjes së qershorit. Më 19 gusht 1925 pas një amnistie mundi të kthehej në atdhe, mbasi ishte larguar dhjetorin e 1924 me Triumfin e Legalitetit.[14] Pas pushtimit italian të Shqipërisë, qe nënsekretar i Partisë Fashiste Shqiptare për Shkodrën në vitet 1939-'40.[15]

Kurti ka qenë kompozitori i parë që shkroi këngë, shumica e të cilave të mbështetura te sharkia ose peshrefi. Këngët e tij diktojnë një nismë origjinale për t'i nxjerrur në pah muzikës së ahengut shkodran motive më autentike vendore, krahas muzikës së deriatëhershme që ishte e pashkruar e ndikuar nga muzika osmane. Popullariteti i këngëve të Kurtit bëri që ahengxhinjtë të përvetësonin dhe shpërndanin një muzikë më të përpunuar sesa jonet instrumentale të deriatëhershme.[16]

Me cilësinë e rapsodit, poetit dhe këngëtarit të apasionuar të këngës popullore shkodrane, Palok Kurti arriti që nuancat më të holla të kësaj kënge t'i mishëroje në mënyrë të përsosur në krijimet e tij të pavdekshme : marshin “Bashkimi i Shqipërisë” më 1881 kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ,“Marshallah bukurisë sate”, “Ta dish, ta dish”, “Për mue paska kenë kismet”, “Karajfil të zgiodha”, ”Kur fillon drita me dalë”, “Të due, moj të due”, “Karajfili i kuq si gjaku” etj., këngë të cilat, në gojën e këngëtares Marie Kraja, do të arrinin majat ma të larta të krijimeve popullore shqiptare.

I ndikuar nga format e reja të muzikës evropiane, Kurti shkroi vepra të tilla si: kuadrilja “Saksi im”, polka për klarinete “Dallëndyshja”, marshin “Turqit në Maqedoni” etj. Përsa i përket muzikës liturgjike, më të njohura që ai shkroi janë: “Mesha për ndër të Shna'Ndout”, “Litani” etj.
Kurti përshtati për formacion orkestral pjesë nga literatura botërore, nga “Trovatore”, nga “Ballo me maska”, “Norma” etj.

  1. ^ a b Shllaku, Lec (2005). Palokë Kurti (1860 - 1920). Shkodër: At Gjergj Fishta. fq. 14. ISBN 9994381016. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ Bushati, Hamdi (1999). Shkodra dhe motet v. II. Shkodër: Idromeno. fq. 210–211. OCLC 41096394. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ Shllaku 2005, pp. 15, 17.
  4. ^ a b Shupo, Sokol (2003). Kondi, Luan (red.). "Lec Kurti, madhështi e dyfishtë e kompozitorit dhe diplomatit". zemrashqiptare.net. Panorama. - Nr. 388; 2 nëntor. fq. 12–13. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ Kurti, P. Donat (2003) [1965]. Provinça Françeskane Shqiptare. Shkodër: Botime Françeskane. fq. 34. ISBN 99927-789-1-1. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  6. ^ Shllaku 2005, pp. 20-21.
  7. ^ Shllaku 2005, pp. 44, 46.
  8. ^ Kurti 2003, p. 266.
  9. ^ a b Shllaku 2005, pp. 59-61.
  10. ^ Nikaj, D. Ndoc (2003). Kujtime të nji jetës së kalueme. Tiranë: Plejad. fq. 211. ISBN 9789992792452. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  11. ^ "Lajme: Rrokull Shqypnije" (PDF). bksh.al. Agimi vj. II, nr. 9. 1921. fq. 132. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  12. ^ Shllaku 2005, pp. 59-60.
  13. ^ Shllaku 2005, p. 14.
  14. ^ Juka, Gëzim H. (2018). Shkodranët e 7 prillit dhe të 29 nëntorit. Tiranë: Reklama. fq. 10, 13. ISBN 9789928440358. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  15. ^ Juka 2018, pp. 64, 72.
  16. ^ Cooper, David (2005). The Mediterranean in Music: Critical Perspectives, Common Concerns, Cultural Differences. Scarecrow Press. fq. 35. ISBN 9780810854079. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)