Parku Kombëtar i Qafë Shtamës

Parku Kombëtar i Qafë Shtamës është një zonë e mbrojtur shqiptare e vendosur 25 km në verilindje të Krujës, në Shqipëri. Zona e mbrojtur ka sipërfaqe prej rreth 20 km2, e shpallur e tillë prej vitit 1966.[1]
Ajo kalon nëpërmjet komunës së Cullit. Qafa— me lartesi mbidetare prej 1,230 m —shërben si urë lidhëse midis zonës së Krujës dhe luginës së Matit në veri. Zona kufizohet me pellgun e Bovillës nga jugu i saj, dhe është ekologjikisht e lidhur ngushtë me të. Gjithë zona dallohet për vlerat natyrore dhe pyjet e virgjër. Gjithashtu, burimet e saj janë të njohura për vlerat kuruese, ku dallohet Kroi i "Nënës Mbretëreshë", pranë Qafështamës, rreth 1100 m mbi nivelin e detit, midis pyllit të pishës së Parkut Kombëtar.
Emrin e ka marrë në vitet 1930-të sepse këtu merrte ujin e pijshëm familja mbretërore; një kamion bënte çdo ditë rrugën Tiranë-Qafështamë. Uji i burimeve të Qafështamës vlerësohet si i lehtë, i varfër në kripëra, por i pasur me magnez (Tab. 12-2). Kroi bën pjesë në listën e monumenteve të natyrës shqiptare (hidomonumenteve) (Qiriazi & Sala, 2006). Aty sot është ngritur një qendër kuruese për sëmundjet e mushkërive dhe një impiant për ambalazhimin e ujit të pijshëm. Edhe pse rruga për të shkuar është shumë e vështirë, dhe kërkon mjet të fortë, kjo zonë tërheq shumë vizitorë. Qeveria shqiptare synon që të zgjerojë këtë zonë të mbrojtur në të ardhmen e afërt, duke përfshirë në të edhe malin e Skënderbeut (1’724 m). Parku është ndarë në gjysmën Mat dhe gjysmën Krujë.[2]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ↑ "RRJETI I ZONAVE TE MBROJTURA NE SHQIPERI" (PDF). mjedisi.gov.al. mjedisi.gov.al. Marrë më 17 shtator 2016.
- ↑ "Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura në Shqipëri". akzm.gov.al. akzm.gov.al. Marrë më 17 shtator 2016.
{{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri|language=(Ndihmë!)