Jump to content

Arkitektura Mogule

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Arkitektura mogule)
Varri i Humayunit në Delhi
Divan-e-KhasFatehpur Sikri, kryeqyteti i perandorit Akbar

Arkitektura Mogule është një stil arkitekturor i zhvilluar nga Perandoria Mogule në shekujt e XVI, XVII dhe të XVIII përgjatë shtrirjes së gjerë të perandorisë në nënkontinentin indian. Ishte një përzierje e Arkitekturës Islamike, Persiane,[1][2] Turke dhe Indiane. Ndërtesat Mogule kanë një model uniformë strukture dhe karakteri, duke përfshirë kube të mëdha bulbore, minare të stërgjata këndore, sallone masive, portikë të mëdhenjë me kupola dhe zbukurime delikate.[3] Ato përfaqësojnë karakteristikat stilistike dalluese të zhvilluara nga Perandoria Mogule gjatë shekullit të XVI dhe XVIII në territoret që tashmë i përkasin Indisë, Pakistanit dhe Bangladeshit madje edhe në Afganistan.

Buland DarvazaFatehpur Sikri

Dinastia Mogule u vendos pas fitores së Baburit në Panipat në vitin 1526. Gjatë mbretërimit të tij pesë-vjeçar, Baburi i kushtoi interes të konsiderueshëm ndërtimit, megjithëse vetëm pak shembuj kanë mbijetuar. Nipi i tij, Akbari ndërtoi gjerësisht dhe stili u zhvillua fuqishëm gjatë mbretërimit të tij. Midis arritjeve të tij ishte Varri i Humajunit (për babain e tij), Fortesa e Agrës, qyteti i fortifikuar i Fatehpur Sikrit dhe Buland Darvaza. Djali i Akbarit, Xhahangiri ndërtoi Kopshtet e Shalimarit në Kashmir. Arkitektura Mugale e arriti kulmin e saj gjatë mbretërimit të Shah Xhahanit, që ndërtoi Xhaminë Xhama, Fortesën e Kuqe, Kopshtet e Shalimarit në Lahore dhe monumentin më të famshëm Mogul, Taxh Mahalin, ashtu si dhe shembuj të tjerë mjeshtëror të të këtij stili. Ndërsa djali i Shah Xhahanit, Aurangzebi ndërtoi ndërtesa si Xhamia Badshahi në Lahore, mbretërimi i tij përputhet me rënien e Arkitekturës Mogule dhe vetë perandorisë.

Huazime nga arkitektura para-mogule

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Porta e Akbarit në Fortesën e Lahores, Pakistan

Elemente të shumta të pranishme në arkitekturën indiane përpara epokës Mogule do të rimerreshin gjatë periudhës perandorake. Në veçanti përmenden:

  • Përdorimi i gurit të kuq ranor dhe të mermerit të bardhë;
  • formula e sallës së kurorëzuar nga kupola dhe të ngjitur me iwanin, me prejardhje persiane;
  • prania e rrjetave të kangjellave të dritareve;
  • përdorimi i platformave për të kurorëzuar disa ndërtesa, elementë me prejardhje hindu;
  • planimetria tipike e xhamisë indiane, të karakterizuar nga një oborr i madh, një sallë lutjesh gjatësore me një navatë të ndarë në sektorë të ndryshëm të mbuluar me kupola;
  • 'pishtâku', me prejardhje nga bota iranike;
  • çhatri, kioska të vogla të hapura të kurorëzuara me kupola;
  • 'chajjâ', tenda të mbajtura nga konsuj për të mbrojtur nga dielli ose nga shiu;
  • 'jharokhâ', ose dritaret e përfaqësimit, që siç sugjeron emri, janë dritare ose elemente arkitekturore kushtuar posoçërisht shfaqjeve zyrtare të perandorit;
  • dekorimi me pllakëza qeramike, të prejardhura si nga tradita rajpute ashtu dhe nga ajo islamike;
  • prania e disa motiveve dekoruese, si ylli me gjashtë cepa.

Periudha e Baburit dhe Humajunit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Varri i Humajunit, Delhi

Nga kjo periudhë kanë mbijetuar pak vepra, megjithëse të denja për interes të veçantë. Baburi (1526 -1530) kujtohet si ai që futi në Indi chahar baghun (persisht = چهارباغ, 'chahār bāgh'), d.m.th. ndarjen në katër sektorë përgjatë dy akseve kryesore perpendikularë. Megjithatë, nuk ekzistojnë ndërtesa që të lidhen me patronazhin e tij. Humajuni (1530-1540 dhe 1555-1556) është i famshëm pasi urdhëroi ndërtimin e fortesës së Din Panâhut në Delhi në vitin 1533. Është i sigurtë patronazhi i tij ndaj ndërtimit të ndërtesave të ndryshme por është e vështirë të dallohen nga ato të ndërtuara nga Sher Shah Suri - në gjuhën pashtu = شیر شاہ سوری - Šīr Šāh Sūrī - (1486-1545), që mbretëroi midis vitit 1540 dhe atij 1545 dhe nuk ishte Mogul.

Mendohet se bëri fortifikimin e Purana Kilas (fortesa e vjetër) së fortesës së Din Panahut, të cilës do ti shtonte edhe një xhami, Xhamia Kalʿai Kunah: është e pranishme në këta monumente, stilema e yllit me gjashtë cepa, por e paraqitur akoma me karakteristika para-mogule. Në brendësi të xhamisë janë kombinuar trajta të lindjes së mesme (plani me sallë të vetme, përdorimi i gurit të kuq ranor pranë mermerit të bardhë) me karakteristika hindu (ballkone, linja të lakuara, mbulime të sheshta). Sher Shahu ka porositur edhe një varr monumental në Bihar, të ndërtuar midis vitit 1538 dhe atij 1545 me planimetri tetëkëndore, në tre nivele, me përmasa befasuese me diametër 41,5 metrash.

Sarai i Akbarit

Periudha e Akbarit (1556-1605)

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Monumenti i parë i madh i ndërtuar nga Akbari, Varri për të atin, Humajunin në Delhi, është ndërtuar në qendër të një kopështi të madh në Çahar Bagh, në kryqëzim të dy akseve kryesore. Varri është ndërtuar në një platformë me faqe 99 metra dhe lartësi prej 6,50 metra që përfshin në tërësi 124 dhoma me kupola, të cilat janë varre të po aq anëtarëve të familjes perandorake mogule që jetuan midis shekullit të XVI dhe të XIX. E karakterizuar nga guri i kuq ranor dhe mermeri i bardhë, varri zhvillon një planimetri qendrore të zakonshme për Mogulët të konsideruar në Iran hasht bihisht, d.m.th. tetë parajsat: tetë hapësira që rrethojnë një të nëntë qendrore. Varri zhvillohet në dy nivele dhe përzien ndikime timuride (prania e ivanit, dekorime me yll me gjashtë cepa) dhe hindu. Në përzierie e tillë elementesh është e zakonshme nën mbretërimin e Akbarit, duke theksuar më tej mendësinë e tij të hapur.

Ndërsa Delhi qe kryeqyteti i paraardhësit të tij, Akbari në fillim zgjodhi Agran (të riemërtuar në mënyrë të përkohshme Akbarabad, qyteti i Akbarit), më pas ndërtoi një qytet të ri nga fillimi, Fatehpur Sikrin, dyzetë kilometra nga vetë Agra. Në vazhdim do të braktisej në vitin 1585 në favor të Lahores deri në rikthimin përsëri në Agra në vitin 1598, duke lënë në secilin nga këta qytete dëshmi të rëndësishme arkitekturore. Ndërtues i madh, Akbari promovoi ndërtimin e fortesave, pallateve dhe rezidencave dytësore edhe në qytete të tjera të shumta. Akbari ndërtoi edhe ura si për shembull Ura Shahi në Xhaunpur e ndërtuar gjatë mbretërimit të tij.

Agra ndodhet dyqint kilometra në jug-lindje të Delhit, përgjatë lumit Jamuna. Ekzistonte që më parë një fortesë në vendin që Akbari zgjodhi si kryeqytetin e tij të ri: me plan të parregullt, pak a shumë gjysmë-rrethor, ishte ndërtuar nga Lodisët. Sovrani mogul u vendos për të vazhduar kështu rregullimet dhe modernizimet: nisi kështu, në vitin 1565, të zëvendësonte muret me tulla me gurë të kuq ranorë, aty ku hapet në perëndim porta e Amar Singhut. Kjo, në vazhdim do të vishej së jashtmi, si gjithë muret rrethuese, nën mbretërimin e Aurangzebit, por porta e brendshme mbeti deri sot si në kohën e Akbarit, e dekoruar me qeramika me qelq blu. Një portë e dytë, porta e Delhit, ndërpret murin në perëndim.

Në fortesë u ndërtuan shumë ndërtesa, përveç pesëqint nga Abu'l-Fazl, por pjesa më e madhe e këtyre u shkatërrua në periudhën e Shah Xhahanit. Megjithatë, Taxh Jahangiri, ndërtesa kryesore e Zenanas, seksioni i rezervuar për gratë, duket se ka mbijetuar. Megjithë emrin, në të vërtetë është ndërtesa më e vjetër e kësaj fortese Mogule. Është e organizuar me planimetri katrore përreth dy oborreve të rrethuar nga portikë, në këndet e të cilëve gjenden katër kulla shumë-këndore. Një nga façatat është e drejtuar nga lumi, ndërsa hyrja, e vënë në pah është e vendosur nga krahu i kundërt. Dekorimi është i skalitur në reliev në gur ranor dhe mermer të bardhë në intars. Këtu gjendet shija për përzierjen e ndikimeve: ndërsa kolonat e portikëve evokojnë talarët e Azisë Qendrore, konsujt dhe profili i lakuar shumë i përpunuar evokojnë Indinë hindu para-Mogule; motivet e skalitura në gurë dhe stuko, në fund, rrjedhin nga arti Timurid. Një ndërtesë e dytë e fortesës së Agrës, Taxh Akbari, është – siç pohon emri – sigurisht porositur nga Akbari. E Organizuar si e mëparshmja përreth oborreve të mëdhenj qendror, sot është në gjendje gjysëm të shkatërruar, por duket se ka shumë karakteristika të përbashkëta me të sipërpërmendurin Taxh Xhahangiri.

Panoramë e Fatehpur Sikrit

Trasferimi i kryeqytetit në Fathabad, "qyteti i fitores", që do të behej Fatehpur Sikri, mori udhë në vitin 1571, pas fitores kundër sulltanëve të Guxharatit. Vendi ishte i banuar: aty ku nxirrej guri ranor, Baburi kishte vendosur kopshtet e tij të fitores dhe për më tepër ndodheshin një xhami dhe një shtëpi e vogël që i përkiste periudhës së Humajunit. Në qytet qëndronte edhe një shenjt mistik, Sheikh Salim Çishti (1479-1572) që Akbari pëlqente ta vizitonte, veçanërisht gjatë pelegrinazheve të shpeshta në Axhmer, në varrin e sufistit Sheikh Mu'in al-Din Çishti. Por përveç homazhit ndaj 'shaikhut', e shtynin edhe motive të tjera: Akbari në fakt kërkonte të sillte oborrin në një vend pak të larguar nga Agra, që mbetej megjithatë kryeqyteti ekonomik dhe politik i vendit (në veçanti në Agra vazhdohej të shtypej monedha) me qëllim të konsolidonte pushtetin e vetë. Në vitin 1585, kur situata u bë më e konsoliduar dhe nevoja të jetonte në një qytet të veçuar ishte më pak urgjente, Fatehpur Sikri u braktis. Qyteti u ndërtua rreth një liqeni të madh, në një rrafshnaltë dhe nga i cili kanë mbijetuar vetëm rreth dyzet ndërtesa. I rrethuar me mure, qyteti kishte një xhami të madhe, një karavan saraj, varrin e Shaikh Salim Çishtit, një Pazar, ndoshta një punishte të nxjerrjes së monedhave dhe masave dhe ndërtime të ndryshme pallatore (Divan-i ʿAmmi, Divan-i Khasi...).

Porta e Buland Darvazas

Xhamia e Madhe, një nga më të mëdhatë në Indi, mund të datohet rreth viteve 1573-1574. Çuditërisht, hyrja e saj është vendosur në perëndim dhe jo drejt zonës së pallit: fakti nuk është shpjeguar akoma nga studiuesit, megjithëse janë hedhur mjaft hipoteza. Kompleksi përbëhet nga një oborr i gjerë drejtkëndor (95 x 118 m) i rrethuar nga portikë të kurorëzuar nga kupola të vogla.

Varri i Sheikh Salim Çishtit

Façata e sallës së lutjeve është e ndarë nga një Ivan i madh që çon në një shentërore me kupolë të rrethuar nga dy mjedise të vogla edhe ata me kupola. Në aksin e portës dhe kupolës kryesore, së jashtmi gjendet faltorja e Shaikh Salimit. Dy hyrje monumentale të çojnë në xhami, Badshahi Darvaza ose Porta Perandorake, që të çon në pallat dhe Darvaza Bulandi, në të cilin hyhet nëpërmjet një shkalle të pjerrët dhe plani i të cilës zhvillon temën e sipërpërmendur të hasht bihishtit.

Në oborrin e xhamisë gjendet një ndërtesë e vogël me plan katror (14,63 m secila faqe), tërësisht në mermer të bardhë. Bëhet fjalë për varrin kushtuar Sheikh Salim Çishtit, salla qendrore e të cilit është e përbërë nga ekrane rrjetore komplekse të përpunuara, një nga shembujt më të mirë të njohur të këtij lloji. Mbulimi i portikut është i mbështetur nga konsuj të jashtëzakonshëm në formë gjarpëri, ndërsa në brendësi gjendet një tendë druri i gdhendur me guacka. Përdorimi i mermerit të bardhë, pa u lidhur me gurin e kuq ranor është e jashtëzakonshme për periudhën historike të ndërtimit dhe ka çuar në hamendësime të ndryshme: mund të ekzistoi një mënyrë për të dalluar në mënyrë pamore varret e shenjtëve[4] Ose, ndërtesa mund të jetë rindërtuar saktësisht (konsujt janë të datuar me siguri nga mbretërimi i Akbarit), por mermeri i bardhë në një moment të dytë: çështja nuk është zgjidhur akoma. Zona pallatore është një kompleks me përmasa të mëdha (340 x 275 m), i ndarë nga katër akse paralele të prera nga gjashtë akse pingule, që formojnë kështu një lloj rrjete. Ndërtesat e ndryshme janë organizuar sipas një radhe oborresh, fakt që vendos ndonjëherë ndonjë vështirësi të dallosh funksionin e ndërtimeve të veçanta.

Diwan-i Khasi i Fatehpur Sikrit

Divan-i ʿAmmi, ose salla e takimeve publike, është një nga strukturat e para të kompleksit dhe rezulton e përfunduar që në vitin 1573. Përdorej për të bujtur takimet publike, por edhe për festat private dhe të lutjeve. Në vend të mihrabit tipik të xhamisë është një 'jharôka', kushtuar me gjasa përkujtimit të vendit gati hyjnor të zgjedhur nga Akbari, i mbiquajtur "kibla e popullit". Divan-i Khasi, në të kundërt, ishte ndoshta ndërtesa e takimeve private, por nuk është e sigurtë që ky ishte caktimi zanafillor i përdorimit, pasi emrat i janë vendosur gjatë shekullit të XIX nga turistët britanikë. Mund të bëhet fjalë për një ndërtesë të papërfunduar, disa studiues mendojnë se një kupolë e mëtejshme ishte paracaktuar për ta mbuluar të gjithë; megjithatë, studiues të tjerë vënë në dukje risitë dhe sinkretizmin e veçantë të kësaj periudhe, priren më shumë të besojnë se Divan-i Khasi ishte i paracaktuar të rrinte në gjendjen e tanishme. Në brendësi, një shtyllë me bazë shumë-këndore dhe kapitel të përbërë nga dy rende konsujsh të lakuar mund të jetë përdorur si fron për perandorin. Është i lidhur në pikën e katër pikave këndore, që janë nga ana e tyre të lidhura nga një korridor.

Ndërsa oborri i paçisit zhvillohet si një fushë shahu monumentale, një tjetër oborr, ai i Talao Anupit ishte i përbërë nga një kënetë e madhe dhe një ndërtesë e quajtur pallati i sulltanit të Turqisë, i pajisur me një dekorim në basoreliev me kafshë dhe shpend që të kujtojnë fortë artin timurid. Pallati i Xhodhbait është një nga më enigmatikët. Do të mund të ishte realizuar në fakt para mbretërimit të Akbarit, duke parë që dekorimi i tij i brendshëm është i stilit Raxhput. Në fund për tu përmendur është Taxh Panxhi, ndërtesa më e lartë e kompleksit të pallatit, emri i të cilit do të thotë pesë nivele. Ai në fakt zhvillon në pesë kate hipostile me kolona të dekoruara në mënyrë të pasur.

Varri i Humajunit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

14 vjet pas vdekjes së Humajunit, e veja e tij Hamida Banu Begum ndërtoi varrin e tij në Delhi. Mauzoleu i Humajunit gjendet në qendër të një sheshi të rrethuar nga kopështi tipik Mogul në Fatehpur Sikri. Thuhet se është shembulli i parë i pjekurisë së Arkitekturës Mugale.[5]

Buland Darvaza, e njohur edhe si Porta e Madhështisë, u ndërtua nga Akbari në vitin 1576 në Fatehpur Sikri. Akbari e ndërtoi Buland Darvazën për të përkujtuar fitoren e tij mbi Guxharatin dhe Dekanin. Është 40 metra e lartë dhe 50 metra nga toka. Lartësia tërësore e strukturës është rreth 54 metra nga niveli i tokës. Buland Darvaza arrihet nga rreth 1,000,000 shkallë. Buland Darvaza është bërë prej guri ranor të kuq të lustruar, të dekoruar nga skalitje dhe zbukurime mermeri bardh e zi. Një mbishkrim në faqen qendrore të Buland Darvazës është bazuar mbi besimin e krishterë (këshillë e dhënë nga Jezu Krishti) dhe kështu tregon mendje-hapjen e Akbarit për sa i përket fesë.[6]

Haramsara, pallati mbretëror në Fatehpur Sikri ishte një zonë ku jetonin gratë mbretërore. Hyrja për në Haramsara është nga ana e Khvabgahut. Sipas Abul Fazlit, në Ain-i-Akbari, pjesa e brendshme e haremit ruhej nga gra të vjetra dhe aktive, jashtë rrethimit të eunukëve dhe në një distancë të përshtatshme rojat besnike të Raxhputit.[7]

Pallati i Xhodha Bait

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ky është pallati më i madh në kompleksin e Fatehpur Sikrit, i lidhur me lagjet minore të haramsaras (ku qëndronin zonjat më pak të rëndësishme dhe shërbyeset). Hyrja kryesore është me dy kate, e dalë nga façata për të krijuar një lloj verande që të çon në një hyrje të brendshme me ballkon. Brenda është një katërkëndësh i rrethuar me dhoma. Kolonat e dhomave janë të zbukuruara me një larmi motivesh skulpturore Hindu.

Pllakat e glazuara mbi çati nga Multani kanë një nuancë të bruztë.[8] Xhamia u ndërtua në nder të Xhodha Bait, nëna e Xhahangirit dhe gruaja e Akbarit. Emri i saj Mugal ishte Marijam Zamani Begum dhe kjo është arsyeja që xhamia u ndërtua në nder të saj në qytetin e fortifikuar të Lahores. Xhamia e nënës së Xhahangirit, Marijam Zamani Begum është vetëm 1 km nga Varri i Akbarit, pranë Agrës në një vend të quajtur Sikandra. Buland Darvaza mbizotëron peizazhin. Historiani 'Abd al-Kadir Bada'uni' shkruan se ai është portiku më i lartë në Hindustan që nga ajo kohë e deri tani.

Mbishkrimet

Një kronogram është shkruajtur mbi harkadën qendrore e kompozuar nga Ashraf Khani, një nga sekretarët kryesor të Akbarit, që lexon:

'Në mbretërinë e Mbretit të botës, Akbar, Të cilit i detyrohet rendi në vend. Sheikh-ul-Islami zbukuroi xhaminë, Që për elegancën e saj meriton po aq vlerësim sa Qabeja. Viti i realizimit të kësaj ndërtese madhështore, gjendet në fjalët, "dyfishi i Masxhidi'l-Haram"'[9]

Varri i Sheikh Salim Çishtit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Varri i Sheikh Salim Çishtit është i njohur si një nga shembujt më të rafinuar të Arkitekturës Mugale në Indi, i ndërtuar gjatë viteve 1580 dhe 1581, bashkë me kompleksin perandorak pranë Zenana Rauza dhe i drejtuar në jug nga Buland Darvaza, brenda katërkëndëshit të Xhama Masxhidit që është 106.68 m. me 134.11 m. Ai bart vend-varrin e shenjtit sufi, Salim Çishti (1478 – 1572), një pasardhës i Khvaxha Moinudin Çishtit të Axhmerit dhe që jetoi në një shpellë kreshtën e Sikrit. Mauzoleu, i ndërtuar nga Akbari si një shenjë e respektit të tij për shenjtin sufi, që paratha lindjen e djalit të tij, që u emërtua Princi Salim sipas emrit të tij dhe më vonë zëvendësues i Akbarit në fronin e Perandorisë Mugale, si Xhahangir. Është tërësisht prej mermeri të bardhë dhe i mbuluar në mozaik në pietra dura. Jahangiri ndërtoi gjithashtu Kopshtet e Shalimarit në Kashmir dhe Nishat Baghun si dhe pavijonet e tyre shoqëruese në bregun e Liqenit Dal në Kashmir. Ai ndërtoi gjithashtu një monument për drerin e tij shtëpiak, Hiran Minarin në Sheikhupura në Pakistan dhe për shkak të dashurisë së tij të madhe për gruan e tij, pas vdekjes së saj ai ndërtoi mauzoleumin e tij në Lahore.

Brendësia e Varrit të Akbarit, me cenotafin e tij

Periudha e Xhahangirit (1605 - 1627)

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Xhahangiri tregoi interes për arkitekturën dhe nën mbretërimin e tij u zhvilluan risi të ndryshme të rëndësishme që karakterizojnë këtë periudhë kalimtare midis mbretërimeve të Akbarit dhe Shah Xhahanit. Monumenti i parë që mund ti atribuohet dëshirës së Xhahangirit është Varri i Akbarit në Sikandra, i përfunduar brenda vitit 1613, por me gjasa i nisur që me mbretërimin e vetë Akbarit. Gjithësesi, format, shumë të ndryshme nga ato të mbretërimit të Akbarit, tregojnë se pjesa më e madhe e ndërtimit u krye nën mbretërimin e Xhahangirit, i cili, sipas teksteve do të ruante bazamentin e fuqishëm dhe do ti jepte udhë ndërtimit të ndërtesës së mirëfilltë.

I ngritur mbi një platformë të madhe në mes të një kopështi në çahar bagh (756 m²), ky varr i lartë 30 metra është unik dhe pa dyshim pjesërisht i papërfunduar. Hyrja është e mundur nëpërmjet portës jugore, ndërsa tre portalet e tjera nuk janë të përshkrueshëm; plani rimerr temën e hasht bihishtit. Katër minaret që kufizojnë monumentin përfaqësojnë një risi për botën mogule, edhe pse është e njohur në Dekan një portë e karakterizuar nga e njëjta shpërndarje. Façata paraqet një pishtak, të kryesuar nga një çhatris, ndërsa brendësia është e organizuar përreth katër niveleve të hapësirave hipostile, si Panç Mahali i Fatehpur Sikrit. Niveli i fundit është i ndërtuar nga një oborr i hapur me dritare dhe i kufizuar nga çhatri, përmban një cenotaf në qiell të hapur. Disa studiues mendojnë se fillimisht ishte paracaktuar mbulimi me një kupolë, por nuk është një zgjidhje e ndarë nga të gjithë: në fakt cenotafi i Baburit është edhe ai në qiell të hapur.

Patronazhi i Xhahangirit është i pranishëm edhe në Fortesën e Lahores, katërkëndëshe dhe e drejtuar nga kopështet. Mund të vërehet prania e një pavjoni të vogël tetëkëndësh në një liqen të vogël, i ndërtuar në kujtim të një antilope. Xhahangiri u mor po ashtu edhe me rindërtimin e mureve, të dekoruar me qeramikë sipas një zakoni të prejardhur nga jugu dhe të bërë karakteristikë edhe e këtij rajoni të Pakistanit të sotëm. Në Kashmir, Xhahangiri krijoi përkundrazi kopështe, të quajtur Kopështet e Shalimarit (Shalimar Bagh), emri i të cilëve do të rimerrej në vazhdim nga Shah Xhahani, në veçanti në Lahore dhe Delhi. Si pjesa më e madhe e kopështeve mogulë, janë realizuar në pjerrësi në mënyrë që ngritja të mundësonte të shihej përtej mureve si dhe për të mundësuar krijimin e një kaskate të madhe. Rrugicat janë lehtësisht të ngritura dhe kryqëzimet e rrugicave të ndryshme ose të kanaleve gjenden ndërtesa me forma të larmishme. Kopshtet janë të ndarë në tre pjesë: pubblike, gjysmë-pubblike dhe private.

Një nga hyrjet në mauzoleun e I'timād-ud-Daulahut

Realizimi më i shquar i mbretërimit të Xhahangirit, megjithatë, nuk i atribuohet patronazhit të tij personal: qe Nur Xhahani – gruaja e dymbëdhjetë dhe e parapëlqyer e Xhahangirit – që urdhëroi ndërtimin e mauzoleut të të atit Iʿtimād al-Daulah-ut në Agra, i ndërtuar midis viteve 1621 dhe 1626. I vendosur në një platformë me gurë të kuq ranor me intarse në mermer të bardhë në qendër të një kopështi të madh Çahar Bagh, një pavijon me gur të kuq ranor dhe mermer të bardhë është i dukshëm nga secili aks dhe i arritshëm si nëpërmjet lumit ashtu dhe nëpërmjet tokës. Mauzoleu është ndërtuar tërësisht në mermer të bardhë dhe i dekoruar me intarse me gurë të kuq ranorë, duke sjellë përmbysjen e raportit midis këtyre dy materialeve shumë inovativë. I kufizuar nga katër kulla këndore tetëkëndore që shërbejnë si minare, si për Varrin e Akbarit, varri formon një katror prej 31 metrash në çdo faqe, i kurorëzuar nga një pavjon i vogël me një kupolë të ulur, trajtë specifike e arkitekturës mogule. Plani i tij është i organizuar sipas tipologjisë hasht bihisht, në të cilën hapësira qendrore është rezervuar për dhomën e varrimit. Tre harqe, secili i hapur në një krahë, mundësojnë hyrjen në strukturë.

Varri i Itmad-ud-Daulah-ut

Me siguri dekorimi është karakteristika më e dallueshme e këtij monumenti. Është realizuar me teknikën e pietra duras, e importuar nga Perëndimi nëpërmjet dhuratave diplomatike dhe tregëtare.[10] Gjihë sipërfaqet janë të mbuluara dhe me intarse me gurë me ngjyra me stërhollim të skajshëm: motive floreale dhe bimore janë zhvilluar me ndjeshmëri të skajshme.

Hasen motive të prejardhur veçanërisht nga Irani dhe ndikime nga atri i tij grafik, si motivi me pemë qiparisi të rrethuar nga lule. Por një tjetër teknikë është përdorur gjithashtu: skalitja e nikeve – të quajtura Çini Khana – që tregojnë ndikimin e hindu dhe shërbenin ndoshta për të paraqitur objekte me vlerë të porcelanës kineze, metale ose pietra dura. Këto nike nuk ishin gjithmonë të skalitura në stuko, por mund edhe të ishin thjeshtë gdhendje, duke treguar ndonjëherë në brendësi profilet e shisheve ose vazove piriforme. Në fund, është për tu shënuar një dekorim i fundit: stukot si erashkë, që janë një risi pikërisht e mbretërimit të Xhahangirit. Një tjetër mauzole i rëndësishëm i mbretërimit të Xhahangirit është Varri i vetë sovranit, i vendosur në Lahore, ndërtimi i të cilit u mbikqyrë nga Nur Jahani. Bëhet fjalë për një pavjon të vogël të vendosur mbi një platformë gjigande, të konturuar nga katër minare. Cenotafi është në mermer me intarse dhe i shpuar për të futur dritën në dhomën e poshtme.

Për më tepër ndërtoi Minaren Hiran në Sheikhupura, në Pakistanin e sotëm, kushtuar drerit të vetë shtëpiak. Arkitektura mogule nën mbretërimin e Xhahangirit shfaq shumë risi, si për shembull kalimi në përdorimin e mermerit të bardhë si material kryesor, vendosja e kullave këndore, punimet në pietra dura dhe shija për tufat e luleve dhe motivet floreale: të gjithë këto elemente paraprijnë mbretërimin e Shah Xhahanit dhe shpërthimin e tij arkitekturor.

Arkitektura mogule klasike: mbretërimi i Shah Xhahanit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në vend që të ndërtonte monumente të stërmëdhenj si paraardhësit e tij për të treguar pushtetin e tyre, Shah Xhahani ndërtoi monumente elegante. Forca dhe origjinaliteti i stilit të këtyre ndërtesave të mëparshme i dha rrugë nën Shah Xhahanin një elegance delikate dhe rafinimi të detajeve, të ilustruara në pallatet e ndërtuar gjatë mbretërimit të tij në Agra, Delhi dhe Lahore. Disa shembuj përfshijnë Taxh Mahalin në Agra, varrin e gruas së tij Mumtaz Mahal. Xhamia Moti (Xhamia e Perlës) në Fortesën e Lahores dhe Xhama Masxhidi në Delhi janë ndërtesa mbresëlënëse të periudhës së tij dhe pozicioni dhe arkitektura e tyre është konsideruar hollësisht për të prodhuar efektin dhe ndjenjën e elegancës së gjerë dhe mirë-balancimi i proporcioneve të pjesëve. Shah Xhahani ndërtoi gjithashtu seksione të Shish Mahalit dhe pavijonit Naulakha, që janë të gjitha të përfshira në fortesë. Ai ndërtoi gjithashtu një xhami të emërtuar sipas vetes së tij në Thata të quajtur Xhamia e Shah Xhahanit. Shah Xhahani ndërtoi gjithashtu Fortesën e Kuqe në kryeqytetin e tij të ri Shah Xhahanabad, tani Delhi. Guri i kuq ranor i Fortesës së Kuqe është i njohur për ndërtimet e tij të veçanta - Divan-i-Aam dhe Divan-i-Khasi. Një tjetër xhami u ndërtua gjatë qëndrimit të tij në Lahore e quajtur Xhamia e Vazir Khanit, nga Shaikh Ilm-ud-din Ansari i cili ishte mjeku i oborrit të perandorit.

Është nën mbretërimin e Shah Xhahanit (1628-1657) që është e mundur të përcaktosh periudhën klasike të arkitekturës mogule. Ai vendosi një program arkitekturor shumë ambicioz, më i gjeri i gjithë historisë së artit islamik: shfaqjet kryesore të këtij arti janë të vëreshme te Fortesa e Agrës, në Delhi, në Axhmer, në Kashmir, etj. Ky klasicizëm shfaqet me trajta të të ndryshme të veçanta – si për shembull rëndësia e simetrisë – dhe përdorimi i një repertori formash dhe modelesh më të standardizuar dhe të kufizuar përkundrejt mbretërimeve të mëparshme – si harku lobular – që përhapet në të gjithë perandorinë. Materiali i parapëlqyer tani është vetëm mermeri i bardhë, pa gurin e kuq ranor, por i dekoruar me stuko dhe intarse.

Divan-i Khasi i Fortesës së Agras

Shah Xhahani urdhëroi shkatërrime të shumta në brendësi të Fortesës së Agrës, me qëllim që të mund ta rindërtonte më mirë. Në pjesën publike, organizoi hapësirën rrethuese në tre rrugë koncentrike, në lindje një platformë mban ndërtesën kryesore, Divan-i 'Ammi që lidh Çehel Sutunin, një sallë e re për gjykatën publike. Këtu, shprehja Çehel Sutun (që në gjuhën persiane do të thotë dyzet kolona) u mor në kuptimin fjalë për fjalë, duke parë që ndërtesa përmban dyzet të tilla. Si në disa xhami, kjo sallë e re në gurë të kuq ranor veshur me chuna është e shënuar nga një aks qendror më i madh që të çon në një jharôka të ngritur në mermer. Vërehet prania e një kolone karakteristike të tipit të Shah Xhahanit me bazë me panele, trungun gjashtëkëndor të skalitur ndërsa tipologjia e kapitelit ishte e ndryshueshme (si fole bletësh, me dekorime floreale etj.).

Karakteristikë e dekorimit të Divan-i Khasit

Një tjetër kompleks shumë i rëndësishëm në brendësi të fortesës së Agrës i atribuar patronazhit të Shah Xhahanit, Divan-i Khasi ose Khas Mahali, është i drejtuar nga lumi, i rrethuar nga ndërtesa të tjera të të njëjtit stil, i konsideruar si Bangla pasi përmban disa karakteristika të Arkitekturës së Bengalit dhe në veçanti çatinë e lakuar. Këto dy ndërtesa të vogla janë përdorur si dritare të shfaqjeve për sulltanin dhe bijën e tij Xhahanara. Secila nga këto gjendet pranë një kulle që shërbente si kënd privat. Këto elemente të vogla janë të veshura me çuna, shumë e ngjashme me mermerin dhe janë dekoruar me motive chînî khâna. Ndërtimi i Fortesës së Agrës u përfundua në vitin 1637, por një ndërtes e vogël dhe elegante në mermer, Xhamia e Perlës, u shtua në vitin 1654. Salla e lutjeve paraqet në façatë shtatë harqe shumë lobëshe dhe është e kurorëzuar nga tre kupola bulbore mbi tambure, në vend të çhatrive.

Taxh Mahali.

Taxh Mahali, një monument i trashëgimisë botërore të UNESCO-s i njohur si "loti në faqen e kohës" siç e ka përshkruar shkrimtari Rabindranath Tagore, u ndërtua midis viteve 1630–48 nga perandori Shah Xhahan në kujtim të gruas së tij Mumtaz Mahal. Ndërtimi i tij mori 22 vite dhe kërkoi 22,000 punëtorë dhe 1,000 elefantë. I ndërtuar tërësisht prej mermeri të bardhë në një kosto prej afërsisht 32 milion rupish, është një nga Shtatë Mrekullitë e Reja të Botës. Plani më i gjatë simetrik i ndërtesës shtrihet përmes gjithë kompleksit përveç sarkofagut të Shah Xhahanit, që është i vendosur jashtë qendrës në dhomën nëntokësore. Kjo simetri shtrihet në ndërtesë e një pasqyre të xhamisë në gurë të kuq ranor, për të plotësuar xhaminë e drejtuar nga Meka të vendosur në perëndim të strukturës kryesore. Shah Xhahani përdori "pietra dura", një metodë dekorimi në shkallë të gjerë me zbukurime me gurë të çmuar.

Taxh Mahali, edhe ai i vendosur në Agra, është pa dyshim ndërtesa më e famshme dhe më e shquar e mbretërimit të Shah Xhahanit. Varri i ndërtuar për Mumtaz Mahalin, gruan e parapëlqyer të sulltanit, midis vitit 1631 dhe 1647, përbën një kompleks të stërmadh të vendosur pranë lumit Jamuna dhe që vendos edhe sot shumë pikëpyetje të pazgjidhura. Kompleksi i Taxh Mahalit është i ndarë në tre pjesë, tre rrethime të vendosur mbi të njëjtin aks: një Chahar Su (kryqëzim i organizuar përreth dy akseve pingule) të çon – nëpërmjet një porte monumentale – në një kopësht në Çahar Bagh në fund të të cilit gjendet një portal i dytë nëpërmjet të cilit hyhet në varrin e mirëfilltë, të ndërtuar mbi një platformë. Kjo tipologji organizuese, që e vendos arkitekturën pranë lumit, në fund të kopështit dhe jo më në pikëprerjen e akseve është mjaft inovative.

Në bregun tjetër të lumit Jamuna gjendet një kompleks i mëtejshëm mjaft enigmatik. Jean-Baptiste Tavernier, në udhëtim nëpër Indi gjatë shekullit të XVII, shkroi se një ndërtesë e tillë ishte nisur me qëllim që të krijonte në mermer të zi një kundërpjesë të Taxh Mahalit: kjo hamendje megjithatë duket plotësisht për tu anashkaluar sipas gjykimit të studiuesve të sotëm. Sipas asaj që paraqitet në një akuarel me prejardhje britanike të shekullit të XVIII, kompleksi do të mund të pasqyrohej në një basen të madh në formë zambaku.

Portiku hyrës në oborrin e tretë

Portiku hyrës drejt oborrit të tretë është realizuar në gur ranor të intarsuar me mermer dhe që përbëhet sipas të njëjtës skemë që organizon varrin, 'hasht bihishtin. Vërehet një simetri e fortë aksiale, e përforcuar nga prania e dy kullave këndore. Taxh Mahali është i brendashkruar në profilin e portikut. Varri paraqet kulmin e një tradite si në plan ashtu edhe në ngritjen dhe në dekorime, duke parë që paraqet pozocionimin e Varrit të HumajanitDelhi; në të njëjtën kohë, paraqitet më e proporcionuar, duke paraqitur kupola më bulbore. Katër minaret nuk janë më të vendosur në ndërtim si në rastet e mëparshme, por rrinë të autonome.

Xhali me intarse floreale

Ndërtesa e brendshme është në mermer, duke përfshirë edhe platformën, që – e dekoruar me nike – kontraston me dy elementet – xhamia dhe streha për pelegrinët – të vendosura poshtë, të ndërtuara në gurë ranorë dhe të arritshme nëpërmjet një porte mermeri. Sipas simbolizmit hindu, e bardha është zakonisht ngjyra e rezervuar për Brahminët, ndërsa e kuqja për sovranët. Materiali i ndërtimit, me cilësi të shkëlqyer, vjen nga Raxhastani dhe është me ngjyrë të ndryshueshme sipas dritës së ditës. Si sofistikim sipëror, lidhjet janë realizuar në mënyrë të tillë që monumenti të paraqitet përsosmërisht i lëmuar.

Nga këndvështrimi i dekorimit, mund të vërehen tipologji të ndryshme. Përfshijnë mbi të gjitha citime kuranore mbi temat shpëtimtare, me intarse në të zezë, kryesisht mbi Iwanë të vegjël. Sipas disa studiuesve, programi i mbishkrimeve mund ta identifikoi dhe vetë Taxh Mahalin si froni i Zotit, i vendosur në brendësi të kopështeve të parajsës së gjykimit të fundit[11]. Por është mbi të gjitha dekorimi floreal i skalitur dhe intarsuar që tërheq vëmendjen për natyralizmin e tij, i theksuar më tepër në brendësi. Tipologjitë floreale të paraqitura janë me gjasa të rrjedhura nga erbarë evropianë të arrdhur në Indi nëpërmjet tregëtisë: dekorime të tilla janë të pranishëm në gjithë artin mogul afërsisht që nga viti 1620. Cenotafët, që me gjasa përmbajnë dekorimet më të bukura në intars në brendësi të monumentit (numërohen 48 varietete të ndryshme gurësh), janë të rrethuar nga një Jali tetëkëndor, që përcakton hapësirën qendrore. Xhamia e vendosur lehtësisht më poshtë, është edhe ajo e dekoruar me mermere të intarsuar dhe motive floreale, si dhe chini khana. Tipike të Shah Xhahanit, kolonëzat këndore paraqesin baza në formë bulbi, ndërsa petalet e luleve dekorojnë bazën e kupolave.

Muret e Fortesës së Kuqe në Delhi

Si Akbari, Shah Xhahani ndërtoi një qytet praktikisht nga fillimi pranë Delhit. I zhvilluar midis viteve 1639 dhe 1648, Shahxhahanabadi organizohet si gjysmë-rreth i parregullt në bregun perëndimor të lumit Jamuna, duke përfshirë pjesën më të madhe të qytetit të Firuzbadit, të themeluar në shekullin e XIV. Arkitekti kryesor i kompleksit qe Lahaur Ahmadi, që kishte mbikqyrur punimet e Taxh Mahalit. Qyteti përfshin rrugë të gjera me kanale, xhami, kopështe, pazare, pallate të fisnikëve – të organizuar përreth kopështeve në pjesë të shpërndara nga perandori – dhe një kështjellë, Fortesa e Kuqe, e quajtur kështu pikërisht për shkak të mureve të saj me gurë të kuq ranorë.

Fortesa e Kuqe (Lal Kal'a) është një ndërtesë e stërmadhe (656 m x 328 m) e përbërë nga një seri e njëpasnjëshme oborresh dhe kopështesh të furnizuar me ujë nëpërmjet një devijimi të lumit Jamuna. Fortesa arrihet nëpërmjet dy portave, porta e Delhit, që të çon te xhamia e madhe dhe ajo e Lahores, me rrugicat e pazarit, fortesa përmban rrugë të shumta, midis të cilave ajo e takimeve publike, në fund të të cilës gjendet Divan-i 'Ammi. Kjo çon në pjesën më private të fortesës nëpërmjet një kopështi në Çahar Bagh, në brendësi të të cilit, në veçanti Divan-i Khasi, një hamam dhe një kullë shfaqjeje.

Divan-i Khasi i Fortesës së Kuqe të Delhit

Divan-i ʿAmmi është shumë i ngjashëm me atë të Agrës, me kolonat dhe harqet e tij me nëntë lobe. Kjo ndërtesë me kolona prej 57 metrash për 21 është realizuar me gurë të kuq ranorë të mbuluar në stuko, duke imituar mermerin. Përfshin një tribunë prej mermeri kushtuar bujtjes së Fronit të Palloit dhe që përdorej si Xhharokha. E mbuluar me një çati bangla dhe e mbajtur nga kolona me baza në formë bulbore, është e dekoruar me elemente floreale të skalitur dhe me intarse me pietra dura që paraqesin – veç shpendëve dhe luleve – edhe felinë, simbole të mbretit Solomon dhe një paraqitje e Orfeut: kjo e shpjegon qartësisht importimin e këtyre teknikave nga Evropa dhe në veçanti nga tavolina dhe mobilje fiorentine. Divan-i Khasi është një pavjon me kolona dhe harqe shumë-lobëshe, të kurorëzuar nga katër chatrise dhe të dekoruar në mënyrë të rafinuar me skulptura dhe intarse. Zbukurimi shumë i rëndë dhe e mbush me rëndësi të madhe elementin floreal. Edhe në hamam, dekorimi është realizuar në pietra dura të intarsuar në mermer. Uji është një element shumë i rëndësishëm për Fortesën e Kuqe. I disponueshëm nëpërmjet devijimit të lumit Jamuna, u realizua për të lidhur ndërtesat së bashku nëpërmjet kanaleve, përveçse për të luajtur ndonjëherë një rol dekorues, si në Shah burxh, ku rrjedh mbi pllaka mermeri të sistemuara në pjerrësi.

Façata e haramit të Xhamisë së Madhe në Delhi

Xhamia e Madhe e Shahxhahanabadit, e quajtur Xhama Masxhidi i Delhit, është më e madhja e Indisë. E ndërtuar midis vitit 1650 dhe 1656, është e veshur me gurë të kuq ranorë. E Vendosur sipas planimetrisë mogule[12] përbëhet nga një oborr i gjerë i veshur me pllaka mbi të cilin paraqiten tre porta të tjera, në çdo faqe. Harami hapet me një façatë të formuar nga një pishtak të vendosur pranë kolonash të holla dhe i mbuluar nga chatrise. Është e vendosur pranë dy minareve të holla të kryesuara nga çhatrit dhe të mbuluara nga tre kupola në formë bulbi me tambur të lartë. Në brendësi, ndërsa minbari është mjaft i vogël, mihrabi arrin përmasa të stërmëdha.

Një nga hyrjet e xhamisë së Vazir Khanit

Ndërtesa të tjera, të lidhura drejt për së drejti me patronazhin e Shah Xhahanit ose të ministrave dhe dinjitarëve të tij janë ndërtuar në qytetet e mëdha të perandorisë. Kështu, Wazir Khani ndërtoi një xhami midis viteve 1634 dhe 1635 në qytetin e Lahores, duke e lënë të lidhur me të emrin e tij. E ndërtuar me planimetri mogule, paraqet katër minare tetëkëndore në këndet e oborrit të madh me portik të veshur me pllaka (51 per 39 metri). Salla e lutjeve është e hapur nga një portik monumental dhe është e mbuluar nga pesë kupola. Haset përdorimi i materialeve të veçanta për zonën: tulla, qeramika e zmaltuar dhe stukoja. Përveç xhamisë, Shah Jahani porositi pazare të shumta, saraje karvanësh, pavjone etj. Qe edhe i apasionuar pas kopështeve dhe realizoi në Srinagar, Lahore dhe Delhi: të tre morën emërtimin Shalimar Bagh. Kopshtet e Shalimarit (1641–1642) të ndërtuara me urdhër të Shah Xhahanit në LahorePakistanit janë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Mbretërimi i Aurangzebit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Salla e lutjeve të Xhamisë Badshahi

Gjatë mbretërimit të Aurangzebit (1658–1707) guri katror dhe mermeri u zëvendësua nga tulla ose guralecët me zbukurime në stuko. Srirangapatna dhe Laknau kanë shembuj të arkitekturës së vonë Indo-Mogule. Ai bëri shtesa në Fortesën e Lahores dhe ndërtoi gjithashtu një nga trembëdhjetë portat që më vonë u emërtua sipas tij (Alamgir). Besimi i fortë i Aurangzebit e shtyu të ndërtonte xhami të shumta, si ajo e perlës (e quajtur Moti Masxhid) në Delhi, që rimerrte xhaminë e Naxhinit të ndërtuar nga Shah Xhahani në Agra, me një navatë qendrore të mbuluar me bangla dhe façatë të lakuar në qendër. Me përmasa të vogla, është e gjitha në mermer dhe tregon një dekorim floreal shumë më të pasur përkundrejt periudhës së Shah Xhahanit.

Lahore, Aurangzebi urdhëroi realizimin e ndërtesave të ndryshme civile, si për shembull Porta me kangjella e fortesës, por edhe Xhamia Badshahi, e drejtuar nga vëllai i tij i adoptuar, Fida'i Khan Koka, në periudhën 1673-1674. E ngritur përkundrejt qytetit, përmban katër minare në këndet e oborrit, ndërsa katër minare të tjera që kufizojnë haramin, kurorëzohen me chatrise. Në ndryshim nga xhamia e Vazir Khanit, është ndërtuar gurë ranorë të intarsuar dhe jo sipas kononeve tipike të rajonit. Ngjyra kontraston me atë të kupolave, që janë tërësisht në mermer. Megjithë përmasat e rëndësishme, proporcionet arrijnë ti japin lehtësi të madhe, në veçanti nëpërmjet harqeve lehtësisht shumë-lobëshe. Për më tepër Aurangzebit i detyrohet mauzoleu i ngritur për gruan në Aurangabad. Ky u ndërtu mbi të njëjtin parim mbi të cilin u zhvillua Taxh Mahali: një ndërtesë me kupolë mbi një platformë të rrethuar nga katër minare të shkëputura nga ndërtesa kryesore. Por përmasat e ndërtesës, më të trasha, e bëjnë tepër të dobët imazhin e kompleksit dhe shenjojnë në një farë mënyre nisjen e rënies së arkitekturës Mogule.

Xhamia Badshahi në LahorePakistanit u porosit nga perandori i gjashtë Mogul Aurangzeb. E ndërtuar midis viteve 1671 dhe 1673, ishte xhamia më e madhe deri atëherë. Është xhamia e dytë më e madhe në Pakistan dhe xhamia e shtatë më e madhe në botë sot për sot. Xhamia është në afërsi të Fortesës së Lahores dhe është e fundit e serisë së xhamive grumbulluese në gurë të kuq ranorë. Guri i kuq ranor i mureve kontraston me mermerin e bardhë të kubesë dhe dekorimet e rafinuara. Plani arkitekturor i xhamisë së Aurangzebit është i ngjashëm me atë të babait të tij, Shah Xhahan, Xhama Masxhidi në Delhi; megjithëse është më e vogël. Ajo funksiononte gjithashtu edhe si idgah. Oborri që shtrihet përgjatë 84,1248 m2, mund të strehoi një qint mijë besimtarë; dhjetë mijë mund të strehoen brenda xhamisë. Minaret janë 60 m e lartë. Xhamia është një nga strukturat më të famshmet Mogule, por u dëmtua shumë nën mbretërimin e Maharaxha Ranxhit Singhut. Në vitin 1993, Qeveria e Pakistanit e përfshiu Xhaminë Badshahi në listën propozuese për Listën e UNESCO-s.[13]

Monumente të tjera

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Monumente të tjera nga kjo periudhë janë të lidhura me gra nga familja perandorake e Aurangzebit. Ndërtimi i Zinat al-Masxhidit elegant në Darjaganxh u mbikqyr nga vajza e dytë e Aurangzebit Zinat-al-Nisa. Motra e Aurangzebit, Roshan-Ara që vdiq në vitin 1671 ndërtoi një varr dhe kopësht që e rrethonte atë. Varri dhe kopështi i Roshanara Begumit u lanë pas dore për një kohë të gjatë dhe tani janë në një gjendje të përparuar të degradimit. Bibi Ka Makbara ishte një mauzoleum i ndërtuar nga princi Azam Shah, djali i perandorit Aurangzeb, në fundin e shekullit të XVII si një kushtim ndaj dashurisë së nënës së tij, Dilras Bano Begam në Aurangabad të Maharashtras. Porta e Alamgirit, e ndërtuar në vitin 1673, është hyrja kryesore në Fortesën e Lahores . U ndërtua e drejtuar në perëndim drejt Xhamisë Badshahi në kohën e perandorit Aurangzeb. Një tjetër ndërtim i Periudhës Mogule është Fortesa e Lalbaghut (e njohur edhe si "Fortesa e Aurangabadit"), një pallat-fortesë Mugal në lumin Buriganga në pjesën jug-perëndimore të Dhakas në Bangladesh, ndërtimi i të cilës nisi në vitin 1678 gjatë mbretërimit të Aurangzebit.

Arkitektura Mogule gjatë shek. të XVIII dhe XIX

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjatë shekullit të XVIII, patronazhi i veprave arkitekturore u bë i pavarur nga oborri perandorak: porositësit u bënë mbi të gjitha drejtuesit vendorë, ziliqarë për pushtetin e qendërzuar Mogul, që përvetësojnë ndërtime për llogaritë e veta, dhe kopjojnë stilin madhështor Mogul. Ndërtesa më e rëndësishme dhe përfaqësuese në këtë periudhë është me gjasa Varri i Safdarxhungut, i ndërtuar në Delhi në vitet 1753-1754. Ndërtesa e fundit që ndoqi skemën planimetrike të hasht bihishtit, është modeluar mbi shembullin e Varrit të Humajunit, por ndryshon rrënjësisht proporcionet, duke vendosur theks më të madh te vertikaliteti. Për sa i përket shekullit të XIX, është mbi të gjitha në Laknau që vërehet akoma një aktivitet i madh arkitekturor. Xhamia e tij e madhe është e dekoruar me një mozaik me pasqyra të vogla, sipas një teknike të krijuar nën Shah Xhahanin dhe të përdorur gjerësisht në arkitekturën e vonë Raxhpute, të quajtur Shish Mahal.

Kopshtet Mogule janë kopshtet e ndërtuar nga Perandoria Mogule në stilin Arkitekturor Islamik. Ky stil u ndikua nga kopshtet Perse dhe Kopshtet Timuride. Kopshtet Mogule përdornin në mënyrë domethënëse projektet drejtvizore brenda rrethimeve me mure. Disa nga veçoritë tipike përfshijnë pishina, çezma dhe kanale brenda kopshteve. Kopshtet e famshme janë Kopshtet e Çar Baghut në Taxh Mahal, Kopshtet e Shalimarit në Lahore, Delhi dhe Kashmir ashtu si dhe Kopshti Pinxhore në Harjana.

  1. ^ "History of the Taj Mahal Agra". Agrahub.com (në anglisht). Arkivuar nga origjinali më 23 korrik 2011. Marrë më 20 janar 2009..
  2. ^ "The Taj mahal" (në anglisht). Islamic Arts and Architecture Organization. Arkivuar nga origjinali më 17 prill 2009. Marrë më 22 maj 2009.
  3. ^ Sastri, Annapurna B. "Mugal Architecture" (në anglisht). Indian Pick. Arkivuar nga origjinali më 18 qershor 2017. Marrë më 11 tetor 2014.
  4. ^ «Varri është vizualisht i rezervuar në këtë periudhë si ndërtesa e vetme në qytet e pa ndërtuar në gur të kuq ranor, për mermerin e bardhë ishte i rezervuar në këtë periudhë për varret e shenjtëve» S. Blair; J. Bloom (1994). Islamic Art and Architecture 1250 - 1800 (në anglisht). New Haven, Londër: Yale University Press. fq. 273.
  5. ^ "World Heritage Monuments, India - Humayun's Tomb". indiapicks.com (në anglisht).
  6. ^ "Buland Darwaza - Buland Darwaza Sikri - Buland Darwaza Agra - Buland Darwaza History - Buland Darwaza India". culturalindia.com (në anglisht).
  7. ^ Subhadra Sen Gupta (2013). Fatehpur Sikri: Akbars magnificent city on a hil (në anglisht). Niyogi books. fq. 146. ISBN 978-93-81523-72-8.
  8. ^ Subhadra Sen Gupta (2013). Fatehpur Sikri: Akbars magnificent city on a hil (në anglisht). Niyogi books. fq. 151. ISBN 978-93-81523-72-8.
  9. ^ cite book|author=Subhadra Sen Gupta|lang=en|year=2013|pages=172-76|title=Fatehpur Sikri: Akbars magnificent city on a hil|publisher=Niyogi books|ISBN=978-93-81523-72-8}}
  10. ^ Nëse mbretërimi i Akbarit shënoi fillimin e raporteve me perëndimorët, është më shumë nën mbretërimin e Xhahangirit që fillon të zhvillohet tregëtia me ta, në veçanti nëpërmjet 'English East India Company'.
  11. ^ cite journal|author=Wayne E. Begley|title=The Myth of the Taj Mahal and New Theory of Its Symbolic Meaning|lang=en|journal=Art Bulletin|year=1979|pages=7-37}}
  12. ^ Planimetria mogule është një tip planimetrie e përdorur për xhamitë e karakterizuar nga një oborr i stërmadh me katër iwanë, një sallë lutjesh gjatësore e mbuluar nga kupola në formë bulbi (zakonisht tre ose pesë) dhe nga përdorimi i pishtâkut.
  13. ^ UNESCO World Heritage Centre. "Badshahi Mosque, Lahore – UNESCO World Heritage Centre" (në anglisht). Whc.unesco.org. Marrë më 2 janar 2014.
  • Catherine Blanshard Asher (1992). Architecture of Mugale India, Part 1, Volume 4 (në anglisht). Cambridge University Press. ISBN 9780521267281.
  • cite book|author=John Keay|title=India: A History|year=2000|publisher=Grove Press|lang=en|location=New York}}
  • cite book|author1=Sheila S. Blair|author2=Jonathan M. Bloom|title=The Art and Architecture of Islam, 1250 - 1800|lang=en|publisher=Yale university Press|location=New Haven & Londër|year=1994}}
  • cite book|author=Ebba Koch|title=Mughal Architecture|publisher=Prestel|lang=en|location=Mynih|year=1991}}.
  • cite book|author=Ebba Koch|title=Mughal Art and Imperial Ideology|lang=en|year=2001}}

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]