Ernest Muçi
Ky artikull është propozuar për t'u shpallur artikull i mirë. Një artikull i mirë duhet të përmbushë kriteret për përmbajtjen, burimet dhe materialet multimediale. Ju lutemi, ndihuni të lirë dhe komentoni.
|
Muçi me Beşiktaş në 2024 | |||
| Informacioni personal | |||
|---|---|---|---|
| Data e lindjes | 19 mars 2001 (24 vjeç)[1] | ||
| Vendi i lindjes | Tiranë, Shqipëri[1] | ||
| Gjatësia | 1.80 m (5 ft 11 in)[1] | ||
| Pozicioni(et) | Sulmues, mesfushor sulmues | ||
| Informacioni i ekipit | |||
Ekipi aktual |
Trabzonspor (huazuar nga Beşiktaş) | ||
| Numri | 10 | ||
| Karriera me të rinjtë | |||
| 2011–2015 | Tulipanët | ||
| 2015–2017 | Dinamo Tirana | ||
| 2017–2019 | Tirana | ||
| Karriera si profesionist* | |||
| Vitet | Ekipi | Ndsh | (Gola) |
| 2018–2021 | Tirana | 59 | (16) |
| 2021–2024 | Legia Varshava | 81 | (13) |
| 2024– | Beşiktaş | 41 | (7) |
| 2025– | → Trabzonspor (huazim) | 11 | (5) |
| Karriera ndërkombëtare‡ | |||
| 2018–2019 | Shqipëria nën-19 | 17 | (7) |
| 2020–2022 | Shqipëria nën-21 | 11 | (4) |
| 2021– | Shqipëria | 16 | (3) |
|
*Ndeshjet dhe golat në ligën vendase të klubeve, të sakta prej datës 7 dhjetor 2025 ‡ Ndeshjet dhe golat me kombëtaren, të sakta prej datës 10 qershor 2025 | |||
Ernest Muçi (lindur më 19 mars 2001) është një futbollist profesionist shqiptar, i cili luan si sulmues ose mesfushor për klubin turk Trabzonspor, në huazim nga Beşiktaş, dhe kombëtaren shqiptare.[1][2]
Muçi e filloi karrierën e tij profesionale me KF Tiranën në vitin 2018, duke e ndihmuar klubin të ngjitej në Kategorinë Superiore. Ai luajti një rol kyç në titullin e 25-të të ligës të Tiranës në sezonin 2019–20, duke shënuar 7 gola. Në shkurt 2021, Muçi iu bashkua Legia Varshavës për 500 mijë euro, ku fitoi Ekstraklasa dhe Kupën e Polonisë, dhe duke shënuar 21 gola në 3 sezone. Në vitin 2024, ai u transferua te Beşiktaş për 10 milionë euro, duke u kthyer në lojtarin më të shtrenjtë të klubit dhe duke fituar Kupën dhe Superkupën e Turqisë në muajt e tij të parë. Vitin pasues, në fillim të sezonit 2025–26, ai u huazua te Trabzonspor në kërkim të lojës së rregullt në formacionin e parë.
Pasi bëri debutimin e tij për Shqipërinë në moshën 20-vjeçare në një kualifikuese të Kampionatit Botëror të Futbollit 2022 kundër Andorrës, Muçi shënoi golin e tij të parë me kombëtaren në qershor 2023 në një kualifikuese të UEFA Euro 2024 kundër Ishujve Faroe. Muçi u përzgjodh në skuadrën e Shqipërisë për UEFA Euro 2024.
Karriera me klube
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Tirana
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]I lindur në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, Muçi e nisi karrierën e tij në futboll në moshën 10-vjeçare me klubet vendase Tulipanët dhe Dinamo Tirana, përpara se të kalonte në vitin 2017 tek ekipi që kishte dashur të ishte pjesë që fëmijë, KF Tirana.[2][3] Fillimisht ai iu bashkua ekipit nën-17. Në janar 2018, ai u thirr për herë të parë në ekipin e parë për një përgatitje stërvitore në mes të sezonit në Turqi.[4]
Muçi bëri debutimin e tij si profesionist me Tiranën në moshën 16-vjeçare më 28 janar 2018, në një fitore 3–0 në Kategorinë e Parë kundër Shkumbinit, duke hyrë si zëvendësues në minutën e 56-të për Bedri Grecën.[5] Ai shënoi golin e tij të parë me ekipin më 3 mars 2018, në një fitore 4–1 kundër Shënkollit, duke hyrë si zëvendësues në minutën e 62-të për Alked Çelhakën dhe duke shënuar në minutën e 78-të për ta çuar rezultatin në 4–0 për Tiranën.[6] Më vonë atë muaj, pak pas ditëlindjes së tij të 17-të, ai shënoi dy herë në një fitore 5–1 kundër Apolonisë.[7] Në atë sezon ai luajti 11 ndeshje, duke qenë titullar në 6 prej tyre, dhe shënoi 3 gola, duke ndihmuar Tiranën të fitonte ligën dhe të rikthehej në Kategorinë Superiore.
Muçi debutoi në elitën e futbollit shqiptar më 2 shtator 2018, në një humbje 3–1 në transfertë kundër Kukësit, ku shënoi në minutën e 61-të pasi hyri në lojë si zëvendësues në pjesën e dytë për Yunus Sentamu.[8] Ai pati pak mundësi aktivizimi në sezonin 2018–19, duke luajtur vetëm 8 ndeshje dhe duke shënuar një gol, teksa Tirana shmangu rënien nga kategoria me 5 pikë diferencë. Gjatë kësaj kohe, ai ishte një lojtar kyç për ekipin nën-19, ku shënoi 4 gola në 11 ndeshje, duke ndihmuar ekipin të përfundonte në vendin e tretë në grupin A të kampionatit nën-19.
Muçi ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm në sezonin 2019–20, në të cilin Tirana fitoi titullin e saj të 25-të kampion. Megjithëse ishte kryesisht rezervë, ai shënoi disa gola të rëndësishëm duke ardhur nga stoli.[9] Më 22 dhjetor 2019, ai shënoi dy gola në një fitore në transfertë kundër Laçit.[10] Më vonë gjatë sezonit, ai shënoi dy gola të tjerë në fitoren historike 5–1 ndaj rivalëve të qytetit, Partizanit.[11] Ai e përfundoi sezonin me 12 gola në kampionat dhe kupë, duke vendosur një rekord personal.
Në fillim të sezonit 2020-21, Muçi nënshkroi një kontratë të re njëvjeçare me Tiranën.[12] Me largimin e sulmuesit kryesor Michael Ngoo, ai u bë titullar i padiskutueshëm i ekipit, duke bërë 20 paraqitje në kampionat gjatë gjysmës së parë të sezonit.[13] Muçi shënoi golin e tij të parë të sezonit në një fitore 4–1 në kupë kundër Shkumbinit.[14] Goli i tij i parë në kampionat erdhi në një humbje 3–2 kundër Vllaznisë në javën e tretë të kampionatit.[15] Në shkurt 2021, Tirana njoftoi se Muçi do të largohej nga klubi pas më shumë se tre vitesh, gjatë të cilëve ai shënoi 23 gola dhe fitoi dy trofe.[16]
Legia Varshava
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 23 shkurt 2021, Muçi nënshkroi me klubin polak Legia Varshava.[17] Sipas raportimeve, Legia kishte paguar 500 mijë euro, me Tiranën që do të merrte dhjetë përqind nga shuma e transferimit të ardhshëm të lojtarit.[18] Muçi debutoi me Legian katër ditë më vonë në një fitore 2–1 në transfertë ndaj Górnik Zabrze, duke hyrë në lojë në pjesën e dytë.[19] Ai e mbylli sezonin pa shënuar në 7 paraqitje, duke startuar vetëm dy ndeshje, teksa Legia fitoi titullin e saj të 15-të në 2020–21.
Goli i tij i parë për klubin erdhi më 24 korrik, teksa shënoi golin e fitores ndaj Wisła Płock në ndeshjen hapëse të sezonit 2021–22.[20] Muçi shënoi golin e tij të parë në UEFA Ligën e Kampionëve në raundin e tretë kualifikues kundër Dinamo Zagrebit, duke barazuar rezultatin 1–1 në minutën e 82-të.[21] Legia humbi ndeshjen e kthimit, por arriti të kualifikohej për UEFA Ligën e Evropës.[22] Muçi bëri paraqitjen e tij të parë në fazën e grupeve në një ndeshje kundër Spartak Moskës më 15 shtator, ku dhe asistoi golin e fitores.[23] Muçi e përfundoi sezonin me 6 gola në 36 paraqitje, ndërsa Legia nuk fitoi asnjë trofe dhe përfundoi në vendin e 10-të në kampionat.
Në sezonin 2022–23, Muçi bëri paraqitjen e tij të parë më 16 korrik kundër Korona Kielce. Duke startuar ndeshjen nga minuta e parë, ai arriti të shënonte një gol, me ndeshjen që përfundonte në barazim 1–1.[24] Ai e përfundoi sezonin me 6 gola në 37 paraqitje dhe u bë një titullar i rregullt, duke startuar në 29 ndeshje, ndërsa Legia fitoi Kupën e Polonisë dhe përfundoi e treta në ligë.
Muçi e nisi sezonin 2023–24 me një fitore 3–0 ndaj ŁKS Łódź më 21 korrik. Ai shënoi golin e tij të parë të sezonit më 10 gusht në një ndeshje të raundit të tretë kualifikues të UEFA Ligën e Konferencës kundër Austria Vjenës, e cila përfundoi me një humbje 2–1 për Legian.[25] Legia fitoi ndeshjen e kthimit 5–3, me Muçin që shënoi golin e fundit, duke siguruar kalimin në raundin play-off dhe më pas kualifikimin në fazën e grupeve.[26][27] Më 21 shtator, Muçi shënoi një dopietë në ndeshjen kundër Aston Villa në fazën e grupeve të UEFA Ligës së Konferencës, duke ndihmuar Legian të fitojë 3–2.[28] Muçi e përfundoi sezonin e tij të fundit me Legian me 9 gola në 34 paraqitje, duke shënuar gjithsej 21 gola për klubin dhe duke fituar tre trofe në tre vite.
Beşiktaş
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 9 shkurt 2024, klubi i Süper Lig Beşiktaş njoftoi nënshkrimin e kontratës me Muçin për një periudhë tre e gjysmë vjeçare, për një shumë prej 10 milionë eurosh, me Legian që mbajti një klauzolë prej 10 përqind nga një shitje e mundshme në të ardhmen.[29] Presidenti i klubit, Hasan Arat, e shoqëroi personalisht atë me një avion privat nga Varshava në Stamboll.[30] Ai u bë lojtari më i shtrenjtë në historinë e klubit.[31] Muçi bëri debutimin e tij më 12 shkurt në një barazim 0–0 kundër Kayserispor.[32] Ai shënoi golin e tij të parë më 25 shkurt në një fitore 2–0 ndaj İstanbulspor.[33] Muçi e përfundoi sezonin e tij të parë me Beşiktaş me 4 gola në 17 paraqitje dhe fitoi Kupën e Turqisë me klubin.
Në fillim të sezonit 2024–25, pas mbërritjes së sulmuesit të ri Rafa Silva, Muçi pati vështirësi për të siguruar një pozicion titullar nën drejtimin e trajnerit të sapoemëruar Giovanni van Bronckhorst. Lajmet sugjeronin se Muçi po kërkonte një transferim në një klub tjetër, me interesime që thuhej të vinin nga Aston Villa dhe West Ham United.[34][35] Megjithatë, ai qëndroi te Beşiktaş dhe bëri paraqitjen e tij të parë të sezonit më 18 gusht, në një ndeshje lige kundër Antalyaspor, gjatë së cilës ai shënoi edhe golin e tij të parë të sezonit.[36] Pavarësisht kësaj, ai u përball me kritika gjatë gjithë sezonit në lidhje me performancat e tij, me një ish-koordinator të përgjithshëm të klubit duke e quajtur transferimin e tij një dështim.[37][38] Pas një sërë rezultatesh të dobëta në klub, van Bronckhorst u shkarkua në janar dhe Ole Gunnar Solskjær u emërua si trajneri i ri.[39] Solskjær shprehu besim në aftësitë e Muçit, duke theksuar potencialin dhe angazhimin e tij për ta ndihmuar atë të përmirësohet dhe të bëhet një lojtar kyç.[40] Përfundimisht, Muçi e përfundoi sezonin me 38 paraqitje dhe 7 gola në të gjitha garat, në një sezon pa trofe nga ana e klubit.
Huazimi te Trabzonspor
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 6 shtator 2025, Beşiktaş e dërgoi Muçin në huazim te Trabzonspor deri në fund të sezonit, me mundësi blerjeje.[41]
Karriera ndërkombëtare
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Karriera me të rinjtë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Muçi e filloi karrierën e tij ndërkombëtare në maj 2018, kur trajneri i Shqipërisë nën-19, Erjon Bogdani, e thirri atë për miqësoret kundër Kosovës, në të cilat ai bëri edhe debutimin e tij.[42] Ai shënoi golin e tij të parë për ekipin në një miqësore kundër Islandës më 8 shtator, i cili rezultoi të ishte goli i vetëm i ndeshjes në fitoren 1–0 në stadiumin Roza Haxhiu.[43]
Në shtator 2020, Muçi u thirr për herë të parë nga trajneri Alban Bushi në ekipin e Shqipërisë nën-21. Më 4 shtator, ai shënoi një dygolësh në një fitore 5–1 kundër Austrisë në një ndeshje për kualifikueset e UEFA Kampionatit Evropian nën-21 2021.[44] Më 7 tetor 2021, ai shënoi një tjetër dygolësh në fitoren 2–0 kundër Andorrës.[45]
Karriera profesionale
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 28 gusht 2021, Muçi u thirr nga trajneri Edoardo Reja për herë të parë në ekipin e parë kombëtar për ndeshjen kualifikuese të Kampionatit Botëror të Futbollit 2022 kundër Polonisë, por nuk arriti të debutonte.[46] Ai do të debutonte në thirrjen e rradhës, më 15 nëntor 2021, në një tjetër ndeshje kualifikuese kundër Andorrës.[47] Më 20 qershor 2023, ai shënoi golin e tij të parë për kombëtaren në një ndeshje kualifikuese të UEFA Euro 2024 kundër Ishujve Faroe.[48] Goli i tij i dytë dhe i tretë do të vinin në dy miqësore kundër Bullgarisë më 17 tetor dhe Lihtenshtajnit më 3 qershor 2024.[49][50]
Jeta personale
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në një intervistë në fund të vitit 2019, Muçi zbuloi se Real Madrid ishte klubi i tij i preferuar dhe përmendi Cristiano Ronaldo si idhullin e tij, duke treguar se ai shikonte shpesh video të futbollistit portugez si fëmijë, një zakon që e vazhdonte edhe si i rritur.[51]
Muçi është në një lidhje me Klea Verrin, një basketbolliste shqiptare që luan për klubin e Tiranës. Thuhet se ata janë bashkë që nga koha e gjimnazit. Ndërsa Muçi luan futboll në Turqi, partnerja e tij e mbështet në distancë nga Shqipëria, duke vijuar karrierën e saj sportive.[52] Në maj 2025 u zbulua se ata ishin në pritje të fëmijës së tyre të parë, një lajm që vetë Klea e ndau në rrjetet sociale përmes një fotografie që tregonte barkun e rrumbullakosur.[53] Më 10 tetor 2025 ata mirëpritën fëmijën e tyre të parë, një vajzë të quajtur Mei.[54]
Statistikat e karrierës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Me klube
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Përditësuar më 7 dhjetor 2025[55]
| Klubi | Sezoni | Liga | Kupa | Kontinentalet | Të tjera | Gjithsej | ||||||
|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|
| Divizioni | Ndeshje | Gola | Ndeshje | Gola | Ndeshje | Gola | Ndeshje | Gola | Ndeshje | Gola | ||
| Tirana | 2017–18 | Kategoria e Parë | 11 | 3 | 0 | 0 | — | — | 11 | 3 | ||
| 2018–19 | Kategoria Superiore | 8 | 1 | 3 | 0 | — | — | 11 | 1 | |||
| 2019–20 | Kategoria Superiore | 20 | 7 | 7 | 5 | — | — | 27 | 12 | |||
| 2020–21 | Kategoria Superiore | 20 | 5 | 1 | 2 | 3[a] | 0 | 1[b] | 0 | 25 | 7 | |
| Gjithsej | 59 | 16 | 11 | 7 | 3 | 0 | 1 | 0 | 74 | 23 | ||
| Legia Varshava | 2020–21 | Ekstraklasa | 6 | 0 | 1 | 0 | — | — | 7 | 0 | ||
| 2021–22 | Ekstraklasa | 24 | 4 | 3 | 1 | 8[c] | 1 | 1[d] | 0 | 36 | 6 | |
| 2022–23 | Ekstraklasa | 32 | 5 | 5 | 1 | — | — | 37 | 6 | |||
| 2023–24 | Ekstraklasa | 19 | 4 | 2 | 0 | 12[e] | 5 | 1[d] | 0 | 34 | 9 | |
| Gjithsej | 81 | 13 | 11 | 2 | 20 | 6 | 2 | 0 | 114 | 21 | ||
| Beşiktaş | 2023–24 | Süper Lig | 13 | 3 | 4 | 1 | — | — | 17 | 4 | ||
| 2024–25 | Süper Lig | 27 | 4 | 3 | 2 | 8[f] | 1 | 0 | 0 | 38 | 7 | |
| 2025–26 | Süper Lig | 1 | 0 | — | 5[g] | 0 | — | 6 | 0 | |||
| Gjithsej | 41 | 7 | 7 | 3 | 13 | 1 | 0 | 0 | 61 | 11 | ||
| Trabzonspor (huazim) | 2025–26 | Süper Lig | 11 | 5 | 1 | 0 | — | — | 12 | 5 | ||
| Gjithsej karriera | 192 | 41 | 30 | 12 | 36 | 7 | 3 | 0 | 261 | 60 | ||
- ↑ Dy ndeshje në UEFA Ligën e Kampionëve, një ndeshje në UEFA Ligën e Evropës
- ↑ Ndeshje në Superkupën e Shqipërisë
- ↑ Tre ndeshje dhe një gol në UEFA Ligën e Kampionëve, pesë ndeshje në UEFA Ligën e Evropës
- 1 2 Ndeshje në Superkupën e Polonisë
- ↑ Ndeshje në UEFA Ligën e Konferencës
- ↑ Ndeshje në UEFA Ligën e Evropës
- ↑ Dy ndeshje në UEFA Ligën e Evropës, tre ndeshje në UEFA Ligën e Konferencës
Me kombëtaren
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Përditësuar më 10 qershor 2025[55]
| Ekipi | Viti | Garueset | Miqësoret | Gjithsej | |||
|---|---|---|---|---|---|---|---|
| Ndeshje | Gola | Ndeshje | Gola | Ndeshje | Gola | ||
| Shqipëria nën-19 | 2018 | 2[a] | 0 | 6 | 1 | 8 | 1 |
| 2019 | 1[b] | 0 | 8 | 6 | 9 | 6 | |
| Gjithsej | 3 | 0 | 14 | 7 | 17 | 7 | |
| Shqipëria nën-21 | 2020 | 4[c] | 2 | — | 4 | 2 | |
| 2021 | 4[d] | 2 | — | 4 | 2 | ||
| 2022 | 3[d] | 0 | — | 3 | 0 | ||
| Gjithsej | 11 | 4 | — | 11 | 4 | ||
| Shqipëria | 2021 | 1[e] | 0 | — | 1 | 0 | |
| 2022 | — | 1 | 0 | 1 | 0 | ||
| 2023 | 4[f] | 1 | 1 | 1 | 5 | 2 | |
| 2024 | 5[g] | 0 | 3 | 1 | 8 | 1 | |
| 2025 | 1[h] | 0 | — | 1 | 0 | ||
| Gjithsej | 11 | 1 | 5 | 2 | 16 | 3 | |
| Gjithsej karriera | 25 | 5 | 19 | 9 | 44 | 14 | |
- ↑ Ndeshje në kualifikueset e Kampionatit Evropian të Futbollit nën-19 2019
- ↑ Ndeshje në kualifikueset e Kampionatit Evropian të Futbollit nën-19 2020
- ↑ Ndeshje në kualifikueset e Kampionatit Evropian të Futbollit nën-21 2021
- 1 2 Ndeshje në kualifikueset e Kampionatit Evropian të Futbollit nën-21 2023
- ↑ Ndeshje në kualifikueset e Kampionatit Botëror të Futbollit 2022
- ↑ Ndeshje në kualifikueset e UEFA Euro 2024
- ↑ Dy ndeshje në UEFA Euro 2024, tre ndeshje në UEFA Ligën e Kombeve 2024–25
- ↑ Ndeshje në kualifikueset e Kampionatit Botëror të Futbollit 2026
- Rezultatet dhe rezultatet përfundimtare renditin në fillim numrin e golave të Shqipërisë.
| Tregon se Shqipëria e fitoi ndeshjen | |
| Tregon se ndeshja përfundoi në një barazim (goditjet e penalltive janë statistikisht një barazim, pavarësisht rezultatit të tyre) | |
| Tregon se Shqipëria e humbi ndeshjen |
| Nr. | Ndeshja | Data | Vendngjarja | Kundërshtari | Rezultati | Rezultati përfundimtar | Gara | Ref. |
|---|---|---|---|---|---|---|---|---|
| 1 | 4 | 20 qershor 2023 | Tórsvøllur, Tórshavn, Ishujt Faroe | 3–1 | 3–1 | Kualifikueset e UEFA Euro 2024 | [56] | |
| 2 | 6 | 17 tetor 2023 | Arena Kombëtare, Tiranë, Shqipëri | 2–0 | 2–0 | Miqësore | [57] | |
| 3 | 10 | 3 qershor 2024 | Haladás Sportkomplexum, Szombathely, Hungari | 3–0 | 3–0 | Miqësore | [58] |
Trofetë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Tirana
Legia Varshava
Beşiktaş
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- 1 2 3 4 "Ernest Muçi". Beşiktaş J.K. Official Web Site (në anglisht). Beşiktaş J.K. Marrë më 5 shkurt 2025.
- 1 2 "Ernest Muçi". FSHF. Federata Shqiptare e Futbollit. Marrë më 5 shkurt 2025.
- ↑ Zbuloni talentin Ernest Muci, si ndryshoi jeta pas Derbit! - Procesi Sportiv, 23 Dhjetor 2019. Top Channel nëpërmjet YouTube. 23 dhjetor 2019. Koha në të cilën tregohet në video: 0:32. Marrë më 17 korrik 2025.
- ↑ "Tirana drejt Turqisë, largohen shtatë lojtarë". Sport Ekspres. 13 janar 2018. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ "Tirana vs. Shkumbini Peqin" (në anglisht). Soccerway. 28 janar 2018. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ "Tirana zbavitet, Bylisi e katranos në derbi". Sport Ekspres. 3 mars 2018. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ "Tirana shpartallon Apoloninë dhe shkon +7 nga Bylisi". Sport Ekspres. 28 mars 2018. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ "Rexhinaldo i pamëshirshëm, zhyt Tiranën në krizë". Sport Ekspres. 2 shtator 2018. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ "Nga Egbo te Ngo, ja notat e sezonit te kampionët e Tiranës". Panorama Sport. 21 korrik 2020. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ "VIDEO/ Dopieta e talentit Muçi, Tirana mposht me përmbysje Laçin dhe ngjitet në vendin e tretë". Panorama Sport. 22 dhjetor 2019. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ "Kryeqyteti vishet bardheblu, Tirana shpartallon 5-1 Partizanin në "Air Albania Stadium"". News 24. 28 shkurt 2020. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ "ZYRTARE/ Merr fund telenovela e Ernest Muçit, Tirana jep përgjigjen përfundimtare". Panorama Sport. 17 tetor 2020. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ "Besim i plotë te Ernest Muçi, Egbo zgjedh formacionin titullar ndaj Tbilisit". ABC News. 19 gusht 2020. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ "Tirana vs. Shkumbini Peqin" (në anglisht). Soccerway. 1 nëntor 2020. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ "VIDEO/ Klasike për "infarkt", Vllaznia mposht Tiranën me gol në frymën e fundit". Panorama Sport. 21 nëntor 2020. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ "Muçi largohet nga Tirana, transferohet në Poloni". Gazeta Si. 21 shkurt 2021. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ "Ernest Muci - witamy w Legii" [Ernest Muçi - mirësevjen në Legia] (në polonisht). Legia Varshava. 23 shkurt 2021. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ Byczkowski, Mateusz (21 shkurt 2021). "PKO Ekstraklasa. Transfer młodego Albańczyka do Legii Warszawa. Wiemy, ile zapłacą mistrzowie Polski" [PKO Ekstraklasa. Transferimi i një shqiptari të ri te Legia Varshava. E dimë sa do të paguajnë kampionët polakë] (në polonisht). Wirtualna Polska. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ "VIDEO/ Ernest Muçi debuton me Legian në Poloni, fitojnë në transfertën e vështirë". Sport Ekspres. 27 shkurt 2021. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ Szymański, Rafał (24 korrik 2021). "Rewelacyjne trafienie Ernesta Muciego. Zdjął pajęczynę z siatki [WIDEO]" [Goli i mrekullueshëm i Ernest Muçit. E pastroi rrjetën nga merimangat [VIDEO]] (në polonisht). Wirtualna Polska. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ Szymański, Rafał (4 gusht 2021). "Strzał Ernesta Muciego uratował Legię Warszawa. "To było jak sen"" [Gjuajtja e Ernest Muçit shpëtoi Legian. "Ishte si një ëndërr"] (në polonisht). Wirtualna Polska. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ Szczepanik, Artur (26 gusht 2022). "Legia wraca na należne jej miejsce. Wyeliminowała Slavię i zagra w Lidze Europy" [Legia rikthehet në vendin që i takon. Eleminoi Slavian dhe do të luajë në Ligën e Evropës] (në polonisht). Interia.pl. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ Wawrzynowski, Marek (15 shtator 2021). "Liga Europy. Wielka sensacja. Co za dramaturgia w końcówce w Moskwie!" [Liga e Evropës. Një sensacion i madh. Çfarë drame në fund në Moskë!] (në polonisht). Wirtualna Polska. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ Matys, Paweł (16 korrik 2022). "W Kielcach najpierw dymy, potem święto. Legia zatrzymana przez Koronę" [Në Kielce, fillimisht tym, pastaj festë. Legia u ndal nga Korona] (në polonisht). Gazeta.pl. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ Kaczmarczyk, Krzysztof (10 gusht 2023). "Zagrał mu "na nos". Tak zmiennicy dali nadzieję Legii [WIDEO]" [Ai luajti "në hundë". Kështu zëvendësuesit i dhanë shpresë Legias [VIDEO]] (në polonisht). Wirtualna Polska. Marrë më 7 qershor 2024.
- ↑ "Najpierw gol a potem?! Zobacz szaloną końcówkę meczu Legii" [Fillimisht gol, pastaj? Shiko fundin e çmendur të ndeshjes së Legias] (në polonisht). Wirtualna Polska. 17 gusht 2023. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ Galiński, Tomasz (1 shtator 2023). "Paweł Wszołek nie miał wątpliwości. "Zasłużyliśmy na ten awans"" [Paweł Wszołek nuk kishte dyshime. "E meritonim këtë kualifikim"] (në polonisht). Wirtualna Polska. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ Duda, Kuba (21 shtator 2023). "Ernest Muci bohaterem Legii. "Cieszę się, że mogłem pomóc drużynie"" [Ernest Muçi, hero i Legias. "Jam i lumtur që munda të ndihmoj ekipin"] (në polonisht). Wirtualna Polska. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ "Ernest Muçi'nin Transfer Süreci Tamamlandı" [Procesi i Transferimit të Ernest Muçit Përfundoi] (në turqisht). Beşiktaş J.K. 9 shkurt 2024. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ "Yeni Transferimiz Ernest Muçi İstanbul'da" [Transferimi Ynë i Ri, Ernest Muçi në Stamboll] (në turqisht). Beşiktaş J.K. 9 shkurt 2024. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ Yener, Sinan (9 shkurt 2024). "Beşiktaş'tan rekor transfer - Ernest Muci nasıl bir futbolcu? Polonya uzmanı açıklamalarda bulundu" [Transferim rekord nga Beşiktaş – Çfarë lloj futbollisti është Ernest Muçi? Një ekspert polak jep komente] (në turqisht). Transfermarkt. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ "Beşiktaş'ın yeni transferleri sahne aldı: İşte ilk maç performansları" [Transferimet e reja të Beşiktaş dolën në skenë: Ja performancat e tyre në ndeshjen e parë] (në turqisht). NTV Spor. 13 shkurt 2024. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ "GENİŞ ÖZET | İstanbulspor 0-2 Beşiktaş" [PËRMBLEDHJE E PLOTË | İstanbulspor 0-2 Beşiktaş] (në turqisht). beIN Sports. 25 shkurt 2024. Marrë më 8 shkurt 2025.
- ↑ "Beşiktaş'ta Ernest Muçi takım arıyor" [Ernest Muçi po kërkon një ekip në Beşiktaş] (në turqisht). Takvim. 14 gusht 2024. Marrë më 9 korrik 2025.
- ↑ "Aston Villa keen on Besiktas attacking midfielder Ernest Muci" (në anglisht). SportsView. 17 gusht 2024. Marrë më 9 korrik 2025.
- ↑ "Besiktas 4-2 Antalyaspor (Aug 18, 2024) Final Score" (në anglisht). ESPN. 18 gusht 2024. Marrë më 18 korrik 2025.
- ↑ "Muci yine vasatı aşamadı" [Muci dështoi ta tejkalonte mediokritetin përsëri] (në turqisht). Takvim. 1 tetor 2024. Marrë më 9 korrik 2025.
- ↑ "Ish-zyrtari i Besiktas-it: Transferimi i Muçit ishte një dështim, i thashë klubit që nuk ia vlente". CNA.al. 3 dhjetor 2024. Marrë më 9 korrik 2025.
- ↑ "Solskjaer returns to management with Besiktas" (në anglisht). OneFootball. 17 janar 2025. Marrë më 9 korrik 2025.
- ↑ "Ernest Muçi'nin Beşiktaş Performansı ve Geleceği" [Performanca dhe e ardhmja e Ernest Muçit në Beşiktaş] (në turqisht). Siyahla Beyaz. 14 mars 2025. Marrë më 9 korrik 2025.[lidhje e vdekur]
- ↑ "Ernest Muçi, Trabzonspor'a Geçici Transfer Oldu" [Ernest Muçi transferohet përkohësisht te Trabzonspor] (në turqisht). Beşiktaş J.K. 6 shtator 2025. Marrë më 6 shtator 2025.
- ↑ Ilnica, Eduard (21 maj 2018). "Kombëtarja U-19, dy ndeshje miqësore me Kosovën U-19". Shqiptarja.com. Marrë më 9 shkurt 2025.
- ↑ "Kombëtarja e Bogdanit triumfon në miqësore, vendos goli i talentit të Tiranës". Panorama Sport. 8 shtator 2018. Marrë më 9 shkurt 2025.
- ↑ "VIDEO/ Krenari! Shqipëria U-21 gjunjëzon Austrinë, çfarë prodhimesh nga Superioria". Sport Ekspres. 4 shtator 2020. Marrë më 9 shkurt 2025.
- ↑ "VIDEO/ Mos i lini goditje nga afër! Harkëtari Muçi vjen me dy super gola nga goditja e dënimit te Shpresat". Sport Ekspres. 7 tetor 2021. Marrë më 9 shkurt 2025.
- ↑ "Mungon emri i tij në listë, mësohen shpresat e debutimit të Nedim Bajramit në shtator te Shqipëria". Sport Ekspres. 28 gusht 2021. Marrë më 9 shkurt 2025.
- ↑ "VIDEO/ Shqipëria ia del mes vuajtjesh ndaj Andorrës, kuqezinjtë mbërrijnë objektivin dhe e mbyllin në vendin e tretë". Sport Ekspres. 15 nëntor 2021. Marrë më 9 shkurt 2025.
- ↑ "VIDEO/ Asllani realizon një kryevepër dhe Shqipëria bën detyrën me Ishujt Faroe, kuqezinjtë marrin vendin e dytë në grup". Sport Ekspres. 20 qershor 2023. Marrë më 9 shkurt 2025.
- ↑ "VIDEO/ Shqipëria nuk ndalet as në miqësore, Laçi dhe një gol si ilaç për sytë nga Muçi mposhtin Bullgarinë". Sport Ekspres. 17 tetor 2023. Marrë më 9 shkurt 2025.
- ↑ "VIDEO/ Shqipëria bën detyrën ndaj Lihtenshtajnit, tre gola për kuqezinjtë e Silvinjos". Sport Ekspres. 3 qershor 2024. Marrë më 9 shkurt 2025.
- ↑ Zbuloni talentin Ernest Muci, si ndryshoi jeta pas Derbit! - Procesi Sportiv, 23 Dhjetor 2019. Top Channel nëpërmjet YouTube. 23 dhjetor 2019. Koha në të cilën tregohet në video: 2:35. Marrë më 17 korrik 2025.
- ↑ "Ekskluzive: Ju prezantojmë me partneren e Ernest Muçit, një sportiste e njohur në Shqipëri". Revista Class. 9 qershor 2024. Marrë më 18 korrik 2025.
- ↑ "Së shpejti tre…partnerja e Ernest Muçit ndan lajmin e ëmbël!". TV Klan. 6 maj 2025. Marrë më 18 korrik 2025.
- ↑ "Moment i veçantë, sulmuesi i Kombëtares shqiptare bëhet baba për herë të parë". Panorama Sport. 10 tetor 2025. Marrë më 4 nëntor 2025.
- 1 2 "Ernest Muçi" (në anglisht). Soccerway. Marrë më 5 shkurt 2025.
- ↑ "Faroe Islands-Albania". UEFA.com (në anglisht). UEFA. 20 qershor 2023. Marrë më 5 shkurt 2025.
- ↑ "Albania-Bulgaria". UEFA.com (në anglisht). UEFA. 17 tetor 2023. Marrë më 5 shkurt 2025.
- ↑ "Albania-Liechtenstein". UEFA.com (në anglisht). UEFA. 3 qershor 2024. Marrë më 5 shkurt 2025.
Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Ernest Muçi te Transfermarkt
- Profili te Beşiktaş J.K.
- Profili te Federata Shqiptare e Futbollit