Gjerasim Qiriazi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Gjerasim Qiriazi
Gjerasim Qiriazi.JPG
Gjerasim Qiriazi
Lindi më 8 tetor, 1858
Vendlindja Manastir, Perandoria Osmane
Vdiq më 2 janar, 1894 (35 Vjeç)
Kombësia Shqiptare
Profesioni Politikan, Shkrimtar
Organizata Rilindja Kombëtare
Protestantët e lirë
Fëmijë Stefan Qiriazi

Gjerasim Qiriazi lindi në Manastir më 18 tetor 1858, vdes më 2 janar të vitit 1894.[1] Ishte pastor protestant, shkrimtar, rilindas, edhe themeluesi i parë i shoqërisë Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë më 14 nentor 1892.

Biografia[redakto | përpunoni burim]

Lindi në ManastirMaqedonisë së sotme, më 18 tetor 1858, vdes më 2 janar të 1894. Besimi i tij fetar ishte orthodoksia por do ta braktisi në 18 gusht 1877 për të përqafuar fenë protestante në ato vite e panjohur për Shqipërinë. I ndikuar falë miqësisë së ngushtë me tre misionarë protestant shqiptaro-amerikanë të ardhur në Shqipëri në 18 tetor 1873. Martohet me Athina Mikelidhin, vajzën e pastorit të kishës ungjillore të Selanikut, Stavri Mikelidhi. Nga martesa e tyre lindi Stefani djali i vetëm i Gjerasimit. Bashkëshortja e tij vdes disa muaj pas lindjes së djalit më 24 dhjetor 1891. Djali i tij Stefani vdes më 1959 në SHBA duke lënë 6 fëmijë pas.

Veprimtaria patriotike, e teologjike[redakto | përpunoni burim]

Më 1878 Gjerasimi fillon studimet biblike në Kolegjin Teologjik Amerikan në Samokovë në Bullgari. I kryen ato dhe i përfundon me rezultate të larta më 1882. Në të njëjtin vit bëhet pastor praktikant i një kishe protestante në Bullgari. Më 1883 ftohet për të marrë pjesë në Komitetin e Huaj Protestant në Turqi dhe caktohet si ungjilltari i shqiptarëve. Më 14 maj 1883 transferohet në Korçë aty fillon aktivitetin e tij teologjik e fillon te shkruaj himnet e para në shqip, ku bëhet edhe përgjegjës për shpërndarjen e ungjullaturës në shqip. Më 8 qershor 1884 mbajti shërbesën në shqip në kishën ungjillore të Selanikut dhe më 22 qershor mban shërbesën ne gjuhën shqipe në kishën ungjillore të Manastirit. Më 1887 fillon të japë mësim në shkollën e parë shqipe në Korçë. Dëshira e tij për t'iu dhuruar shqiptarëve sa më shumë literaturë shqipe e shtyn që më 1888 te përkthejë e të botojë Ungjillin e Mateut, një vit më vonë me sygjerim të mikut të tij Naim Frashëri filloi që të përgatiste transkriptimin për botimin e pesë librave të parë të Biblës si tekste shkollore. Në të njëjtin vit 1889 merr ndihma dhe përkrahje nga shoqëritë shqiptare jashtë atdheut: nga Nikolla Naço, Pandeli Sotiri, Abdyl Frashëri, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Mihal Grameno, Kristo Dako etj. Të dielën e 11 majit, 1890 mbahet shërbesa e parë publike protestante në Korçë, ku morën pjesë mbi 400 persona. Gjerasimi atë ditë predikoi nga kapitulli i katërt i ungjillit sipas Gjonit. Në mars të vitit 1892 së bashku me Sevastinë, Gjerasimi përgatit planin dhe projektin për hapjen e Shkollës së Vajzave dhe Shkollën e të Dielës në Korçë. Për shkak të aktivitetit të tij atdhetar e rilindas e mbrojtës i gjuhës shqipe e braktisjes së fese ortodokse, 2 tetor 1892 Kisha Ortodokse lëshon mallkimin e saj kundër Gjerasimit duke e shkishëruar. Një fat të tille patën shumë rilindas shqiptarë të asaj kohe si Petro Nini Luarasi, Naum Veqilharxhi, Kostandin Kristoforidhi e plotë të tjerë. Më 14 nentor 1892 themelon Kishën Ungjillore të Korçës edhe shoqërinë “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë” me qendër në Korçë. Në të njëjtin muaj boton numrin e parë të gazetës së shoqërisë “Letra e Vëllazërisë”. Për shkak të aktivitetit të tij më 17 janar, 1893 u bë një tentim vrasjeje ndaj Qiriazit. Ka shkruajtur shumë vjersha e këngë të cilat u botuan pas vdekjes së tij më 1903 në Sofie nën titullin e librit Kristomaci. Vdes më 2 janar 1894 në moshën 35 vjeçare.

Përndjekja e Protestantëve shqiptarë[redakto | përpunoni burim]

Me urdhër të Mbretit Zog më 1933 ndalohet e gjithë veprimtaria shkollore ungjillore në Korçë. Gjatë pushtimit fashist më 1940 u shpërnda Kisha Ungjillore e Korçës. Pas diktaturës komuniste me rihapjen e kishave rifilloir edhe aktiviteti Ungjillor shqiptar më 1992.

Rilindja[redakto | përpunoni burim]

22 nëntori i vitit 2010 është një ditë e shënuar për çdo protestant shqiptar e për veprën e Qiriazit sepse kërkesa e refuzuar e Gjerasim Qiriazit drejtuar Portës së Lartë, e pikërisht Sulltan Hamitit II-të në vitin 1887 për njohjen e ungjillorëve shqiptarë, u nënshkrua këtë nëntor, 118 vjet nga themelimi i VUSH –it.

Tituj e dekorata[redakto | përpunoni burim]

Më 1987 Gjerasimit iu dha titulli “Mësues i Popullit”. Më 1992 iu akordua titulli: “Urdhëri i Lirisë i Klasit të Parë.

Shih edhe[redakto | përpunoni burim]

Burimi të dhënave[redakto | përpunoni burim]

  • Gary J. Hall & Magda Maylam: Biografia e Gjerasim Qiriazit (1858 - 1894), botuar me: 30.12.2007
  • Pastor Dr. Femi Cakolli: Nga historia e kishës protestante shqiptare

Referencat[redakto | përpunoni burim]