Ky është një artikull i mirë. Kliko këtu për më shumë informacione.

Parashqevi Qiriazi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Parashqevi Qiriazi
Parashqevi Qiriazi.jpg
Parashqevi Qiriazi
Lindi më 1880
Vendlindja Manastir, Perandoria Osmane
Vdiq më 1970 (90 Vjeç)
Vendvdekja Tiranë, Shqipëria
Kombësia Shqiptare
Profesioni Mësuese

Parashqevi Qiriazi (2 qershor 1880[1]1970), Mësuese e Popullit, master i edukimit, pedagoge, intelektuale e shquar, veprimtare e arsimimit të femrës shqiptare, pjesëmarrëse e Kongresit të Manastirit, autorja e abetares së pare shqipe me alfabetin e Manastirit dhe e himnit të tij, e para femër shqiptare autore e një projekti arsimor.

Biografia[redakto | përpunoni burim]

Parashqevi Qiriazi u lind më 2 qershor të vitit 1880 në Manastir (sot Republika e Maqedonisë).[1] Ishte fëmija i dhjetë dhe më i vogli i çiftit Maria dhe Dhimitër Qiriazi, (Tashko, Konstandin, Gjerasim, Gjergj, Naum, Kristo, Pandeli, Fankë, Sevasti dhe Parashqevi).[2] Shkollën fillore dhe shkollën e mesme i kreu në qytetin e saj të lindjes në Manastir.

Parashqevi Qiriazi studente në Stamboll

Në vitin 1900 i fillon studimet në Kolegjin Amerikan për Vajza në Stamboll (Anglisht: American College for Girls) institucion ky i cili vepronte në kuadër të të ashtuquajturit Robert College, në degën e letërsisë ku në vitin e fundit të studimeve ishte edhe presidente e organizatës studentore.[3] Pas diplomimit në Kolegjin Amerikan për Vajza në Stamboll, në vitin 1904, filloi punën si mësuese dhe më vonë drejtuese në Shkollën Shqipe të Vashave në Korçë.[4]

Në vitin 1908 së bashku me Filomena Bonati dhe Fineas Kenedi morri pjesë në Kongresin e Alfabetit në Manastir. Me këtë rast ajo përpiloi dhe publikoi “Himnin e alfabetit kombëtar,” himn ky i cili vazhdon të këndohet edhe sot e kësaj dite.[5] Më 16 janar 1909, Parashqevi Qiriazi ishte njëra ndër themelueset e shoqërisë së parë të grave shqiptare “Yll`i Mëngjesit“ me seli në Korçë.[4] Po në këtë vit, me shkronjat e alfabetit të ri, hartoi dhe botoi në Manastir, në shtypshkronjën “Bashkimi i Kombit,”[6] tekstin “Abetare – për shkollat e para,” dhe me këtë hyri në historinë e arsimit dhe të shkollës shqipe si femra e pare shqiptare autore e një abetareje, e gjithashtu edhe si teksti i pare i hartuar me alfabetin e ri.[4] Ky tekst do të ribotohet edhe në vitin 1911, në shtypshkronjën “Bashkimi i Kombit” në Manastir.

Në vitin 1912, Parashqevi Qiriazi, do të regjistrohet në studimet postdiplomike master në Fakultetin e Pedagogjisë (Edukimit) të Kolegjit të OberlinitOhio, Shtetet e Bashkuara. Në qershor të vitit 1913 në Universitetin e Oberlinit përfundoi me sukses studimet master ku edhe mbrojti temën me titull: “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit në Shqipëri.” Me këtë mori thirrjen akademike, M.A. master i edukimit (master of education). Ndërkohë, ajo në SHBA hartoi edhe programin arsimor të Qeverisë së Përkohshme të Ismail Qemalit.[7] Po në këtë vit shkroi dhe botoi në Çikago veprën “Shkolla e vashave – Korçë“ (The School for Girl – Kortcha, Albania) e cila u ribotua në formën elektronike vetëm në vitin 2014 nga ana e “Institutit të Studimeve Shqiptare dhe Protestante” me parathënie nga Dana Stucky dhe nën redaktimin e Teuta Toskës.[8]

Për shkak të fillimit të Luftës së Parë Botërore, në vitin 1914, detyrohet të largohet nga Shqipëria. Kah fundi i vitit mori pjesë ne formimin e Organizatës “Lidhja Kombëtare” në Sofje ku u zgjodh sekretare e saj.[9] Një vit më vonë mori pjesë në formimin e “Partia Politike – Partia Kombëtare Shqiptare.”[10] Më 15 mars 1915 revista amerikane “The Oberlin Review“ në artikullin “The Oberlin Missionaries are safe in Sophia, Bulgaria“ (Misionarët e Oberlinit janë të sigurt në Sofie, Bullgari) rikujton mes tjerash se Parashqevi Qiriazi ka marrë gradën akademike A.M. në vitin 1913 (Latin: Artium Magister, English: Master of Arts).[7]

Në periudhën 1917–1920, Parashqevi Qiriazi qëndroi në SHBA. Atje në qytetin Boston nxori dhe redaktoi revistën “Yll`i Mëngjesit.” Në këtë revistë ajo kishte edhe rubrikën e saj me titull, “Fleta e editorit“ ku botoi një varg punimesh në lidhje me arsimin dhe edukatën.[11]

Në vitin 1919, Parashqevi Qiriazi mori pjesë si delegate në Konferencën e Paqes në Paris si përfaqësuese e delegacionit shqiptaro-amerikan dhe si e vetmja delegate femër nga të gjitha vendet e asaj Konference.[7]

Më datën 13 janar 1922 revista amerikane “The Oberlin Review“ duke njoftuar për emërimin e Kristo Dakos në zyrën e Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, më 7 dhjetor 1921, mes tjerash rikujton, se Parashqevi Qiriazi ka marrë gradën akademike master në vitin 1913 në departamentin e edukimit të Universitetit të Oberlinit. Po në këtë vit Parashqevia kthehet nga Shtetet e Bashkuara, emërohet drejtoreshë e Shkollës Shqipe të Vashave të Korçës, dhe shkolla në fjalë dislokohet nga KorçaTiranë.[12][13] Më 2 korrik 1931 Instituti Qiriazi (Kyrias) dhe të dy motrat: Parashqevia dhe Sevastia dekorohen me “Urdhrin e Skënderbeut,[5] ndërsa në vitin 1933 Instituti Arsimor Qiriazi (Kyrias) mbyllet.

Më 15 tetor 1943 Sevastia dhe Parashqevia, së bashku me anëtarët tjerë të familjes, arrestohen nga forcat nazifashiste dhe dërgohen në Kampin e Përqëndrimit të Banjicës në Dedinje afër BeograditSerbi. Në tetor të këtij viti, të internuarit në Kampin e Përqëndrimit të Banjicës në Dedinje afër Beogradit lirohen dhe pas peripecive të shumta Parashqevia arrin në Shqipëri.[7]

Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore ndërtesa e Institutit Qiriazi shtetëzohet pa asnjë shpërblim ndërsa vetëm në vitin 1960 motrat Qiriazi u dekoruan me “Urdhërin e Lirisë” ndërsa në vitin 1962 u dekoruan me “Urdhërin për veprimtari patriotike.”

Parashqevi Qiriazi vdiq në Tiranë në vitin 1970 ndërsa më 1987 dekorohet “Post Mortem” me titullin “Mësuese e Popullit“[14].

Teza e masterit në Shtetet e Bashkuara[redakto | përpunoni burim]

Për historinë e arsimit dhe të shkollës shqipe rendësi të veçantë ka studimi i Parashqevi Qiriazit me titull: “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit për Shqipëri”. (Anglisht: The development of schools in the Turkish Empire and an ideal system of education for Albania) i përgatitur si tezë për marrjen e grades akademike, master i edukimit (master of education). Kjo tezë e masterit është mbrojtur në qershor të vitit 1913 në Fakultetin e Pedagogjisë (Edukimit) të Universitetit të Oberlinit në OhioSHBA - ve. Për herë të pare është botuar në gjuhën anglezë, në Boston, në vitin 1919, në kuadër të librit të Kristo Dakos, “Albania, the master key to the Near East“ (Shqipëria, çelës i enigmës për Lindjen e Afërt), si pjesë shtojcës E, dhe atë nga faqja 248 deri në faqen 266. Përkthimi në gjuhën shqipe gjendet në veprën e Shefik Osmanit:“Trashëgimi social-pedagogjike (Motrat Qiriazi).” Ky studim i Parashqevi Qiriazit është i ndarë në dy nëntema: Nëntema e parë flet për zhvillimin e shkollave në Perandorinë Turke (Osmane) kurse e dyta për një sistem ideal të arsimit për Shqipëri.

Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke[redakto | përpunoni burim]

Në pjesën e pare, autorja fillimisht ofron të dhëna themelore për gjendjen e përgjithshme në Perandorinë Osmane. Pas kësaj ajo jep një historik të shkurtër të zhvillimit të shkollave dhe arsimit në Perandorinë në fjale. Flet për llojet e shkollave në atë vend, siq ishin: Shkollat e mëhallëve, shkollat ruzhdije si dhe shkollat e xhamive. Përveç këtyre ajo përmend edhe shkollat e veçanta të qeverisë si: Akademia Ushtarake, Akademia Detare, Shkolla e Artilerisë, Shkolla Normale si dhe Shkolla e Mjekësisë, e ku secila prej tyre ka nga një shkollë të veçantë përgatitore ose idadije. Thekson se mësimet në Shkollën e Mjekësisë prej 40 vjetësh jepën në gjuhën frenge.

Më tutje shton se në vitin 1869 u hartua edhe një ligj për shkolla i cili mes tjerave përmban edhe këto dispozita:

  1. Çdo fshat apo mëhallë duhet të ketë të paktën një shkollë fillore. Në qytetet me mbi 500 shtëpi duhet të ketë shkolla fillore të një shkalle më të lartë.
  2. Çdo qytet me më shumë së 1000 shtëpi duhet të ketë një shkollë përgatitore dhe qyteti qendër vilajeti duhet të ketë një lice.
  3. Stamboll duhet të ngritet Universiteti Perandorak dhe Këshilli i Lartë i Arsimit.

E meta e këtij ligji, sipas Parashqevi Qiriazit, është se shumë dispozita të tij kurrë nuk janë zbatuar. Nuk janë çelur shkolla fillore, përgatitore dhe licera të reja. Në asnjë vend tjetër të Europës – shton më tutje Parashqevia – kombësitë dhe fetë nuk kanë ruajtur tiparet e tyre dalluese më shumë se sa në Turqi. Me këtë rast ajo bënë krahasimin me Perandorinë Austro – Hungareze si dhe me Perandorinë Ruse. Pastaj ndalet më gjërësishtë për shkollat greke, bullgare, serbe, pastaj shkollat rumune dhe vllahe. Në vazhdim ajo flet edhe për lashtësinë e popullit shqiptar, për studimet e Dr. Hahnit, për propagandat e huaja, sidomos për propagandën greke e cila shtrihet deri në Elbasan dhe qëllimet e saj helenizuese, propaganda bullgare, sipas saj, shtrihet deri në Korçë, ajo austriake në Shqipërinë e Veriut, propaganda italiane, serbe etj. Në një rast ajo mes tjerash thot: “Ndërsa ne na u ndalua arsimi në gjuhën amtare, fqinjët tanë grekë, bullgarë dhe serbë, si dhe rumunët, austriakët dhe italianët kishin liri të plotë të vinin në vendin tone dhe të çelnin shkolla të tyre për të na shkombëtarizuar, të na bënin grekë, rumunë apo sllavë.“ Më tutje përmend Shoqërinë Arsimore të Stambollit dhe kontributin e saj, Sami Frashërin, Shkollën e Parë Shqipe të vitit 1887 në Korçë si dhe Shkollën e Vajzave të vitit 1891. Duke folur për Kushtetutën e vitit 1908 ajo mes tjerave shton: “Shqiptarët … në më pak se një vit hapen 24 shkolla nate me 1753 nxënës, 34 shkolla dite me 1850 nxënës si dhe një Shkollë Normale me 145 nxënës dhe 14 mësimdhënës. Këto shkolla mbështetëshin nga 66 Klube Kombëtare, që kishin 10.000 antarë, në krye të të cilëve ishte Këshilli Kombëtar i Arsimit, i themeluar nga Kongresi Kombëtar i Elbasanit në vitin 1909 … Njëkohësishtë shqiptarët hapen 4 shtypshkronja, vunë në qarkullim 17 gazeta, gjithashtu themeluan një shoqëri grash, 10 letrare dhe 4 muzikore”[15].

Një sistem ideal i arsimit për Shqipëri[redakto | përpunoni burim]

Për të projektuar një sistem arsimor për Shqipërinë, Parashqevia thekson se, duhet të merren parasysh dy çështje themelore:

  • A. Tradita arsimore, edukative dhe kulturore e vendit apo siq thot ajo “Vështrimi i popullit, zakoneve dhe veçanërisht karakteristikat e tij.” Në këtë kuadër ajo përfshinë këto karakteristika kryesore:
  1. indipendenca e Shqipërisë;
  2. qëndrimi i shqiptarëve;
  3. ndjenja e forte për nder;
  4. ndjenja për poezi (art – nënvizimi ynë).
  • B. Nevojat e vendit:
  1. organizimi i një sistemi arësimtar kombëtar;
  2. organizimi duhet të bëhet ashtu që të munt t`e ngrerë popullin nga padija, edhe ta ndritonjë që të muntnjë të çquajnjë interest e tija të vërteta;
  3. bashkimi i popullit dhe ndalimi i propagandavet te huaja;
  4. pasi të hynjë qytetërimi i sotmë, duhet të përdoret çdo mënyrë për të mprojtur morallin që ka pasur gjithëmonë Shqipëria;
  5. prishja e sistemit feudall, dyke ju dhënë të drejta edhe raste të barabarta gjithë popullit, nga çdo kllasë edhe dyke ju dorëzuar parimet edhe ideallet të demokracisë;
  6. të ruhen industrit`e sotme të vendit.[15]

Me tutje ajo thekson: “Që të munt të korim pemë të mira më një kohë të shkurtër, më duket, se lipset të kemi një sistem administrative qendral, në disa pika, posi ai i Gjermanisë”. Parashqevia parasheh që “Çdo qytet të ketë shkolla elementare dhe të dyta, në kryeqytet të themelohet një universitet. Nëpër fshatërat të hapet vetëm shkollë elementare, edhe në katundet sipas nevojës”. Pastaj “Çdo qytet me gjithe krahinë, të ketë një pleqësi, përgjegjëse përpara Ministrit të Arsimit. Një nga antarët e kësaj pleqësije të jetë inspektor. Inspektori lipset të ketë stërvitje të vacantë për punë të tij. ”Ajo citon Stochtonin të ketë thenë: ”Një njeri që nuku ka stërvitje në qëllimet e vërteta të arësimit kurrë nuku bën të emërohet inspektor.”Më tutje ajo vazhdon: ”Një njeri që të jetë i zoti për këtë vent, lipset të ketë dije të gjërë në biollogji, soçiollogji, psikollogji, edhe pedagogji; përveq kësaj duhet të jetë i zoti të përdornjë gjykim për të radhiturit e kurseve të mësimit”. Sipas Parashqevi Qiriazit, detyrat e Pleqësisë së Arsimit janë këto:

  • 1. të ketë nënë vështrim qëllimin e veçantë të çdo institute;
  • 2. të zbatonjë më të mirat masa për të harirë këto qëllime;
  • 3. të radhitnjë programin të çdo institute;
  • 4. të çquanjë, sa t`e dojë nevoja, detyrat e çdo mësonjësi;
  • 5. të zgjedhë librat që duhet të përdoren;
  • 6. të radhitnë kursin e mësimevet;
  • 7. të ndanjë pagën e mësonjësvet;
  • 8. të kujdeset që çdo institut të ketë tërë gjërat e nevojshme.

Inspektori do të jetë përgjegjës më shumë për punën administrative dhe do të dorëzonjë mësonjës. Pastaj parasheh edhe një minister të Arsimit si kryetar i një komisioni arësimtar, përgjegjës përpara Parlamentit.

Sistemi arsimor[redakto | përpunoni burim]

Sistemi ideal i arsimit sipas Parashqevi Qiriazit duhet të përfshijë:

  1. kopshtet e fëmijëve (Kindergarten ose Montessori);
  2. shkolla elementare (fillore);
  3. shkollat e dyta (të mesme);
  4. arsimi i lartë (universiteti);
  5. shkolla normale;
  6. shkolla speciale (për personat me aftësi të kufizuara).[16]
Edukimi parashkollor – Kopshtet e fëmijëve nga 4 deri 6 vjeç[redakto | përpunoni burim]

Qëllimi i kopshtit të fëmijëve është:

  1. Të bashkonjë shtëpinë me disiplinën e arsyeshme të shkollës.
  2. Kursi i mësimit është dy vjet, që më 4 gjer më 6 vjet. Këtu fëmija mësojnë:
    • Të sjella të mira dhe morall;
    • Lodra, të qepur etj.
    • Mësime nga natura;
    • Gjuhësi;
    • Stërvitje fizike;
  3. Mësonjësit lipset të kenë marrë stërvitje të veçantë në një shkollë normale.
  4. Të përdoret një method, e cila të bashkonjë të dy shkollat, Kindergarten dhe Montessori, për ata fëmijë që nuku kan kujdesje arsimi në shtëpi, edhe veçanërisht për fëmijët e varfër pa shtëpi.[17]
Shkolla elementare (fillore) gjashtëvjeçare (3+3)[redakto | përpunoni burim]

Këtu Parashqevia thekson se “Lipset të vihet re mire, që të dy institutet që pasojnë njëra tjetrën, të mos jenë të ndara, po si cila të përpiqet të kuptonjë qëllimin e tjatrës.”Më tutje citon Brownin të ketë thenë: “Puna e shkollës elementare, lipset t`u mësonjë fëmijës elementat e morallit, të shëndetësisë, qysh të bëhen qytetarë të mire, edhe t`i përgaditnjë me veglat mendore, dyke ju dhënë të këtilla njoftime elementare për nature, edhe për njerinë, sa të ketë fuqi të pranonjë mendja e foshnjës për këtë kohë prej gjashtë vjet. Vlera e kësaj pune është së në këtë kohë vihet themeli i pare i çvillimit kulturës morale dhe fizike.” Në këtë shkollë, sipas Parashqevisë, nxënësit do të mësonin:

  1. Të mësuarit e këndimit;
  2. Të mësuarit e shkrimit;
  3. Të mësuarit e numravet.

Në tri vitet e para të kësaj shkollë fëmijët do të mësonin formimin e hyqeve (shprehive) të drejta për të kënduar (lexuar), për të shkruar si dhe për të numruar pastaj edhe familjarizimi i mendjes së fëmijës me të gjitha sa piqet (takohet) në botë. Kjo është edhe koha kur duhet të nisë edhe mësimi i muzikës vokale. Në tri vitet e mëpastajmë, sipas Parashqevisë, nxënësit duhet të mësojnë:

  1. Histori (në formë përrallë)
  2. Gjuhësi;
  3. Mësimë për të bërë kopshte;
  4. Mësimë nga natura;
  5. Desemn (vizatime)
  6. Gjeografi;
  7. Muzikë vokale;
  8. Stërvitje fizike;
  9. Vjersha;
  10. Punëdore (të qepur, të qëndisur etj. për çupat) edhe të tjera për djemtë.[17]
Shkollat e dyta (të mesme) tetëvjeçare (4+4)[redakto | përpunoni burim]

Detyrat e shkollës së mesme apo shkollës së dytë, siq e quan Parashqevia, janë:

  1. Stërvitja e nxënësit me një zhvillim normal fizik;
  2. Shfaqja e talentit të çdo nxënësi që të mund të zgjedhë një punë që do t`e përmbanjë sa të rronjë, dhe kështu të mos ketë kurrë nevojë të rronjë mbi kuris të tjatrit.
  3. Stërvitja e nxënësit të përmirësonjë radhën e shoqërisë, pjesë e së cilës është.
  4. T`i jape një të këtillë stërvitje që të mund të pasonjë mësimet e tij edhe pasi ta lërë shkollën.

Parashqevia parashikon që mësimi në shkollën e mesme të fillojë që nga mosha 12 vjeçare. Më tutje, duke u bazuar edhe në të arriturat e dissiplinave shkencore psikologjike e pedagogjike të asaj kohe, ajo radhit edhe shkaqet se pse duhet të ndodh kjo gjë:

  1. Të rinjët që prej 12 vjet e lartë lipset të stërviten prej mësonjësh;
  2. Nxënësit do të kenë rast të jenë nën influence të mësonjësvet specialist për çdo degë diturijë;
  3. Kjo është m`e mira kohë kur nxënësit munt të përfitojnë edhe humbjet e tyre, nga pikëpamja e shëndetit në këtë kohë kritike, do të jenë më të paka;
  4. Shkollat e dyta në kursin e tyre përmbledhin parime të psihollogjisë genetike edhe pedagogjike për nisjen e çvillimit të fëmijës, e cila (si)pas psihollogjisë, kërkon të shtohën edhe methodha të reja.

Parashqevia parashikon që shkollat e mesme apo siq i quan ajo shkollat e dyta të jenë të ndara në 4 + 4 vite. Kështu, në katër vitet e para nxënësit do të mësonin:

  1. Gjuhësi edhe bashkë me këtë edhe, këndim, gramatikë, fjalëlidhje dhe literature (letërsi);
  2. Histori;
  3. Mathematikë (arithmetikë, algjebër dhe gjeometri elementare);
  4. Gjuhëra të huaja (frëngjisht, anglisht, italisht);
  5. Gjeografi;
  6. Fisiollogji;
  7. Botani;
  8. Zoollogji
  9. Fizikë;
  10. Desemn (vizatime);
  11. Muzikë (vokale dhe instrumentale);
  12. Mjeshtërira (për djemtë);
  13. Të qepur dhe shkenca shtëpiake (për çupat);
  14. Stërvitje fizike;

Të katër vitet tjera duhet të pushtonjë (mësojnë):

  1. Retorikë dhe fjalëlidhje;
  2. Literaturë (letërsi);
  3. Histori;
  4. Algjebër, Gjeometri, Trigonometri;
  5. Gjuhët:

A. Klasike (Latinisht, Greqishte e vjetër, Arabishte) dhe

B. Moderne (Frëngjishte, Anglishte, Italishte)

  1. Fizikë;
  2. Himi;
  3. Histori e fillozofisë;
  4. Mjeshtëri (Arte);
  5. Biollogji;
  6. Pedagogji;
  7. Stërvitje fizike;
  8. Mjeshtëri (për djemtë);
  9. Shkencë shtëpiake (për çupat)

Katër vitet e dyta të shkollës së mesme, sipas Parashqevi Qiriazit, mund të ndahen në :

  1. Kursi letrar
  2. Kursi shkencor[18]
Universiteti (në kryeqytet) me kurs trevjeçar[redakto | përpunoni burim]

Në kuadër të universitetit do të jenë këto degë:

  1. Dega e Fillozofisë;
  2. Dega e Mjekësisë;
  3. Dega e Drejtësisë;
  4. Dega e Literaturës (Letërsisë);
  5. Dega e Shkencës si dhe
  6. Shkolla Normale[19]
Shkolla Normale[redakto | përpunoni burim]

Sipas Parashqevisë, në shkollën normale, studentët do të duhej të pushtonin këto lendë:

  1. Psikologji;
  2. Pedagogji;
  3. Probleme praktike;
  4. Mësime praktike;
  5. Filozofinë e zhvillimit të mendjes së foshnjës.
Shkolla për sakatërit (speciale)[redakto | përpunoni burim]

E nisur nga qëllime humanitare dhe pedagogjike, Parashqevia e shtrinë rrjetin e saj arsimor përtej kufijve të zakonshëm arsimor të kohës së nënqiellit tone. “Për të përmirësuarit të shoqërisë, sistemi shkollar lipset të përmbledhë edhe shkolla të veçanta për sakatërit”. Me “sakatër” ajo nënkupton “të verbërit, të shurdhrit dhe memecët”. Në bazë të edukimit dhe mësimit të tyre, ajo vendos “mësimet e punës së dorës”, pa përjashtuar dhe një kurs të shkurtër lendësh të ndryshme që ata “të kenë rast të çvillojnë mendjen e tyre edhe të shijojnë nga thesaret e diturisë.”[20]

Universitetet popullore[redakto | përpunoni burim]

Në një studim të mëvonshëm me titull “Program pune për zhvillimin e arsimit në Shqipëri” Parashqevia parasheh edhe themelimin e “Universiteteve popullore” për ata të cilët “dinë të këndojnë dhe të shkruajnë, por që duan të përmirësojnë gjëndjen duke pajosur mëndjen e tyre me dijet e nevojshme” [21].

Edukimi, arsimimi dhe emancipimi i femrës[redakto | përpunoni burim]

Në studimin e saj, Parashqevia, edhe në pjesën e parë por edhe në të dytën, flet për edukimin, arsimimin dhe emancipimin e femrës në përgjithësi ashtu si edhe të femrës shqiptare të asaj kohe, në veçanti. Kështu duke folur për zhvillimin historik të shkollave në Perandorinë Osmane, ajo përmend shkollat e jezuitëve francezë në Stamboll të hapura rreth 350 vjet më pare e të cilat u pasuan edhe nga Murgeshat e Mirëbërësisë.[15] Më tutje, duke folur për shkollat greke, mes tjerash thot: Më 1896, grekët kishin 2.914 shkolla fillore me 3.465 mësues e që frekuentoheshin nga 129.120 djem dhe 29.119 vajza. Rreth vitit 1905 numri i shkollave greke ishte ngritur në 3.359.[15] Duke përfundura për shkollat në Perandorinë Osmane ajo shton: ”Të gjitha shkollat e kombësive të sunduara nga Perandoria Turke, janë shkolla vetëm për djem ose vetëm për vajza. Programi i shkollave për vajza është shumë i varfër. Nëse një vajzë di të shkruajë, të lexojë dhe pak aritmetikë, më pak njohuri në fushat e tjera, kjo është e mjaftueshme. Shumë kohë i dedikohet punës së dorës të të gjitha llojeve. Por tani ky qëndrim sikur po ndryshon dhe vajzat po dërgohen edhe në shkollat e mesme. Të gjithë po kuptojnë se “dora që tund djepin është dora që urdhëron botën”. Lidhur me historikun e shkollave në Shqipëri mes tjerash thot: ”Propaganda italiane ndoshta është më pak e rendësishme, por nuk duhet injoruar. Ata kanë hapur disa shkolla në Shkodër dhe në Vlorë. Në Shkodër kanë hapur një shtëpi për të moshuarit dhe një jetimore. Italianët i kanë bërë shkollat e tyre më tërheqëse duke përfshirë në program, punë praktike për djemtë dhe arte të ndryshme për vajzat, sipas nevojave të tyre. Por shqiptarët kurrë nuk janë treguar indiferentë ndaj këtyre shkollave të huaja. Ata nuk i kanë aprovuar kurrë këto shkolla të huaja, por nuk kishin ç`të bënin”. Pastaj përmend kontributin e Shkollës Shqipe të Vajzave në Korçë nën drejtimin e Sevasti Qiriazit, në arsimimin dhe edukimin e femrave shqiptare që nga viti 1891 si dhe peripecitë nëpër të cilat kishte kaluar ajo. Gjithashtu përmend themelimin, në Shqipëri, edhe të një shoqerie grash, në periudhën e Hyrietit.[15]

Edhe në kuadër të sistemit të saj ideal të arsimit për Shqipërin, ajo parasheh një vend të merituar edhe për vajzat (femrat) shqiptare. Pjesmarrjen e femrës shqiptare, si nxënëse dhe studente, ajo e sheh në të gjitha shkallët e shkollimit, duke filluar nga institucionet parashkollore e deri tek arsimi i lartë në universitet, ndërsa lidhur me studimet pasdiplomike, shembulli më i mire se si një femër shqiptare mund t`i përfundonte ato me sukses, ishte ajo vetë si dhe tema në fjalë për të cilën po flasim.

Shkollat mikste dhe koedukimi[redakto | përpunoni burim]

Një karakteristikë tjetër e cila bie në sy te sistemi arsimor i Parashqevi Qiriazit është edhe angazhimi i saj për koedukimin e të dy gjinive në shkolla mikste. Sidomos këtë e preferon për kopshtet e fëmijëve, shkollat elementare dhe universitet. “Jo vetëm djemtë por edhe çupat lipset të marrin një stërvitje të plotë, mendore, fizike dhe morale,” thot Parashqevia në një rast dhe pak më tutje vazhdon: ”Kindergarten edhe shkolla elementare munt të jetë për të dy sekset, çupa edhe djem bashkë, po për institutet më të larta, lipset të kemi shkolla të veçanta për çupat.” Se pse duhet të jenë të ndarë, në shkollë të mesme, çunat nga gocat, ajo jep këto arsyetime:

  • 1. Kjo është mosha kur niset ndërtimi i karakterit të njeriut edhe djemtë lipset të jenë përgjithësishtë nën influence të mësonjësve burra, të cilët do t`i kupëtojnë më lehtë edhe më mire; edhe çupat lipset të jenë nën influence të mësonjëseve zonja.
  • 2. Ky period dyke qenë koha kur nxënësit nuku thellojnë, është nevoj`e madhe që mësonjësit t`i ruajnë nga shumë ngasje të rrezikëshme.[22]

Ndërsa duke folur për arsimin e lartë në institute (universitete) shton edhe këtë: ”Ky institut munt të jetë i përbashkët, edhe për zotërinjë edhe për zonjëza”. Eshtë interesante se Parashqevia nuk e preferon koedukimin për shkollat e mesme.[23]

Bibliografia[redakto | përpunoni burim]

Fare në fund të punimit Parashqevia ka paraqitur edhe bibliografinë dhe literaturën e konsultuar për përgatitjen e punimit në fjalë. Ajo përmend: “Das Albanesische Studien” (Studime shqiptare) të Johann Georg von Hahn; “La Grece avant les Grees“ (Greqia para grekëve) të Louis Benloew; Raportet zyrtare të ministrave të arsimit të Rumanisë, Bullgarisë, Serbisë, Greqisë dhe Turqisë të vitit 1910; “The religion of Ancient Albanian“ (Feja e shqiptarëve të lashtë) të A. Siljanit – 1907; “The States man`s Year Book” – 1912; Vjetarin e burrave të shtetit të vitit 1912; Revistën “Revue des deux Mondes“ – 15 tetor 1874; Disa libra të pedagogut amerikan Xhon Djui, pastaj të Buttlerit etj. si dhe Enciklopedinë Britanike.[24]

× × ×

Punimi me titull “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit për Shqipëri” në origjinalin në gjuhën angleze është nënshkruar nga P.D. Qiriazi në Kolegjin e Oberlinit - Oberlin College (Shih) dhe mban datën: qershor 1913.[25]

Vepra[redakto | përpunoni burim]

Abetare nga Parashqevi Qiriazi
  • “Himni i alfabetit kombëtar” 1908;
  • “Abetare - për shkollat e para” 1909, 1911, 1915;
  • “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit në Shqipëri” 1913;
  • “Shkolla e vashave – Korçë“ 1913;
  • (The School for Girl – Kortcha, Albania) 1913;
  • "Një sistem shkollor për zhvillimin e arsimit në Shqipëri" 1920;[26]
  • Përktheu dhe botoi tregimin “Evangjelina” të Henry Longfellow 1923;
  • “Shkolla e parë shqipe e vajzave“ (Kujtime) 1963;
  • Botohen në Tiranë “Kujtime nga Kongresi i Manastirit” të autores Parashqevi Qiriazi, në kuadër të monografisë “Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit” 1972.[27]

Rëndësia[redakto | përpunoni burim]

Edhe Parashqevia, sikurse rilindësit e tjerë, e vlerësoi shumë rëndësinë e arsimit, qëllimi i të cilit ishte "t`a bënjë njerinë të mbaruarë, njeri me karakter të qëndrueshëm"; ai na bënë të rrojmë me dinjitet, "të bëhemi të dobishëm për vehten tonë edhe për kombin tonë." Arsimi "është më i madhi mirëbërës i botës." Sipas saj, "arsimi kombëtar është shtylla e hekurt e rojtjes së kombit." Prandaj, ajo thekson se në mbarë botën është "i pranuar parimi, se ç`do njeri që sjell Perëndia ndë këtë botë, ka të drejtë të plotë të arsimohet..."[28]

Në shkrimet e saj, Parashqevia u morr me çështje të ndryshme të arsimit. Arsimi sipas saj ka kuptim shumë më të gjërë se mësimi. Derisa "mësimi është vetëm të mbledhurit e faktevet dhe idhevet të të tjerëvet; është të mbushurit e mëndjes me diturinë e gjëravet të ndryshme"... "arsimi përket njerinë përgjithërisht – trupin, mëndjen edhe zembrën"

Në studimin e saj “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit për Shqipëri”, pasqyrohen më së miri pikëpamjet pedagogjike e organizative të Parashqevi Qiriazit. Këtu ajo paraqet “një sistem ideal“ të arsimit për Shqipëri, i cili u përgjigjej nevojavet kombëtare të asaj kohe si dhe kohëve të pritshme. Ajo parashikon themelimin e të gjitha shkallëve të shkollimit duke filluar nga institucionet parashkollore e deri tek universiteti. Edhe procesin e përgatitjes së mësimdhënësve e parashikonte si pjesë të arsimit të lartë – universitetit. Për secilën shkollë dhe nivel të arsimit saktëson detyrat përkatëse dhe planet mësimore, pa mësimin e fesë, sipas modelit amerikan. Shkolla fillore, sipas saj, duhet të jetë falas ashtu si edhe tekstet dhe mjetet mësimore për fëmijët e vobektë. Risi për kohën, tek projekti arsimor i Parashqevi Qiriazit, paraqet përfshirja e femrave në të gjitha shkallët e shkollimit pastaj të institucioneve parashkollore (Kindergarten dhe Montessori), shkollave speciale si dhe koedukimi (shkollat mikste për të dy gjinitë) në arsim. Marrë në përgjithësi, projekti arsimor i Parashqevi Qiriazit është projekti i dytë pas atij të Sami Frashërit dhe projekti i pare i hartuar nga një femër shqiptare. Ai ka karakter programatik dhe shquhet për nga shkalla e lartë shkencore, demokratike, pragmatike, humaniste dhe iluministe. Me këtë dhe kontributet tjera në fushë të arsimit, kulturës dhe të psikopedagogjisë shqiptare, Parashqevi Qiriazi, “zë një vend nderi në panteonin e pedagogëve të shquar shqiptarë”.

Letërsia dhe burimet[redakto | përpunoni burim]

  • Dana Stucky: Kush ishte Parashqevi Qiriazi? 14 September 2014. Institute for Albanian & Protestant Studies, Vizituar më 23.09. 2015
  • Femi Cakolli: Histori e panjohur e Kongresit të Manastirit, Letra e gjallë, Nr. 16, Vjeshtë 2007, Prishtinë.
  • Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, (vëllimi III), Tiranë, 2009, fq. 2184, ISBN 978-99956-10-32-6
  • G. Bullaku: Dokumenti/Parashqevi Qiriazi Master që në 1913-ën në SHBA, 2 tetor 2015, Vizituar më 24.05.2016.
  • G. Bullaku:Parashqevi Qiriazi, master edukimi që më 1913, Gazeta Epoka e Re, Prishtinë, 30 shtator, 1 e 2 tetor 2015.
  • Hajrullah Koliqi: Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, Libri Shkollor, Prishtinë, 2012
  • Hajrullah Koliqi: Gruaja ndër shekuj (Arsimimi dhe emancipimi i saj). Prishtinë: Libri shkollor 2009, ISBN 9789951077163
  • Memli Krasniqi: Shoqëria biblike britanike për të huajt dhe bektashizmi. Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2013. ISBN 978-9951-596-86-2
  • Nebi Dervishi: Kontributi i familjes Qiriazi ne ngritjen e vetëdijes kombëtare, 26.10.2011, Yllpress, 19.09.2015
  • Parashqevi Qiriazi: Shkolla e vashave në Korçë. Instituti i Studimeve Shqiptare dhe Protestante, Tiranë, 2014. Vizituar më 24.05.2016.
  • Parashqevi Qiriazi: Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit për Shqipëri,(Tezë e masterit), në librin, Shefik Osmani: Trashëgimi social – pedagogjike (Motrat Qiriazi). Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Kosovës, Prishtinë, 1997
  • Shefik Osmani: Fjalor i pedagogjisë. 8 nëntori, Tiranë, 1983.
  • Shefik Osmani: Trashëgimi social – pedagogjike (Motrat Qiriazi). Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Kosovës, Prishtinë, 1997.
  • Xhevat Lloshi: "Parashqevi Qiriazi, veprimtarja e shquar e kombit". Shenja (nr.11), 2012.

Lidhje interwiki[redakto | përpunoni burim]

  • Lidhje të jashtme[redakto | përpunoni burim]

    Referenca dhe shënime[redakto | përpunoni burim]

    1. ^ a b Koliqi, Hajrullah (2009). Gruaja ndër shekuj : arsimimi dhe emancipimi i saj. Prishtinë: Libri shkollor. f. 373.  9789951077163. 
    2. ^ Memli Krasniqi: Shoqëria biblike britanike për të huajt dhe bektashizmi. Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2013, fq. 294 ISBN 978-9951-596-86-2
    3. ^ Dana Stucky: Kush ishte Parashqevi Qiriazi? 14 September 2014. Institute for Albanian & Protestant Studies, http://instituti.org/kush-ishte-parashqevi-qriazi/ 23.09. 2015
    4. ^ a b c Shefik Osmani: Fjalor i pedagogjisë. 8 nëntori, Tiranë, 1983, fq. 581
    5. ^ a b Femi Cakolli: Histori e panjohur e Kongresit të Manastirit, Letra e gjallë, Nr. 16, Vjeshtë 2007, Prishtinë, fq. 22
    6. ^ Nebi Dervishi: Kontributi i familjes Qiriazi ne ngritjen e vetëdijes kombëtare. Yll Press, 26.10.2011, http://www.yllpress.com/36953/kontributi-i-familjes-qiriazi-ne-ngritjen-e-vetedijes-kombetare.html 19.09.2015
    7. ^ a b c d Dokumenti/ Parashqevi Qiriazi Master që në 1913-ën në SHBA 2 tetor 2015.Vizituar më 24.05.2016.
    8. ^ Parashqevi Qiriazi: Shkolla e vashave në Korçë. Instituti i Studimeve Shqiptare dhe Protestante, Tiranë, 2014. Vizituar më 24.05.2016.
    9. ^ Shefik Osmani: Trashëgimi social – pedagogjike (Motrat Qiriazi). Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Kosovës, Prishtinë, 1997, fq. 9
    10. ^ Hajrullah Koliqi: Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar. Libri shkollor, Prishtinë. 2002, fq. 297 ISBN 9951-07-084-1
    11. ^ Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, (vëllimi III), Tiranë, 2009, fq. 2184, ISBN 978-99956-10-32-6
    12. ^ Xhevat Lloshi (2012). "Parashqevi Qiriazi, veprimtarja e shquar e kombit". Shenja (11): fq.30–32. 
    13. ^ Xhevat Lloshi: Parashqevi Qiriazi, veprimtarja e shquar e kombit. Yjet e mëngjesit shqiptar, almakos, 21.03.2012, http://almakos.com/shenja/5198-yjet-e-mengjesit-shqiptar.html, 8.09.2015.
    14. ^ Shefik Osmani: Trashëgimi social – pedagogjike (Motrat Qiriazi). Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Kosovës, Prishtinë, 1997, fq. 10
    15. ^ a b c d e Parashqevi Qiriazi: Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit për Shqipëri. (Tezë e masterit), në librin:Shefik Osmani: Trashëgimi social – pedagogjike (Motrat Qiriazi). Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Kosovës, Prishtinë, 1997, fq. 129 – 147.
    16. ^ Parashqevi Qiriazi: Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit për Shqipëri. (Tezë e masterit), në librin: Shefik Osmani: Trashëgimi social – pedagogjike (Motrat Qiriazi). Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Kosovës, Prishtinë, 1997, fq. 142
    17. ^ a b Parashqevi Qiriazi: Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit për Shqipëri. (Tezë e masterit), në librin:Shefik Osmani: Trashëgimi social – pedagogjike (Motrat Qiriazi). Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Kosovës, Prishtinë, 1997. fq. 143
    18. ^ Parashqevi Qiriazi: Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit për Shqipëri. (Tezë e masterit), në librin:Shefik Osmani: Trashëgimi social – pedagogjike (Motrat Qiriazi). Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Kosovës, Prishtinë, 1997, fq. 145 – 146
    19. ^ Parashqevi Qiriazi: Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit për Shqipëri. (Tezë e masterit), në librin:Shefik Osmani: Trashëgimi social – pedagogjike (Motrat Qiriazi). Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Kosovës, Prishtinë, 1997, fq. 146
    20. ^ Parashqevi Qiriazi: Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit për Shqipëri. (Tezë e masterit), në librin:Shefik Osmani: Trashëgimi social – pedagogjike (Motrat Qiriazi). Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Kosovës, Prishtinë, 1997, fq. 147
    21. ^ Parashqevi Qiriazi: Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit për Shqipëri. (Tezë e masterit), në librin:Shefik Osmani: Trashëgimi social – pedagogjike (Motrat Qiriazi). Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Kosovës, Prishtinë, 1997, fq. 169
    22. ^ Parashqevi Qiriazi: Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit për Shqipëri. (Tezë e masterit), në librin:Shefik Osmani: Trashëgimi social – pedagogjike (Motrat Qiriazi). Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Kosovës, Prishtinë, 1997, fq. 145.
    23. ^ Parashqevi Qiriazi: Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit për Shqipëri. (Tezë e masterit), në librin:Shefik Osmani: Trashëgimi social – pedagogjike (Motrat Qiriazi). Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Kosovës, Prishtinë, 1997, fq. 144-146.
    24. ^ Shefik Osmani: Trashëgimi social – pedagogjike (Motrat Qiriazi). Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Kosovës, Prishtinë, 1997, fq. 129 - 130
    25. ^ G.Bullaku: Parashqevi Qiriazi-Master i edukimit që më 1913, (Tri vazhdime), Gazeta Epoka e Re, Prishtinë, 30 shtator, 1 dhe 2 tetor 2015, fq. 16-17.
    26. ^ Xhevat Lloshi (2012). "Parashqevi Qiriazi, veprimtarja e shquar e kombit". Shenja (11): fq.30–32. 
    27. ^ Shefik Osmani: Trashëgimi social – pedagogjike (Motrat Qiriazi). Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Kosovës, Prishtinë, 1997, fq. 41-45
    28. ^ Hajrullah Koliqi: Gruaja ... fq. 374.
    Silverwiki 2.png
    Parashqevi Qiriazi është një artikull i mirë, i zgjedhur si një nga artikujt më të mirë nga vullnetarët e Wikipedias. U miratua në 12 korrik 2016.
    Nëse gjeni një mënyrë që kjo faqe të mund të përmirësohet më tepër, pa krijuar konflikte me punimet e redaktorëve të mëparshëm, ju lutemi merrni guximin dhe kontribuoni.