Haveit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Kolektivi artistik, "Haveit"/ Tiranë, 2018.

Haveit janë një kolektiv artistik i përbërë prej katër vajzash nga Kosova: Alketa e Lola Sylaj dhe Hana e Vesa Qena, të cilat përdorin mediumin e performancave publike, fotografisë dhe videos për të eksploruar çështjet sociale në Kosovë si fuqizimi i pozitës shoqërore të gruas, të drejtat e komunitetit LGBT+ si dhe plot tema të tjera. [1]

Themelimi[redakto | redakto tekstin burimor]

Lola Sylaj

Pjesëtaret e kolektivit Haveit u takuan në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Ato e themeluan këtë kolektiv artistik si një formë proteste ndaj fenomeneve sociale në shoqërinë kosovare si stereotipet gjinore, patriarkalizmi, shtypja e grave, e homofobia.[2]

Performanca e tyre e parë daton në vitin 2011, si një reagim ndaj vrasjes së Diana Kastratit. Vrasja në fjalë ishte një prej rasteve të feminicidit, duke sjellur protesta nga organizata të shumta feministe.[3] Performaca e zhvilluar nga Haveit për këtë vrasje u titullua "Kurorëzimi", ku pjesëtaret e Haveit mbanin të veshur një vello dhe qëndronin pa lëvizur në shenjë proteste kundër shtypjes së grave.

Në nëntor 2016 kolektivi realizoi videon dhe performancën “Shaving Patriarchy” dedikuar Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Sipas aktivisteve të kolektivit, simbolika e performancës u lidh me elementin e mjekrës, të asociuar me nderin, besnikërinë dhe fuqinë, duke besuar se sa më shumë e gjatë mjekra, aq më i mirë një person, një burrë.[4]

Alketa Sylaj

Në 2017 "Haveit" i dedikoi një performancë fenomenit psikologjik “Baby Blues” që nënkupton gjendjen e depresionit që prek shumë gra pas lindjes. Performanca u mbajt pranë galerisë "Motrat" në Prishtinë dhe kishte kurator Lulzim Zeqiri.[5][6][7]

Në mars të 2018, kolektivi "Haveit" erdhi me një protestë në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave. Tre stenda të mëdha ku shkruhej "Edhe sa thirrje të humbura", të shoqëruara nga emrat e Diana Kastrati dhe Zejnepe Bytyqi, u vendosën pranë stacioneve të policisë në Prishtinë. Sipas intervistave të dhëna, "Haveit" erdhi në këtë formë proteste me krijimin e banerave për të kritikuar sistemin policor, që ka dështuar në mbrojtjen e viktimave nga dhuna me bazë gjinore.[8][9]

Kontroversiteti[redakto | redakto tekstin burimor]

Vesa Qena

Një tjetër performancë e Haveit ishte ajo në muajin shkurt në 2014 me rastin e Shën Valentinit. Performanca e tyre artistike u finalizua me një foto ku shihen dy çiftet e vajzave duke u puthur në buzë para Teatrit Kombëtar. Fotoja u hodh në rrjetet sociale dhe solli një valë komentesh diskriminuese.[10][11]

Një tjetër performancë e ngjashme e materializuar në foto ka qenë fotoja pranë një ode, ku duken katër vajzat të ulura këmbakryq, duke treguar gishtin e mesit. Në diçiturën e fotos ishte vendosur një citim i kreministrit kosovar, Ramush Haradinaj. Në të thuhej:”Kushdo që do debat, le t’vjen nëpër oda të burrave, ku kollet burri, e bajna llaf e pina çaj rusi deri n’sabah. Në këto ndeja ‘kanunqe’ sbahet kijameti.” Në një intervistë për gazetën online "KultPlus", një nga anëtaret e këtij kolektivi, Lola Sylaj është shprehur në këtë mënyrë:

Hana Qena


“Ka një kohë të gjatë që tashmë jo vetëm në fushata zgjedhore por edhe në diskutime tjera politike rreth çështjeve të ndryshme politikanët në Kosovë zgjedhin odën e burrave, odë kjo e cila vazhdon mendësinë e patriarkalitetit ku burri më i moshuar është më “i urti”, tradita këto të cilat mbrohen e lartësohen nga politikanët, ku gjuajtja me armë shihet si diçka festive dhe jo e jashtëligjshme”

Çmime[redakto | redakto tekstin burimor]

Kolektivi artistik "Haveit" janë shpallur fituese të disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Në 2018 ky kolektiv u shpall fitues i konkursit ndërkombëtarë të organizuar nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, në bashkëpunim me University of the Arts London (UAL) dhe King’s College London.

Referenca[redakto | redakto tekstin burimor]