Jump to content

Hysen bej Vrioni

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Hysen Bej Vrioni)
Hysen bej Vrioni
Ministër i Drejtësisë i Shqipërisë
Në detyrë
24 dhjetor, 1921 – 12 maj, 1923
Paraprirë ngaQerim Çelo
Pasuar ngaMyfid bej Libohova
Ministër i Punëve të Jashtme
Në detyrë
23 tetor, 1925 – 10 shkurt, 1927
Paraprirë ngaMyfid bej Libohova
Pasuar ngaIljaz bej Vrioni
Në detyrë
20 prill, 1931 – 7 dhjetor, 1932
Paraprirë ngaPandeli Evangjeli
Pasuar ngaXhaferr bej Vila
Të dhëna vetjake
U lind më1881
Berat, Perandoria Osmane, sot Shqiperia
Vdiq më12 tetor, 1944
Tirana, Shqipëria
NënshtetësiaShqiptare
Bashkëshortja/etGanimete hanëm Pasho
ArsimimiMülkiye, Stamboll
Punësiminëpunës, politikan
Nënshkrimi

Hysen bej Vrioni (Berat, 1881 - Tiranë, 12 tetor 1944) qe nëpunës i Perandorisë Osmane, latifondist, nënprefekt, politikan dhe ministër i shtetit shqiptar.

Leu në qytetin e Beratit, i biri i ish-ministrit Aziz pashës dhe Hatixhe hanëm Vrionit.[1] Pinjoll i oxhakut Vrioni, familje e rëndësishme çifligarësh me prona në BeratFieri dhe Myzeqe të mundësuara që në kohën e Perandorisë Osmane. Hysni beu vetë kishte nën zotërim 7500 hektarë në Myzeqenë Jugore.[2]

Shkollimin fillor e kreu në vendlindje,[3] ku gjuhën shqipe ia dha mësuesi shkodran Kolë Kraja.[4] Shkollën e mesme e vazhdoi në idadijen e Janinës dhe shkollimin e lartë në Institutin "Mylkie" në kryeqytetin e perandorisë ku diplomohet më 1904[5]. U punësua si sekretar i kryevezirit Ferit pashë Vlora nga 1904 deri më 1908. Më pas shërben si kajmekam në Tiranë. Në shtator të 1912 emërohet prefekt në LlurVilajetit të Janinës.[3]

Lufta Ballkanike e shtrëngon të kthehet në vendlindje. Më 1914 mori pjesë në delegacionin që shkoi në Neuwied, Gjermani në 1914, për t'i ofruar kurorën princit Wilhelm Wied.

Me punimet e bëra Kongresi i Lushnjes ku shkoi si përfaqësues i Beratit me shoqatën "Bashkimi" të kushëririt të tij, Iljaz beut, u zgjodh një nga senatorët. Emërohet ministër pa portofol dhe zv/ministër i Drejtësisë në qeverinë Delvina. U zgjodh deputet gjithmonë prej 1921-1939. Më 1921 merrte pjesë në grupacionin e Partisë Përparimtare.

Shërbeu si ministër i Drejtësisë në qeveritë e Xhaferr bej Ypit dhe Ahmet Zogollit para 1924. Me t'ia behur Lëvizja e qershorit ikën nga Shqipëria, ku dënohet në mungesë për arsye politike. Më pas riemërohet ministër, tashmë i Punëve të Jashtme në kohën e presidencës së Ahmet Zogut dhe në qeverinë Evangjeli. Për një farë kohe ai ishte nënkryetar i Parlamentit.

Ndërroi jetë në Tiranë në 12 tetor 1944.[3]

Reformat në dikastere

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas krijimit të Republikës së parë të Shqipërisë, janar 1925, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ahmet Zogu, me propozimin e Hysen Vrionit, miratoi ndarjen e punëve politike nga ato konsullore-administrative dhe krijimin e një Drejtorie Politike në MPJ. Argumentet kryesore ishin rritja e aktivitetit të MPJ, nevoja për të hyrë në marrëdhënie më të drejtpërdrejta me trupin diplomatik të huaj të akredituar në Shqipëri dhe përfaqësitë shqiptare jashtë vendit, si dhe për të ndjekur me seriozitet çështjet e ndryshme që diskutoheshin në Lidhjen e Kombeve, e cila dita - ditës po merrte një rëndësi të veçantë. Tani MPJ ka dy drejtori, atë politike dhe atë konsullore-administrative.

Në tetor të vitit 1925, MPJ i propozon Këshillit të Ministrave që përfaqësitë e RSH jashtë vendit të përdornin si atashe pa pagesë studentët shqiptarë që vazhdonin studimet në këto vende. Kjo do të përgatiste edhe diplomatët e ardhshëm të karrierës që do t’i shërbenin shtetit shqiptar. Ky propozim u miratua nga Këshilli i Ministrave, por u hodh poshtë nga Këshilli Kombëtar sepse u konsiderua si një rënie e nivelit të përfaqësimit të Republikës Shqiptare tek të huajt.

Një ndër aktet e para që ndërmori kryesia e Republikës së Shqipërisë ishte thirrja që iu bë të gjitha institucioneve të larta shtetërore për përgatitjen e projekt-ligjeve organike të tyre lidhur me organizimin e këtyre institucioneve dhe ndarjet administrative të detyrave. Njëkohësisht, nisur nga modelet e institucioneve homologe jashtë vendit, MPJ i propozoi Këshillit të Ministrave fillimin e aplikimit të sistemit të gradave diplomatike gjatë karrierës diplomatike të çdo nëpunësi. Propozimi u miratua.

Ndërkohë që konsullata e parë e nderit u çel në Kopenhagë me 1 gusht 1925, viti 1926 njohu edhe valën kryesore të hapjes së konsullatave të nderit të Republikës së Shqipërisë në botë (pa shpenzime), qëllimi i të cilave siç shprehej H.Vrioni ishte “…për me e ba të njohur vendin tonë me anë të tregtisë dhe ekonomisë, për më gjetë mbrojtje e lehtësim të shqiptarëve që ndodhen atje dhe ato që udhëtojnë për qëllime tregtare, kulturore dhe arsimore etj”[6].

  1. ^ Vlora, Eqrem bej (2003). Kujtime 1885-1925 [Lebenserinnerungen]. Përkthyer nga Afrim Koçi. Tiranë: IDK. fq. 612. ISBN 99927-780-6-7. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ Klan (500-508), Tiranë: "Media 6", 2007, fq. 259
  3. ^ a b c Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. fq. 252. ISBN 9789994356225. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ Kraja, Kolë (2005). Autobiografi. Shkodër: Phoenix v. 9, nr. 1-6 (40). fq. 55–63. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ Transclusion error: {{En}} is only for use in File namespace. Use {{lang-en}} or {{in lang|en}} instead. Özdalga E., Late Ottoman society: the intellectual legacy, studimet SOAS/RoutledgeCurzon të Lindjes së Mesme. 3. Routledge. fq. 314. ISBN 0-415-34164-7
  6. ^ Historiku i krijimit të institucionit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të shtetit shqiptar Arkivuar 21 korrik 2018 tek Wayback Machine, ambasadat.gov.al, 16 Shtator 2013. Marrë më 22 dhjetor 2017.