Isa Mustafa

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Isa Mustafa

Isa Mustafa (lindur më 15 maj 1951, Prapashticë), ekonomist dhe politikan shqiptar nga Kosova, aktualisht është kryeministër i Kosovës dhe kryetar i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës.

Isa Mustafa mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa ato të mesmet në Prishtinë, ku edhe vijoi studimet për ekonomi në Fakultetin e Ekonomisë pranë Universitetit të Prishtinës. Në vitin 1974 u angazhua si pedagog në Universitetin e Prishtinës ndërsa në vitin 1984 u angazhua në funksionin e kryetarit të qeverisjes komunale në Prishtinë, funksion të cilin e mbajti deri në vitin 1988. Më 1991 u angazhua në funksionin e drejtorit të Entit për Plan dhe Zhvillim të Kosovës dhe si Ministër i Ekonomisë dhe Financave të Republikës së Kosovës.[citim i duhur]

Gjatë periudhës së luftimeve ishte aktiv në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Pas luftës, kryesisht, është angazhuar në punën shkencore dhe hulumtuese në Institutin Riinvest dhe në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Ka qenë kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës "Dardania", anëtar i Këshillit Drejtues të Bankës së Re të Kosovës, anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Kosovës, anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit Amerikan në Prishtinë dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore të Kosovës.

Në vitin 2007 si kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës, u zgjodh kryetar i komunës së Prishtinës. Ndërsa, më 7 nëntor 2010 Isa Mustafa në Kuvendin e 7-të zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës me 235 vota u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës duke e mundur kundërkandidatin Fatmir Sejdiu i cili mori 124 vota.

Në kuadër të programeve të bashkëpunimit dhe ngritjes profesionale e shkencore ka qëndruar disa herë në Universitete të jashtme.

Ka udhëhequr dhe ka marrë pjesë në disa projekte vendëse dhe ndërkombëtare në fushën e zhvillimit ekonomik, sidomos ato që kanë të bëjnë me politikat fiskale, arsimin dhe zhvillimin ekonomik lokal. Ka botuar disa tekste universitare, tekste për shkolla të mesme si dhe punime të tjera shkencore dhe profesionale në vend dhe jashtë vendit.

Është anëtar i rregullt i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës nga dhjetori i vitit 2012.

Isa Mustafa ishte pjesë e kabinetit të Presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu si këshilltar për ekonomi.

Lidhje të jashtme[redakto | redakto tekstin burimor]