Kushtetuta e Kosovës (1974)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Kushtetuta e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (serbisht: Устав САП Косова Ustav SAP Kosova) është miratuar më 28 shkurt të vitit 1974 nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Jugosllavisë.[1] Kushtetuta në fjalë kishte një qëllim që thoshte se të gjitha etnitë e Kosovës duhet të bashkohen nën revolucionin socialist popullor dhe partinë komuniste në krye të saj, kundër luftës së klasave dhe pabarazisë së mëtejshme klasore. Kryetari i Kuvendit ishte Iljaz Kurteshi dhe kushtetuta u nënshkrua më 28 shkurt 1974.[2] Kjo është kushtetuta e parë e Kosovës që u integrua në kushtetutën e RSFJ-së të 28 shkurtit 1974.[2]

Historia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në prill të vitit 1973 u hartua projekti i Kushtetutës së re të RSFJ-ës, projektkushtetutat republikane dhe ato krahinore. Diskutimet publike rreth tyre zgjatën më shumë se gjysmë viti, pra deri më 21 shkurt të vitit 1974 kur Kuvendi Federativ miratoi Kushtetutën e re të RSFJ-ës, ndërsa Kushtetuta e KSA e Kosovës, u miratua më 28 shkurt të vitit 1974.

Me nxjerrjen e Kushtetutës së RSFJ, vazhdoi procesi i avancimit të pozitës së kushtetutës së Kosovës në kuadrin e federalizimit jugosllav. Kosova me dispozitat e kësaj Kushtetute u përcaktua si njësi autonome politike territoriale dhe si element konstituiv i federalizimit. Pozita e kushtetuese e Kosovës sipas Kushtëtutës së RSFJ-ës të vitit 1974, në shumë sfera ishte e ngjashme me pozitën e republikave, madje sipas kësaj kushtetute, Kosova ishte njësi e mëvetësishme federale dhe element konstituiv, që do të thotë, se asaj i jepej e drejta e vetëpërcaktimit të ri statusor, pas shpërbërjes së RSFJ-ës.

Sipas Kushtetutës së RSFJ-ës së vitit 1974 Kosova kishte Kushtetutën, Parlamentin ligjvënës, Presidencën si bartëse të sovranitetit, Qeverinë, të gjitha nivelet e gjykatave, duke përfshirë edhe Gjykatën Suprem dhe Gjykatën Kushtetuese, pastaj kishte pavarësinë financiare etj. Po ashtu sipas kësaj Kushtetute, Kosova ka pasur kufijt e vet territorial, që kanë pasur cilësin e kufijëve shtetëror. Për ndryshimin e tyre ka mundur të vendos vetëm populli dhe organet legjitime të Kosovës.

Kushtetuta, në nenin 1 të saj, e konsideron Kosovën si: ''bashkësi autonome socialiste shoqërore-politike demokratike dhe vetëqeverisëse e njerëzve punues dhe qytetarëve, e malazezëve, muslimanëve, serbëve, shqiptarëve, turqëve dhe të grupeve etnike të barabarta, e bazuar në pushtetin dhe vetëqeverisjen e klasës punëtore dhe të të gjithë njerëzve punues.''[3]

Në nenin 4 të saj njihej barazia midis kombësive, në nenin 5 njihej barazia e gjuhës shqipe me gjuhët e tjera të RSFJ dhe në nenin 6, njihjej e drejta e pjesëtarëve të të gjithë kombeve, për përdorimin e flamurit kombëtar.[3]

Pa marr parasysh të metat dhe mangësit e Kushtetutës së Kosovës dhe asaj tē RSFJ-së të vitit 1974, për shqiptarët dhe qytetarët tjerë të Kosovës ajo paraqet një moment shumë të rëndësishëm, ngase ajo i krijonte KSA të Kosovës hapsira të reja për një evoluim të mëtejshëm të statusit të saj. Me kushtetutën e vitit 1974, Kosova del nga sundimi i Serbisë, si pjesë integrale e Jugosllavisë. Kushtetuta në fjalë ishte mjaftë e avansuar për dallim nga kushtetutat e tjera të mëparshme (1946, 1963).

Rëndësia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pesë pikat më poshtë shpjegojnë arsyet kryesore të rëndësisë dhe ekzistencës së Kushtetutës së Kosovës të vitit 1974:

  • Nga viti 1944 e tutje pjesëmarrja e Kosovës në Jugosllavinë federale ishte kryesisht si njësitë e tjera federale.
  • Që nga viti 1944, dhe veçanërisht sipas kushtetutës së RSFJ-së të vitit 1974, Kosova kishte një shkallë të konsiderueshme të autonomisë. Në të gjitha fushat, politikës sociale, ekonomike dhe kombëtare.
  • Sipas Kushtetutës së vitit 1974, gjashtë republikat së bashku me Vojvodinën dhe Kosovën kishin një pozicion të ngjashëm kushtetues, ndryshimi kryesor ishte se republikat (Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia, Sllovenia, Serbia dhe Mali i Zi) kishin të drejtë të shkëputeshin, gjersa Kosova dhe Vojvodina jo.[2]
  • Kosova kishte të njëjtën mbrojtje që kishin republikat në mosmarrëveshjet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës duke përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese Federale. Kjo u hoq në vitet 1989–1990 dhe nuk mund të rivendosej pasi RSFJ të ishte shpërbërë.
  • Pozicioni i Kosovës sipas Kushtetutës së vitit 1974 u anulua në vitet 1989–1990 nga autoritetet federale të Serbisë.

Shfuqizimi i Kushtetutës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kosova u udhëhoq me Kushtetutën e viti 1974 deri në vitin 1989, kur u çrregulluan raportet midis kombësive në Jugosllavi dhe pastaj rrethanat bënë që Serbia edhe më shumë ta shfaqte pakënaqësinë në lidhje me Kosovën dhe statutin e saj të Autonomisë. Në vitin 1989, Presidenca e Jugosllavisë shfrytëzoi kompetencën kushtetuese të saj duke e krijuar gjendje të jashtëzakonshme dhe duke shfuqizuar Kushtetutën e vitit 1974 në Kosovë përmes dhunës policore.[4] [5]

Një vit më pas delegatët e Kuvendit të Kosovës në shprehje të vullnetit politik të qytetarëve,  miratuan deklaratën kushtetuese, e cila në kundërpërgjigje të shfuqizimit të Kushtetutës së vitit 1974, avancoi duke kërkuar më shumë të drejta për qytetarët e Kosovës.[5]

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Glenn E. Curtis (dhjetor 1990), Glenn E. Curtis (red.), Yugoslavia: Political Innovation and the 1974 Constitution (në anglisht)
  2. ^ a b c "Deklarata Me Shkrim E 17 Prillit 2009" (PDF). fq. 47–51. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 13 dhjetor 2012. Marrë më 24 shkurt 2013.
  3. ^ a b Kushtetuta e Kosoves 1974.
  4. ^ KosovaPress. "Kushtetuta e 74-ës siguronte autonomi, aktualja e bënë vendin jofunksional". old.kosovapress.com. Arkivuar nga origjinali më 19 dhjetor 2022. Marrë më 2022-12-19.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)
  5. ^ a b Ekonomia. "2 korriku moment i rëndësishëm në historinë tonë". Ekonomia. Arkivuar nga origjinali më 19 dhjetor 2022. Marrë më 2022-12-19.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)