Jump to content

Lagjja e boshnjakëve

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Lagja e boshnjakëve)
Rrugë në lagjen e Boshnjakëve (2016)

Lagjja e Boshnjakëve apo Mëhalla e Boshnjakëve (serbisht Бошњачка махала Bošnjačka mahala) është pjesë e qytetit të Mitrovicës, Kosovë. Ndodhet në verilindje të qendrës së qytetit, në anën veriore të lumit Ibër, duke e bërë mëhallën pjesë të Mitrovicës së Veriut.

Lagjja e Boshnjakëve mori emrin nga grupi etnik i Boshnjakëve. Megjithatë, lagjja gjithnjë ishte e përzier etnikisht dhe e banuar gjithashtu nga shqiptarë dhe romë ndër të tjera. Gjatë Luftës së Kosovës, lagjja e Boshnjakëve u shkatërrua pothuajse plotësisht dhe u rindërtua vetëm pjesërisht pas luftës. Aktualisht, ata pak shqiptarë të mbetur përbëjnë shumicën e popullsisë në lagje.[1]

Xhamia e Ibrit që i përkiste lagjes së Boshnjakëve (boshnjakisht Ibarska džamija) u ndërtua në vitin 1778 dhe u dogj nga serbët më prill 1999 gjatë Luftës së Kosovës. Më pas rrënojat e saj u rrafshuan plotësisht me një ekskavator më maj.[2] Xhamia ndodhej në skajin jugperëndimor të lagjes, pranë urës kryesore të Mitrovicës, e cila sot ndan pjesën veriore dhe jugore. Në mëngjesin e 25 qershorit 2017, për herë të parë pas 18 vitesh, në vendin e ish-xhamisë u mbajt lutja myslimane me ezan, ku morën pjesë qindra besimtarë.[3]

Sot imazhi i lagjes së Boshnjakëve karakterizohet nga kioska të shumta dhe dyqane të vogla, si dhe furra buke dhe parukeri. Njerëzit nga pjesët veriore dhe jugore të Mitrovicës vijnë në këtë lagje për të bërë pazaret e tyre. Prandaj lagjja e Boshnjakëve konsiderohet si një lloj vendi i takimit të përditshëm mes shqiptarëve dhe serbëve si edhe minoriteteve të tjera të qytetit.[4] Për më tepër, kjo lagje me Urën Lindore të Mitrovicës, që lidh mëhallën e Boshnjakëve me zonën industriale më në lindje (që u takon pjesës jugore), është një zonë e rëndësishme e kalimit ndërmjet dy gjysmave të qytetit, veçanërisht në kohët kur ura kryesore ishte e pakalueshme për shkak të situatës së tensionuar të sigurisë.

  1. ^ "Kosovo sa dva svoja paralelna sveta" (në boshnjakisht).[lidhje e vdekur]
  2. ^ "BE: Xhamia e Ibrit nuk është pjesë e revitalizimit".
  3. ^ "Bajramska molitva po prvi put kod ibarske džamije na severu" (në boshnjakisht).[lidhje e vdekur]
  4. ^ "Bošnjačka mahala spaja Srbe i Albance u Mitrovici" (në boshnjakisht). Arkivuar nga origjinali më 29 mars 2018. Marrë më 23 mars 2022.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]