Memoriali i Skënderbeut
Memoriali i Skënderbeut është një objekt përkujtues i Skënderbeut i ndërtuar më 1981 në gërmadhat e Xhamisë Selimije në Lezhë.[1]
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Katedralja e dikurshme e Lezhës, e cila i kushtohej Shën Nikollës, qe një ndërtesë e stilit gotik kolonial. Qe në duart e të krishterëve deri në çerekun e fundit të shekullit XVI, dhe gjatë viteve '80 të atij shekulli aty u ndërtua xhamia. Gjatë viteve 1620-1630 kjo xhami u braktis dhe mbeti rrënojë deri nga fundi i shekullit XVIII, kohë gjatë së cilës, u rindërtua nga Sulltan Selimi III.[2]
Deri me Revolucionin Kulturor, objekti ishte në pronësi të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, duke qenë xhami. Më pas kaloi në pronësi të Institutit të Monumenteve në Tiranë.[3] Minareja qëndroi deri më 1978, por me tërmetin e 1979 u shemb.[2]
Me gërmimet e bëra më 1968 u nxorrën në pah mbetjet e një katedraleje të shekullit XV.[3] Prej gërmimeve të drejtuara nga Frano Prendi dhe Koço Zheku, u mendua se gjurmët e kishës ishin pikërisht të katedrales së Shën Kollit - megjithëse këtë e ka kundërshtuar Kristo Frashëri. Më tej u zbuluan themele ndërtimesh pagane të shekullit të III, disa pagëzimore paleokristiane të ndërtuara në gjysmën e parë të shekullit të VI dhe dy faza ndërtimi kishtar të periudhës bizantine.[4]
Gjatë rindërtimit të qytetit pas tërmetit të 1979, u vendos heqja e shtresës osmane dhe shndërrimi i themeleve të kishës së vjetër në një monument madhështor modern.[2] Punimet u kryen në vitet në vazhdim dhe përfunduan më 1981[1] ose pak para 1983.[2]
Narrativa të tjera
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Sipas konsullit austro-hungarez Theodor Ippen në vilajetin e Shkodrës, pranë portës lindore të kalasë së Lezhës qenë varret e familjes së bejlerëve të Lezhës si dhe një tyrbe e një evlijai të harruar.[5] Historiani Kristo Frashëri në librin e tij për Skënderbeun përcjell vizitën e mundshme të udhëtarit R. C. Woodville Jr. në Lezhë në kohën e Lidhjes së Prizrenit (1880). Woodville botoi një vizatim në revistën Scribner’s Monthly me titullin "Tomb of Scanderbeg at Alessio". Vizatimi tregon një tyrbe për Skënderbeun dhe dy roje, njëri i veshur me çakshirë e tjetri me fustanellë. Sipas traditës popullore kjo tyrbe mbrohej prej dervishëve bektashinj.[6] Frashëri përkundër narrativës së Prendit, ka qenë i mendimit se varri është në kalanë e Lezhës.[4]
Shiko edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ a b "Bashkia Lezhë: Plani Strategjik për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Komunitetit të Lezhës, 2013 – 2030" (PDF). lezha.gov.al. 2013. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 14 shkurt 2021. Marrë më 22 shkurt 2021.
- ^ a b c d Kiel, Machiel (2012) [1990]. Arkitektura osmane në Shqipëri (1385-1912). Përkthyer nga Holta Vrioni. Stamboll: IRCICA. fq. 282, 285–286. ISBN 9789290632429.
- ^ a b Gjika, Ilirjan (18 gusht 2017). "Misteri i varrit të Skënderbeut, si qëndron e vërteta". Kultplus.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ a b Hoxha, Gëzim (2011). "Një pagëzimore paleokristiane nën themelet e kishës së Shën Kollit në Lezhë". Iliria (35): 285–306.
- ^ Ippen, Theodor (2002). Shqipëria e Vjetër. Përkthyer nga Karaiskaj, Gjerak; Klosi, Ardian. Tiranë: K&B. fq. 208. ISBN 9789992777763.
- ^ Vehbiu, Ardian (5 tetor 2015). "Pllaka e Skurës". Peizazhe të fjalës. Marrë më 22 shkurt 2021.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)