Rezoluta nr. 1114 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara
Rezoluta nr. 1114 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u aprovua më 19 qershor 1997, për shkak të situatës në Shqipëri. Duke u bazuar tek vendimet e marra nga Rezoluta nr. 1101 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Këshilli vendosi të zgjaste qëndrimin e forcave ndërkombëtare në vend me 45 ditë, duke filluar nga data 28 qershor 1997. Këshilli vlerësoi mënyrën e paanshme me të cilën kishte vepruar forca shumëkombëshe në Shqipëri, dhe bashkëpunimin e saj me autoritetet shqiptare. Kjo forcë u autorizua të vepronte gjatë trazirave në vend të shkaktuara nga falimentimi i skemave piramidale. U theksua se dhuna ende vazhdonte dhe për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme duhej një zgjatje e qëndrimit të forcave ndërkombëtare.
Dhuna në vend u dënua dhe u kërkua që ajo të ndalonte menjëherë. Vendeve pjesëmarrëse në forcën shumkombëshe iu kërkua të paguanin koston e operacionit. Ato u autorizuan të siguronin lirinë e lëvizjes të forcës ndërkombëtare dhe vëzhguesve të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE). Ndihma humanitare do të sigurohej nëpërmjet bashkëpunimit me qeverinë e Shqipërisë, OSBE, Bashkimin Europian, Kombet e Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare. Në fund shteteve pjesëmarrëse iu kërkua që të dorëzonin raporte të rregullta mbi mbarëvajtjen e operacionit.
Rezoluta u miratua me 14 vota pro, dhe me 1 abstenim, atë të Kinës e cila deklaroi se situata për të cilën diskutohej ishte çështje e brendshme e Shqipërisë, por për shkak të kërkesës së qeverisë shqiptare për ndihmë ndërkombëtare nuk hodhi veton. Kina gjithashtu me të njëjtën arsye kishte abstenuar edhe Rezolutën nr. 1101.
Vendi anëtar i përhershëm | Vota |
---|---|
Franca | Pro |
Kina | Abstenim |
Rusia | Pro |
Mbretëria e Bashkuar | Pro |
Shtetet e Bashkuara të Amerikës | Pro |
Vendi anëtar i përkohshëm | Vota |
---|---|
Kili | Pro |
Kosta-Rika | Pro |
Egjipti | Pro |
Guinea-Bisau | Pro |
Japonia | Pro |
Kenia | Pro |
Koreja e Jugut | Pro |
Polonia | Pro |
Portugalia | Pro |
Suedia | Pro |