Banda e Nehat Kullës
Banda e Nehat Kullës | |
---|---|
Background information | |
Origjina | Tufinë, Tiranë, Shqipëri |
Vitet aktik | 1997 - 1998 |
Anëtarët e kaluar | Nehat Kulla(Gjenerali) familjarë dhe shokë |
Banda e Nehat Kullës ishte një grup kriminal që veproi në fshatin Tufinë të Tiranës në vitet 1997-1998.
Aktiviteti i bandës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Banda u krijua gjatë trazirave të vitit 1997. Në këtë situatë ai së bashku me familjarë e miq të tij mban të paprekur repartin “xhenios”, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve të popullsisë. Kulla, së bashku me të ashtuquajturit ushtarë të tij, e mban repartin nën kontroll për disa kohë, duke i vënë vetës edhe nofkën gjenerali, emër të cilin ia pagëzuan të gjithë banorët e zonës për të cilët ai ishte njeriu më me influencë. Madje, gjatë vitit 1997, kur shteti kishte humbur kuptimin e vet, ai arrin të krijojë një komisariat të mirëfilltë policie, ku u garantonte banorëve të Kinostudios dhe Tufinës qetësinë, duke mos lejuar asnjëri të futej në hartën e vendit ku ai kishte ndikimin e tij. Banda e tij kreu shumë vrasje dhe krime të tjera të frikshme.
Nofka "Gjenerali"
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Nehat Kulla, ish-i forti i Tiranës në vitin e mbrapshtë 1997, do të vetëquhej Gjenerali pasi kishte grabitur një kamionçinë ushtarake tip Shevrolet (Chevrolet) me targa ushtrie dhe sinjale policie dhe mbante veshur uniformë ushtarake. Të paktën, atë kohë, i vetmi mjet i tillë që ndodhej në Shqipëri i përkiste Kullës, i cili madje ka pozuar për mediat me uniformë dhe kallashnikov në dorë. Ai shoqërohej gjithmonë nga një eskortë e armatosur me automatikë dhe vetë asnjëherë nuk e lëshonte automatikun nga dora.
Marrëdhëniet me politikën
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kundërshtarët politikë të Fatos Nanos publikuan një foto të tij në burg me Nehat Kullën, duke deklaruar se Nano kishte lidhje me kriminelët më të rrezikshëm shqiptarë. Arrestimet dhe daljet e shumta nga burgu të Kullës i shtuan dyshimet për lidhje të ngushta të tij me politikën.
Arrestimet ndaj Nehat Kullës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Në moshë të re Kulla u arrestua gjatë periudhës së komunizmit për plagosje me thikë dhe dënohet nga Gjykata e Tiranës.
- Në dhjetor të vitit 1996 dënohet me 11 vjet burg për vrasjen e Petrit Moriçenit dhe vëllezërve Neziri, njëri prej të cilëve me detyrë polic pranë komisariatit 4 në Tiranë.
- Në vitin 1997 arratiset nga burgu, por arrestohet më 12 Shtator 1999 në aksin rrugor Peqin-Elbasan. Në makinën e Kullës policia gjeti disa armë, të cilat hodhën dhe akuzën e parë ndaj tij. Më pas, gjatë kontrollit në banesë, u gjet një arsenal i tërë armësh të kalibrave të ndryshëm, armë të cilat Kulla tha në proces se i kishte ruajtur si pronë e Halil Haklajt. Kulla gjatë shqyrtimit gjyqësor tha se nuk ishte vrasës, por kishte bërë të pamundurën për të ndihmuar njerëzit hallexhinj, të cilët i kërkonin ndihmë. Prokurori, Bujar Hoxha, i deklaroi në atë kohë gjykatës se Kulla kishte krijuar komisariatin numër 5 në Tiranë dhe i bënte karshillëk shtetit. Këtë akuzë gjykata e hodhi poshtë, pasi nuk kishte prova bindëse. Poshtë u hodhën edhe disa prova të tjera, të cilat e bënin fajtor Kullën për vrasje. Gjykata rrëzoi si të pabesueshme dëshminë e dhënë nga motra e Fatmir Thaçit, për vrasjen e të cilit është akuzuar Kulla, me pretendimin se dëshmitarja ishte e dënuar në një burg të Greqisë. Gjykata e Apelit e zbuti dënimin ndaj Kullës nga 12 vjet burg në 2 vjet e gjysmë. Ndërkohë që, gjyqtari i Shkallës së Parë, Fehmi Petku, e liroi Kullën për sjellje të mirë 30 ditë përpara se të përfundonte vendimi i Apelit.
- Pas lirimit, u duke se gjenerali tashmë 50-vjeçar do të rikthehej në jetën e qetë pranë familjes. Por, vetëm pak muaj më pas në vitin 2001, ai rikthehet në qeli nën akuzën e rrahjes së një grupi gazetarësh të revistës Klan dhe dënohet me 5 vjet burg, por lirohet sërish për sjellje të mirë.
- Në vitin 2005, pas ardhjes në pushtet të të djathtëve, ai riarrestohet dhe dënohet me 20 vjet burg për vrasjen e Halim Gjuzit në vitin 1998 në Golem, shoferi i ish-Ministrit të Brendshëm Halit Shamata.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Panorama :Historia e Nehat Kullës
- Yahoo.com :Arrestohet Nehat Kulla Arkivuar 23 janar 2020 tek Wayback Machine
- Koha Jonë :Gjykata e Larte, 20 vjet burg Kulles[lidhje e vdekur][lidhje e vdekur]
- Zëri i Amerikës :Në Tiranë kapet Nehat Kulla 2001-09-18