Sheh Shamia

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Haxhì Hasan Aliu i njohur më së shumti si Sheh Shamia (Shkodër, 1814 - 25 mars 1891) ka qenë ndër figurat më të mëdha të Shkodrës së shek. XIX si hoxhë reformator. Mendohet se emri Sheh Shamia vjen nga ajo se ai edhe çallmën e tij e kishte krejtësisht të bardhë, sepse fesin e kuq, që mbahej nga hoxhallarët e tjerë, e kishte mbështjellë krejtësisht me një shami të bardhë.

Konsulli Hekard e quante Shamil, variant që përdornin edhe autoritetet osmane në shëmbëllim të Sheh ShamilitDagestanit, luftëtar dhe prijës i shquar i Kaukazit.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind rreth vitit 1814 në Shkodër me banim në lagjen Zdralej, i biri i Oso Alisë, familja ishte me origjinë nga fshati Dragonj i Krajës. Mësimet e para fetare i ka kryer në vendlindje, në moshën 14 vjeçare me mik studimesh Daut Boriçin. Mësimet teologjike Hasani i kreu rreth vitit 1837 në Medresenë të Mehmet Ali PashësMisirit në Kavallë. Hasani ftohet nga organizatorët e Kongreseve të Ulemave të mbajtura në Stamboll gjatë viteve 1842-1844, në të cilat shquhet nga pjesëmarrës për erudicionin e tij. Pas haxhillëkutMekë merr titullin Haxhi dhe pas qëndrimit njëvjeçar atje si "muxhavir" (ndjekës i lutjeve fetare pranë vendeve të shenjta) merr titullin sheh. Mendohet të ketë qenë anëtar i tarikatit Nakshibendi, ose më me pak gjasë i atij Bektashí.

Më 1854 gjatë një periudhe ngushtimi të madh në Shkodër, i prekur nga skamllëku i popullit, hapi i pari magazinat e të atit që ishte spekullant i drithërave. Më pas nxorri kushtrimin dhe masat hapën magazinat e spekullantëve dhe matrapazëve. Për këtë mirësi që çoi drejt zgjidhjes nga zija e bukës, bëmës së tij iu këndua: "Rroftë e qoftë Hasan Alia / sekretar Filip Çurçia". Pas këtyre ngjarjeve doli në mërgim rreth e qark Mesdheut, prej VenedikutFrancë, Spanjë dhe së mbrami në Egjipt. Sipas gojëdhënës, familja e khedivëve të Misirit pinjoj të Mehmet Ali Pashës, ndërhynë që t'i mundësohej falja më 1864. Me t'u kthyer u martua me një bijë nga familja e Oso Kukës, trashëgohet me një djalë dhe një vajzë, u vendos me banim në lagjen Karahasej, ku dhe ishte imam i xhamisë së lagjes. Kishte një zyrë në Medresenë e Pazarit dhe mbahej ndër ulematë më të përgatitur në Shkodër në teologji dhe fëkeh (jurisprudencë islame), i dhënë pas mjekësisë popullore dhe barnave bimorë.

Qe hoxha i parë që përktheu dhe mbajti hytben dhe vasën në shqip, përkundrejt kundërshtimit të autoriteteve. Gjithashtu ndihmoi në përmirësimin e disa zakoneve ndër myslimanët e Shkodrës.

Ndërroi jetë më 25 mars 1891, u shti në dhe ndër varrezat e xhamisë ku shërbeu.[1][2]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Bushati, Hamdi (1998). Shkodra dhe motet v. I. Shkodër: Idromeno. fq. 566–571. OCLC 645720493. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ Luli, Faik; Dizdari, Islam; Bushati, Nexhmi (1997). Në kujtim të brezave. Shkodër: Shtëpia botuese "Rozafat". fq. 39–52. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)