Shko te përmbajtja

Shqiptarët e Trakës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Shqiptarët e Trakës[1] janë një minoritet gjuhësor në Maqedoninë e jugut dhe në Trakinë perëndimore përgjatë kufirit me Turqinë. Ata flasin toskërishten veriore që është nën degë e dialektit tosk te gjuhës shqipe, dhe janë pasardhës të popullsisë shqiptare të Trakës Lindore që kanë emigruar gjatë shkëmbimit të popullsisë midis Greqisë dhe Turqisë në vitet 1920-të.[2][3] Ata janë njohur në Greqi si Arvanites, një emër që aplikohet për të gjitha grupet me origjinë Shqiptare në Greqi, por që kryesisht i referohet grupit jugor dialektor të Arbëreshëve. Popullsia shqipfolëse e Trakës Perëndimore dhe në Maqedoni e Greqi përdorin fjalën e vetme të emërtimit për vetën e tyre si: Shqiptar/Shqiptarë dhe jo Arbëreshë ose Arvanite.[3]

foto e futur nga Ballkani perendimor

Gjatë Perandorisë Osmane, komunitetet shqiptare emigruan drejt Turqisë Evropiane sot (Trakës Lindore), sidomos në afërsi të Stambollit.[4] Shumë Shqiptarë myslimanë arriten poste të larta në shoqërinë osmane dhe shumë prej tyre, më së shumti familja Qyprilliu, u bënë vezirë të Perandorisë Osmane. Shumica e emigracionit shqiptar ishte nga veriu i Kosovës dhe të rajonit të Korçës dhe Kolonjës të Shqipërisë. Pasardhësit e këtyre emigrantëve më vonë do të luajnë një rol të rëndësishëm në Rilindjen Kombëtare të Shqipërisë[4] si Fan Noli. Numri i Shqiptarëve që jetonin në rajon është i panjohur, të dhënat statistikore të Perandorisë Osmane ishin bazuar në identifikimin fetar, të quajtur milet. Kështu, shqiptarët ortodoksë ishin pjesë e milletit rum ose krishter, ndërsa myslimanët ishin kategorizuar së bashku me Turqit.[5]

Në mesin e kësaj popullsie, shqiptarët ortodoksë të Trakës Lindore banonin në komunitetet pjesërisht homogjene, ose fshatrat apo lagjet, dhe kanë qenë kryesisht pasardhës të emigrantëve nga rajoni Korçës dhe Kolonjës.[4] Vendbanimet kryesore nga vinin këta shqiptarë janë Vithkuqi dhe Qyteza dhe flisnin (kur jetonin ne Trakë lindore) dhe ende flasin (brezat e moshuar me disa të rinj sot në Greqi) dialektin e toskërishtes së gjuhës shqipe. Data më e hershme e këtyre migrimeve është gjetur të jetë pas pushtimit osman në fund të shekullit XV-të.

Në fund të shekullit të XVI-të (ndoshta në vitin 1566), në bazë të politikës së zgjidhjes e zbatuar nga sulltani Selim II (1566-1574), mijëra qytetarë të Perandorisë Osmane u zhvendosën në Trakinë Lindore, e cila ishte braktisur për shkak të luftërave të vazhdueshme dhe sëmundjet. Pastaj ndodhi emigrimi i parë i shqiptarëve, të cilët kolonizuan pjesën veriore të Trakës lindore, ku kanë punuar për ndërtimin e xhamisë së famshme "Selimije" të Edërnesë. Ngritën kampin e tyre në Zailef të madhe dhe Mandricë, që më vonë u bënë vendbanime të përhershme. Vendbanimet u themeluan në afërsi të Zailefit (ndoshta për arsye sigurie) që përbënin fshatin Zailef të Madh. Në fund të shekullit të XIX-të, Zailefjotët themeluan dy fshatra të reja, Aballar (Zailefopulo) dhe Karasakli (Sako). Mandrica, edhe ky fshat i takon gjeografikisht Trakës Lindore, konsiderohet bashkë me fshatrat e tjera etnike shqiptare, që të ketë një origjinë të përbashkët nga Vithkuqi. Këto fshatra etnike shqiptare të Trakës Lindore ishin kohezive dhe ashtu konsideroheshin nga zyrtarët e konsullit në fund të shekullit të XIX-të. Ata kishin anëtarësim të përbashkët në shoqata të mësuesve vendas dhe në strukturat e kishës (qendra ishte katedralja e Dimotkës), etj.

Fshati Vithkuq në kulminacionin e tij, që nga viti 1730, kishte me mijra banorë, ndërsa Qyteza dhe Qafzez ishin dy fshatra të vogla fqinje me disa qindra banorë. Vithkuqi me Voskopojën dhe vendbanime të tjera në rajon ishin një nga qendrat më të rëndësishme në këtë kohë ku kishte shkolla, kisha, studiues të shumtë, mësues dhe bamirës që kishin ardhur nga ky rajon. Në shekullin e tetëmbëdhjetë, pjesa më e madhe e shqiptarëve pranuan fenë Islame në Shqipërinë e Jugut. Marrëdhëniet mes myslimanëve dhe popullsisë ortodokse të mbetur ndonjëherë rezultoi me tensione mes bashkësive. Ku, në vitin 1769, forcat lokale osmane hynë në Voskopojë, dhe më pas në Vithkuq dhe vendbanime të tjera të cilat u plaçkitën. Banorët krishterë u larguan nga zonat dhe ikën në vende të tjera (Korçë, Kostur, Follorinë, Krushevë etj). Shumë u drejtuan drejt Trakës lindore, ku shumë kishin punuar si punëtorë sezonalë në fushat e pronarëve osmanë. Ndërsa disa nga tregtarët e Voskopojës dhe Vithkuqit emigruan në Vjenë, Budapest dhe qytete të tjera të Evropës dhe vazhduan aktivitetet tregtare të tyre.

Shqiptarët që shkuan në Trakën juglindore themeluan vendbanime që u përkujtonin vendbanimet e origjinës së tyre në Shqipërinë jugore: Vithkuq (Sultanqoj në turqisht) dhe Qyteza (Ibrik Tepe). Pranë këtyre fshatrave ishin edhe fshatra të tjerë shqiptare si: Alltëntash, Azardere (Dere Pazar), Karacas dhe Halil Gjilanli. Këta njerëz që jetonin në këto fshatra mund të vijnë nga emigracioni i vitit 1769. Të dy grupet e fshatrave (të veriut nga migrimi i parë dhe në jug i migrimit të dytë) nuk kanë mbajtur lidhje të veçanta midis tyre, kryesisht për shkak të distancës që ishte e madhe dhe mbajtjes së endogamisë strikte e cila i bëri këto fshatra homogjene. Shumica e fshatarëve ishin të përfshirë me bujqësi dhe blegtori. Këta shqiptarë ortodoksë jetonin në fshatrat që ishin fqinje me popullin turq ortodoksë (gagauzë), bullgarë patrikanë si fshati Bayramiç (me 600 njerëz) dhe shumë grekë të cilët i përkisnin kishës ortodokse greke dhe të mbështetur me kauzën greke. Për shembull, ka pasur shkolla greke dhe gjuha greke mësohej në kishë.

Vitet që pasuan ngritjen në pushtet të xhonturqve të Perandorisë Osmane (1908-1922), solli ndryshime të shumta dhe dramatike të popullsisë së Trakës lindore. Situata u përkeqësua me shpërthimin e luftërave ballkanike dhe rrëshqiti jashtë kontrollit gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Fshatrat shqiptare, duke ndjekur fatin e krishterëve në rajon (greke, bulgare etj), ku vendbanimet u plaçkitën dhe banorët e tyre u dëbuan dhe shumë u vranë. Zailef i Madh (korrik 1913) dhe Aballar (nëntor 1913) janë plaçkitur nga turqit pas Luftës së Dytë Ballkanike në Thrakën Lindore. Në tetor të të njëjtit vit fshati Mandricë u bë pjesë e Bullgarisë dhe u shkarkua nga forcat bullgare gjatë luftës Ballkanike ku banorët ikën në Trakë, (fshatrat Palouri, Ladhi, Metaksadhes dhe Vrisika) dhe në Maqedoni: në Sedes (sot: Thërmi), në Surokli (sot: Souroti), në Zangliveri (sot: Zagliverion), në Moshtjan ose Meshtena (sot: Moustheni), në Karman ose Karjan (sot: Kariani) i Kavallës dhe Osmanica (sot: Kalos Agros) në Dramë.

Pjesa më e madhe e Mandricës u zhvendos në Ambarqoj (sot: Mandrai) i Kukushit. Në vitin 1926, familje refugjatësh nga Mandrica u zhvendosën në këto vendbanime të Greqisë: Surokli (sot: Souroti) i Selenikut 20, Kajaçali (sot: Triadhion) i Selenikut 9, Moshtjan ose Meshtena (sot: Moustheni) i Kavallës 50, Ambarqoj (sot: Mandrai) i Kukushit 200, Protoklisi i Maricës 60, Mavroklisi i Maricës 40, Ovrli (sot: Thorion) i Maricës 10 dhe Osmanica (sot: Kalos Agros) i Dramës 20. Ndërsa fshati Vithkuq (Sultanqoj) u shkarkua nga osmanët në prill 1914. Kjo ka ndodhur për shkak se se këto fshatra me shqiptarë ortodoksë janë parë si të mbështetur me kauzën greke, dhe prandaj qeveria e Turqve të Rinj ishte armiqësore ndaj tyre.

Në korrik të vitit 1920, ushtria greke pushtoi Trakën lindore. Në regjistrimin e popullsisë të bërë në dhjetor të vitit 1920, popullsia e fshatrave shqiptare ortodokse ishte zvogëluar dukshëm. Është vlerësuar se gati një e treta e atyre të vrarë nga turqit apo të vdekur nga vështirësitë në batalionet e punës osmane gjatë viteve 1908-1920, ndërkohë që disa prej tyre ikën në Greqi dhe nuk u kthyen pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Në përfundim të Luftës Greko-Turke të viteve 1919-1922, Greqia dhe Turqia nënshkruan Traktatin e Lozanës, e cila përfshinte një shkëmbim të popullsisë në mes të dy vendeve. Kështu, Traktati i Lozanës kishte përdorur fenë si tregues i përkatësisë kombëtare, duke përfshirë popullsi pa dispozita etnike, madje edhe shqiptarët, në këmbim të popullsisë. Sipas këtij traktati Muslimanët e Greqisë u këmbyen me të krishterët e Turqisë, me një përjashtim të myslimanëve të Trakës Perëndimore dhe Krishterëve të Stambollit.[6]

Pas humbjes së luftës greko-turke dhe sipas Traktatit të Lozanës, në tetor të vitit 1922 grekët evakuojnë zonën e Trakës Lindore dhe popullsia ortodokse vendase nisën të emigrojnë në Greqi. Sipas kësaj dispozite, komuniteti shqiptar ortodoks i Trakës Lindore, u ri-vendos në Trakën Perëndimore, ku ata u vendosën kryesisht në fshatra të reja dhe etnikisht homogjene, ndërtuar në mënyrë të atillë për të strehuar refugjatët.[3] Sot, kjo popullsi jeton në fshatra të njëjta, por një pjesë emigruan në qytetet e mëdha të tilla si Selanik dhe Athinë, duke bërë gjuhën shqipe më pak të folur.[2] Shqiptarët ortodoksë u zhvendosën në qarkun e Maricës (sot: Evros) në anën veriore si: Dhikaia, Kavili, Sako, Kleiso, Neo Heimonio, Thorio, Sofiko, Asimenio, Riyio, Pithio. Në Maqedoni dhe veçanërisht në komunën e Seresit si: Novoselë ose Mëhalla e Re (sot: Neokhorion), Vernar (sot: Paralimnion), Canos (sot: Nea Petra), Tolos (sot: Tholos) dhe Gaskarka ose Kaskarka (sot: Kalokhorion) i Selanikut.

Shqiptarët nga pjesa jugore e Trakës u vendosën në Sufli, ku fillimisht ata qëndruan për një kohë deri sa ata u vendosën në vendin e ri të banimit. Disa muaj më vonë, në vitin 1923, kjo popullsi u zhvendos në juglindje, paralel me dhe në afërsi të lumit Maricë. Banorët e Sultanqojit dhe Ibrik Tepe u vendosën në fshatrat Bintikli (riemëruar si: Tikhion, sot: Tikheron), Hanxha (Tarsio), Cakirxhi (Pirolothos), Ferexhik (Feres), Marhanli (Peplos), Gemexhiqoj (Gemisti) dhe Baçibej (Kipoi). Banorët e Alltëntashit u vendosën në Paradimi të Rodopit dhe Sarhanli (Ardanio) në Maricë, ndërsa banorët e Gjilanlit dhe disa familje nga Karaxa Halil në Antheia të Maricës.

Populli shqipfolës banojnë në 15 fshatra homogjene dhe 14 fshatra të përziera:[3]

PrefekturaNr. i fshatrave
Maricë (Evros)4 fshatra homogjene dhe 14 fshatra të përziera.
Rodop (Rodhopi)1
Ksanti (Ksanthi)3
Seres (Serrai)5
Selanik (Thesaloniki)1
Kukush (Kilkis)1
  • Fan Noli - (1882-1965) burrë shteti, dijetar, poet, përkthyes, historian dhe patriot Shqiptar.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. Lumshi, Aida (10 qershor 2016). "Shqiptaret e Trakes". Shqiptarët e Trakës. Arkivuar nga origjinali më 14 qershor 2021. Marrë më 23 janar 2024.
  2. 1 2 Greek Helsinki Monitor (1995): "Report: The Arvanites".
  3. 1 2 3 4 Euromosaic (1996): "L'arvanite / albanais en Grèce". Report published by the Institut de Sociolingüística Catalana.
  4. 1 2 3 Berisha, Mal (2000), Diaspora Shqiptare në Turqi, New York: ACCL Publishing, fq. 13 {{citation}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. Psomiades, Harry J. (2000), The Eastern question: the last phase : a study in Greek-Turkish diplomacy (bot. 2), Michigan: Pella Pub. Co., fq. 138, ISBN 0-918618-79-7 {{citation}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  6. Haddad, Emma (2008), The Refugee in International Society: Between Sovereigns, Cambridge, United Kingdom: Cambridge University Press, fq. 235, ISBN 0-521-86888-2 {{citation}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)