Jump to content

Xhamia e Azimpurit në Dhaka

Coordinates: 22°04′21″N 90°12′23″E / 22.07240°N 90.20628°E / 22.07240; 90.20628
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Xhamia e Azimpurit në Dhaka
আজিমপুর মসজিদ
Informacion i përgjithshëm
TipiXhami
Stili arkitekturalArkitektura Mogule
VendndodhjaBangladesh Dhaka, Bangladesh
Koordinatat22°04′21″N 90°12′23″E / 22.07240°N 90.20628°E / 22.07240; 90.20628
Përfundimi1746
Renovimi2017
Technical details
Floor count2

Xhamia e Azimpurit (bengalisht: আজিমপুর মসজিদ) gjendet përkrahë Varrezave të Azimpurit në Dhaka. Një mbishkrim persisht në xhami tregon se ajo u ndërtua në vitin 1746 nga Fajzullah Alami. Ajo u ndërtua gjatë sundimit të navabit mogul Alivardi Khan dhe është shembulli i fundit ekzistues i një xhamie me një kupolë të vetme, me nga një arkadë gjysmë-rrethore në të dy krahët.[1][2][3]

Xhamia e Azimpurit ka të njëjtën planimetri arkitekturore si Xhamia e afërt e Muhamad Mridhas.[1] Ajo ka vetëm një kupolë dhe një strukturë me dy kate. Disa ekspertë thonë se kupola bartë ndikime të Arkitekturës së Perëndorisë Osmane.[3]

Është një strukturë me dy kate, ku i poshtmi është bodrum. Kati i sipërm përbëhet nga ndërtesa kryesore e xhamisë dhe një strukturë e gjerë në veri të saj, por kjo e fundit nuk ekziston më. Një palë shkallë në këndin veri-lindor të çojnë në krye të platformës. Bodrumi i zoklaturës me një lartësi prej rreth 4.27 metrash nga toka formon një drejtkëndësh 22.86 m nga veriu në jug dhe 16.76 m nga lindja në perëndim. Nën platformën e zoklaturës ndodhen një seri dhomash në anët lindore dhe veriore, të gjitha të hapura në pjesën e jashtme nëpërmjet hyrjeve të gjera harkore. Tavanet e këtyre dhomave janë të sheshta në mes por në formë të lakuar anash. Të gjitha këto dhoma fillimisht duhet të kenë qenë pajisur me rafte librash në kamaret e mureve, shembuj të të cilëve ruhen akoma në dhomat në anën veriore. Disa nga studentët e medresesë së re të ndërtuar në afërsi banojnë në këto dhoma të bodrumi.[1]

Planimetria e përgjithshme e kompleksit dhe hollësi të tjera të Xhamisë së Azimpurit janë të njëjta me atë të Xhamisë së Khan Muhamad Mirdha (1704-05), e vendosur rreth 1.5 km largë nga ajo dhe disa të tjera të këtij lloji në qytetin e Dhakës. Ndërtesa në veri të xhamisë, që zë kreun e platformës tani është zhdukur. Me shumë gjasa kjo strukturë fillimisht mund të ketë shërbyer si medrese, si ajo e Xhamisë së Mridhas. Këtë e sugjeron ekzistenca e rafteve të librave në muret e dhomave të bodrumit poshtë platformës. Në këtë mënyrë këto dhoma duhet të jenë përdorur si fjetina nga nxënësit dhe mësuesit e medresesë. Si e tillë ndërtesa duhet të konsiderohet si një "xhami-medrese rezidenciale".[1]

Vetë xhamia, që zë pjesën jug-perëndimore të platformës, ka planimetri gjatësore, 11.58 m nga veriu në jug dhe 7.32 m nga lindja në perëndim. Katër kullat tetëkëndore të cepave, që janë ndërtuar brenda trashësisë së mureve, fillimisht duhet të kenë qenë shkuar përtej parapetit në stilin e zakonshëm mogul, por majat e tyre janë hequr kur janë bërë zgjerimet shumë-katëshe anash xhamisë.

Ajo ka pesë hyrje harkore, ku secila prej tyre ka një arkadë gjysmë-rrethore të përbërë nga dy harqe mbi të. Tre hyrje ndodhen në faqen lindore dhe nga një në faqet veriore dhe jugore. Tre hyrjet lindore, secila e hapur poshtë një arkade gjysmë-rrethore, përbëhen nga harqe shumë-kusporë dhe të thjeshtë me katër qendra. Hyrja qëndrore, më e madhe se ato anësore, është ndërtuar brenda një frontoni të dalë të kufizuar me torretëza të holla gjysmë-tetëkëndore anash. Tre mihrabët brenda murit të kiblës ndodhen në aksin e tre hyrjeve lindore. Mihrabi qëndror është më i madh dhe gjysmë-tetëkëndor, ndërsa anësorët përmbajnë kamare të thjeshta drejtkëndore.

Kullat tetëkëndore të cepave dhe torretat në anët e frontonëve të dalë kanë baza të bukura "kalasa". Kulmi i kupolës është i zbukuruar së brendshmi me një medalion të madh, të përbërë nga një rozetë zbukuruese. Parapetet dhe tamburët tetëkëndorë të kupolës janë dekoruar së jashtmi me rreshta bedenash të mbyllura. Panelet në faqen lindore të xhamisë janë zhdukur. Korniza, lehtësisht e dalë drejtkëndore, që rrethon mihrabin qëndror, është e kurorëzuar me një frizë me bedena të mbyllura.[1]

Brendësia e xhamisë është e ndarë në tre kthina, qëndrorja katrore, ndërsa anësoret drejtkëndore. Kthinat anësore janë të mbuluara tërësisht me arkada gjysmë-rrethore, ndërsa kthina qëndrore katrore mbulohet me një kupolë të madhe gjysmë-rruzullore me fund zambaku dhe majë "kalasa". Kupola është e vendosur drejtpërdrejtë mbi një tambur tetëkëndor, që mbahet mbi arkada gjysmë-rrethore anash dhe harqe të bllokuara mbi hyrjen qëndrore dhe mihrabin qëndror. Faza e ndërmjetme është zbatuar me ndihmën e pendentivëve të vegjël gjysmë-rrethorë mbi këndet e sipërme. Kornizat dhe parapetet e xhamisë janë horizontale.

Xhamia është unike në Bangladesh, pasi është struktura e fundit ekzistuese që në çati ka vetëm një kupolë me gjysmë-kupola anash. Një renditje e tillë e çatisë, e evoluar nga disa ndërtesa të fundit të shekullit të XVII dhe fillimit të shekullit të XVIIIBengalit jug-lindor, shfaq një formë plotësisht të zhvilluar. Në shembujt e mëparshëm, si në Xhaminë Atarou në Sathkhira (fundi i shekullit të XVII) dhe Xhamia Mograpara në Narajanganxh (1700-01), gjysmë-kupolat anësore janë shumë të vogla në krahasim me kupolën qëndrore dhe mund të shihen nga brenda ndërtesës. Por në rastin e Xhamisë së Azampurit këto gjysmë-kupola janë kaq të mëdha sa përbëjnë një pjesë të pa-zëvendësueshme në skemën e përgjithshme të planimetrisë së çatisë. Për më tepër, këto arkada janë vizualisht të dallueshme nga jashtë. Nuk është pa gjasa që ky model të ketë ardhur nga ndërtesat osmane, ose nëpërmjet armenëve që u vendosën në Dhaka gjatë sundimit mogul, ose nëpërmjet artistëve emigratë nga Perandoria Osmane në kërkim të fatit, që erdhën në Dhakën mogule bashkë me tregtarët e vendeve të Lindjes së Mesme. Planimetria standarde e xhamive osmane, si në Xhaminë e Bajazitit (1501-05) dhe Xhaminë Shahxhada (1543-48) në Stamboll, ka dy ose katër gjysmë-kupola përkrahë qendrores.[1]

Ajo është riparuar dhe ndryshuar aq shumë sa tani nga jashtë duket se është një ndërtesë moderne. Në këtë vazhdë, në janar 2017, xhamia u shkatërrua pjesërisht për ta bërë strukturën moderne dhe për të rritur hapsirën për lutje. Me ndërhyrjen e Departmentit të Arkeologjisë së Bangladeshit, shkatërrimi i plotë u ndalua. Por një pjesë e rëndësishme e xhamisë historike u dëmtua.[2][3]

  1. ^ a b c d e f M. A. Bari (2012). "Azimpur Mosque". përmbledhur nga Sirajul Islam; Ahmed A. Jamal (red.). Banglapedia: National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht) (bot. i 2-të). Asiatic Society of Bangladesh. ISBN 984-32-0576-6. OCLC 52727562. OL 30677644M. Marrë më 2 shtator 2022.
  2. ^ a b Mahbubur Rahman Khan; Tawfique Ali (19 janar 2017). "New mosque to replace 300 year old Mughal structure". The Daily Star (në anglisht).
  3. ^ a b c Nure Alam Durjoy (13 janar 2017). "Azimpur Shahi Masjid: The latest archaeological victim of modernity". Dhaka Tribune (në anglisht). Arkivuar nga origjinali më 10 qershor 2017. Marrë më 30 maj 2017.