Jump to content

Asim Shpuza

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Asim abdurrahmani)

Asim Abdurrahman Shpuza ose thjesht Asim Shpuza (Shkodër, 22 dhjetor 1905 - Tiranë, 8 qershor 1947) ka qenë farmacist, konsull nderi i Austrisë në Shqipëri (1935-'38) dhe nëpunës i shtetit shqiptar në periudhën e mes luftërave botërore dhe përgjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas marrjes së pushtetit nga komunistët pas luftës i dorëzohet autoriteteve shtetërore dhe u dënua me vdekje me akuzën "bashkëpunëtor me gjermanët", duke u pushkatuar.

U lind në Shkodër, i biri i Mehmet Kokotlijës dhe Nurije Çausholli Myrtajt. Para lëshimeve territoriale të përcaktuara në Kongresin e Berlinit, familja e tij ishin qeveritarë të kalasë së Shpuzës. I ati i tij ka qenë major në ushtrinë osmane dhe kryetar i bashkisë së Shkodrës (1925-1928). Njëra motër e tij, Sadetja, u martua me Musa Jukën; ndërsa tjetra u martua me Veli Vasjarin.

Filloren e ndoqi në shkollën françeskane në vendlindje, për shkollimin e mesëm u dërgua në Stamboll ne Robert College. Me ta mbaruar, vijoi studimet e larta Universitetin e Gracit në Austri ku filloi studimet ne degën e Kimisë Industriale dhe më vonë në Mynih për t'i përfunduar ato. Gjate qëndrimit në Grac të Austrisë bënte pjesë aktive në shoqatën e studentëve shqiptarë të Austrisë, "Albania".

Me t'u diplomuar më 1930, u kthye në atdhe, ku hapi një farmaci në Tiranë dhe u shpërngulën familjarisht. Më 1934 propozohet si konsull nderit i Austrisë, detyrë të cilën e kreu deri më 1938 kur Austria u aneksua nga Gjermania Naziste.

Në një koktejl të organizuar nga ambasada amerikane u njoh me Nezihanë, të bijën e Bedri Pejanit. U martuan dhe patën tre fëmijë: Meleqja, Nermini dhe Mehmeti.

Ishte Kryetar i Klubit Mbretëror Shqiptar të Turizmit dhe të Makinave Luksoze dhe punonte me ngulm per promovimin e turizmit ne Shqipëri e sidomos në zonën e Shkodrës me bukuritë malore fantastike. Më 17 shkurt 1944 me një grup intelektualësh shqiptarë si Rexhep Krasniqin, Qazim Bllacën, Lazër Radin, Mark Temalin, Mentor Çokun e Eqerem Telhajn organizuan shoqatën e "Miqtë e Kroacisë", ku u zgjodh nën-kryetar.[1][2]

Me pushtimin italian, Asimi mori pjesë në demostratat antifashiste dhe si rrjedhojë u internuan familjarisht në Leno, pranë Breshias. Pas kësaj u kthye në Tiranë, ku vazhdoi punën në farmacinë që kishte në pallatin Kaceli. Kishte marrëdhënie të mira me të gjitha palët ndërluftuese shqiptare gjatë kohës së Luftës, por kryesisht me Lëvizjen e Legalitetit.

Më 1947 i dorëzohet autoriteteve shtetërore pasi qe fshehur. Dëshmi të qëndrimit të tij në burg janë shkruar nga Petro Marko dhe Ejëll Çoba. Pushkatohet në Tiranë bashkë me Gjush Dedën.[3]

  1. ^ "Miqësia kroato-shqiptare: Ngjarje dhe dokumente". Radi and Radi. 7 dhjetor 2014. Marrë më 5 qershor 2020.
  2. ^ 1944: Shoqata "Miqtë e Kroacisë".
  3. ^ "Përkujtimore, Asim Abdurrahmani Shpuza Kokotlija". Arkivuar nga origjinali më 31 mars 2016. Marrë më 16 prill 2016. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)