Historia e kinemasë botërore
Historia e kinemasë botërore ose historia e kinematografisë nënkupton studimin e një harku kohor në të cilin, duke filluar nga vitet mbyllëse të Shekullit XIX, e deri në ditët e sotme, zhvillohet një formë e re artistike. Kjo formë arti ngjan me fotografinë, por ndryshon nga ajo ngaqë një element tjetër thelbësor luan një rol definitiv në konceptimin e saj. Ky element është koha.
Që nga vitet e fundit të Shekullit XIX, e deri tek kohët moderne digjitale, kinemaja ka pësuar ndryshime estetike pamore, po ashtu dhe ndryshime fondamentale të mënyrës së komunikimit me publikun. Në fillimet e kinemasë, filmi ishte pa zë, pas viteve '20 filmat nisin të përdorin zërin (Këngëtari i xhezit), e më vonë ngjyrën, e kështu me rradhë. Sot jetojmë në një epokë digjitale dhe konsumiste, kështu që filmat nuk xhirohen më me pelikula, por me kamera digjitale, dhe për audienca të gjëra.
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Arti i shtatë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Lindja e kinemasë botërore më 28 dhjetor 1895, do të shënonte një etapë të rëndësishme për civilizimin. Kanë kaluar më shumë se 110 vjet nga dita e lindjes së kinemasë botërore, kësaj shpikje të madhe që u quajt edhe më e bujshmja dhe më sensacionalja e shekullit të 19-të. Ajo lindi thjesht si një shpikje teknike, por gradualisht do të shndërrohej në një nga artet më të rëndësishme që do të ndikonte fuqishëm në kulturën dhe artin botëror dhe në emancipimin e përgjithshëm me forcën e saj të fuqishme komunikuese tek shikuesit e të gjithë botës. U deshën përpjekje të mëdha, nga teknikë dhe artistë, në shumë vende të botës për ta shndërruar nga një shpikje teknike, në një mjet artistik, që do ti fliste spektatorit botëror me gjuhën e saj të veçantë dhe specifike, jo si një formë arti sintetik, ku bashkëveprojnë të gjitha degët e artit, por si një formë arti më vete që do të quhesh më vonë "arti i shtatë".
Shumë historianë konsiderojnë se vëllezërve Lumier u përket ekskluzivisht lavdia e shpikjes teknike. Mirëpo pikërisht vëllezërit kanë xhiruar edhe reportazhet e para Arritja e trenit në stacion (L'arrive du tren en gare), filmat e parë të luajtur Kopshtari i lagur (L'arroseur-arrosse) bile edhe filmin e parë familjar Mëngjesi i foshnjës (Le repas de bebe). Pra është e qartë se meritat e tyre për kinematografinë e sotme nuk kanë ngelur vetëm në një nivel teknik.
Regjizorët e parë në ballkan
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kamermani i parë në ballkan ishte Milton Manaki, i cili u lind me 9 shtator 1882 në fshatin Avdela afër qytetit Konicë. Më 1905 M.Manaki u vendos në Manastir, ku zhvilloi një veprimtari që koha e vërtetoi si jashtëzakonisht të rëndësishme. Milto posedonte kamerën e tipit "Bioscope No.300", që ishte kamera e parë filmike në Ballkan. Ai nuk kishte mjeshtëri montimi dhe estetikë filmike, por me një talent të veçantë, me një instinkt për kapjen e çastjeve, dhe njohjen e mirë të fotografisë ai bëri xhirime magjepëse të vendit dhe të kohës. Ajo që kishte ndodhur në Evropë dhe Amerikë në artin e kinematografisë, natyrisht vinte shumë e vonuar në Shqipëri. Pioneri i shfaqjes së filmave në Shqipëri ishte fotografi dhe piktori Kolë Idromeno (1860-1939), kurse klubi ku shfaqeshin këta filma quhej "Gjuha shqipe" (1911) në Shkodër dhe "Kafe Stema" në Korçë. Disa xhirime me vlerë të veçantë janë ai i "Kongresit të Manastirit" (1908) dhe filmi "Shqipëria ngre krye" (1909).
Produksioni në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kinemaja ishte rezultat i shumë shpikjeve të mëdha të njerëzimit në vende të ndryshme të botës ndër shekuj, i zhvillimit të revolucionit teknikoindustrial dhe të arteve polisintetike përgjithësisht. Franca, që u quajt edhe vendi i lindjes së saj, do të ishte e para në përpjekjet e saja për shndërrimin e filmit në një formë arti, që në fillimin e Shekullit XX me shoqërinë Le Film d'Art (të krijuar nga elita e Komedisë franceze më 1907), dhe do të pasohej nga Italia me superprodhimit e saj të viteve 1912-1914, Quo Vadis dhe Cabiria dhe do të vazhdonte më tej me novacionet teknike dhe artistike të kineastëve të tjerë evropianë dhe amerikanë.
David Grifith do ti kushtonte vëmendje të veçantë shfrytëzimit në mënyrë krijuese të mundësive që jepte aparati çudibërës kinematografik dhe do të zbulonte gjuhën e veçantë të filmit, të cilën regjisori i madh rus, Sergei Eisenstein, në vitet '20 do ta nënshtronte në një studim shkencor. Grifith, me veprat e tij madhështore si Lindja e një kombi dhe Intoleranca do ti jepte një paraqitje realiste duke trajtuar disa konflikte shoqërore për here të parë në film, ndërsa nxënësi dhe kolegu i tij, regjisori dhe aktori i madh austriako-amerikan Erich von Stroheim do ta shpinte atë drejt realizmit kritik me veprat e tij si Çelësi djallëzor , Burrat e verbër, Marrëzitë e grave dhe veçanërisht me kryeveprën Pangopshmërija (Greed), që ishte një ndërthurje midis realizmit kritik dhe natyralizmit ekstrem.
Periudha e pas luftës (1918 - 1930)
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Hapat vigane të kinematografisë franceze, daneze dhe italiane deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore do të ndërpriteshin nga kjo e fundit dhe do të dilte në krye kinemaja amerikane e cila filloi të dominonte tregun botëror të kinemasë, një titull që vazhdon ta mbajë edhe sot. Mbarimi i Luftës Botërore krijoi një hartë gjeografike të re.
Franca, Danimarka dhe Italia do ta kumbisnin tregun e mëparshëm që dominonte tregun botëror me gjigandët e filmit francez Pathe dhe Gaumont ose me kompanitë italiane dhe daneze Itala, Ambrosio dhe Nordisk dhe në vendin e tyre do të dilnin shoqëritë e mëdha kinematografike të Hollivudit, Gjermanisë dhe gradualisht edhe të Rusisë Sovjetike dhe të Japonisë. Kjo e fundit arriti të zërë vendin e parë në botë në sasinë e filmave të prodhuar, ndonëse filmat japonezë nuk dolën në tregun botëror por patën një konsum të brendshëm mbasi mbështeteshin në artet e tyre tradicionale të teatrit "Kabuki" etj.
Vitet '20, - ose siç përdoret shpesh në gjuhën e kinemasë, stacioni i fundit i filmit pa zë- u dalluan nga shpërthime të gjithanshme novatore që përcaktuan përfundimisht gjuhën e filmit. Franca, ndonëse tashmë nuk kishte një ndikim të madh të tregut botëror, ajo mbeti një qendër e teorizimit dhe eksperimentimit për përsosjen e fytyrës artistike të filmit me veprat madhore të regjisorëve të shquar si Rene Clair, Abel Gans, Zhan Renoir dhe të danezit Karl Theodor Dreyer, që u përfshinë në rrymat novatore të impresionizmit, surrealizmit, dadaizmit etj.