Muharrem Rushiti
Muharrem Rushiti ishte një komandant dhe kryengritës shqiptar nga Çamëria. Udhëheqës i kryengritjes kundër pushtuesëve osmanë dhe grekë.
Lindi në vitin 1856, udhëheqës i kryengritjeve antiosmane në Shqipërinë e Jugut dhe luftëtar për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit. Lindi në fshatin Koskë të Çamërisë. Mori që herët pjesë në lëvizjen patriotike. Pas vitit 1908 ishte anëtar i kryesisë së Shoqërisë Kombëtare «Vëllazëria» të Filatit. Muharrem Rushiti ngriti dhe udhëhoqi çetën me po të njëjtin emër "Çeta e Muharrem Rushitit" që veproi nga viti 1909 deri në vitin 1920. Çeta e Muharrem Rushitit ishte përherë aktive dhe kishte në përbërjen e saj gjithmonë një numër rreth 200 Luftëtarë, të cilët me në krye komandantin Muharrem Rushiti filluan kryengritjen e përgjithshme në Jug të Shqipërisë në vitin 1911, gjatë ditëve të fundit të Qershorit dhe ditët e para të Korrikut në marrveshje me atdhetarët e tjerë të Gjirokastrës dhe Labërisë u ndërmor një udhëtim luftarak nga Çamëria në Labëri, në këtë mënyrë u krijuan kushtet e domosdoshme për shpërthimin e kryengritjeve të zonave të tjera të jugut sikurse në Mallakastër, Berat etj. Pjestar të çetës ishin të pranishëm në mbledhjen e përgjithshme të çetave në Progonat dhe në Çèpo. Në korrik të 1911 u përball në fshatrat Prronji dhe Smartë me njësitë ushtarake Osmane ku edhe pse u sulmua nga të 2 anët doli fituese nga luftimet. Gjatë veprimtarive të mëtejshme dëboi të gjithë njësitë ushtarake dhe pushtetarët osmanë nga hapësira midis Lumit Kalama dhe Lumit të Bistricës me përjashtim të atyre të vendosur në qytetin e Filatit. Gjatë viteve 1910 - 1914 komandant Muharrem Rushiti dhe çeta e tij mori pjesë dhe në luftime të rrepta dhe të përgjakshme kundër çetave të përbëra nga andartët dhe më pas me njësitë ushtarake pushtuese Greke. Luftimet më të ashpra kanë qenë në Pleshavicë dhe në malsinë lindore të Filatit: Mallun, Qeramicë etj, ku sulmet Greke ishin më të shpeshta dhe më të fuqishme. Gjatë pranverës së vitit 1913, kur s'ishte e mundur të qëndrohej më gjatë përballë njësive pushtuese greke, çeta u tërhoq dhe mori pjesë në luftime në mbrojtje të Labërisë dhe në bashkpunim me çetat e Labërisë mori pjesë në luftimet në luginën e Lumit Kardhiq, qafën e Skërficës dhe të Luvadhit deri në Rrëzomë të Delvinës. Mori pjesë bashkë me çetën e tij në mbrojtje të Vlorës kur kryengritësit Esadistë po përparonin drejt saj. Në vitin 1919 së bashku me Alush Takën, në emër të të gjithë Çamëve i dërgoi Konferencës së Paqes që po mbahej në Paris një përkujtesë ku kundërshtohej shkëputja e Çamërisë prej shtetit shqiptar dhe kërkohej ribashkimi i saj me Shqipërinë. Në vitin 1920 komandant Rushiti mori pjesë dhe në Luftën e Vlorës kundër pushtuesve italianë. Vdiq në qytetin e Sarandës më 9 Prill 1931.