Nebil Çika
Nebil Çika i njohur në Perandorinë Osmane vaktit dhe Turqi sot Ahmed Nebil, (Prevezë, 1893 - Tiranë, 12 nëntor 1944) ka qenë filozof e përkthyes,[1] pas kthimit në Shqipëri u bë ndër gazetarët më të njohur të mes dy luftërave botërore, themelues dhe botues i shumë organeve të shtypit ku më i zëshmi qe e përmuajshmja Minerva, korrespondent i Reuters dhe New York Times. Qe ndër intelektualët që u pushkatuan pa gjyq në bodrumin e hotelit Bristol nga njësitet guerrile të LANÇ.[2] Mund të konsiderohet si një nga themeluesit e gazetarisë profesioniste e moderne shqiptare.[3]
Në dhjetor të vitit 2009, Presidenti i Republikës e dekoroi me Urdhërin «Nderi i Kombit», bashkë me 36 intelektualë të tjerë të Tiranës të vrarë nga komunistët në periudhën 28 tetor-16 nëntor 1944, me motivacionin: «Të martirizuar nga terrori komunist për shkak të besimit në idetë demokratike perëndimore të zhvillimit të Shqipërisë pas Luftës II Botërore».[4]
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në Prevezë, ku i ati Nuredini[5] punonte doganier,[6] në një familje me prejardhje nga Borshi, nga e ëma qe nip i Sheh Sabri Prevezës.[3] Ishte djali i vetëm i çiftit dhe kishte katër motra, Ikbaleja, Liria, Naxhija dhe Nebija.[5] Shkollimin e mesëm e ndoqi në liceun frëng në Korfuz, ndërsa shkollimin e lartë në "Robert College" në Stamboll.[3] U bë i njohur në debatin kulturor e filozofik në shtypin osman gjatë periudhës së dytë kushtetuese, nga 1910 deri më 1913.[1]
U kthye në atdhe në vitin 1912, arrestohet më 1913 nga forcat greke në Sarandë dhe kryen 6 muaj burg në Janinë, për shkak te kundërshtimit të aneksimit nga Greqia të viseve shqiptare të Vilajetit të Janinës dhe ndikimit te komisioni ndërkombëtar i kufijve. Pas burgut u kthye sërish në Stamboll, ku përfundoi studimet.[3] Gjatë Luftës së Parë Botërore u vendos me familjen në Sarandë, ku punoi mësues, për të vazhduar si sekretar i zyrës së shtypit e më vonë iu kushtua gazetarisë.[6] Më pas u vendos në Selanik, ku punoi në një gazetë franceze të qytetit nën sundimin francez, ku u pushua për shkak të aktivitetit nacionalist shqiptar. Në vitin 1920 vendoset në Tiranë menjëherë pas caktimit të saj si kryeqytet dhe angazhohet tërësisht në gazetari.[3] Qe redaktor dhe kryeredaktor i mjaft organeve të shtypit shqiptar të atyre viteve, si «Revista Pedagogjike», «Reforma», «Java», «Arbëria», «Miku i Popullit», «Minerva», «Bota e Re» etj.[4]
Pas pushtimit italian të Shqipërisë, u mbajt nën mbikëqyrje nga autoritetet fashiste veçanërisht për shkrimet e tij në të përkohshmen «Bota e Re» që botonte, duke theksuar se shkrimet e tij ushtronin “influencë të dëmshme, sidomos mbi rininë stundentore, prandaj është e dobishme të ndalohet botimi i një reviste të tillë dhe i botimeve të tilla në përgjithësi”. Arsye për të cilën më 25 nëntor 1940, Çikën e internuan në Itali.[6]
Së bashku me intelektualë të tjerë, u vra nga njësitet guerrile gjatë masakrave të Tiranës në hotel Bristol natën e 12 nëntorit të 1944. U pushkatua pa gjyq, më 12 nëntor të vitit 1944. Dy vjet më vonë, më 1946, e shoqja, Elsa Martineli, arbëreshe, u largua nga Shqipëria. Më 29 shtator 1948, Komiteti Ekzekutiv i K.P. të qytetit të Tiranës urdhëroi sekuestrimin e pasurisë së luajtshme të tij.[4]
Vepra
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U bë i njohur për lexuesin në osmanisht që më 1910, kur botoi veprën e tij "Uçurtma" në gazetën Izmir si dhe poema prozaike, punime filozofike, politike dhe letrare në organe shtypi të tilla si Yirminci, Asırda Zeka, İştirak, Çocuk Dünyası, Tenkid, Teşvik, Eşek, Karagöz, Haftalık İzmir dhe Piyano. Më 1911 përktheu "İnsânın Menşe'î" të zoologut gjerman Ernest Haeckl,[7] nga varianti në frëngjisht.[8] Përkthyen në turqishten osmane po ashtu "Madde ve Kuvvet" (frëngjisht: Ordre et Matière) të Ludwig Büchner.[9]
Së bashku me Baha Tevfikun promovonte një lloj monizmi, të dëlirë nga feja, si filozofi të së ardhmes; duke mbështetur perëndimizimin si parakusht për transformimin e shoqërisë. Shkruanin për zakonet dhe sifatet evropiane, madje duke botuar libra për mirësjelljen duke përtallur tabjatet osmane.[10] Në lidhje me monizmin më 1912 përkthyen edhe veprën tjetër të Haeckl "Der Monismus Als Band Zwischen Religion Und Wissenschaft".[11]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ a b "Ahmed Nebil". cizgikitabevi.com (në turqisht). Marrë më 18 nëntor 2020.
- ^ Progni, Luljeta (12 nëntor 2020). "12 nëntor 1944, kur pushkatohej një gazetar". gazetamapo.al. Marrë më 18 nëntor 2020.
- ^ a b c d e Kepi, Alba (7 dhjetor 2014). "Tirana e përgjakur: masakra komuniste e vjeshtës '44". Standard. Marrë më 18 nëntor 2020.
- ^ a b c Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist, A-Ç (PDF). Vëll. 1. Tiranë: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. 2012. fq. 250–251. ISBN 9789928168016.
- ^ a b Husi, Maksim (2007). "Dy fjalë lexuesit". Njimendësija shqiptare: studim politik e psikologjik. Husi Borshi. fq. 129. ISBN 9789994398713.
- ^ a b c Sadiku, Xhafer (23 nëntor 2018). "Nebil Çika i vjetri, intelektuali nacionalist që u internua nga fashistët dhe u pushkatua nga komunistët". gazetaminerva.com. Arkivuar nga origjinali më 26 shkurt 2021. Marrë më 18 nëntor 2020.
- ^ Kalaycıoğulları, İnan (pranverë 2016). "The Birth of the New Perception of Humankind from Şemseddin Sami to Ahmed Nebil". FLSF (Felsefe ve Sosyal Bilimler Dergisi) (në anglisht). 21: 183. ISSN 1306-9535.
- ^ Kalaycıoğulları 2016, p. 184.
- ^ Guillemarre-Acet, Dorothée (2016). Impérialisme et nationalisme: L’Allemagne, l’Empire ottoman et la Turquie (1908 – 1933) (në frëngjisht). Würzburg. fq. 94. ISBN 978-3-95650-192-0.
- ^ Fleet, Kate; Kunt, I. Metin; Kasaba, Reşat; Faroqhi, Suraiya (2008). The Cambridge History of Turkey (në anglisht). Vëll. 4. Cambridge University Press. fq. 105. ISBN 9780521620963.
- ^ Özdalga, Elisabeth (2013). Late Ottoman Society: The Intellectual Legacy (në anglisht). Routledge. fq. 74. ISBN 9781134294732.