Jump to content

Hysot

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Oxhaku i Hysove)

Hysot kanë qenë një familje e rëndësishme shqiptare në kohën e Perandorisë Osmane, pinjolli më i rëndësishëm i së cilës ka qenë Ali Pashë Tepelena.

Sipas sprovës biografike të Myfid Libohovës Tepedenli Ali të botuar më 1903 në Kairo,[1] për familjen e paraardhësit të tij shkruan se e kishin prejardhjen nga një dervish Mevlevi me emrin Nazif, që vinte nga Kytahja në Anadoll.[1][2] Sipas Sami Frashërit, tradita familjare e tyre kumtonte se dervishi tregtar Nazif qe me prejardhje nga Horasani dhe u vendos në një teqe halvetishTepelenë[3] (ose në fshatin Beçisht), ku u lind edhe i biri, dervish Hyseni.[4] Thuhet se Hyseni mori për grua të bijën çalamane të beutKëlcyrës, krushqi me të cilën u futën në aradhen e fisnikërisë feudale të kohës dhe prej tij u ngeli llagëpi Hyso.[5] Në fillim të shekullit XVIII, dizdari i kalasëTepelenës Muço Hyso ndërtoi urën që mban emrin e tij te gryka e Këlcyrës.[6] - Familja e në një raport për Hapsburgët cilësohet si "familja më bujare e gjithë Epirit".

Ajo i përkiste shtresës së komandantëve ushtarakë apo të bylykbashëve, pra shtresës së atyre familjeve feudale të zonave malore që nuk kishin prona të shumta tokësore. Këto mbaheshin e pasuroheshin kryesisht duke pajtuar e drejtuar njerëz me rrogë në shërbim të forcave të armatosura perandorake dhe të qeveritarëve të sanxhakëve brenda apo jashtë Shqipërisë, ose duke marrë nën mbrojtje fshatra e krahina kundrejt shpërblimesh. Ndryshe nga ç’pretendohet në disa gojëdhëna që i paraqisin me prejardhje anadollake, meqenëse i pari i tyre paska qenë një dervish i arratisur për krime nga rajoni i Anadollit, Hysot vinin nga një familje e vjetër labe, të parët e së cilës kishin qenë të krishterë, por që u islamizuan pas pushtimit osman. Me rrënjë të vjetra në krahinën e Tepelenës, Hysot u dalluan si shtëpi bylykbashësh në fundin e shek. XVII, pikërisht kur Perandoria Osmane filloi të mbushte radhët e forcave të armatosura të saj me ushtarë me pagesë. Përfaqësuesi i saj në mbarim të shek. XVII deri në mesin e dhjetëvjetorit të dytë të shek. XVIII ishte Mustafa agë Hysoja ose Muço Hysoja. Në dokumentacionin e kohës ai përmendet herë si çaush jeniçerësh e herë si dizdar i kështjellës së Tepelenës, por kryesisht përmendet si një aga i pasur e i fuqishëm që ndiqej prej disa qindra trimash luftëtarë. Ai njihej gjithashtu si rebel dhe si një nga krerët e kryengritjes së Labërisë në vitet 1704-1714 për të mos paguar xhizjen, ndërsa djemtë e tij dalin si sipërmarrës të kësaj takse të rëndësishme shtetërore në krahinën e Myzeqesë dhe të Mallakastrës, të cilën mund ta vilnin, sidomos në periudhën e anarkisë feudale, vetëm feudalët më të fuqishëm. Muço Hysoja ishte një nga krerët labë më në zë dhe familja e tij, njëra nga më të shquarat e Labërisë, që kishte filluar të ngjiste shkallët e hierarkisë së lartë administrative dhe të rivalizonte me oxhaqet kryesore të Shqipërisë Jugore në luftën për pushtetin politik. Pjesëmarrja e Myftar bej Hysos si komandant ushtarak me rrogë në luftën veneto-osmane të viteve 1714-1718 dhe vrasja e tij në rrethimin e kështjellës së Korfuzit në vitin 1716 e rritën rolin e të birit, Veli Beut, si pretendent për kreun e sanxhakut të Delvinës. Ky pinjoll i Hysove, që kishte hyrë dhëndër në oxhakun e Mahmud pashë Konicës, arriti të ngrihej në radhët e mirmiranëve dhe në mesin e shek. XVIII u emërua qeveritar i sanxhakut të Delvinës me gradën pashë. Por grindjet për pushtet vijuan dhe u acaruan më tej, prandaj Veli pashë Hysoja nuk qëndroi gjatë në pushtet. Pas vdekjes së tij, rivalët mundën të kapnin edhe të venë e tij që e burgosën për disa muaj në qytetin e fortifikuar të Kardhiqit, për ta liruar pastaj kundrejt një shpërblimi e garancish të miqve të shtëpisë së Hysove. Sidoqoftë kjo shtëpi tashmë ishte në radhët e oxhaqeve shqiptare. Nën drejtimin e Ali Beut, djalit të Veli Pashës, ajo do të bëhej shtëpia më e fuqishme e Shqipërisë Jugore dhe e gjithë Shqipërisë. Stërnipi i Muço Hysos dhe djali i Veli Pashës, Ali Beu, nuk e filloi karrierën e tij si hajdut rrugësh, sikurse mëtohet në gojëdhënat që janë pasqyruar në shumicën e literaturës së shkruar për jetën e Ali pashë Tepelenës (1740-1822), e sidomos për dyzetë vitet e para të jetës së tij. Përkundrazi, ai u rrit e u edukua si të gjithë djemtë e tjerë të oxhaqeve feudale të kohës së vet. Ali Beu u arsimua si një bir pashai dhe, duke u ndihmuar nga të afërmit dhe sidomos nga miqtë e shtëpisë së vet, që e kishin lidhur të ardhmen e tyre me atë të kësaj shtëpie të dëgjuar, u vu shpejt në krye të formacioneve ushtarake me pagesë të krahinës së vet aq të kërkuara nga qeveritarët e ndryshëm të sanxhakëve e sidomos nga valiu i Rumelisë. Si i tillë, ai u lidh me krushqi dyfishe me oxhakun feudal të AsllanpashalliveGjirokastrës më 1768 dhe u bë një nga prijësit ushtarakë më të dëgjuar. Pa arritur moshën 40 vjeç, ai fitoi më 1784 gradën pashë në rreshtat e ushtrisë perandorake të Rumelisë. Po atë vit, për shkak se Selim pashë Koka kishte uzurpuar pushtetin e sanxhakut të Delvinës duke vrarë tre vjet më parë Mustafa Pashën e Delvinës, Porta e Lartë e emëroi mytesarif të këtij sanxhaku. Me këtë rast ai u urdhërua nga sulltani që, pasi të shtinte në dorë pushtetin, të ndëshkonte me vdekje fermanliun Selim pashë Kokën e përkrahësit e tij kryesorë dhe të vilte me forcë xhizjen e papaguar nga krahinat malore. Në krye të një fuqie ushtarake të madhe, me luftë dhe aspak me pabesi, pashai i ri zbatoi urdhrat e Portës së Lartë dhe në fundin e vitit 1784 mori në dorë pushtetin e sanxhakut të Delvinës. Pas të atit ai u bë pashai i dytë i familjes së Hysove që qeverisi këtë sanxhak. Edhe Aliu, që i përkrahu djemtë e Selim Pashës, nuk lejoi t’u konfiskoheshin çifligjet dhe nuk i arrestoi e i burgosi ata, siç pretendojnë, pa asnjë bazë, gojëdhënat, nuk u kufizua vetëm me sundimin në këtë sanxhak. Të ardhurat e atij sanxhaku të vogël nuk mjaftonin për të përballuar shpenzimet e ushtrisë së tij mjaft të madhe, prandaj Aliu synonte të shtinte në dorë sanxhakët më të rëndësishëm. Qysh në fillim të vitit 1785 kërkoi qeverisjen e sanxhakut të Tërhallës ose atë të Janinës. Më 1786 atij iu dha qeverisja e sanxhakut të Tërhallës dhe detyra e zëvendëskomandantit të derbendëve, kurse në mars të vitit 1787, kur vezir Ahmet Kurt Pasha i Beratit vdiq i helmuar si aleat i Mahmud pashë Bushatlliut, atij iu besua detyra e komandantit të derbendëve. As i biri i vezirit të helmuar, Mehmet Pasha i Ngurzajve, dhe as kunati i këtij, Ibrahim Pasha i Vlorajve, që hynë në grindje midis tyre për punën e trashëgimit të pushtetit në sanxhakun e Vlorës, nuk ishin në gjendje të kryenin atë detyrë. Por Ibrahim Pasha, i cili arriti të merrte pushtetin në Berat, nuk mungoi ta kërkonte postin e derbend-pashës dhe të rivalizonte me Ali Pashën për një kohë të gjatë. Duke përfituar nga mungesa e mytesarifit të sanxhakut të Janinës, Alizoi Pashës, që ishte larguar nga Shqipëria dhe ishte dërguar në frontin e luftës me Rusinë, pasi u mor vesh me Tahir Pashën e Asllanpashallive (që i kishte dhënë Aliut vajzën e vet për grua të dytë) dhe, duke pasur përkrahjen e shtresave të pasura të qytetit e të rrethit të Janinës që shihnin tek ai të vetmin qeveritar, që mund të vendoste e të ruante qetësinë, ashtu siç kishte bërë në Thesali, Ali Pasha i Tepelenës hyri në Janinë dhe vendosi sundimin e vet në fund të vitit 1787. Ai e vlerësonte drejt Janinën kur e quante “kyç të Shqipërisë”. Janina prej kohësh priste një qeveritar si ai për t’u bërë me të vërtetë kyç jo vetëm nga pikëpamja strategjike e administrative, por edhe nga ana ekonomike, duke u shndërruar në qendër e tregut ndërkrahinor të Shqipërisë Jugore.

  1. ^ a b Koçi, Dorian (15 tetor 2019). "Enigma e origjinës së Ali Pashë Tepelenës". telegrafi.com. Marrë më 13 prill 2021.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  2. ^ Clayer, Nathalie (2014). "Ali Paşa Tepedelenli". Encyclopaedia of Islam (në anglisht). 3 – nëpërmjet Brill Online.
  3. ^ Frashëri, Sami (2002). Shqipëria dhe shqiptarët: Materiali nxjerrë nga "Diksionieri historik e gjeografik". Përkthyer nga Myftiu, Nexhat. Tiranë: Dajti 2000. fq. 232–237. ISBN 9789992772027.
  4. ^ Krasniqi 2017, p. 167.
  5. ^ Baxhaku, Fatos (28 gusht 2011). "Tepelenë, histori nga "ura e nëmur"". Shqip (234): 24–25.
  6. ^ Krasniqi, Nehat (2017) [2013]. Zhvillimi i kulturës shqiptare me ndikime orientale prej shekullit XVIII deri në fillimet e Rilindjes Kombëtare (bot. 2). Prishtinë: Instituti Albanologjik. fq. 449. ISBN 9789951240550.