Jump to content

Agostini

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Shën Agustini)
Agostini
Peshkop dhe doktor i kishës
Lindi 13 nëntor, 354, Souk-Ahras, Algjeria
Vdiq 28 gusht, 430, Hipo
Festa 28 gusht
Shenjat dalluese fëmija; pëllumbi; pena; zemra e shpuar
Mbrojtës i birrëtarëve; tipografëve; pezmatimit të syve; teologëve
Shenjt mbrojtës i këtyre vendeve: Brixhport, Konektikat; Kagajan de Oro, Filipine; Ida, Filipine; Kalamazu Miçigan; Seint Augustine, Florida; Uiskonsin, I epërm; Takson, Arizona

Agustini ose Agostini (lat. Aurelius Augustinus Hipponensis , Tagaste, Numidia, 13 nëntor 354Hipona, Numidia, 28 gusht 430) ishte filozof, peshkopHippo Regius, dhe teolog ; át kishe, doktor i kishës dhe shenjtor i kishës katolike. Ai është shenjtori mbrojtës i Urdhrit fetar agostinian dhe i disa vendeve. Vepra e tij e njohur "Confessiones", ("Rrëfimet") quhet shpesh vetë-jetëshkrimi i parë perëndimor dhe lexohet ende nëpër botë.

Agustini lindi në vitin 354Tagaste një qytet provincial në Provincën Numidia. Qyteti sot quhet Souk-Arrhas dhe ndodhet në Algjeri. Kur lindi iu dha emri Aurelio Agostino. Ai lindi pas kthimit të perandorit Konstantin në fenë e krishterë. Në këtë periudhë, Afrika e veriut do t'i nënshtrohej gjithnjë e më shumë ndikimit të kulturës së krishterë greke, ndërsa ndikimi i kulturës latine do të dobësohej. Kisha e krishterë në Numidia ishte e ndarë në shumë grupe dhe rryma besimi në rivalitet me njëra-tjetrën.

Babai i tij quhej Patricius, ishte qytetar romak, nëpunës i respektuar në administratën romake, dhe pronar i vogël tokash në Tagaste. Babai ishte pagan, por u pagëzua i krishterë pak para vdekjes. Babai ishte shumë i rreptë dhe nuk pati kurrë marrëdhënie krejt të hapura me Monikën ose Agustinin. Por ai ndikoi shumë në formimin e Agustinit duke e mësuar të admironte klasikët e letërsisë latine, dhe kjo e ndihmoi shumë Agustinin gjatë veprimtarisë së tij si shkrimtar.

Nëna, Monika (në literaturë ndeshet edhe me emrat Monica, Monnica) ishte e krishterë. Monika konsiderohet në traditën e krishterë si nëna perfekte. Ajo do të luajë një rol të veçantë në jetën e Agustinit dhe të vëllezërve dhe motrave të tij. Dihet se Agustini kishte të paktën një vëlla, Navigius dhe një motër e cila vdiq si virgjëreshë e bekuar, një formë e vjetër e jetës si murgeshë. Ajo nuk e pagëzoi djalin e sapolindur, por u kujdes që ai të merrte mësime mbi fenë e krishterë. Kur Agustini u sëmur shumë rëndë gjatë fëmijërisë, ai u lut që të pagëzohej i krishterë, por ai u shërua para se të kryhej pagëzimi dhe kërkoi që të shtyhej pagëzimi për më vonë. Kjo nuk ishte e pazakontë për atë kohë, kur njerëzit përpiqeshin që ta shtynin pagëzimin nga frika se ata mund të bënin mëkate pas pagëzimit.

Mësimet e para i mori në Tagaste dhe më vonë në Madaura. Ai mësoi latinisht, ndërsa njohuritë në gjuhën greke i mbetën të kufizuara. Në vitin 370 u dërgua të përfundonte arsimin në Kartagjenë. Ai dëshironte të punonte si jurist dhe për këtë arsye ai do të studiojë retorikë nga viti 372 deri në vitin 375. Në këtë kohë i vdiq babai.

Pasi lexoi librin "Hortensis" (ky libër ka humbur dhe nuk dihet përmbajtja e tij) të juristit, politikanit, oratorit dhe shkrimtarit romak, Cicero (106-43 p.e.s.), Agustini filloi të interesohet për filozofinë. Ai studiojë midis të tjerash veprat e Platonit dhe që nga viti 373, ai dhe shoku i tij Honoratus filluan të ndjekin Manichaeism, një sekt i krishterë i cili mendonte se bota shpirtërore ishte e krijuar nga Zoti ndërsa ajo materiale ishte krijuar nga E Keqja. Agustini hodhi poshtë shumicën e besimit të krishterë të marrë nga nëna. Në fund të studimeve ai hoqi dorë nga jurisprudenca dhe iu kushtua mësimdhënies së retorikës. Ai filloi të jepte mësime në retorikë dhe gramatikë në vitin 375 dhe vazhdoi kështu për 9 vjet.

Agustini mendohet se ishte një burrë i pashëm, dhe në moshën 18-të vjeçare (viti 372) ai u njoh me një grua të re në Kartagjenë. Ata bashkëjetuan për 14 vjet. Shumica në atë kohë e konsideronin bashkëjetesën si një mënyrë të jetuari të pranueshme. Nga bashkëjetesa u lindi një djalë, Adeodatus në vitin 373. Adeodatus vdiq në vitin 389. Agustini u nda nga kjo grua në vitin 386.

Agustini dhe Monika, nga Ari Shefer

Veprimtaria në Itali

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Agustini dha mësime në filozofi dhe retorikëThagaste dhe Kartagjena, por ai dëshironte që të shkonte në Romë sepse ai besonte se atje ushtronin artin e tyre mjeshtërit më të mirë dhe të shkëlqyer të retorikës. Në vitin 383 Agustini, kundër dëshirës së nënës së tij, u vendos në Romë për të hapur një shkollë për mësimin e retorikës. Nëna e tij Monika shkoi bashkë me të dhe u vendos me banim në Romë. Agustini u zhgënjye shumë me shkollat romake të cilat ai i vlerësoi si apatike (të mërzitshme). Po ashtu nxënësit e tij ndërronin shpesh mësues për të mos paguar për orët e mësimit. Miqtë e tij të besimit manichean e njohën me prefektin e Qytetit të Romës, Symmachus, të cilit i ishte kërkuar të gjente një profesor të retorikës për oborrin perandorak në Mediolanum (qyteti i sotëm i Milanos).

Në vitin 384 Agustini pranoi ftesën për të punuar si mësues i retorikës në Mediolanum. Monika e shoqëroi atë edhe në Mediolanum. Atje ai ra nën ndikimin e neoplatonizmit dhe kjo i hapi rrugën edhe kthimit në fenë e krishterë të nënës së tij. Gjithë veprimtaria e tij si teolog do të karakterizohet nga ndërthurja e mendimit të krishterë dhe neoplatonizmit. Ndikimi i neoplatonizmit tek Agustini solli si pasojë vazhdimin e ndikimit të Platonit edhe në mesjetë, ndërsa filozofët e tjerë grekë u harruan.

Në moshën 30 vjeç, Agustini, një i sapoardhur nga krahina kishte postin akademik më të shquar në botën latine, në një kohë që poste të tilla të hapnin rrugën për të filluar karrierën në politikë. Megjithatë, Agustini nuk e pëlqente jetën plot tensione në oborrin perandorak, dhe një ditë ndërsa ishte në karrocën e tij duke shkuar për të dhënë një fjalim para perandorit, ai u ankua se një lypës i dehur që sapo kishte kaluar në rrugë bënte një jetë me më pak mërzitje se ai.

Nëna tij Monika, i bënte gjithmonë presion që ai të bëhej katolik, por ishte peshkopi Ambrozi i Mediolanumit, i cili ndikoi më shumë tek Agustini. Ambrozi ishte një mjeshtër i retorikës, ashtu si Agustini, por më i vjetër dhe më me përvojë. Ambrozi ishte një mbrojtës i ortodoksisë nikeane. Ai e njihte shumë mirë gjuhën greke dhe ishte për Agustinin një burim i vyer njohurish mbi teologjinë lindore. Agustini hoqi dorë nga teologjia manikeane pjesërisht për shkak të predikimeve dhe studimeve të tjera të Sh. Ambrozit dhe pjesërisht pas një takimi zhgënjyes me peshkopin manikean Faustus. Por Agustini nuk u bë katolik si Ambrozi dhe Monika, por përqafoi një drejtim neoplatonik pagan mbi të vërtetën. Ai deklaroi se për një farë kohe, atij iu duk sikur po përparonte në përpjekjet e tij, por më në fund ai ra në skepticizëm.

Nëna e tij i bënte presion që ai të martohej. Agustini vendosi të ndiqte këshillën e nënës dhe të martohej. Për këtë arsye ai i dha fund bashkëjetesës me gruan me të cilën kishte bashkëjetuar për 14 vjet. Megjithëse bashkëjetesa pranohej nga shumica e njerëzve, ai nuk mund të martohej me të pas një marrëdhënie të tillë. Djali i tij, Adeodatusi, qëndroi me të, ndërsa nëna e djalit u kthye në Afrikën veriore. Nëna e Agustinit rregulloi martesën e Agustinit me një vajzë në përputhje me pozitën shoqërore të familjes, por Agustini duhej të priste 2 vjet meqenëse vajza ishte ende e re. Agustini menjëherë filloi të bashkëjetonte me një grua tjetër. Në këtë kohë, Agustini i Hippos do të hartonte lutjen e tij më të famshme: "Më jep dëlirësi dhe vetëpërmbajtje, por jo akoma" [da mihi castitatem et continentiam, sed noli modo] (Rrëfimet, VIII. (17)).

Mendimi teologjik dhe filozofik

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Agustini pyeste veten :

  • Nëse ka Zot, që është i mirë dhe do të mirën për krijesat e tij, atëherë përse lejon që të jetë e keqja dhe dhimbja ?,
  • Përse njeriu bën të keqen ?

Ka dy shtysa për të cilat Agustini kërkoi të gjente një përgjigje për këto dy pyetje:

  • para kthimit në krishterim, Agustini përkrahi manekizmin, ku "e keqja" është parimi që ka krijuar botën ;
  • vlerëson jetën e Jezu Krishtit, i cili i nënshtrohet me dashje së keqes.

Shtysa e fundit ka pasoja të tjera të rëndësishme:

  • Po atëhere Perëndia, që është i përsosur, a mund t'i nënshtrohet së keqes ?
  • Dhe nëse kjo ndodh, a është Ai ende Perëndi?

Agustini besonte që ka dy lloje të këqijash :e keqja metafizike dhe e keqja fizike (trupore).

Çështja e së keqes

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

E keqja metafizike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kërkimi i së vërtetës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

AGUSTINI (354-430) (ndryshe Augustini) lindi në Algjerinë e sotme. Prindërit e tij ishin besimtarë të krishterë, mirëpo vetë ai nuk u kthye në besim deri vonë. Në Kartagjenë ai bëri disa avantuara dashurie dhe 15 vjet bashkëjetoi pa bërë kurorë martesore. Pastaj u fut në shoqërinë e maniheistëve. Më vonë u emërua profesor i retorikës në oborrin mbretëror në Milano. Atje ai u impresionua nga peshkopi Ambrosi, i cili u përgjigj në pyetjet e tij rreth maniheizmit. Fillimisht filloi të lexonte Dhiatën e vjetër, mirëpo e la përgjysmë, sepse, meqë ai ishte rritur nën ndikimin e filozofisë greke, e pengonte «vrazhdësia dhe pashpirtshmëria» e saj. Për këtë arsye, për të gjetur përgjigjet së pari u kthye në maniheizëm dhe pastaj në platonizëm. Predikimi i Ambrosit i pëlqente për shkak se ishte alegorik. Kështu, tani me sukses i shpjegonte të gjitha pikat e vështira të Dhiatës së vjetër, duke i alegorizuar, dhe, meqë Agustini ishte pasues i Platonit, me të ishte i një mendjeje. Më vonë u fut në rrethin e neoplatonistëve, mirëpo kuptoi se filozofia nuk i jepte fuqinë për të jetuar një jetë të re. Më pastaj i lexoi letrat e Palit dhe u kthye në besim. Asketizmi e tërhoqi shumë dhe ai u tërhoq në rrethin e Liqenit Komo. Kur u kthye në Afrikën Veriore, bashkësia e Hiponit e lartësoi duke e bërë peshkop. Ai menjëherë vendosi një rend asketik. Së shpejti hyri në polemikë rreth donatistëve dhe më në fund erdhi tek përfundimi se mënyra e vetme për ta zgjidhur këtë problem ishte thirrja e ushtrisë së perandorit për t’i shtypur kryengritësit teologjikë. Kështu ai krijoi një precedent për fillimin e mëvonshëm të inkuizicionit.

Agustini e përjetoi rënien e sundimit romak mbi Afrikën Veriore me ardhjen e vandalëve, të cilët, natyrisht, ishin arianët si dhe barbarët e tjerë. Ata sulmuan çdo të krishter që nuk pajtohej me ta. Një vit pas vdekjes së Agustinit, Hiponi u pushtua dhe u plaçkit.

Agustini pati një veprimtari të gjerë letrare, duke filluar nga Rrëfimet dhe deri tek diskutimet rreth çështjeve të ndryshme teologjike. Polemikën kryesore Agustini e bëri me Pelagun. Kur u dogj Roma, Pelagiu iku në Kartagjenë, ku Agustini e sulmoi. Më në fund, Pelagu u shpërngul në Tokën e Shenjtë.

Ai shkroi, gjithashtu, librin më të rëndësishëm, Qyteti i Perëndisë, i cili më vonë u bë libër xhepi i krishterimit Perëndimor nëpër kisha dhe marrëdhëniet shtetërore. Ai shkroi një libër kundër sfondit të plaçkitjes së Romës nga barbarët, i cili në mendjen e çdo njeriu lindi pyetjen: përse lejon Perëndia që të bie kryeqyteti i perandorisë së krishterë. Agustini u përgjigj:

a) Kisha nuk është shteti. Diçka e ngjashme si shprehja perandoria e krishterë nuk ekziston.

b) Kisha është një trup i përzier nga besimtarë të vërtetë dhe nga besimtarë vetëm sa për emër. Këta do të ndahen përfundimisht në gjyqin e fundit (kundër donatistëve).

c) Kisha e vërtetë përbëhet vetëm nga të zgjedhurit (kundër Pelagut). Eusebi nga Cezareja, i cili përfaqësonte qëndrimin e palës Lindore, nuk u pajtua me thëniet e Agustinit. Eusebi thoshte se perandoria e krishterizuar nën sundimin e Kostandinit është mbretëria e Perëndisë e zbritur në tokë!

Kontributin më të madh Agustini e dha në çështjen e hirësisë, për mëkatin burimor dhe atë të paracaktuar. Ai pohoi se:

1. Si pasojë e mëkatit të Adamit, mëkati dhe vdekja u përcollën tek të gjithë pasardhësit e Adamit.

2. Njeriu është nën pushtetin e vdekjes dhe në qoftë se Perëndia nuk e ndërmerr hapin e parë, njeriu nuk mund t’i përgjigjet thirrjes së Perëndisë.

3. Mëshira e cila fitohet me rastin e pagëzimit, u mundëson të gjithë të krishterëve që me ndihmën e Krishtit të bëjnë gjithçka është e duhur për shpëtimin e tyre.

4. Në çdo veprim të mirë, madje edhe frymëzimi i parë vjen nga Perëndia. Kisha Perëndimore i pranoi të gjitha këto botëkuptime të Agustinit, por nuk e pranoi botëkuptimin e tij për paracaktimin e dyfishtë (d.m.th. për ferr dhe qiell).

Thuhet se përvoja e tij e veçantë për mëshirën e Perëndisë (dhe mosnjohja e teologjisë lindore) e aftësoi për të krijuar diçka të re në teologji. Për shkak të përputhjes së tij me monoteizmin dhe marrjes seriozisht të mëkatit, ai u quajt ati i reformacionit. Sipas misticizmit kishtar, ai është gjithashtu atë i kishës katolike, e cila u ndikua shumë nga e kaluara e tij neoplatoniste. Me të krishterimi i platonizuar arriti shkallën më të zhvilluar:

1. Shpëtimi përfshin kalimin nga bota e ulët e trupit deri tek bota e lartë e shpirtit nëpërmjet një sistemi të mëshirës hyjnore, ushtrimeve asketike dhe soditjes.

2. Perëndia zakonisht është më shumë një ide (një qenie e pandjeshme dhe e pandryshueshme), se sa një Perëndi i gjallë që vepron nëpër histori.

3. Mëkati u lidh me dëshirat seksuale.

4. Shpëtimi është një proces i përsëritur dhe i zbrazur nga natyra e tij esenciale me anë të sakramenteve. Kryqi pasqyron një proces të përjetshëm. Shkrirja me Perëndinë është qëllimi i praktikës religjioze.

5. Tashmë besimtari nuk e përqëndron më vëmendjen e tij në kryq, por në mishërim.

6. U mbështet pohimi se mijëvjeçari është sinonimik me ekzistencës së tanishme të Kishës.

Ndikimet, shpjegimet dhe teoritë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Në majë të hierarkisë qëndron Zoti dhe gjithçka është e orientuar kah Ai. E liga rrjedh kur gjërat e prishin këtë rend dhe orientohet tjetërkah.

Augostini ishte filozof platonik, i një brezi të ri të platonistëve, për arsye se besonte në filozofi si mënyrë të jetesës. Para kthimit në fe të krishterë ishte manikeist, ndërsa me pranimin e besimit të ri ai forcoi besimin pelgianist (sipas murgut Pelag) se vetëm me hir të Zotit njerëzit mund t’iu shmangen mëkateve dhe se njerëzit nuk janë aq të fuqishëm.

Në pikëpamje teleologjike, Augostini besonte se gjithçka orientohet drejt Zotit si qëllim përfundimtar. Këtë e shprehte edhe në lutjen: “Zemrat janë të shqetësuara derisa prehen në Ty [Zot].” Agustini mendonte se çdo qëllim tjetër do të jetë zhgënjyes, ndërsa Zoti jo.

Agustini ndërtoi shpjegimin e së ligës përmes qëndrimit se “rendi dhe mirësia janë të pandara nga krijesa”. Ai ofron në shpjegime shtesë hierarkinë e rendit, ku Zoti është në majë. Meqë Zoti është krijues i gjithçkaje, Agustini argumenton se çdo krijesë është e mirë dhe e liga shkaktohet vetëm kur gjërat dalin nga vendi i caktuar që kanë në hierarkinë e rendit.

Agustini vazhdon përpjekjet e Sokratit, Platonit e Aristotelit për të përkufizuar dhe shpjeguar fenomenin e vullnetit. Ai përkufizon vullnetin si një dashuri a dëshirë në njerëz e engjëj që lidhet për objektin e dashurisë. Sipas tij, meqë shpirti përqendrohet në gjërat që i do, ato gdhendin jetën. Përmes mendimeve të tij rreth vullnetit, Agustini arrin te përkufizimet se “e liga është humbje e së mirës” sikur sëmundja që është humbje e shëndetit dhe se “mëkati është drejtimi i gabuar i vullnetit”, pra jo drejt Zotit.

Duke analizuar më tej vullnetin mëkatar, Agustini ngre nocionin se vullneti është i lirë, por duke u larguar nga Zoti, bëhet skllav i objektit të ri dashurisë. Kështu, duke u larguar nga Zoti dhe duke u përqendruar në para, njeriu bëhet skllav i pasurisë. Këtu kemi të bëjmë me një hierarki të re të përkohshme sepse gjithçka që nuk është e orientuar drejt Zotit është e prirë të dështojë. Agustini vetë ofron si shembull Perandorinë Romake jo të krishterë, që kishte në majë të hierarkisë madhështinë romake dhe për atë arsye nuk mund të ekzistonte pa mbarim dhe u desh të dështojë.

Thënie nga Sh. Agustini

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • "Sepse në Ty na ke krijuar, dhe e paqetë është zemra jonë, derisa të qetësohet në Ty".
Rrëfimet - libri I.
  • " Koha eshte nje tendosje e shpirtit"
  • "A ka ndonjë gjë në mua, Zot e Perëndia ime, që mund të të rroki Ty? A të rrokin qielli dhe toka, që Ti i ke krijuar, me të cilat më ke krijuar edhe mua? Apo është e kundërta kështu, ngaqë pa Ty asgjë nuk mund të jetë, që gjithçka që është, të rrok Ty".
Rrëfimet - libri I.
  • "Ku atëherë duhet unë të të thërras Ty, kur unë jam që me kohë në Ty ?"
Rrëfimet - libri I.