Andrea Varfi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Stampa:Kutia Shkrimtar

Andrea Varfi (Qeparo, 21 shkurt 1914 - Tiranë, 18 shtator 1992) ka qenë publicist, përkthyes dhe shkrimtar shqiptar.

Jeta[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lindi në Qeparo të krahinës së Bregut, i biri i Epaminonda Varfit, mësuesi i shkollës së parë të fshatit. Mësimet fillore i kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen e ndoqi në Shkollën Tregtare të Vlorës ku ishin edhe Petro Marko, Spiro Çomora, Aleks Çaçi, Mehmet Shehu e Shefqet Musaraj.[1]

Më 1935 mbaron degën klasike të gjimnazit në Tiranë. Më 1941 kreu studimet Fakultetin e Shkencave Agrare në Universitetin e Peruxhias, Itali. Më 1941 kthehet në atdhe,[1] ku bëhet pjesë e Grupit Komunist të Zjarrit.[2] Shërben si agronom në Zyrën e Bujqësisë së Tiranës dhe në Shkollën Bujqësore të Kavajës dhe më pas gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, Varfi u rreshtua në radhët e Brigadës V Sulmuese. Së bashku me Dhimitër Mandron, ai u caktua në shërbimin ndihmës të agjitacionit dhe të propagandës në këtë brigadë..

Pas Çlirimit emërohet drejtor i Kulturës dhe Propagandës Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, ku drejton edhe revistën “Bujku i Ri” 1945-1947.[1] Në vitin 1947, burgoset për dy vjet me Petro Markon, Jusuf Vrionin, Lazër Radin dhe Mitrush Kutelin.[3] Më 24 janar 1948 shkruan një raport për gjuhëtarin Eqrem Çabej, ku tregohet që ishte ndër raportuesit dhe ndjekësit e gjuhëtarit të caktuar nga Sigurimi i Shtetit me nofkën "Dhelpëri".[4]

Më pas punoi në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” e më pas në Lidhjen e Shkrimtarëve. Vdiq më 18 shtator 1992, në Tiranë[1].

Vepra[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Krijimtaria letrare e Andrea Varfit nis në vitet ’30 me bashkëkohësit Nonda Bulka, Aleks Çaçi, Dhimitër Shuteriqi, Sterjo Spasse, Migjeni. Poezitë dhe proza e shkruar para dhe pas Çlirimit u përmblodhën në dy vëllime letrare, më 1989.

1934 -35, Efthim Kovaçi do kompozonte mbi poezinë e Andrea Varfit “Kushtrimi i të shtypurve” që këndohej në rrethet revolucionare. Po kështu janë të mirënjohura dhe këngët “Himni i Ushtrisë”, “Dëshmori partizan”, “Kënga e dëshmores partizane”, “Dëshmorëve”. Në vitet 1952 - 60 botoi poezi dhe proza satirike me pseudonimin “Ager” dhe “Bokërrima”. Shkruajti me vargun tradicional, klasikun tetërrokësh[5] dhe trajtoi tema sociale.[1]

Përshtatje[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Krahas krijimtarisë artistike, Varfi përshtati në gjuhën standarde veprat kryesore të De Radës: “Serafina Topia”, “Rrëfime të Arbrit” më 1975,[6] “Këngë të Milosaut”, “Krutan i mërguar” më 1977 dhe "Këngëtorja arbërore" e Santorit më 1980.[1][7]

Përkthime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Nga letërsia botërore ka përkthyer "Qivuret" e Ugo Foscolo më 1934, "Tregime mbi Leninin" 1946 dhe "Hënëzat e kuqe: tregime nga jeta e Leninit" 1960 nga Aleksandr Kononov, vëllimin "Poezi" të Nazim Hikmet më 1957.[8] Gjithashtu ka lënë përkthime të Alfierit, Maurizio Caprile, etj. Përktheu edhe përmbledhjen e vetme poetike të Pashko Vasës, "Rose e spine" nga italishtja, me titullin "Trëndafila dhe gjëmba".

Folklor[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Para se të vdiste, la të përgatitur për shtyp një vëllim me veprën letrare dhe muzikore të Neço Muko Himarjotit, me titullin “Zemra kërkon miqësinë”, i pajisur me një parathënie prej tij.[1]

Titujt e veprave[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Këngë e ritme, 1930 (poezi);
  • Monografi “Ulliri i Shqipërisë dhe masat për shtimin e përmirësimin e kulturës së tij”, 1943;
  • Artikuj shkencorë, 300 faqe të karakterit bujqësor e botanik, “Bujku i ri”, 1945-1947;
  • Në tingujt e revolucionit, 1951 (poezi);
  • Dielli i jetës sonë, 1957 (poezi);
  • Një histori e lashtë stërgjyshore, 1957 (poezi);
  • Në shpellën e kuqe, “ nëntori”, 1960 (dramë);
  • Në zgjim, 1962 (poezi -prozë);
  • Blerim nëntori, 1966 (poezi);
  • Vepra letrare 1 (poezi; 332 faqe; janë përmbledhur një pjesë e poezisë që nga vitet’30 deri në vitet ‘74), 1989;
  • Vepra letrare 2 (prozë, 353 faqe, janë përmbledhur një pjesë e prozës që nga vitet’30 deri në vitet ‘74), 1989;

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b c d e f g Habazaj, Albert (7 qershor 2015). "Andrea Varfi, poet i marsheve, shqipërues dhe përshtatës gjurmëlënës". Tirana Observer. Arkivuar nga origjinali më 2 prill 2018. Marrë më 18 shkurt 2018.
  2. ^ Tashko, Koço (14 qershor 2016). "Kujtimet për grupin komunist të Zjarrit i krijuar në Athinë". Tiranë: Shqiptarja.com. Arkivuar nga origjinali më 4 shtator 2017. Marrë më 18 shkurt 2018.
  3. ^ Elsie, Robert (1997). "Histori e Letërsisë Shqiptare" (PDF). Përkthyer nga Abdurrahim Myftiu. Dukagjini. Marrë më 18 shkurt 2018.
  4. ^ "Falsiteti i Nexhmije Hoxhës për "miqësinë" me Eqrem Çabejn". Gazeta "55". 28 tetor 2010. Marrë më 18 shkurt 2018.[lidhje e vdekur]
  5. ^ Zheji, Gjergj (1988). Bazat e vargëzimit shqiptar. Tiranë: Naim Frashëri. fq. 118.
  6. ^ De Rada, Jeronim (1975). Rrëfime të Arbrit. Tiranë: Naim Frashëri.
  7. ^ Katalogu arbëresh online, Besa.[lidhje e vdekur][lidhje e vdekur]
  8. ^ Biblioteka Kombëtare në fondin online me kërkimin "Andrea Varfi Arkivuar 23 janar 2020 tek Wayback Machine", bksh.al.