Shko te përmbajtja

Curzon Hall

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Curzon Hall
Pamje ballore, Dep. i Fizikës
Map
General information
Architectural styleArkitektura Indo-Saraçene

Curzon Hall është një ndërtesë e periudhës koloniale britanike që shërben si Fakulteti i Shkencave të Universitetit të Dhakës, i vendosur në Shahbag. [1]

Ndërtesa fillimisht shërbeu si selia qeveritare e qendrës së provincës së Bengalit Lindor dhe Assamit 1905-1911. Ajo është emërtuar sipas Lord Curzon-it, nënmbretit të Indisë, që vendosi gurin e saj të themelit në 1904.[1] Që nga krijimi i Universitetit të Dhakës në 1921, ai shërbeu si Fakulteti i Shkencave.

Më 19 shkurt 1904, - Lord George Nathaniel Curzon (Lord Curzon), nënmbreti dhe guvernatori i përgjithshëm i Indisë, vendosi gurin e themeleve të kësaj ndërtese, që u emërtua sipas tij, 'Curzon Hall'. Pas shpalljes së ndarjes së Bengalit (1905-1911]]) në 16 tetor 1905, rëndësia e ndërtesave në zonën Ramna u rrit për shkak të kthimit të Dhakës në kryeqytet të Bengalit Lindor dhe Assamit. Curzon Hall shërbeu si seli e zyrës provinciale të qeverisë. Për të përgatitur kryeqytetin provincial, administrimi kolonial bleu terrene të gjera në zonën e gjelbër Ramna përtej rrethinës veriore të Dhakës, të kufizuar nga linja e atëhershme hekurudhore.

Megjithëse Guvernatori i Përgjithshëm i Indisë, George Nathaniel Curzon (1899-1905) kish deklaruar se synohej administrimi më efektiv, qëllimi i ndarjes ishte se autonomia politike e myslimanëve të Bengalit Lindor do të barazpeshonte fuqinë në rritje të hinduve në Bengalin Perëndimor. Shumë hindu e panë ndarjen si një politikë "përça e sundo". Myslimanët nga ana tjetër, e mirëpritën atë si një mundësi të për zhvillimin e rajonit, pasi prej kohe ankoheshin se Bengali ishte i mbizotëruar nga hindut dhe qendra e tij, Kalkuta u zhvillua si metropol në kurriz të Bengalit Lindor.[2]

Ahmad Hasan Dani, autor i "Dacca: A Record of Its Changing Fortunes" (1956), pohon se Curzon Hall-i filliminsht u ndërtua si një bashki e qytetit për administratën koloniale. Por sipas historianit Sharifudin Ahmed, ajo u ndërtua si një bibliotekë për Dhaka College.[3] Qëllimi i ndërtimit mbetet akoma i diskutuar.

Pamje panoramike e kompleksit

Ndërtesën e financuan xhamindarët e Bhavalit, një zonë në distriktin lindor të Dhakës, në Bengalin britanik. Me rastin e mbërritjes së guvernatorit, ata dhuruan 150 mijë rupi për ndërtimin e një biblioteke të përgjithshme të emërtuar 'Curzon Hall' në zonën Ramna për të nderuar Lord Curzon-in.[3] Ata ishin të etur për t'ju bashkangjitur programeve zhvilluese të Lord Curzon-it për kryeqytetin e ri dhe të vinin më në pah vlerat e tyre.[2] 'The Dhaka Prakash' i 1904-ës shkroi: "Dhaka College do të zhvendoset te 'Nimtoli'. Drejtori i nderuar Dr. Roy ishte i kujdesshëm të ndërtonte një bibliotekë të lidhur me këtë kolegj."[3]

Pamje e Dep. të Farmacisë

Si pasojë e statusit të ri si kryeqytet i Bengalit Lindor në Dhaka u përmirësua arkitektura dhe infrastruktura urbane. Ky zhvillin në Ramna ndihmoi të zbuste pamjen e mjeruar të Dhakës, siç është përshkruar në një raport të "The Times of London" në 1909: "Për shumë vite Dhaka ka qenë parë si shpina e përtejshme, një vend i zbrazur nga ndonjë kënaqësi në mërgim …Mjerimi, shpenzimet, largësia e stacionit ishin mjaft për të bërë atë të neveritshme për shumicën e anglezëve, të cilët fati i ka vendosur në Indi".[2]

Pati investime të konsiderueshme në infrastrukturën e qytetit, duke përfshirë: sistemin e administrimit të mbetjeve, menaxhimin e ujërave, ndriçimin rrugor, sistemin e kanalizimeve dhe përmirësimin e rrugëve. Në lagjen Ramna u ndërtuan një numër i rëndësishëm godinash për zyra qeveritare, arsimore dhe rezidenciale. Dy ndërtesat më ambicioze arkitekturore të ndërtuara aty ishin 'Curzon Hall' dhe Government House (tani Gjykata e Lartë e Dhakës).[2]

Pas anullimit të ndarjes së Bengalit1911, klasat e Dhaka College-it u vendosën te 'Curzon Hall-i'. Më vonë, kur u krijua Universiteti i Dhakës në 1921, Curzon Hall-i u përfshi si Fakulteti i Shkencave të Universitetit të Dhakës.

Pamje sallës së madhe qëndrore, ku jepen provimet

Pas ndarjes së Indisë1947 që krijoi shtetin e Pakistanit, gjuha urdu ishte përzgjedhur të ishte gjuha e vetme zyrtare. Asambleja e Universitetit të Dhakës u zhvillua më 24 mars 1948. Kryeministri i atëhershëm i Pakistanit Mohamad Ali Xhinah erdhi në Dhaka dhe në një takim të mbajtur në 'Curzon Hall', ai shpalli me krenari se gjuha urdu do të ishte gjuha e vetme zyrtare e Pakistanit. Studentët e mbledhur e kundërshtuan, dhe që atëherë emri i Curzon Hall u lidh me "Lëvizjen për Gjuhën Bengale".[1] Studentët e Universitetit të Dhakës e kundërshtuan që në fillim politikën shtetërore të gjuhës.[4]

Gjatë "Lëvizjes për Gjuhën Bengale", 19481956, Curzon Hall-i ishte vendi i ngjarjeve të ndryshme të rëndësishme. Në 1948, Asambleja Kushtetuese e Pakistanit vendosi gjuhën urdu dhe anglishten si gjuhët e vetme për tu përdorur në asamble. Kjo u kundërshtua brenda asamblesë pasi shumica e popullsisë së Bangladeshit fliste bangla dhe jo urdu.[4]

Curzon Hall-i është një strukturë që ka një një histori mahnitëse arsimore, politike dhe arkitekturore. Ai ishte i rëndësishëm në shumë beteja politike dhe sot është një pjesë vitale e traditës arsimore. Struktura e tij masive qëndron si një monument i trashëgimisë arsimore dhe historike të qytetit.[5]

Pamje anësore e Curzon Hall

Është një nga shembujt më të bukur të Arkitekturës së Dhakës. Ndërtesa dy-katëshe përfaqëson një stil të përzier të elementeve arkitekturore evropiane dhe indiane, që njihet si stili Indo-Saraçen, Indo-Evropian ose Mogul-Gotik. Ky stil ishte popullor zgrip të shekujve të XIX dhe XX në Indinë koloniale.[1] Ndërtesat bashkëkohore gjetkë në Indi, si "Taj Mahal Hotel" në Mumbai (1904) dhe Stacioni Hovrah në Kalkuta (1900-1908) shfaqin një përzierje të ngjashme të elementeve arkitekturore. Ndërtesa imponuese përfaqëson përpjekjen e administrimit kolonial për të përfshirë elemente të arkitekturës 'vendore' për të treguar ndjeshmërinë e tij ndaj kulturës vendase, që ata shpresonin se do të zbuste ndjenjat nacionaliste mes tyre.[2]

Stili kombinon artin tradicional me atë modern nëpërmjet funksioneve dhe formave të parapëlqyera mogule, si harqet dhe kupolat, që besohet se kanë hyrë në botën islamike nga perëndimi. Ndërsa planimetria e Curzon Hall-it tregon ndjeshmërinë hapsinore evropiane, eksteriori i tij të sjell në mendje Arkitekturën Mogule. Ai shënon lënien pas të Kryengritjes së Sepojve në 1857, dhe hyrjen e drejtpërdrejtë të Indisë nën kurorën britanike, duke kërkuar legjitimim nëpërmjet lidhjes me mogulët. Ngjyra e kuqe e errët e tullave zëvendëson gurin e kuq ranor të mogulëve. Çhatrit, një motiv tipik mogul, përcakton pamjen e Curzon Hall-it, siç shfaqet te Varri i Humajunit dhe Fortesa e kuqeDelhi; Taxh Mahali dhe Varri i Itmad-ud-Daulah-utAgra; dhe Divani-i-Khasi në Fatehpur Sikri.[3] Konsujt e zbukuruar, strehët e thella dhe kupolat e taracës, veçanërisht të seksionit të mezit janë përkujtues të Divan-i-Khasit të vogël por të mirënjohur në fortesën pallat të Fatehpur Sikrit, kryeqyteti i perandorit Akbar midis 1570 dhe 1585. Ashtu si te Varri i Itmad-ud-Daulah-ut, balustradat e Curzon Hall-it paraqesin xhali dekorativë (thurje-rrjetësore të ndërlikuara zbukuruese) dhe ngrihet mbi korniza me konsuj të zbukuruar. Veranda të shumta gjenden përreth ndërtesës, duke mundësuar një hapsirë të tërhequr dhe duke i mbrojtur dhomat e brendshme nga shirat musonikë. Zgjedhja e qëllimshme e stilit të Fatehpur Sikrit mund të shpjegohet me faktin se britanikët parapëlqenin Akbarin si më i dituri dhe toleranti nga mogulët, duke ushqyer idealin e rolit të tyre në Indi.[1]

Pamje e Dep. të Kimisë

Kompozimi i ndërtesës së drejtuar nga veriu është simetrik: Një sallë e madhe qendrore e anash-shoqëruar nga krahë linearë në të dy anët, mbarojnë me forma drejtkëndore. Holli qëndror tre-katësh me kolonada është fokusi i planit dhe i aksesueshëm nga të gjitha anët. Llozhat përfshijnë interierin e hollit në katin e dytë dhe të tretë. Tavani zbukurohet nga panele katrore me ngjyra. Hyrja shënohet nga një kullë e lartë dhe e dalë që duket se kompenson mungesën e një kupole. Kulla ka tre dritare të larta me harqe patkua, të kornizuara brenda një kamareje. Çhatrit e lartë kurorëzojnë kullën në të katërt këndet, ndërsa ndërmjet shfaqen tre çhatri më të vegjël në çdo anë. I vendosur në hapësirën e gjelbër dhe të mirëmbajtur të kopshtit botanik, kjo ndërtesë dy-katëshe me tulla ka një sallë qëndrore të madhe, krahët anësorë në lindje dhe në perëndim me mjaft dhoma, dhe veranda të shumta në të gjitha anët.[3] Lartësimi i Curzon Hall-it, me një larmi shtyllash, kamaresh, panelesh, dritaresh me qemer, strehët dhe çhatrit, të japin një ndjesi mbresëlënëse. Duke u ngritur mes kopështit të harlisur të Ramnas, ai shfaq madhështinë e tij të qetë.[2]

Kopështi Botanik i universitetit është i vendosur në mjedisin rrethues të Curzon Hall-it. Ai është përdorur nga studentët dhe fakulteti për studimin shkencor të botanikës me bimët.[6] Përmes gjelbërimit të kopështit kolon rruga nga perëndimi në lindje. Mbrapa tij ndodhet një pellg i madh, në perëndim të të cilit gjendet ndërtesa kryesore e 'Sher-e-Bangla Fazlul Huq Hall-it'.

Pamje nga pellgu i mbrapëm i kompleksit

Curzon Hall-i përdoret si një nga ndërtesat kryesore të Universitetit të Dhakës, ku ndodhen shumica e departamenteve të Fakultetit të Shkencave. Ai është i vendosur në anën jugore të ndërtesës së Gjykatës së Lartë. Këndi qëndror i lojërave të Universitetit të Dhakës ndodhet në anën perëndimore të ndërtesës, ndërsa 'Shahidullah Hall-i' ndodhet në jug. Përreth Curzon Hall-it ndodhen "Mauzoleu i Tre Udhëheqësve" dhe Porta e Dhakës. Të tëra strukturat përreth Curzon Hall janë përkujtuese të zhvillimit të qytetit.[5]

Në këtë ndërtesë ndodhet një sallë e stërmadhe qëndrore. Ngjyra e jashtme është e kuqe e errët nga tullat e përdorura në eksteriorin e ndërtesës. Përkrahë Curzon Hall-it ndodhet varri i gjuhëtarit Muhamad Shahidullah.

Megjithëse tanshmë Curzon Hall përdoret si mjedis akademik i universitetit, ai është gjithashtu një qendër rekreacionale për vizitorët vendas dhe të huaj. Çdo mbasdite, mijëra studentë dhe shijues të zbavitjes mblidhen aty. Në mes të zhurmës së kryeqytetit, në Curzon Hall-in e mbushur me gjelbërim mund të shijosh natyrën.[7]

  1. 1 2 3 4 5 Perween Hasan (17 qershor 2021). "Curzon Hall". përmbledhur nga Sirajul Islam; Ahmed A. Jamal (red.). Banglapedia: National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht) (bot. 2). Asiatic Society of Bangladesh. Marrë më 28 maj 2024.
  2. 1 2 3 4 5 6 Adnan Zillur Morshed (24 korrik 2018). "Want to Understand the Partition of Bengal, Visit Curzon Hall". The Daily Star (në anglisht). Marrë më 28 maj 2024.
  3. 1 2 3 4 5 "ঐতিহ্যের প্রতীক কার্জন হল (shqip: Curzon Hall është një simbol i trashëgimisë)". Daily Sangram (në bengalisht). 23 gusht 2014. Arkivuar nga origjinali më 5 mars 2016. Marrë më 28 maj 2024.
  4. 1 2 Bashir Al Helal (2012). "Language Movement". përmbledhur nga Sirajul Islam; Ahmed A. Jamal (red.). Banglapedia: National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht) (bot. 2). Asiatic Society of Bangladesh.
  5. 1 2 "The Beautiful Curzon Hall". Heritages of Bangladesh (në anglisht). Arkivuar nga origjinali më 29 maj 2024. Marrë më 28 maj 2024.
  6. Zia Uddin Ahmed (2021). "Botanical Garden". përmbledhur nga Sirajul Islam; Ahmed A. Jamal (red.). Banglapedia: National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht) (bot. 2). Asiatic Society of Bangladesh. Marrë më 28 maj 2024.
  7. Imadul Haque (13 korrik 2013). "ঢাকা বিশ্ববিদ্যালয়: ঐতিহ্যবাহী কার্জন হল (shqip: Universiteti i Dhakës: Curzon Hall)" (në bengalisht). Amar Desh publications Ltd. Arkivuar nga origjinali më 18 korrik 2013. Marrë më 28 maj 2024.