Foshnja

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Foshnje konsiderohet një i porsalindur i cili ka vetëm disa orë, disa ditë ose deri në një muaj. Në kontekstin mjekësor, një foshnje konsiderohet një i porsalindur (nga latinishtja, neonatusi, i porsalinduri) në 28 ditët e para pas lindjes. Kjo terminologji zbatohet edhe për foshnjat e parakohshme; për periudhën para lindjes, përdoret termi "fetus". Termi "foshnjë" sot zakonisht aplikohet për fëmijët e vegjël nën moshën një vjeçare; megjithatë, përkufizimet mund të ndryshojnë dhe mund të përfshijnë fëmijë deri në dy vjeç. Kur një foshnje mbush një vit ose mëson të ecë, ai pastaj quhet "fëmijë". [1] [2]

Foshnjëria[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Jo shumë kohë më parë shumë njerëz besonin se foshnjat kishin nevojë vetëm të ushqeheshin, të mos kishin ftohtë dhe të mos ishin të lagur. Disa njerëz mendonin se bebet nuk ishin në gjendje të mësonin gjë, para se të mbushnin pesë ose gjashtë muaj. Por doktorët në Shtetet e Bashkuara thonë se foshnjat fillojnë të mësojnë që ditën e tyre të parë. Instituti Kombëtar i Shëndetit dhe Zhvillimit të Fëmijës këtu në Shtetet e Bashkuara ka si qëllim të zbulojë se cilat përvoja mund të ndihmojnë zhvillimin e shëndetshëm tek njerëzit. Shkencëtarët e Institutit vënë re se mjedisi ndikon shumë tek bebet. Ata thonë se foshnja buzëqesh nëse e ëma bën diçka që i pëlqen atij. Bebja mëson që të marrë përkujdesjet maksimale duke buzëqeshur për të kënaqur mamanë e vet, ose persona të tjerë që kujdesen për të. Kështu bebet mësojnë të komunikojnë me qenie të tjera njerëzore. Studiuesit amerikanë thonë se kjo aftësi ekziston tek bebet që para se të lindin dhe se të sapolindurit mund të dallojnë tingujt që kanë dëgjuar që kur ishin në barkun e nënës. Studiuesit finlandezë kanë provuar se foshnjat mësojnë edhe duke fjetur. Ata kanë arritur në përfundimin se të porsalindurit mund të mësojnë të identifikojnë tinguj të ndryshëm ndërsa janë në gjumë. Kjo ndodh sepse një pjesë e trurit të tyre që quhet korteksi cerebral mbetet aktive gjatë natës. Korteksi është shumë i rëndësishëm për të mësuar. Kjo pjesë e trurit nuk është aktive tek të rriturit kur ata flenë. Shumë ekspertë thonë se vitet e para të jetës së një fëmije janë të rëndësishëm për gjithë zhvillimin e mëtejshëm. Një studim amerikan tregon se nënat mund të ndikojnë fuqimisht tek zhvillimi shoqëror dhe ai i gjuhës tek fëmijët e tyre. Në këtë studim u morën në shqyrtim mbi 1,200 nëna dhe fëmijë. Studiuesit e ndoqën zhvillimin e fëmijëve që kur ata ishin një muaj e deri kur mbushën tre vjeç. Ata i vëzhguan nënat duke luajtur me fëmijët katër herë gjatë kësaj periudhe. Nga testet rezultoi se fëmijët e nënave me depresion nuk ia dolën aq mirë në aktivitetet dhe lojrat e tyre, ndryshe nga ata të nënave që nuk vuanin nga depresioni. Fëmijët e nënave me depresion, nuk dolën mirë në testet për gjuhën dhe të kuptuarit, nuk bashkëpunuan aq shumë dhe kishin më shumë probleme në marrëdhënie me njerëzit. Por nga ana tjetër kur nënat tregonin kujdes dhe ishin të ndjeshme ndaj aktiviteteve të fëmijëve të tyre, këta të fundit kishin rezultate të mira edhe nëse këto nëna ishin me depresion. Një studim tjetër tregon se foshnjat që kanë peshë më të lartë në lindje janë më të zgjuar në vitet e mëtejshme të jetës. Disa nga organizatorët e studimit thonë se ndoshta kjo ndodh pasi bebet me më shumë peshë janë ushqyer më mirë gjatë periudhave të rëndësishme të zhvillimit të trurit para se të lindnin. Ndërsa një studim tjetër mori në shqyrtim foshnjat e lindura nën peshë. Duke krahasuar zhvillimin e tyre me atë të fëmijëve të tjerë gjatë 20 vjetëve, studiuesit zbuluan se të rinjtë që kishin lindur shumë nën peshë, kishte më shumë shanse që të mos e mbaronin shkollën e mesme. Gjithashtu ata nuk kishin dalë aq mirë në testet e inteligjencës. Por nga ana tjetër, ata kishin më pak shanse për të përdorur drogë, ose alkool, si edhe për shtatzani të parakohëshme. Një studim tjetër, i njohur si projekti i ABC-së, tregon rëndësinë e arsimimit të hershëm për fëmijët e varfër. Për të provuar këtë, ekspertët morën 100 fëmijë dhe gjysmën e tyre e çuan në çerdhe dhe kopshte të cilësisë së lartë, ku ata mësuan dhe kryen aktivitete që nxisnin aftësitë e tyre. Ata i ndoqën këto programe që kur ishin disa javësh derisa u bënë pesë vjeç. Më pas, ashtu si edhe fëmijët që nuk kishin shkuar në çerdhe dhe kopshte të mira, vazhduan shkolla publike. Kur ishin bebe, fëmijët e të dyja grupeve kishin rezultate të ngjashme, por nga mosha 18 muajshe ata që ndoqën çerdhet dhe kopshtet patën rezultate shumë më të mira në teste. E njëjta gjë u vu re, kur ishin 12 dhe 15 vjeç. Kohët e fundit, ata u shqyrtuan në moshën 21 vjeçare dhe prapë fëmijët që kishin marrë arsimim të hershëm dolën më mirë në teste leximi dhe matematike. Studimi është një provë e mëtejshme se mësimi gjatë muajve dhe viteve të para të jetës ka rëndësi për gjithë zhvillimin e mëtejshëm.[3]

Kolika foshnjore (Dhimbje barku)[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në moshën mes 2 dhe 16 javë disa bebe kalojnë nëpër periudhën kur qajnë rregullisht dhe pa arsye të qartë. Këto kriza të qarjes zgjasin më së paku tre orë dhe zakonisht paraqiten vonë pasdite ose herët në mbrëmje. Duket sikur fëmija vuan nga dhimbje barku. Kjo dukuri njihet më emrin “kolikë” dhe shfaqet te rreth një e treta e të gjithë foshnjëve. Zakonisht nuk ndihmon nëse e merrni fëmijën në dorë dhe mundoheni ta qetësoni duke e luhatur. Në rastet më të lehta shfaqen vetëm periudha kur fëmija është i shqetësuar. Shkaku për paraqitjen e kolikave nuk dihet, por ato kalojnë-pa tretman-pas disa javësh. Cilat janë simptomat e kolikave? Kolikat paraqiten prej dy deri katër javët e para të jetës dhe maksimumin e tyre e arrijnë rreth javës së gjashtë deri të tetën. Zakonisht foshnja duket e shëndoshë dhe e kënaqur, deri vonë pasdite apo herët në mbrëmje kur shfaqen simptomat që vijojnë: Bebja bën grimasa që tregojnë se diçka i dhemb. Fytyra i skuqet. I shtrin këmbët, duke treguar kështu se i dhemb barku. Qan zëshëm dhe e shqetësuar. Të qarët zgjat nga tre orë apo më shumë dhe nuk qetësohet. Më në fund fiton gazra ose zbrazje, kjo shfaqet më shpesh kur do të ndërpritet të qarët, por mund të jetë edhe koinçidencë. Epizodat kalojnë, asgjë e keqe nuk i ndodh bebes. Çfarë sjell deri te kolikat? Shkaku nuk njihet. Ekzistojnë më shumë teori pse shfaqen kolikat:
Ushqimi i nënës - disa përbërje në ushqimin e nënës mund të shkaktojnë simptoma të alergjisë dhe të intolerancës te foshnja të cilës i jep gji. Fajësohen disa ushqime të veçanta si lakra, brokri, çokollata, qepa, dhe qumështi i lopës, që mund të shpien deri te krizë kolike te bebja. Disa substanca sociale që i merr nëna -si kafeina dhe nikotina të cilat transmetohen në qumështin e nënës dhe mund të sjellin deri te shqetësimi i foshnjës. Ndjenjë e mbushjes - e mundshme është që kolikat të jenë rezultat i ndjenjës së mbushjes së barkut dhe prezencës së shumë gazrave, dhe këto senzacione t'i interpretojnë si me dhimbje dhe alarmuese. Papjekuri e përgjithshme - periudha e adaptimit në jetën jashtë mitrës mund të zgjas disa muaj. Prapë se prapë, te disa bebe nuk ekziston asnjë nga shkaqet e lartëpërmendura. E rëndësishme është diagnoza mjekësore Foshnjë që qan duhet ta kontrollojë mjeku, që të vërtetohet se nuk bëhet fjalë për ndonjë problem shëndetësor, që shkakton dhimbje. Nuk ka test specifik për kolikë, kështu që mënyra e vetme që të siguroheni se bëhet fjalë për kolikë është që fëmijën ta kontrollojë pediatri. Si t'i ndihmoni foshnjës me kolikë? Ashtu që do ta merrni në dorë, do ta luhatni ose do ta përkëdhelni. Kështu fëmija mëson se ju jeni aty për të, edhe pse nuk arrini ta qetësoni.
Provoni, ndoshta do t'ju ndihmojë ndonjëra nga idetë që vijojnë:
Përgjigjuni shpejtë nëse fëmija juaj qan . Kjo mund të thotë se më vonë do të qaj më pak. Foshnjat që qajnë kanë tendencë ta shtrembërojnë shpinën dhe t'i shtrijnë këmbët. Vendosni fëmijën në pozicion të lakuar, të formës C (pozicion të fleksuar). Kontrolloni të mos ketë shumë nxehtë apo ftohtë apo nuk është rehat për ndonjë arsye tjetër. Shumica e foshnjave qetësohen me pirje gji apo me biberon. Ndonjëherë ndihmon luhatja dhe përkëdhelja. Disa foshnja qetësohen nëse i lani dhe u bëni një masazh të lehtë, por zakonisht kjo nuk ndihmon nëse foshnja ka filluar të qajë. Muzikë e qetë me një ritëm të caktuar, si p.sh. muzika nga kutia muzikore. Ndoshta përpiqeni së tepërmi që ta qetësoni foshnjën. Lëreni pakëz vetëm, që të shihni se a do të qetësohet. Shëtiteni në karrocë ose në mbajtëse speciale, ose vozituni me veturë. Kontrollojeni stresin Që të kujdeseni për foshnjë që qan , dhe nuk mundeni ta qetësoni është diçka shumë shqetësuese. Nëse ndjeni që jeni nën një stres të madh, ju nevojitet pakëz kohë që të qetësoheni.
Sugjerimet që vijojnë mund t'ju ndihmojnë:
Lëreni foshnjën të sigurt te krevati, dhe dilni nga dhoma. Shëtitni nëpër shtëpi ose dilni pakëz jashtë. Qetësohuni ashtu që do të bëni një gjimnastikë të vogël: duke i hequr këmbët, shpinën. Pini çaj, kafe, apo pije të ftohtë ose hani diçka. Bëni ndonjë aktivitet fizik, p.sh. vraponi. Nënës i nevojitet përkrahje Sugjerimet që vijojnë mund t'ju shërbejnë: Ndërrohuni me partnerin tuaj që ta ruaj beben, dhe dilni jashtë për shkurtë. Shfrytëzojeni kohën e lirë për argëtim-p.sh. ndëgjoni muzikë me ndëgjuese në veshë, që të mos e ndëgjoni zërin e foshnjës e cila qan. Kërkoni përkrahje nga anëtarët e tjerë të familjes (p.sh. nga gjyshet). U lejoni të rrijnë me foshnjën derisa qan. Ata mund ta bëjnë këtë për shkurt, duke e ditur që ju do të ktheheni shpejtë. Ndërroni eksperiencë me prindër tjerë, diskutoni për strategjinë e tyre. Mbani mend, kolikat kanë tendencë të kalojnë gjatë javëve që vijojnë. Ku të drejtoheni për këshillë? Pediatri juaj Infermierja e patronazhit Klinika e Pediatrisë[4]

Zhvillimi i foshnjës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Zhvillimi i fëmijës (0 - 3 muaj)[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Zhvillimi social dhe emocional
Nga vetë lindja, të porsalindurit fillojnë të komunikojnë dhe t'ju dërgojnë sinjale pas të cilave duhet të kuptoni se ata janë të lodhur ose të uritur apo përkundrazi, janë të disponuar për lojë. Ata vazhdimisht mësojnë dhe zhvillohen, ndërsa prindërit e kanë për detyrë të ndihmojnë që këto procese të zhvillohen pa pengesa. Duke u kujdesur për beben tuaj ju do të mësoni t'i identifikoni shenjat e saj (“gjuhën e bebeve”). Nëse nuk i njihni dhe nuk u përgjigjeni këtyre sinjaleve, fëmija reagon me të qara. Të porsalindurit nuk e kuptojnë që janë persona të veçantë. Nuk dinë se kush i ushqen dhe kush u ndihmon kur qajnë. Qeshin që nga java 5-7 ndërsa qeshin në zë rreth muajit të tretë. Shumica e bebeve para se të mbushin tre muaj qajnë shumë, sidomos pasdite dhe në mbrëmje. Mos e shkundni për ta qetësuar pasi që mund ta lëndoni. Nga ana tjetër mjedisi rrethues mund të stimulojë tek të porsalindurit e disa orëve imitim të mimikës së të rriturit si protuzion të gjuhës dhe dhe lëvizje të buzëve, duke lënë të shtrohet pyetja për një aftësi sinkronizuese të foshnjës me mjedisin rrethues të foshnjës së posa rritur.
- Të dëgjuarit dhe të parit - Të porsalindurit kanë dëgjim të zhvilluar, ata dëgjojnë tinguj edhe para se të lindin. E kthejnë kokën nga ana prej nga vjen zëri. Muskujt e syve te ata, nuk janë të zhvilluar mjaftueshëm edhe pse ata shohin (sidomos me sy gjysmë të mbyllura), kështu që nuk mund t'i organizojnë fotografitë vizuele në forma me kuptim. I tërheq drita e fortë, ngjyrat e forta . Diku nga java e gjashtë sytë lëvizin së bashku. Objekti i parë që e njeh është fytyra e nënës. Gjatë tre muajve të parë, ata fillojnë të njohin disa fytyra të veçanta dhe sende (p.sh. lodrën e tyre).
- Zhvillimi fizik - Tetë javët e para foshnjat nuk kanë kontroll në lëvizjet dhe aktiviteti i tyre fizik është refleksiv–i pavullnetshëm: ata e lëvizin trupin kur zgjohen; por ata ende nuk dijnë si të veprojnë që me qëllim ta lëvizin ndonjë pjesë të trupit. Prezent janë reflekset primitive – refleksi i të thithurit, i lakmisë, i të kapurit. Rreth javës së tetë mësojnë ta lëvizin kokën derisa janë të shtrirë në bark. Në muajin e tretë i zbulojnë duart dhe shputat e veta dhe i vështrojnë ato se si lëvizin në ajër, fillojnë t'i lëvizin grushtat drejt fytyrës suaj ose drejt ndonjë objekt të cilin duan ta prekin.
- Të folurit dhe gjuha - Për të porsalindurin mënyra e vetme për të komunikuar është të qarit. E rëndësishme është që t'i përgjigjeni sa më herët, që ta kuptojë se ju jeni aty për të. Diku rreth 7-8 javësh fillojnë ta zbulojnë zërin e tyre dhe fillojnë të gugasin dhe të prodhojnë tinguj me zanore. Rreth javës së tetë dëgjojnë derisa u flisni, pastaj u përgjigjen me tinguj të caktuar sikur flisni.
- Si ta nxisni zhvillimin e fëmijës? - Përkrahni zhvillimin e bebes tuaj me aktivitetet që vijojnë: Bëni një lodër mobile dhe e lidhni mbi krevatin që ta shohë. Ledhatojeni beben, i flitni ndjeshëm dhe shfrytëzojeni emrin e saj, i lëshoni muzikë, i këndoni, mbajeni më shumë në dorë, le t'ju shohë në fytyrë derisa i flisni, e luhatni.
- Shenja që sugjerojnë pengesë në zhvillimin e fëmijës - Të gjithë fëmijët janë të ndryshëm dhe zhvillohen me shpejtësi të ndryshme, kështu që nëse fëmija juaj nuk i bën gjërat e lartëpërmendura, nuk do të thotë se është i sëmurë. Megjithatë nëse fëmija juaj dallohet shumë nga fëmijët tjerë, ose jeni të brengosur për zhvillimin e tij ose u duket se ngec kërkoni ndihmë nga profesionisti (pediatër). Shenjat që sugjerojnë që ndoshta vërtetë bëhet fjalë për pengësë në zhvillim janë: Trupin e ka jozakonshëm të plogësht apo të shtangur. Dora apo këmba e njërës anë dallon në krahasim me anën tjetër në tonusin muskular. Gishtat e dorës gjithmonë janë të mbledhura në grusht. Deri në muajin e dytë – tretë nuk i sheh personat rreth vehtes. Nuk bën gu-gu . Thithja e gjirit është e kompromituar. Periudha të gjata të të qarit dhe vështirësi të mëdha që të qetësohet. Fëmija është jozakonshëm i urtë dhe i qetë. - Ku të drejtoheni për ndihmë Pediatri juaj. Infermierja e patronazhit . Klinika e Pediatrisë – Ambulanca Konsultative e Neonatologjisë

Zhvillimi i fëmijës (3-6 muaj)[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në moshë prej tre muajsh shumica e prindërve kënaqen me fëmijën e tyre. Ai veç më i ka kaluar të shumtën e proceseve të adaptimit, karakteristike për përiudhën e të porsalindurit. Foshnja juaj është një qënie sociale e cila kënaqet që është me ju, ndërsa ju jeni mësuar t'i kuptoni porositë e saj dhe të përgjigjeni ashtu siç duhet.
Zhvillimi social dhe emocional
Fëmija juaj tashmë e ka mësuar që ju jeni personi që më shpesh ia plotëson nevojat, por ende s'e kupton që ju jeni person më vehte. Kur mbush katër muaj kënaqet në kontakte dhe në biseda, qesh në zë dhe bërtet nga kënaqësia, shqelmon me këmbë, do njerëz rreth tij, interesohet për rrethin dhe për aktivitete të ndryshme.
Zhvillimi motorik Fëmija juaj fillon t'i kontrollojë pjesët e trupit. Mirë është ta lini një kohë të caktuar të shtrirë në bark, gjatë së cilës i luan duart dhe këmbët. Kështu i forcon muskujt dhe kjo gjë ndihmon të aftësohet për aktivitetin e ardhshëm-zvarritjen. Katër muajsh mund ta ngrejë kokën dhe krahërorin kur është i shtrirë në bark. Në këtë pozitë lëviz (bën lëvizje) me këmbët dhe duart. Tre-katër muajsh luan me gishtat. Mund të mbajë sende për kohë të shkurtë. Mundet me dorën sendet t'i afrojë gjer te goja. Gjashtë muajsh fëmija mund të kthehet prej barkas në shpinë. Nëse e vendosni në pozitë të ulur rrëzohet.
Të dëgjuarit dhe të pamurit Tingujt dhe fotografitë i bëhen më të qarta dhe më të definuara. E rëndësishme është të lejoni të hulumtojë, prandaj i jepni kohë ta analizojë detajisht sendin që e sheh dhe i ndihmoni të koncentrohet. Fëmija ndjek me shiqim, sheh nga një send në tjetër dhe mund të fokusohet në objekte të vogla. E teston percepcionin e tij në atë mënyrë që i kap dhe i fut në gojë sendet që i sheh. Njeh zëra dhe e kthen kokën në atë drejtim. Gjuha dhe të folurit Prodhon më shumë tinguj të ndryshëm dhe tregon interes si punon goja juaj dhe si i prodhoni tingujt. Është shumë e rëndësishme të bisedoni me të. Kur fëmija juaj do të prodhojë tingull, e përsëritni pas tij, ashtu edhe ai do të kuptojë çfarë tingulli ka prodhuar. Ia tregoni gjuhën dhe ushtroni së bashku p.sh. “po”. Në këtë moshë fëmija gugat dhe lëshon zëra nga fyti dhe e kthen kokën nga zërat.
Si ta nxisni zhvillimin e tij? - I flisni fëmijës shumë, bëni grimasa të ndryshme, i këndoni këngë. E vini barkas në dysheme që të luaj për një kohë të caktuar. E lini të xhveshur në dysheme dhe i lejoni të shqelmojë. Vendosni sende me ngjyra të forta që t'i shohë, në distancë që të mund edhe t'i prekë, dhe i thoni që t'i preë. Siguroni më shumë sende (lodra) me të cilat mund të luajë dhe i ndërroni shpesh ose i lëvizni në pozita të ndryshme, kështu që të ketë diçka tjetër për të parë. I vendosni lodrat afër që të mund t'i shohë, t'i prekë dhe të provojë t'i shtyjë.
Shenja që sugjerojnë për pengesë në zhvillim - Fëmijët janë të ndryshëm dhe zhvillohen me shpejtësi të ndryshme, kështu që nëse fëmija juaj nuk mund t'i bëjë të gjitha gjërat që janë të përmendura më lartë ndoshta është ashtu pasi që në moment është i zënë me zhvillimin e ndonjë pjese tjetër të mësimit. Megjithatë, nëse dallon shumë nga fëmijët tjerë të moshës së tij, ose nëse jeni të brengosur për zhvillimin e tij ose ju duket që ngec, kërkoni ndihmë profesionale (pediatër). Shenjat që sugjerojnë në pengesa në zhvillim përfshijnë: Një tonus muskular shumë të dobët ose shumë të potencuar. Nuk i shtrin spontanisht gishtat. Duart dhe këmbët i mban të fiksuara të shumtën e kohës. Nuk i ndjek aktivitete me shikim. Prindërit nuk mund ta qetësojnë tërë kohën. Nuk përparon në peshë. Nuk e njeh nënën dhe anëtarët tjerë të familjes. Nuk tregon interes për rrethin. Nuk reagon në tinguj të fortë. Nuk i ndjek tingujt me shikim. Nuk vokalizon aspak (nuk gugat).
Ku të drejtoheni për ndihmë? Pediatri juaj. Klinika e Pediatrisë – Ambulanca

Zhvillimi i fëmijës (6-9 muaj)[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Zhvillimi social dhe emocional - Diku rreth muajit të gjashtë foshnja e kupton që është person më vehte dhe se edhe ju jeni person më vehte, andaj brengoset nëse nuk ju sheh ose nëse nuk ju ndjen në afërsi. Fillon të njoh ndjenja të ndryshme dhe senzacione-p.sh., ndjenjë urie ose ndjenjë që është i vetëm. Ajo është e aftë ta kuptojë çka është e rëndësishme për të, p.sh. anëtarët e familjes. I shpreh ndjenjat e saj-p.sh. dëshira ta merrni në duar ose t'i jepni ndonjë lodër. Kënaqet të flasë apo të luajë me ndonjë, kjo është mosha kur fëmija është shumë i shoqërueshëm.

Zhvillimi motorik - Në këtë periudhë foshnja fut në gojë gjithçka. Buzët dhe gjuha janë pjesët më të ndjeshme të trupit dhe përmes tyre fëmija merr të dhëna për formën, përbërjen dhe shijen. Fillon të haj ë ushqim të fortë, në fillim e miksuar e më vonë vetëm e imtësuar, nën kontrollin tuaj. Për të është e vështirë të përtyp, pasi gjer atëherë vetëm ka thithur, prandaj mund ta mbajë ushqimin në gojë. Mëson që diçka guxon ta gëlltis si për shembull ushqimin, e diçka jo, p.sh. lodrën. Gjatë këtyre katër muajve fëmija juaj do të jetë i aftë: Të kthehet nga barkas në shpinë dhe anasjelltas. Të rrijë vetëm ca çaste nëse e veni në pozitë të ulur, më vonë do të mësojë të rrijë edhe pa e mbajtur. Të ngrihet kur është i shtrirë në bark. I shtrirë në bark, fillon të lëviz në fillim në stil komandos (duke u shtyrë me duart) e pastaj zvarritet. E kap trokatësen dhe e shkund. E kalon lodrën nga njëra dorë në tjetrën. I kap këmbët, luan me to dhe i fut në gojë. Të parit dhe të dëgjuarit Foshnja juaj është e aftë të: Fokusojë sende të vogla, pasi që tashmë muskujt e syve funksionojnë mirë. Percepton thellësi, prandaj frikësohet nga lartësia dhe nga rrëzimi. Kthehet kah zërave dhe tingujve që i njeh. Vetë prodhon tinguj, jo vetëm verbalisht por edhe duke i goditur sendet.

Të folurit dhe gjuha - Tingujt që i krijon ngjasojnë në fjalë të vërteta. Fëmija juaj: Sigurisht do të shqiptojë njera pas tjetrës një zanore dhe një bashkëtingëllore, si nëna ose babi. Fjala “nëna” është fjala e parë që ndoshta do ta thotë, por jo se e kupton domethënien e saj. Mëson të shfrytëzojë tinguj të ndryshëm kështu që do të mësojë si të reagojë në to. Kënaqet në zërat që i krijon. Eksperimenton me imitimin e tingujve të ndryshëm, si klik, zëra të ndryshëm me buzët si dhe me zëra që ngjasojnë në fjalë. Shfrytëzon më shumë fjalë dhe zëra të ndryshëm që të shprehë emocione të ndryshme. Ndëgjon me vëmendje kur flisni, dhe mundohet t'ju përgjigjet duke shfrytëzuar tinguj bebesh të pakuptueshëm.

Si ta nxisni zhvillimin e fëmijës tuaj? - Bebet kanë nevojë më të madhe për të qënë në komunikim me njërëzit tjerë, se sa të luajnë me lodra. I flisni duke e parë në sy. Luani lojra si “këtu është hunda jote e kjo është hunda e nënës” Luani lojra me kapjen dhe lëshimin e lodrës nga dora, më shumë herë (fëmijët e duan këtë lojë në këtë moshë). Luani symbyllazi në atë mënyrë që ta fshihni fytyrën tuaj pas ndonjë libri dhe ngjashëm. Pastaj, thireni në emër kur do të paraqiteni.

Shenja që sugjerojnë për pengesë në zhvillim - Fëmijët zhvillohen me shpejtësi të ndryshme, kështu që nëse fëmija juaj nuk mund t'i bëjë të gjitha gjërat që janë të përmendura më lartë nuk do të thotë që ka pengesë në zhvillim. Megjithatë, nëse dallon shumë nga fëmijët e tjerë të moshës së tij, ose nëse jeni të brengosur për zhvillimin e tij ose ju duket që ngec, kërkoni ndihmë profesionale (pediatër). Shenjat që sugjerojnë në pengesa në zhvillim përfshijnë: Nuk mund të rrijnë ulur. Nuk buzëqeshin e as qeshin në zë. Pamundësi të kapin dhe të mbajnë sende. Nuk mund të kapin një send dhe ta fusin në gojë. Nuk kthehen kur i thërrisni në emër. Tregojnë rezistencë gjatë dhënies së ushqimit të fortë. Pamundësi të krijojnë tinguj dhe zëra të ndryshëm. Pamundësi për të kontaktuar me shikim. Nuk shfaqin gëzim kur i shohin të afërmit. Duken sikur nuk e njohin nënën e tyre dhe anëtarët e tjerë të familjes. Ku të drejtoheni për ndihmë? - Pediatri juaj. Klinika e Pediatrisë – Ambulanca Konsultative e Ne urologjisë

Zhvillimi i fëmijës (9-12 muaj)[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Zhvillimi social dhe emocional - Fëmija juaj “flet” duke prodhuar zëra të njohshëm, do që t'i flisni dhe t'i përsërisni fjalë të thjeshta. Zakonisht frikësohet nga të panjohur, por formon relacione të posaçme me anëtarët e familjes. Personaliteti i tij u bëhet më i qartë. Karakteristikat e zhvillimit në këtë periudhë janë këto: Ata e dinë se kur dilni jashtë e kur do të ktheheni, dhe se ju jeni këtu, edhe pse nuk mund t'ju shohin-loja e tyre e preferuar ende është symbyllazi. Ata ende mendojnë që nëse ata nuk ju shohin juve, edhe ju nuk i shihni ata. Kuptojnë se janë persona të veçantë dhe mund ta njohin vehten në pasqyrë. Tashmë kanë krijuar konkluzione rreth asaj se ç'duan e çfarë nuk duan -kundërvihen nëse orvateni të bëni restrikcione të caktuara. Qeshin dhe “llomotisin” dhe mundohen të kyçen në konverzacion. Mund të imitojnë lëvizje të thejshta me duart p.sh. “u bie shuplakave” ose “pa-pa”. Ata janë shumë të ndjeshëm, të varur nga ju dhe të kujdesshëm me të huaj.

Zhvillimi motorik = Kthesa e madhe në zhvillimin motorik është kur do fillojnë të lëvizin vetë. Mund të shtyhen me duart, të lakohen ose të zvarriten. Ose të ecin me ndihmën e dubakut. Problemi kryesor tani është siguria. Duhet t'i siguroni të gjitha pikat e rrezikshme në shtëpi, të jenë larg fëmijës. Për këtë periudhë karakteristike është: Orvaten të ngrihen duke u mbajtur për mobiljesh. Disa bebe ecin, edhe pse shumica do të fillojnë të ecin gjatë muajve që vijojnë. Mund të kapin ndonjë send, me ndihmën e gishtave. Tregojnë kah sendet me gisht dhe mund të mbartin sendin nga njëra dorë te tjetra. Nuk munden ta vendosin sendin te vendi por shpesh e hedhin nëse u bezdiset. Nuk mund të rrijnë ulur gjatë nëse nuk i mbani. Është e mundshme që të fillojnë të ushqehen vetë, të ulur në karrike speciale, por zakonisht më interesant e kanë ta thithin ose ta mbajnë ushqimin në gojë se sa ta hanë. Mund të pijnë nga gotë speciale për ta.

Gjuha dhe të folurit - Bebeja juaj e kupton qëllimin e bisedës, dhe nëse nuk mund të shqiptojë fjalë të kuptueshme, “flet” me ju me intonacion të saktë të zërit. Bebeja juaj: Mund të thotë fjalë të thjeshta si në-na, ba-ba. I njeh disa fjalë. Lëviz me kokën që të thotë jo. Tingujt që i prodhon tashmë janë më specifike për gjuhën e tij personale. Do muzikë dhe ritëm, dhe kërcen dhe luan pas ritmit. Do përsëritje të këngëve. Si ta nxisni zhvillimin? Fëmijët e kësaj moshe më shumë duan që të jenë me njerëz, por tregojnë interes edhe për lodra sidomos për lodra që lëvizin dhe bëjnë zhurmë. Sugjerimet që vijojnë ndikojnë në mënyrë nxitëse për zhvillimin: I bëni kuti në kuzhinë, të cilën ai vetë mund ta mbyllë dhe ta hapë. I jepni kusi dhe lugë që të trokasë. I këndoni këngë dhe ia përsëritni refrenet. Vallëzoni me të derisa i këndoni. Furnizohuni me libra të zakonshëm me fotografi të qarta (libra të ilustruar). Luani symbyllazi. I flisni shumë. Uleni te vendi i tij dhe e rrethoheni me lodra që të luajë. I jepni të ngasë troler ose karrocë të vogël. Shenja që sugjerojnë në pengesa në zhvillim Fëmijët zhvillohen me shpejtësi të ndryshme, kështu që nëse fëmija juaj nuk mund t'i bëjë të gjitha gjërat që janë të përmendura më lartë nuk do të thotë që ka pengesë në zhvillim. Megjithatë, nëse dallon shumë nga fëmijët tjerë të moshës së tij, ose nëse jeni të brengosur për zhvillimin e tij ose ju duket që ngec, kërkoni ndihmë profesionale (pediatër).

Shenjat që sugjerojnë në pengesa në zhvillim përfshijnë: Nuk tregon gëzim kur sheh person që e njeh. Nuk tregon frikë kur e largojnë nga ai që kujdeset për të. Nuk rri ulur në moshë prej 9-10 muajsh. Nuk fillon të lëviz përreth, në asnjë mënyrë. Nuk interesohet për sendet. Gugatja nuk bëhet më komplekse. Nuk gugat në konverzacion me të tjerë. Ku të drejtoheni për ndihmë? Pediatri juaj Instituti për Nëna dhe Fëmijë Klinika e Pediatrisë, Ambulanca Konsultative Neurologjike

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ "Neonate". Merriam-Webster online dictionary (në anglisht). Merriam-Webster. Arkivuar nga origjinali më 2007-03-11. Marrë më 2007-03-27.
  2. ^ "Infancy". Law.com Legal Dictionary (në anglisht). Law.com. Arkivuar nga origjinali më 2015-09-05. Marrë më 2015-09-30.
  3. ^ Pajazit Nushi:Leksikon i Psikologjisë, Vëllimi I, (A-M). Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2014, fq. 254.
  4. ^ http://www.bebaime.com/nenat-shkruajne/kolik-infantile-

Literatura[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Një kategori në Wikimedia Commons përmban dokumente multimediale për Foshnja.
Wiki WikiFjalori: Foshnja – shfletoni më shumë në fjalorin e lirë