Halit bej Bërzeshta

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Halit bej Berzeshta, 1840-1909

Halit bej Bërzeshta i njohur nga bashkëkohësit si Bej Baba (Bërzeshtë, 1840 - Selanik, 24 janar 1909) ka qenë një veprimtar i Rilindjes Kombëtare dhe mjek ushtarak i Perandorisë Osmane.

Mid'hat Frashëri shkruante më 1926 te Kalendari Kombiar "çë ishte predikonjësi i FrashëritStamboll, ashtú ishte edhe Halidi në Manastir".[1] Konica në memuaret e veta për lëvizjen kombëtare e përshkruan "patriot të shkëlqyer, që shpërndau idetë e veta ndër njerëzit që e rrethonin".[2]

Biografi[redakto | përpunoni burim]

U lind më 1840 në familjen e Sali Vretos në fshatin Bërzeshtë,[3] asokohe në kazanë e Starovës, mësimet e para i mori në mejtep nga hoxha i fshatit.[4] I ati mori rrugët e mërgimit për në Stamboll, ku nisi punë me mëditje si bahçevan te një çifligar,[5] ku më pas mori të birin. Tek po i njëjti çifligar punonin edhe kushërinjtë - Beqiri me të katër djemtë: Ymeri, Ibrahimi, Ismaili dhe Aliu.[6]

Vijoi shkollimin e mesëm në Stamboll, ku përparoi në mësimin e turqishtes e arabishtes.[4] Në moshën trembëdhjetë vjeçare i vdes i ati, kështu që nisi të siguronte jetesën dhe të kryente shkollën. Që të kryente shkollimin, për të u përkujdes kushëriri i tij, Ibrahimi[7] dhe kësodore ndoqi shkollën e lartë mjekësore ushtarake Askeri Tıbbiye İdadisi.[8] Më 1866 Ibrahimi u transferua me detyrë në Janinë, ku Haliti e ndoqi, dhe aty u njoh me vëllezërit Frashëri e në veçanti me Naimin.[9]

Më 1872-73 e thirrëm në Stamboll, ku vijoi veprimtarinë si farmacist dhe pas disa vitesh u emërtua kryefarmacist (bashezaxhi) i oborrit perandorak. Pas ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit, u delegua me punë në Manastir si kryefarmacist i korparmatës III.[10][11] Aty themeloi më 1896 Organizatën e fshehtë të shqiptarëve të Manastirit, së bashku me Fehim bej Zavalanin, Qiriazët, Sabri e Shefqet Frashërin[12][13] dhe shtëpia e tij u bë vendtakimi ku rakordohej për veprimin në bashkërendim me Komitetin e Stambollit për përhapjen e librave shqip me Shahin Kolonjën dhe idetë kombëtare në vilajet, ku bashkë me Zavalanin ishte më aktivi.[14] Kësodore nisi të përhapte këto tekste në vendlindje që më 1890, dhe për Dibrën e Ohrin bashkëpunonte me Hoxhë Vokën dhe Hamdi bej Çoku-Ohrin,[15] lider i shqiptarëve nacionalistë të Ohrit dhe Prespës.[16]

Vitet e fundit të shekullit XIX, ishte në kontakt të vazhdueshëm me Haxhi ZekënLidhjes së Pejës dhe komiteteve që ishin krijuar për kërkesat e autonomisë së vilajeteve shqiptare. Përsëriti vendimet e marra nga Lidhja në një kuvend në Dibër, dhe shtriu ndikimin për pajtim gjaqesh dhe mosgrabitjesh edhe ndër viset nga kishte prejardhjen e malësinë e Mokrës.[17] Vitet e mëpasme ndihmoi ekonomikisht shkollën e vajzave në Korçë deri në vetëmohim.[18]

Më 1905 u formua selia e klubit "Bashkimi" në Manastir,[19] njohur si Komiteti i fshehtë për lirinë e Shqipërisë nën prirjen e Halit Beut, me Zavalanin, Bajo Topullin, Sejfi Vllamasin, Gjergj Qiriazin,[11] Jashar Bitinckën, Aleksandër Baltadorin, Nuçi Naçin etj.[20] Pati ndikim të madh më vonë në dezertimet të shqiptarëve nga ushtria osmane për të formuar çeta komitësh.[21] Për veprimtarinë e tij propaganduese u arrestua nga autoritetet osmane (verën[22]) vjeshtën e 1907, në gjyqin ushtarak që iu bë u dënua me internim në Beirut dhe Damask. Kjo ngjati deri me Revolucionin Xhonturk të 1908, u kthye në Selanik, ku u emërua drejtor i spitalit ushtarak dhe brenda më pak se një viti, më 24 janar 1909 ndërroi jetë.[23]

Referencat[redakto | përpunoni burim]

  1. ^ Skëndo, Lumo (1926). "Një fytyrë e paharúarëshme" (PDF). Kalendari Kombiar v. 21: 114–116. 
  2. ^ "1899: Faïk Bey Konitza: Memoir on the Albanian National Movement". albanianhistory.net. 
  3. ^ Hoxha 1988, p. 7.
  4. ^ a b Hoxha 1988, p. 15.
  5. ^ Hoxha 1988, p. 13.
  6. ^ Hoxha 1988, p. 14.
  7. ^ Hoxha 1988, p. 16.
  8. ^ Hoxha 1988, p. 18.
  9. ^ Hoxha 1988, pp. 18-19.
  10. ^ Hoxha 1988, pp. 22, 26.
  11. ^ a b Clayer, Nathalie (2007). Aux origines du nationalisme albanais: la naissance d'une nation majoritairement musulmane en Europe. Karthala. f. 427, 546, 564.  9782845868168. 
  12. ^ Hoxha 1988, p. 43.
  13. ^ Reshat Nexhipi. Shtypja dhe rezistenca shqiptare në Maqedoni nëpër shekuj. Manastir: [s.n.] f. 149.  78705393. 
  14. ^ Vebi Xhemaili (2013-11-14), Manastiri qender e levizjes kombetare shqiptare dhe reformat e Myrstagut [Monastir, center of Albanian national movement and Murstag Reforms], zemrashqiptare.net, marrë më 2013-12-29, Në këtë kohë më aktivë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në Manastir ishin: Halit Bërzeshta dhe Fehim Zavalani 
  15. ^ Hoxha 1988, pp. 25, 35-36.
  16. ^ Vlora, Eqrem bej (2003). Kujtime 1885-1925. Përkthyer nga Afrim Koçi. Tiranë: IDK. f. 274.  99927-780-6-7. 
  17. ^ Hoxha 1988, pp. 62, 68-69.
  18. ^ Hoxha 1988, pp. 75-76.
  19. ^ Castellan, Georges (2002). Histoire de l'Albanie et des Albanais. Armeline. f. 51.  9782910878207. 
  20. ^ Hoxha 1988, p. 87.
  21. ^ Hoxha 1988, pp. 95-96.
  22. ^ Vllamasi, Sejfi (2012). Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942). Tiranë: Vllamasi. f. 45.  978-9928-140-54-8. 
  23. ^ Hoxha 1988, p. 104.

Literatura[redakto | përpunoni burim]

  • Hoxha, Sherif (1988). Halit Bërzeshta. Tiranë: 8 nëntori.  165430847.