Letërnjoftimi i Shqipërisë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Leternjoftimi shqiptar biometrik. 2009
Ana e pasme e leternjoftimit biometrik

Letërnjoftimi (ose Karta e Identitetit) është dokument zyrtar[1] që shërben për të vërtetuar identitetin, shtetësinë dhe vendbanimin e shtetasve të Shqipërisë. Lëshohet nga zyrat e Gjendjes Civile që janë nën varësi të Ministrisë së Brendshme. Formati aktual është elektronik dhe biometrik. Letërnjoftimi shqiptar mund të përdoret edhe si dokument udhëtimi ndërkombëtar, në vend të pasaportës, në bazë të marrëveshjeve përkatëse me shtete të ndryshme [2].

Historia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Deri në vitin 1991 letërnjoftimi shpesh quhej edhe pasaportë[3] dhe kishte formen e një blloku të ngjashëm me pasaportën. Shtetasi në periudhën e regjimit komunist nuk lejohej të vendosej lirisht për të jetuar në një territor te caktuar pa lejen e autoriteteve. Pra ajo që sot quhet Rezidencë në të kaluarën quhej Pasaportizim ose leje për të jetuar në një vend të caktuar. Ky model ishte pak a shumë i ngjashëm me atë sovjetik (Propiska) ku shtetasit kishin nje pasaportë edhe për tu zhvendosur ose jetuar nëpër territorin e Bashkimit Sovjetik.

Për plot 18 vjet që nga ndryshimi i sistemit politik, Republika e Shqipërisë nuk ka lëshuar më letërnjoftime për qytetarët e saj. Në mungesë te këtij dokumenti qytetarët ishin të detyruar të siguronin çertifikata lindjeje me fotografi. Kjo shkaktonte humbje kohe si dhe detyrimin që për çdo akt publik duhet të paraqitnin një çertifikatë të re.

Duke filluar nga viti 2007, në bashkëpunim me OSBE, u bë i mundur regjistrimi elektronik i popullsisë në një database qendrore. Pas kësaj, autoritetet ngritën një tender ndërkombëtar për përcaktimin e kompanisë që do të prodhonte letërnjoftimet të cilin e fitoi kompania franceze Sagem Sécurité (Morfo, Safran Group)[4]. Proçesi i lëshimit të letërnjoftimeve startoi më 12 janar 2009. Këto dokumenta janë të një cilësie dhe saktësie shumë të lartë pasi mbështeten direkt në Regjistrin Themeltar të centralizuar të shtetasve në trajtë elektronike. Ky regjistër është on-line për futje të dhënash dhe përdorim nga të gjitha zyrat e Gjendjes Civile në të gjithë territorin shqiptar por e ka qendrën e përpunimit dhe zhvillimit në Tiranë. Në këtë regjistër mbështetet edhe sistemi i ri i adresave dhe i ndarjes territoriale te Shqipërisë. Me kartat e reja të identitetit do të bëhet jo vetëm identifikimi i personave por edhe ndërlidhja e tyre me një territor të caktuar. Në kartë do të jetë i stamposur edhe një numër unik që do ta ketë vetëm ai person dhe do ta identifikojë atë kundrejt Administratës Publike për çështje tatimore, shëndetësore, sigurimesh shoqërore, etj. Brenga qytetare e çertifikatave te pafundme, me anë të letërnjoftimeve të reja, eliminohet një herë e përgjithmonë pasi ky dokument e vërteton në mënyrë të patjetërsueshme identitetin e qytetarit shqiptar në çdo kohë dhe hapësirë[5].

Tiparet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ideimi dhe mënyra e prodhimit e dokumentave shqiptarë të identitetit ku gjithçka kryhet përballë një nëpunësi të vetëm në mënyrë të shpejtë dhe të integruar (identifikimi, fotografimi, marrja e shenjave të gishtave, firma e skanerizuar) i bën këto dokumenta nga më të sigurtët dhe më pararojë në botë. Letërnjoftimi është plastik dhe ka formën e një kartë krediti. Në anën ballore ka foton që ripërsëritet anash dhe të dhënat të shprehura në shqip dhe anglisht: mbiemri, emri, shtetësia, vendlindja, datëlindja, data e lëshimit dhe e skadencës, autoriteti lëshues, firma e mbajtësit, numri i kartës, gjinia dhe numri personal. Përmbi foto është aplikuar edhe një mikropullë holografike me reflektim. Ana e pasme ka të shtypur një tekst alfanumerik që e bën kartën të lexueshme edhe me skaner optikt. Mikroproçesori që ndodhet i integruar ne kartë, dhe i dukshëm në anën e pasme, do të përmbajë elementë biometrikë të personave si: gjurmët e gishtave, fotografinë, firmën, adresën, etj. Nxjerrja e të dhënave nga mikrochipi bëhet me anë të teknologjisë wireless RFID (Radio Frequency IDentification). Vlefshmëria e letërnjoftimit është 10 vjet.

Procedurat për paisje[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Marrja e shenjave te gishtave
  • Qytetari duhet të paguajë në zyrën postare shumën prej 1.500 lekë.
  • Me kuponin që lëshon posta duhet të paraqitet në zyrën e gjendjes civile apostafat e pajisur me aparaturat elektronike me të cilat do të fotografohet aty për aty dhe do ti merren shenjat e 10 gishtave. Të gjitha këto në mënyre digjitale, pra pa përdorimin e bojës.
  • Pas rreth 15 ditësh, qytetari duhet të kthehet personalisht po në atë zyrë për të tërhequr letërnjoftimin i cili aktivizohet (inicializohet) me anë të shtypjes me gisht në një aparaturë te posaçme e cila lexon dhe njeh gjurmën e gishtit dhe automatikisht e aktivizon kartën.

Në bazë të ligjit, shtetasit shqiptarë janë të detyruar të paisen me letërnjoftim pasi të mbushin moshën 16 vjeç [6].

Letërnjoftimi si dokument udhëtimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Vendet në të cilët mund të udhëtohet duke përdorur vetëm letërnjoftimin shqiptar si dokument për kalimin e kufirit:

Galeri[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shiko edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Burimi i të dhënave[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Ligji për dokumentin e identitetit[lidhje e vdekur]
  2. ^ Marrëveshje trepalëshe SHQ-MZ-MQ për qarkullim vetëm me letërnjoftim përkatës
  3. ^ Ligji për paisje me Letërnjoftim, 1958[lidhje e vdekur]
  4. ^ "Albania selects Sagem Sécurité (Safran Group) for secure ID documents". Arkivuar nga origjinali më 26 maj 2012. Marrë më 14 dhjetor 2011. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ Njohja e letërnjoftimit elektronik si dokument kryesor identifikimi[lidhje e vdekur]
  6. ^ "Vendim për paisje me letërnjoftim" (PDF). Arkivuar nga origjinali (PDF) më 11 shkurt 2014. Marrë më 1 korrik 2009. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)