Jump to content

Theksi në gjuhën shqipe

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Gjuha shqipe, si një degë e veçantë e familjes indoevropiane pa lidhje të ngushta me asnjërën prej degëve të tjera, duke kaluar nëpër një rrugë të veçantë në evolucionin e sistemit fonologjik e gramatikor, dallohet për tiparet e saj në fushën e theksimit të fjalës.

Veçoritë themelore të theksit të shqipes janë:

  1. Lidhur me llojin e theksit, shqipja ka theks të fuqishëm dinamik;
  2. Lidhur me lëvizjen e tij, shqipja ka theks të ngulitur në paradigmat e eptimit;
  3. Lidhur me vendin e theksit brenda fjalës, shqipja ka prirje për theksimin e rrokjeve parafundore.

Në periudhën historike të zhvillimit të saj, gjuha shqipe karakterizohet nga një theks i fuqishëm dinamik. Theksi dinamik është një dukuri e lashtë e gjuhës shqipe, si rrjedhim, në rrafshin indoevropian ajo afrohet me gjuhët gjermanike, kelte, italike, balto-sllave, armene, etj., që kanë pasur një theks të tillë. Në gjuhët me theks dinamik ose intensiv, rrokja e theksuar dallohet nga të tjerat për fuqinë a intensitetit e shqiptimit, kështu, rrokja e theksuar shqiptohet më me fuqi se të tjerat, kurse të patheksuarat shqiptohen më dobët.

Pasojat e theksit dinamik në gjuhën shqipe janë:

  • Ndërmjet zanoreve të theksuara e të patheksuara janë krijuar dallime në gjatësitë e tyre;
  • Zanoret e patheksuara kanë rënë në pozicione të ndryshme të fjalës, sidomos në ballë e në fund, në mjaft raste edhe në trup të saj;
  • Është krijuar një zanore e rrëgjuar, fonema /ë/, në të cilën janë shndërruar zanoret e patheksuara të shqipes në pozicione të ndryshme, në trup të fjalës e në fund të saj;
  • Fjalët e patheksuara brenda fjalisë (trajtat e shkurtra, nyjat, parafjalët, pjesëzat, etj.) i janë nënshtruar një rrëgjimi të njëjtë me zanoret e rrokjeve të patheksuara të fjalëve.[1]

Për t'i krahasuar veçoritë e zanoreve të theksuara e të patheksuara në të njëjtat pozita fonetike në çifte fjalësh, i marrim fjalët:

Kundërvënia
á - í kujdestári (kujdestar-i) kujdestarí (kujdestari-a)
ó - í punëtóri (punëtor-i) punëtorí (punëtori-a)

Lëvizja e theksit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në gjuhën shqipe, e cila e ka riorganizuar sistemin e eptimit, theksi nuk është i lëvizshëm dhe nuk vendoset në mbaresë. Por nuk mungojnë edhe gjurmët e vjetra të asaj kohe kur theksi ka qenë i lëvizshëm.[2] Kjo duket në fjalë që lidhen etimologjikisht me njëra-tjetrën, por kanë pozicione të ndryshme të theksit. Kështu lidhen ndërmjet tyre mbiemri (i) poshtër dhe ndajfolja pështjerë[a], që kanë dalë nga e njëjta fjalë, por me pozicione të ndryshme të theksit. Këto gjurmë të pakta të lëvizjes së theksit janë mbeturina të një kohe të lashtë, ndërsa që nga koha romake e këndej, theksi i fjalëve të shqipes nuk lëviz më, domethënë ai qëndron në të gjitha trajtat në rrokjen e njëjtë (khs. hékur ~ hékuri ~ hékura ~ hékurave).[3]

shqipen standarde, theksi i fjalës është i lirë dhe nuk është i lidhur me një rrokje të caktuar, siç ndodh me gjuhët me theks të ngulitur si maqedonishtja, çekishtja, etj.. Ai nuk ndryshon vend gjatë lakimit dhe zgjedhimit. Përveç theksit kryesor, në shqipen standarde ka edhe një theks dytësor, i cili bie mbi temën e parë të fjalëve të përbëra: [,hekur'udh] "hekurudhë".[4]

Shqipja bën pjesë në grupin e gjuhëve me theks në rrokjen e parafundit (theks parafundor), por karakteri parafundor i theksit të kësaj gjuhe duhet pranuar në aspektin morfologjik, meqenëse mbaresat në gjuhën shqipe nuk theksohen, rrjedhimisht, duke pasur mbaresa me një rrokje krijohen fjalë me theks parafundor (khs. fush-ë, fush-e, fush-a, ha-më, ha-ni). Duke pasur theks të ngulitur në njërën rrokje ku nuk janë treguesit gramatikorë, theksi i fjalës në gjuhën shqipe mund të qëndrojë në rrokje të ndryshme. Më shpesh gjendet në rrokjen e parafundit (fushë, lule) ose në rrokje të fundit (qytet, shiko); më rrallë qëndron në rrokjen e tretë nga fundi (fushave, ndeshemi) ose në të katërtën (hekurave, punuakemi).

Me kalimin e kohës, një gjuhë mund të kalojë nga një lloj theksimi në një tjetër. Një ndryshim i këtillë ka ndodhur në gjuhën shqipe. Materialet gjuhësore dëshmojnë se në një fazë më të hershme, shqipja ka pasur theks nistor (theks në rrokjen e parë të fjalës).[5] Këtë tip theksimi, shqipja e ka trashëguar nga nëna e saj (supozohet ilirishtja)[6] dhe meqenëse ka prekur edhe huazimet nga gjuha latine, mund të thuhet se theksimi nistor ka qenë i gjallë deri në kohën e fillimit të marrëdhënieve të shqipes me këtë gjuhë.

  1. ^ Topalli 2007, p. 63
  2. ^ Çabej 1976, p. 206
  3. ^ Topalli 2007, pp. 64 - 65
  4. ^ Beci 2004, p. 128
  5. ^ Topalli 2007, pp. 66-67
  6. ^ Çabej, Eqrem. Ilirishtja dhe shqipja. IGS. fq. 50.
  1. ^ Kjo ndajfolje del te autorët e vjetër me kuptimin "poshtë"; khs. te Buzuku e kā qyrë ṃbë gjithë qish anshtë pështjerë ṃbë qiellt e ṃbë dhēt? "et humilia respicit in caelo et in terra?" (XII b - Psalmet 112, 6); Bogdani u dorgj pështjerë n'qiellshit nji zā "scese giù dal cielo una voce" (CP II 88, 13).
  • Topalli, Kolec (2007). Fonetika historike e gjuhës shqipe. Tiranë: DITURIA. ISBN 978-99943-46-08-0.
  • Çabej, Eqrem (1976). Hyrje në historinë e gjuhës shqipe II. Tiranë.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  • Beci, Bahri (2004). Fonetika e shqipes standarde. Prishtinë. ISBN 9951-07-202-X.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]