Jump to content

Xhaferr Deva

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Xhaferr Deva
Skeda:Xhafer deva.gif
Ministër i Mbrendshëm
Në detyrë
14 shtator, 1943 – 18 korrik, 1944
Paraprirë ngaKolë Bibë Mirakaj
Pasuar ngaFiqri Dine
Të dhëna vetjake
U lind më21 shkurt, 1904
Mitrovicë, Perandoria Osmane
Vdiq më25 maj, 1978
Palo Alto, Shtetet e Bashkuara të Amerikës
NënshtetësiaShqiptar
Partia politikeLidhja e Dytë e Prizrenit
ArsimimiRobert College, Stamboll
Punësimiekonomist, nëpunës, sipërmarrës

Xhaferr Deva (Mitrovicë, 21 shkurt 1904 - Palo Alto, Kaliforni 25 maj 1978) ka qenë llogaritar, inxhinier pyjor, sipërmarrës, nëpunës, Ministër i Brendshëm i Shqipërisë, veprimtar antikomunist në mërgim dhe lektor.

Lindi nё Mitrovicё më 21 shkurt 1904 si djali i pestë, ndër shtatë djemt e Ibrahim agë Devës dhe Esmës nga familja Osmani. I ati i Xhaferrit ishte me origjinë nga Deva, kishte jetuar e punuar në Nish, ku kishte qenë ndër tregtarët më të njohur[1] dhe vijoi veprimtarinë e tij si grosist druri edhe në vendbanimin e ri ku u vendos si muhaxhir.

Mësimet fillestare i kreu në Mitrovicë, dhe të mesmen në Selanik para Luftës Ballkanike. Më pas vazhdoi shkollimin e tij në Stamboll në "Robert College" për tregti - shkolla më e vjetër amerikane jashtë territorit të Shteteve të Bashkuara, që në gjuhën turke quhet: İstanbul Amerikan Robert Lisesi, ku mësoi anglishten. Ndoqi kurse për Pyjëtari në Vjenë.

Pas “Robert Kolexhit” në Stamboll, Deva u vendos në Aleksandri si punonjës në Bankën Osmane. Duke vuajtur nga reumatizmi, la Egjiptin dhe shkoi për kurim në Austri. U rikthye në vendlindje më 1932 për t'u përkujdesur dhe për ta mbarështuar më tej sipërmarrjen drusore,[2] manifaturën dhe 8 mijë lirat turke që i la i ati i ndjerë. Me paratë ndërtoi një punishte bashkëkohore për përpunimin e drurit, pjesët e së cilës i solli nga Çekosllovakia.[1]

Qe kryetar i dhomës së tregtisë të Mitrovicës dhe anëtar i bordit financiar të njësisë administrative.[3]

Veprimtaria politike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Hyn në politikë pas pushtimit të Mbretërisë Serbo-kroato-sllovene më 17 prill 1941, pёr organizimin e pushtetit nё rajonin Mitrovicë-Podujevё-Vushtrri, që ishte ajo pjesë e trevës së Kosovёs nёn pushtimin gjerman. I cilësuar si njeri i afërt me të Plotfuqishmin e Reich-ut në Europën Juglindore Hermann Neubacher,[4] të cilit i kishte fituar besimin; themeloi administratën me nëpunës, agronomë, arsimtarë shqiptarë. Mendohet të ketë punuar pranë Abwehr, shërbimit informativ ushtarak gjerman për një kohe të pacaktuar.[5] Në bashkëpunim me Rexhep Krasniqin dhe Ernest Koliqin, hap shkolla shqipe në territoret shqiptare të ish-Mbretërisë SKS, e drejtë e cila ishte mohuar nga ish-mbretëria.[6][7]

Pasi takoi Neubacher në Beograd, niset për Tiranë[3] me Ago Agajn dhe me vete batalionin "Kosova". Deva merr postin e min. të Brendshëm në qeverinë Mitrovica.

Më 14 shtator 1943 dhe deri nё mbarim tё luftёs ishte kryetar i organizatёs Lidhja e Dytё e Prizrenit dhe drejtoi qendresёn pёr tё penguar futjen e trupave partizane jugosllave nё Kosovё. Në muajt e pranverës ngarkon një ndër krerët e "Lidhjes së Dytë të Prizrenit", Bedri Pejanin, të krijonte divizionin SS "Skanderbeg" - emri i plotë zyrtar: 21. Waffen-Gebirgs Division der SS Skanderbeg (Albanische Nr.1).

Nё shtator të 1944 Shefqet Verlaci pat propozuar Devën të bëhej kryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme, por ky propozim nuk u pëlqye nga shumica e asaj kohe.

Mbas arratisjes ne Austri me 1944, rekrutohet nga CIA amerikane dhe sherben si agjent deri ne fund te jetes se tij.[1]

Pas mbarimit tё luftёs shkoi nё Austri në dhjetor të 1944, mandej në Itali, nga Italia në Egjipt më 1947 ku takohet me Mbretin Zog. Takoi anëtarët e grupeve politike të ndryshme dhe nënshkroi një protokoll të quajtur "Protokolli i Aleksandrisë" me katër pika.[3]

Nga Egjipti në Damask të Sirisë në fund të 1947. Këtu filloi një aktivitet politik, sikurse botimi i gazetës "Bashkimi i Kombit" në vitin 1948, si zëdhënse e parë e nacionalizmit shqiptar, pas Luftës II Botërore. Në shkurt të vitit 1948 ambasada amerikane në Romë e thërret, ku dhe kthehet. Nga 20 prill 1950 largohet drejt Greqisë e Turqisë e Egjiptit që të takonte dhe rekrutonte njerëz në dobi të axhendës së Komitetit Kombëtar "Shqipëria e Lirë"[3] dhe operacionin "Valuable". I zhgënjyer, kthehet në Romë ku punoi pranë Zyrës Polake për Ndihmën e Emigrantëve duke mbledhur fonde për emigrantët shqiptarë.[8]

Në vitin 1956, Deva shkoi në Amerikë. Në fillim jetoi e punoi në New York, më vonë në Boston, kurse në vitin 1960 shkoi në Kaliforni, ku vendoset në Calavera County.

1966 rikrijoi organizatёn "Lidhja e Tretë të Prizrenit në Mërgim", qё propagandoi çlirimin e Kosovёs e tё trojeve tё tjera shqiptare nё Jugosllavi. E respektuar nga të gjitha organizatat nacionaliste shqiptare jashtë Atdheut; vërehet në krye të tubimeve politike shqiptare të udhëheqjes nacionaliste, në Aleksandri të Egjiptit, më 1949 dhe në Madrid më 1972.

Ndërroi jetë më 25 maj 1978, në nekrologjinë e tij shkruhet se shërbente si ndihmësdrejtor i shërbimit postar në Universitetin e Stanfordit, ku qe lektor në vitet 1959-1971[9][8].

Trashëgimia politike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shiko edhe: Masakra e 4 shkurtit 1944

Ndër bëmat e jetës politike së Devës përmendet ngritja në këmbë e një administrate shqiptare në Mitrovicë pasi Mbretëria Jugosllave u pushtua nga trupat gjermane.

Kolonel Faik Quku e përshkruan:[10]

"Ministri i Mbrendshëm Xhafer Deva, megjithse nuk e njihte Shqipnin, ishte i pajisun me cilësitë e ushtarit gjerman: i vendosun, guximtar, i veprimit, i disiplinuem dhe anmik i komunistave, por e ndiente veten si te paralizuem mes Kryeministrit Rexhep Mitrovica, që e konsideronte të sëmurë, dembel dhe të pavendosun dhe Kryetarit të Këshillit të Naltë, Mehdi Frashërit, që e konsideronte konfuz, pa program, njeri që nuk e mban fjalen dhe që u nënshtrohet ndërhymjeve ilegale... I pakënaqun prej punëve që nuk shkonin mirë dhe konfuzionit që ekzistonte, nga marsi i vitit 1944, Xhafer Deva mendon me u ba diktatori i Shqipnisë, gja që do t'ishte zgjidhja ma e përshtatshme, por që nuk realizohet, sepse e kundërshtojnë gjermanët. Si në fillim, kryesinë absolute të Mehdi Frashërit, ashtu edhe kësaj here, pushtetin diktatorial të Xhafer Devës, eksponentat kryesor të Ballit Kombëtar, e pranojshin... mendonte që me anën e ekzekutimeve me pastrue qytetet e Shqipnisë nga komunistat, tue fillue nga Tirana. Ky ka qenë edhe qëllimi kryesor i sjelljes në Shqipni të regjimentit "Kosova"."

Shpëtimi i hebrenjve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Nga fundi i pranverës së vitit 1944 nazistët kërkuan zyrtarisht jo vetëm listat, po dhe grumbullimin e gjithë hebrenjve në një fushë përqendrimi. Mbështetur në burimet amerikane, sipas Sarner, dy përfaqësues të bashkësis hebraike në Shqipëri, duke përfshirë dhe hebrenjtë e deportuar prej vendeve të Europës Qendrore, që kishin gjetur këtë vend si strehë shpëtimi, Rafael Jakohel dhe Mateo Mathatia, duke qenë të vetëdijshëm se ky urdhër i nazistëve do të thoshte arrestim dhe shfarosje të gjithë bashkësisë ("Shoah"), iu drejtuan Mehdi Frashërit për ndihmë:[10]

"Ky i fundit i këshilloi ata që të takoheshin me ministrin e brendshëm Xhafer Deva, i cili njihej si anti-semit. Ata shkuan të takonin me ministrin Deva, megjithëse e dinin rrezikun që u vinte rrotull nga ky takim. Të dy pranuan sfidën, duke u lënë familjeve lamtumirën përpara se të niseshin. Për çudinë e tyre, sedra nacionale e ministrit Deva doli më e fortë se anti-semitizmi i tij i njohur. Ai mori përsipër të kundërshtonte kërkesën e nazistëve. Deva ia doli që t'i bindtte ata që të tërhiqeshin nga kërkesa për dorëzimin e listave të hebrenjve".

Në Prishtinë, Ferizaj dhe Mitrovicë ka rrugë që mbajnë emrin e tij.[11]

  1. ^ a b c Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. fq. 29, 111. ISBN 9789994356225. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ Elsie, Robert (2012). A Biographical Dictionary of Albanian History. Londër: I.B. Tauris. fq. 108. ISBN 9781780764313. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ a b c d Deva Xhafer 0068 Arkivuar 23 janar 2020 tek Wayback Machine, Dosjet e deklasifikuara të CIA-s, përkthyer më 11 janar 2018 nga S.S.
  4. ^ Della Rocca, Roberto Morozzo (1994). Kombësia dhe feja në Shqipëri (it. Nazione e religione in Albania (1912-1944). Përkthyer nga Luan Omari. Tiranë: Elena Gjika. fq. 241. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ Bernd Fischer, Albania at War (1999), p.161.
  6. ^ Judah T., Kosovo: War and Revenge, New Haven, Connecticut: Yale University Press. 2002. fq 141. ISBN 978-0-300-09725-2.
  7. ^ Ramet S. P., The Three Yugoslavias: State-Building and Legitimation, 1918–2005. Bloomington, Indiana: Indiana University Press. 2006. fq. 141. ISBN 978-0-253-34656-8.
  8. ^ a b Roszkowski, Kofman (2016). Biographical Dictionary of Central and Eastern Europe in the Twentieth Century. Routledge. fq. 195. ISBN 9781317475941. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  9. ^ Lulushi A., Operation Valuable Fiend: The CIA's First Paramilitary Strike Against the Iron Curtain, Skyhorse Publishing, Inc., 2014, fq. 266. ISBN 978-1-62872-394-6
  10. ^ a b Sinani, Shaban (2009). Hebrenjtë në Shqipëri ─ Prania dhe shpëtimi. Tiranë: Naimi. fq. 144. ISBN 978-99956-800-2-2. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  11. ^ Juka, Gëzim H. (2018). Shkodranët e 7 prillit dhe të 29 nëntorit. Tiranë: Reklama. fq. 248. ISBN 9789928440358. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)