Jump to content

Çarli Çaplin

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Charli Chaplin)
Çarli Çaplin
Charlie Chaplin
Çarli Çaplin në vitin 1918
Lindi
Charles Spencer Chaplin Jr.

16 prill 1889
Londër, Angli
Vdiq25 dhjetor 1977 (88 vjet)
Vendi i varritCimetière de Corsier-sur-Vevey, Corsier-sur-Vevey, Zvicër
Profesioni
  • Aktor
  • komedian
  • regjisor
  • kompozitor
  • skenar
  • producent
  • montazhier
Vite aktiviteti1899–1976
Works
Lista e plotë
Bashkëshorti/ja
Fëmijë11 (përfshirë Charles, Sydney, Geraldine, Michael, Josephine, Victoria, Eugene, dhe Christopher)
Prind/ërCharles Chaplin Sr.
Hannah Chaplin (mbiemri i vajzërisë Hill)
Faqja në rrjetcharliechaplin.com
Nënshkrimi

Çarli Spencer Çaplin (anglisht: Sir Charles Spencer Chaplin; 16 prill 1889 Londër, Britani – 25 dhjetor 1977 Vevey, Zvicër) K.B.E. ishte regjisor, aktor dhe komedian anglez. Influencoi botërisht kinemanë me stilin e tij komik dhe tragjik, me filma si Cirku, Dritat e qytetit, Diktatori i madh, Çapkëni e të tjerë të realizuar gjatë periudhës së filmave të heshtur. Ai ndriçon më shumë në vitet e filmave pa zë, pasi arrin të shfaqë me rolin e tij si Vagabondi, një mjeshtëri që në atë kohë mund të krahasohet me Baster Kiton dhe Harold Llojd. Çarli përmendet nga regjisorë të tjerë si Ingmar Bergman dhe Federico Fellini, që e mbajnë Çarlin si inspirimin e tyre në botën e kinematografisë.

I lindur në Est Lans në Walworth, 16 prill 1889, katër ditë përpara Adolf Hitlerit, Çarli është djali i Charles Chaplin dhe Hannah Hill (e njohur prej një pjese që është Lili Harley), të dy artistë të Music-Hall-it. Kur Çarli mbushi një vjeç, babai i tij me prejardhje franceze shkon në Amerikë për të realizuar filma. Çaplini ka disa vëllezër, më i vjetri është Sydney Chaplin, lindur 1885, Sydney Hawkes e më i riu Wheeler Dryden, lindur 1892, Léo Dryden. Kur babai i Çaplinit vjen prej Amerikës, Çarli, vetëm tre vjeç largohet prej familjes. Hannah është e sëmurë e shkon në spitalin psikiatrik gjatë muajit qershor, 1894. Çarli edhe vëllezërit e tij jetojnë me fëmijët jetimë në Hanwell.

Çarli, që kur ishte i vogël, kishte parë nënën e tij duke performuar në Skenë. Ajo e shtynte të mos kishte frikë përpara publikut. Pasi nëna e tij u sëmur, Çarli iu kushtua teatrit. Në filmin Chaplin detajohet kjo pjesë e jetës së tij në mënyrë elegante. Gjatë viteve 1906-1907 Çarli punon në Cirkun e Kejsit me kompaninë e Fred Karno i cili e paguante 3 stërlina në javë. Luante rolin e një të dehuri pa sedër, rol i cili nuk kishte asnjë fjalë. Kështu Çarli mëson mjeshtërinë e aktrimit pa zë dhe të mimikës. Cirku i Fred Karno-s vizitoi dhe Amerikën për të performuar gjatë vitit 1909 dhe pati sukses me ndihmën e djaloshit, Çarli. Mack Sennett një regjisor filmash pa zë i kompanisë Keystone, në vitin 1913, zbuloi talentin e Çarlit dhe e ftoi në Amerikë të punonte si aktor filmash, si shpërblim 175 dollarë në javë. Një shumë marramendëse për kohën.

Nga performues cirku në yll Hollivudi

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në vitin 1914, Çarli realizoi filmin e tij të parë të quajtur Gazetari Vagabond (Making a Living) në të cilin akoma nuk ishte veshur me rrobat e Vagabondit. Do të ishte në dy filmat e tij të radhës që u realizuan respektivisht më 7 dhe 9 shkurt të vitit 1914. Ata ishin Vagabondi i bezdisshëm (Kid Auto Races at Venice) dhe Vagabondi në hotel (Mabel's Strange Predicament). Në këto dy filma ai i shfaq botës Vagabondin që do të njihet në mbarë botën gjatë dekadave në vijim. Ky rol do të formohet plotësisht si Vagabondi që njohim sot, vetëm pas filmit Vagabondi (The Vagabond) realizuar në vitin 1915. Dhe kështu, Çaplini fillon t'i ngjitet famës në një periudhë jo më të gjatë se 5 vitesh, ndodhet në majën e listës së yjeve. Përpara Çarlit, një komik tjetër kishte shpikur rolin e Vagabondit, ishte Lew Bloom, një frymëzim për shumë aktorë të tjerë të kohës, po ashtu edhe për Çarlin. Nga të gjithë "Vagabondët" e tjerë të asaj kohe, ai i Çaplinit ishte i vetmi. Me Keystone-in, Çarli xhiroi plot 35 filma pa zë me metrazh të shkurtër, gjatë një periudhe të shkurtër. Mjeshtëria e mimikës dhe pantomimës e lejuan atë të ishte në kontroll të plotë gjatë filmimeve. Ai lëvizte fytyrën dhe tregonte emocione me një shkathtësi të pabesueshme.

Popullaritet i pakontrollueshëm

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në djetor të vitit 1915, Çarli fillon të punojë me një kompani tjetër, Essanay, me të cilën xhiron dhe 14 filma të tjerë pa zë. Paga që i ofruan ishte plot 1250 dollarë në javë. Njerëzit filluan ta adhuronin Çarlin për rolin e tij human dhe njerëzor. Vagabondi ishte diçka e re dhe shumë njerëzore në thelb.

Në vitin 1916, Çarli ishte aktori më i kërkuar dhe më i pasur në botë, i paguar 600.000 dollarë në vit. Një shifër kjo, në atë kohë, e paparë asnjëherë nga asnjë artist. Fillon të punojë me një kompani të re Mutual Film, me të cilën, gjatë periudhës 1916-1917 realizon 12 filma. Periudhë kjo shumë e gëzuar në karrierën e tij. Bie në dashuri me aktoren Edna Purviance, e cila do luaj role kryesore në filmat e mëtejshëm të Çaplinit. Gjatë periudhës 1916-1923 ajo shfaqet si interpretuese kryesore në plot 35 filma të Çaplinit.

Çaplini, akoma pa mbushur 30 vjeç, në një fashë kohore prej 5 vitesh, bënte pjesë dhe ishte regjisor i plot 100 filmave të heshtur me metrazh të shkurtër. Në vitin 1918, Çarli firmos kontratën me një kompani tjetër First National, me të cilën punon dhe realizon 10 filma të tjerë deri në vitin 1923. Arritje tjetër e pabesueshme me këtë kompani ai fiton plot 1 milionë dollarë, e padëgjuar në atë kohë nga asnjë akor.

Krijimi i kompanisë United Artists

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në vitin 1919, Çaplini me kolegë të tjerë (Mary Pickford, Douglas Fairbanks dhe David Wark Griffith) krijuan kompaninë United Artists Corporation, e cila do ta lejojë Çaplinin të ketë liri të plotë në procesin e krijimit të filmave të tij të ardhshëm.

Çarli në prapaskenat e Çapkëni

Filmi që e shënon Çaplin përjetësisht, si një yll botëror. Pas shumë punimeve dhe pengesave me filmimet Çapkëni shfaqet në kinema në vitin 1921.

Gjatë periudhës 1923-1952, Çaplini punonte pa ndalim nën kompaninë United Artists, duke prodhuar me ta 8 filma në të njëjtën periudhë. Filmi i parë qe Një grua nga Parisi, filmi i parë në të cilin nuk shfaqet si interpretues. Do të prehet një skenë e vogël në të cilën ai do marrë pjesë më pas. Edhe pse ky film, në atë kohë, mori kritika të përziera, nuk ishte asgjë përpara filmave që ai do bënte më tej. Filma të cilët do ta ngulisnin përgjithmonë e më shumë në rrënjët e kinematografisë.

Vrulli i arit i cilësuar nga shumë si filmi më i mirë i tij, së bashku me filmin Cirku, me të cilin pati vështirësi në produksion, ngaqë po mbyllte divorcin me gruan e tij në atë kohë Lita Grey, të martuar në 1924. Me shpikjen e zërit në film në vitin 1927 (Këngëtari i xhezit), Çaplin gjendet i ngecur, ngaqë kishte menduar se karakteri i tij i famshëm funksiononte vetëm me filmat e heshtur. Pavarësisht kësaj, ai vazhdoi ta interpretonte Vagabondin, saqë në vitin 1929, fitoi çmimin e parë Oscar. I pari në botë me këtë çmim, pasi ishte ceremonia e parë e hapjes së Oscar.

Skenë nga Dritat e qytetit

Nga viti 1929 zëri ishte bërë një element i madh në film. Pothuajse të gjithë regjisorët e epokës po përdornin zë në filmat e tyre. Vëllai i Çarlit, Sydney, i propozonte që ta bënte tashmë kalimin nga filmi pa zë tek ai me zë, por Çarli kishte besim tek ajo që i dha suksesin që në fillim, pantomima. Çarli, në 1931, xhiron dhe përpunon filmin Dritat e qytetit, i cili ishte një film pa zë dhe i kompozuar me muzikë të sinkronizuar, hera e parë që kjo bëhet nga Çaplini.

Hasi mjaft vështirësi gjatë xhirimeve të filmit, pasi karakteri i vajzës luleshitëse të verbër, i luajtur nga 22-vjeçarja Virginia Cherrill, ishte një aktore e re dhe duhej një skenë e besueshme mes saj dhe takimit të parë me Vagabondin. Skena është shënuar si skena më e përsëritur e çdo filmi në historinë e kinemasë, me plot 342 prova.

Albert Ajnshtajn e shikoi bashkë me Çarlin filmin në premierën e mbajtur në Amerikë. Gjatë fundit, të gjithë spektatorët duartrokitën. Çarli i pëshpërit Ajnshtajnit në vesh:

A shikon, duartrokasin për mua se më kuptojnë të gjithë: Duartrokasin për ty, sepse nuk të kupton askush.[1]

Do të realizojë edhe një film tjetër në vitin 1936 me titullin Kohë moderne, i cili është filmi i fundit që shfaq kryesisht karakterin e Vagabondit. Çaplini dashurohet me Paulette Goddard, e cila merr pjesë në filmat e tij, deri në ndarjen e tyre në 1942-in. Çaplini e përshkruan karakterin e Vagabondit:

Nuk mund të fliste, nuk e dija se çfarë zëri do të kishte. Si do ia dilte të formonte një fjali? Për këtë arsye,Vagabondi u desh të ikte.[2]

Filma me metrazh të gjatë
Viti Filmi Roli në film Si aktor Shënime
1921 Çapkëni Regjisor, Kompozitor, Shkrimtar, Producent Vagabondi
1923 Një grua nga Parisi Regjisor, Kompozitor, Shkrimtar, Producent Rol i vogël
1925 Vrulli i arit Regjisor, Kompozitor, Shkrimtar, Producent Prospektori i Vetëm, Vagabondi
1928 Cirku Regjisor, Kompozitor, Shkrimtar, Producent Vagabondi
1931 Dritat e qytetit Regjisor, Kompozitor, Shkrimtar, Producent Vagabondi
1936 Kohë moderne Regjisor, Kompozitor, Shkrimtar, Producent Punëtor fabrike, Vagabondi
1940 Diktatori i madh Regjisor, Kompozitor, Shkrimtar, Producent Berberi/Adenoid Hynkel, Vagabondi
1947 Zoti Verdoux Regjisor, Kompozitor, Shkrimtar, Producent Zoti Henri Verdoux
1952 Dritat e skenës Regjisor, Kompozitor, Shkrimtar, Producent Calvero
1957 Një mbret në New York Regjisor, Kompozitor, Shkrimtar, Producent Mbreti Shahdov
1967 Kontesha e Hong Kongut Regjisor, Kompozitor, Shkrimtar, Një shërbëtor i vjetër
  1. ^ Patrick Robertson, Cinema e cineasti, in I record del cinema. Enciclopedia dei fatti, delle curiosità e dei primati del cinema mondiale, dall'epoca del muto ad oggi, Gremese Editore, 2004, p. 236
  2. ^ Charlie Chaplin, Opinionet e një Vagabondi (Opinioni di un vagabondo), nga Kevin Hayes, minimum fax, 2007, pag. 206.