Koncert në vitin 1936
| ||||||||||||||||||||||||||||||||
Filmi "Koncert në vitin 1936" është një prodhim i vitit 1978 nga Kinostudio “Shqipëria e re”, i cili tregon për vizitën e dy artisteve shqiptare, njëra këngëtare lirike dhe shoqëruesja artistike e saj, pianiste, për të shfaqur një koncert në qytetin e Lushnjës, gjatë kohës së monarkisë shqiptare, ngjarje që "turbulloi" jetën politiko-shoqërore të atij qyteti.
Film i realizuar me regjizor Saimir Kumbaro, skenarist Kiço Blushi dhe me muzikë të Limos Dizdari. Vepra bazohet te tregimi “Baltërave të Myzeqesë”, shkruar nga Dhimitër Shuteriqi, me personazh kryesor këngëtaren Donika Prokopi (interpretuar nga Manushaqe Qinami), që personifikon sopranon Tefta Tashko-Koço, e cila në periudhën kur zhvillohen dhe ngjarjet në film, sapo ishte kthyer nga Franca në Shqipëri dhe realisht zhvilloi dhjetëra koncerte dhe interpretime lirike e operistike. Po kështu pianistja Eleni Jankollari (interpretuar nga Margarita Xhepa), personifikon pianisten Lola Gjoka, e cila ka qenë shoqëruese e Tefta Tashkos dhe muzikante e shquar, një nga themelueset e Akademisë së Arteve të Tiranës. Ka dëshmi historike, të cilat dëshmojnë se ky tur ka qenë i vërtetë dhe serioz, pavarësisht këndvështrimit me të cilin realizohet në film.[1]
Në film janë përdorur incizime të sopranos Tefta Tashko Koço.
Koha e shfaqjes është 87 minuta.
Premierë: 22 prill 1979, Tiranë, Festivali i 3-të i Filmit artistik, dokumentar e të animuar shqiptar.
Filmi është restauruar[2] në mënyrë digjitale nga Quality Matters, Mumbai, Indi, projekt i mundësuar nga Sezoni i Filmave Klasikë, nismë e Shoqatës së Kinematekave Evropiane (ACE), Program i Evropës Krijuese Media i Komisionit Evropian.[3]
Përmbajtja e filmit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Jemi në Shqipërinë e vitit 1936, në kohën e monarkisë së mbretit Zog I. Dy artiste të reja, studiuar jashtë Shqipërisë, njëra soprano dhe tjetra pianiste, udhëtojnë përmes fushave Myzeqesë, për të mbërritur në Lushnjë, ku do të japin një koncert. Që në skenat e para shfaqen imazhet e një vendi të prapambetur e të varfër. Makina me të cilin udhëtonin dy artistet, Donika Prokopi dhe Eleni Jankollari, me pianon e tyre ngarkuar në të, kishte ngelur në baltrat e atyre udhëve dhe shoferi i tyre kërkon ndihmë nga një fshatar me qerre për të çuar pianon në qytet. Artistet vazhdojnë rrugën në këmbë se bashku me shoferin, Qemalin. Në një ndalesë shlodhëse në një shtëpi të thjeshtë pranë rrugës, del në pah thjeshtësia e artisteve në komunikim me njerëzit e thjeshtë të popullit, mikpritja, por njëkohësisht edhe prapambetja e atyre njerëzve. Në bisedën e lirë të zhvilluar mes tyre, në oborr, zonja mikpritëse e shtëpisë, kur mësoi nga shoferi se ato kishin marrë rrugën atyre baltrave për të kënduar, i quajti artistet “çingie alla-frënga”. Pas shpjegimit nga artistet se ato nuk kishin lidhje me atë që mendoi ajo grua e thjeshtë, fjala kaloi dhe tek mbulimi i grave dhe vajzave me ferexhe, zakon i bartur nga pushtimi i gjatë otoman. Edhe hyrja dhe kalimi në rrugën kryesore dhe të vetme të qytetit i dy zonjave me fytyrën e zbuluar, u prit me habi dhe me reagimin mosaprovues të zejtarëve dhe zanatçinjve të dyqaneve anash rrugës, duke bërë zhurmë të shtuar me rrahjen e çekiçëve që po punonin, tregues i një mjedisi tejet konservator. (Ideja e mbizotërimit të një mentaliteti të theksuar konservator jepet në disa skena të ndryshme gjatë gjithë filmit). Kjo duket në dialogun mes Qemalit, shoferi, me Elenin, pianisten, kur kjo i thotë që kishte frikë se do u digjej koncerti, si në Peqin, pasi asaj nuk i pëlqenin këta çekanë që rrihnin si kambana të përzishme, ndërsa Qemali që i përgjigjet se ata e bënin këtë pasi aty rrallë kalonin gratë zbuluar. Shqetësimi për mbajtjen e koncertit, sepse në Peqin nuk i lejoi hoxha i qytetit të këndonin, i detyron artistet që të parën gjë që duhet të bëjnë, është të takojnë autoritetet qeverisëse të qytetit. Mes grumbullit të fëmijëve, tejet kureshtarë dhe të habitur nga pamja e artisteve, ato takojnë xhandarin Vesel në sheshin e qytetit dhe i kërkojnë ndihmë për të takuar nënprefektin ose kryetarin e bashkisë. Xhandar Veseli, pas pyetjeve të rastit dhe kur mori vesh se zonjat vinin nga Tirana dhe për më tepër me makinë, por që u ishte prishur rrugës, hamendëson diçka dhe iu sugjeron që fillimisht të takojnë toger Shazivarin, komandantin e xhandarmërisë së qytetit. Portretizimi i personazhit të toger Shazivarit, nëpërmjet detajit të mbajtjes së gojës gjatë të folurit, është dhe fillesa e notave të para të ironisë, sarkazmës dhe humorit të hollë, që do të shoqërojnë gjatë filmit të tre personazhet që paraqesin gjithë hallkat kryesore të pushtetit në atë qytet dhe nëpërmjet tyre monarkinë. Hamendësimi i Veselit se zonjat ishin të rëndësishme, “të sojme”, shtyjnë Shazivarin të mendojë se zonjat mund të ishin vajzat e ministrit. Situata e tensionit e krijuar në zyrë mes komandant Shazivarit dhe Veselit, kur ky i fundit po e informonte për dy zonjat dhe pritja gjithë etikë dhe përulje e tyre, shndërrohet në habi, zhgënjim dhe indiferentizëm të dukshëm nga toger Shazivari, kur mëson se ato janë dy zonja të thjeshta artiste. Artistet nxitojnë të paraqesin lejen e koncertit dhe rekomandime konfidenciale që kishin siguruar në zyrat e qeverisië në Tiranë. Komandanti në fund i pyet në se kanë afishe lajmëruese për qytetin. Afishja e koncertit varet pas pak në rrapin e sheshit të qytetit. Pikërisht, me përmbajtjen e afishes krijohen një varg situatash komike me në qëndër nënprefektin, kryetarin e bashkisë dhe komandantin e xhandërmarisë. Spiunët “e fshehtë” që përdorte për çdo lloj informacioni paria e qytetit, nga injoranca dhe padija, i kishin informuar keq padronët e tyre. Nënprefekti, zoti Fotaq, pak kohë pas varjes së afishes, telefonon Shazivarin dhe i jep të kuptojë atij se është i informuar për gjithçka: për koncertin, artistet dhe shoferin e tyre, por vetëm për një person nuk ka dijeni, ndaj dhe e pyet: “Ore …, kush të jetë ky, Hartman?”. Fare pas pak, kryetari i bashkisë, z. Xhevo, merr në telefon nënprefektin dhe i paraqet të njëjtin shqetësim, përsëri pyetja: “E zgjidhët punën e Hartmanit?” E gjitha u zgjidh kur kryetari i bashkisë, z. Xhevo, zbriti nga zyra në shesh dhe e lexoi, madje me zë, afishen, ku aty dhe u sqarua më në fund, se “Hartman” ishte marka e pianos dhe z. Fotaq me Shazivarin, që po dëgjonin pak metra më tutje, i ndërprenë nënqeshjet shpotitëse ndaj z. Xhevo. Ndërkaq, pianoja e mbetur në rrugë, fushave, po vinte. Atë e mbanin në krahë një grup njerëzish të thjeshtë të qytetit të cilët kaluan në mes të sheshit shoqëruar me thirrje e brohorima. Këtë çast nënprefekti i tregon Shazivarit “Hartmani”-n, për të cilin togeri shprehet se e kishte kujtuar se ishte njeri. Ndërsa, nga ballkoni i hotelit ku qëndronin, artistet po shikonin ardhjen e pianos me krahë dhe e emocionuar, Donika i thotë Elenit se “kështu mund të presin vetëm në Shqipëri”. Nga ana tjetër, qytetarë të tjerë dhe sidomos mësuesit, si pjesa përparimtare dhe intelektuale e qytetit, po mobilizonin popullin e thjeshtë që pjesëmarrja në koncert të ishte sa më e madhe. Njëri prej tyre, Nesti Bënja, ka qënë shok klase me Donikën në liceun e Korçës. Ata takohen të përmalluar dhe kuptohet që ata kanë patur një pëlqim të pashprehur mes tyre që në vitet e liceut. Nëpërmjet skenave të ndryshme, nëpërmjet një gjuhe sarkastike, dalin në pah problemet e funksionimit të shtetit monarkist me “debatet” për lëshim e marrje kompentencash mes bashkisë dhe nënprefekturës, që titullarët, z. Xhevo dhe z. Fotaq ia përcillnin njëri-tjetrit vazhdimisht. Në dukje përpiqen të shfaqen “oksidentalë”, pro-perëndimorë, sidomos z. Fotaq, por në realitet ata janë shprehje e psikologjisë feudale, ende e fortë për kohën që flitet në film. Mbreti kish nxjerrë disa ligje për t’u afruar me frymën perëndimore, të cilat tellalli i qytetit, Trifoni, i lajmëronte shpesh nëpër rrugët e qytetit, si: “heqja e feexheve dhe e festeve”, “ndalimi i lypsave”, “ndalohej rrahja e kuajve dhe gomerëve”. Në anën tjetër, jepet populli i thjeshtë që megjithë varfërinë, prapambajtjen dhe kufizimet, fillon të shohë ndryshe artistet, jo si “çingiet” që këndojnë në “sarajet e Dalip Beut”, por si dy zonja të thjeshta që do këndonin për ta. Ka një entuziazëm në rritje për mbajtjen e koncertit në mes popullit. Një nëpunës i thjeshtë u dhuron lule artisteve në mes të sheshit. Gjithashtu Nesti dhe mësuesit po vazhdojnë përpjekjet që koncerti të dalë sa më mirë. Njëri prej tyre, Xha Mihali, mësues i vjetër, ka qënë mik me babain e Donikës që prej Kongresit të Lushnjës. Kur gjithçka dukej se po shkonte mirë, filluan pengesat, koncerti rrezikonte të mos lejohej të jepej. Shkaku është i natyrës politike. Nuri Beu, një feudal dhe pronar i madh tokash, i shkon në zyrë nënprefektit dhe i bën presion, deri në kërcënim me tone të larta, që dëgjohej deri jashtë zyrës, që artistet të mos këndojnë dhe të dëbohen nga qyteti. Arsyeja është se në Kongresin e Lushnjës, Nuri Beu ka qënë kundër qëllimit për të cilin u mbajt kongresi, si një përfaqësues i klasës feudale, që trashëgoi prona e privilegje nga perandoria osmane. Përballë faktit që kongresi u mbajt dhe Nuri Beu nxitoi të merrte pjesë, babai i Donikës, pjesëmarrës i delegacionit të Korçës në kongres, kundërshtoi fuqishëm që njerëz si Nuri Beu të ishin pjesë e atij kuvendi të rëndësishëm. Në këtë situatë, z. Fotaq zihet ngushtë dhe po përgatit arsyet e anulimit të shfaqjes. Fjala u përhap si thashethem dhe populli i thjeshtë, përballë arsyes së vërtetë të anulimit të koncertit, tregohen mbështetës ndaj vajzës së “Pandos së Kongresit”, Donikës dhe shfaqin zemërimin e tyre të fshehur ndaj Nuri Beut. Lajmi i tellalit Trifon, që e përcillte herë pas here hareshëm, duke ngjallur dhe entuziazëm në popull, se qytetin e “kanë nderuar dy zonja, njëra do këndojë dhe tjetra do të luajë në një saze sa një hambar”, u ndryshua përpara nisjes së koncertit, me kundra-lajmin se “zonjat nuk do të këndojnë sonte se janë pak pa qejf”. Lajmi u përgatit në zyrën e nënprefektit bashkë me kryetarin e bashkisë dhe komandantin e xhandarmërisë. Aty u diskutua dhe për Nestin e postës, i cili po shkruan artikuj kundër qeverisë me “emër të ndryshuar”, sipas informatave të z. Xhevo. Të revoltuara nga lajmi, artistet shkojnë tek komandant Shazivari, tek kryebashkiaku, z. Xhevo dhe këtej tek nënprefekti, z. Fotaq, por asnjëri prej tyre nuk pranoi të kish dhënë urdhër për anulimin e koncertit. Kështu, pas shumë peripecish, të përcjella nga një zyrë në tjetrën, artistet, më në fund, e morrën aprovimin për dhënien e koncertit. Koncerti nisi në një atmosferë masive festive dhe me një pjesëmarrje të madhe nga populli. Ndërkohë, Nuri Beu, po përpiqej me mënyrat e tij t’ua prishte koncertin, por nuk ia arriti qëllimit, as duke nxjerrë sazet e tij në shesh për të krijuar kakofoni, as duke i ofruar blerjen e një makine të re Qemalit, shoferit, vetëm që ky t’u prishte shfaqjen. Koncerti po afronte fundin, kur, para skenës së tij u shfaq Nuri Beu, i cili në një gjendje të rënduar psikike i drejtohet Donikës, duke i folur me hakërrim për turpin që i kish shkaktuar atij prania dhe koncerti i saj. Një çast pllakosi heshtja, pastaj të gjithë njerëzit njëzëri lëshuan thirrje përbuzëse ndaj Nuri Beut dhe nisën të këndonin këngën e Kongresit, së cilës iu bashkua dhe Donika nga skena. Situata u ndez së tepërmi, aq sa detyroi komandant Shazivarin të thërrasë xhandarët që të shpërndajnë popullin me forcë, madje, të shtijë me armë në ajër disa herë, ndërsa gjithë paria e qytetit ikën mes panikut. Në përfundim të shfaqjes, mësuesit dhe Nesti konkluduan se koncerti ia arriti qëllimit. Bisedën, disi të veçuar nga të tjerët mes Nestit dhe Donikës, e ndërpret xhandar Veseli, i cili i komunikon Nestit arrestimin. Për shkak të shkrimeve të tij antimonarkiste, por dhe rrëmujës që u krijua në qytet prej koncertit, ku ai ishte organizatori kryesor për një pjesëmarrje sa më të madhe në të dhe shoqëruesi i vazhdueshëm e në çdo zyrë i artisteve, autoritetet vendosën arrestimin e tij menjëherë pas shpërndarjes së popullit pas asaj shfaqjeje. Artistet largohen nga qyteti të përshëndetura nga i gjithë populli i thjeshtë, i cili qe mbledhur përsëri në shesh për t’i përcjellë ato me shumë dashuri.
Aktorët
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Manushaqe Qinami - Donika Prokopi
- Margarita Xhepa - Eleni Jankollari
- Robert Ndrenika - Fotaqi, nënprefekt
- Bep Shiroka - xhandari Veseli
- Roland Trebicka - Nesti Bënja
- Gjon Karma - Xhevo, kryetar i bashkisë
- Mirush Kabashi - komandant Shazivari
- Gëzim Kame - Loni
- Birçe Hasko - tellalli
- Nikolla Llambro - Qemali, shoferi
- Enver Dauti - Kozi
- Ilia Shyti - Mihali, mësuesi i muzikës
- Pirro Qiqi - mësues
- Hasan Fico - Myrto, postieri
- Albert Verria - Nuri beu
- Xhemal Myftiu - karrocieri
- Aristotel Stefani - hoxha
- Gjon Kacangjeli
- Muhamet Shehu
Kritika
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Nga arritjet më të mira të krijimtarisë së Saimir Kumbaros dhe gjerazi në kinematografinë shqiptare, ishte “Koncert në vitin 1936” (1978), me të cilin doli edhe i pavarur si regjisor. Filmi i qëndroi kohës jo vetëm se trajtoi një temë nga historia e afërt e Shqipërisë, raportin e artit dhe kulturës me pushtetin e korruptuar, por më së pari për finesën dhe mprehtësinë estetike, duke pikturuar brenda një sensi tragjikomik, mjedisin social të periudhës së monarkisë, antropologjinë e saj të jetësuar në disa prototipa tejet përfaqësues, që mbrijnë natyrshëm në modelime e paradigma universalizuese, sikurse qenë treshja: nënprefekti i R. Ndrenikës, toger Sahzivari i M. Kabashit dhe xhandari i B. Shirokës, përfshi edhe figura të tjera, kryesore apo plotësuese.[4]
Vlerësime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Margarita Xhepa - Medalje e interpretuesit më të mirë për rolin e Elenit në filmin "Koncert në vitin 1936", fituar në Festivalin e Tretë të Filmit Shqiptar, 21-28 Prill 1979[5].
Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Shiko filmin në youtube (versioni i restauruar).
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ↑ "Historia e filmit "Koncert në vitin 1936"". CRIonline|shqip. Marrë më 22 shtator 2025.
- ↑ "Rikthehet "Koncert në vitin 1936", filmi u xhirua në Libohovë". abcnews.al. Marrë më 22 shtator 2025.
- ↑ Asqeri, Irini (2025). Enciklopedi e Filmit Shqiptar (1904-2022). Durrës: Botimet Jozef. fq. 412. ISBN 978-9928-940-44-5.
- ↑ Papagjoni, Josif (2009). Enciklopedi e teatrit dhe e kinematografisë shqiptare. Tiranë: Toena. fq. 252. ISBN 978-99943-1-456-0.
- ↑ Asqeri, Irini (2025). Enciklopedi e filmit shqiptar (1904 - 2022). Durrës: Botimet Jozef. fq. 867–868. ISBN 978-9928-940-44-5.
| Ky artikull mbi filmin është i cunguar. Ju mund të ndihmoni Wikipedian duke e zgjeruar atë. |
