Pashk Gjeçi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Pashk Gjeçi
Pashko Gjeçi.JPG
Ditëlindja:7 shtator 1918
Vendlindja:Shkodër
Ditëvdekja:20 janar 2010
Vendvdekja:Tiranë
Kombësia:shqiptar
Zhanri:shqipërues
Çmime:"Ordine della stella, della solidarietà italiana"

Pashk Gjeçi (Shkodër, 7 shtator 1918 - Tiranë, 21 janar 2010) qe poet, mësues dhe përkthyes i mirënjohur.

Jeta[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Leu në lagjen Arra e Madhe, i biri i Gaspërit[1] dhe i Antonjetës. Pas vdekjes së të atit Pashku mbet me të ëmën dhe dy motrat, Nikoleta dhe Margarita. Mbas mbarimit të fillores nis Kolegjin Saverian po në Shkodër, 1930-'34.[2]

Me ligjin Ivanaj, shkollat fetare mbyllen dhe nxënësit kalojnë në gjimnazin e Shkodrës, 1934-'38. Ishte në klasë me Arshi Pipën, Lazër Radin, Xhemal Brojën, Kolë Ashtën dhe në bankë me Qemal Stafën - disa prej të cilëve i njihte qysh nga jezuitët.[2] Çmonte nga mësuesit më shumë E. Çabejn dhe Pashko Gecin që i jepte greqishten e lashtë dhe latinisht.[1] Përkthen gjatë gjimnazit poezi të poetëve Dante, Petrarka, Leopardi; por edhe shkruante vetë, krijimet dhe përkthimet e veta i botonte tek "Cirka" me pseudonimin Surgens.[2]

Në sajë të rezultateve të arritura në gjimnaz, ministria e Arsimit i akordoi një gjysëm burse. Në vitin akademik 1938 regjistrohet në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Romë, qytet ku do kishte dhe miqtë e gjimnazit L. Ljarja, K. Ashta dhe L. Radi. Përkthen nga latinishtja dhe shkruan poezi e kritika, të cilat botoheshin në Shqipëri tek të përkohshme "Cirka", "Shkëndija" dhe një shkrim i famshëm për "Lahutën e Malcís" te "Hylli i Dritës". Më 15 korrik të viti 1942 diplomohet me gradën Doktor Shkencash në atë fakultet me rezultate të shkëlqyera,[1] me tezë diplome "Jeta dhe vepra e Dom Ndre Mjedës".[2] I grishur për të punuar asistent-pedagog Pashku nuk pranon dhe i nxitur nga Ernest Koliqi për të dhënë kontributin e vet në atdhe, kthehet po atë vit.

Ministria e Arsimit e asaj kohe e vendon në Shkollën e Mesme Femnore në Shkodër si profesor të letërsisë dhe latinishtes, kohë kur vazhdoi të merrej me përkthime dhe ia niste "Shkëndisë". Me të marrë pushtetin partizanët Pashku transferohet në Durrës - ku merr dhe familjen me vete, ku do jepte letërsi në shkollën e qytetit. Kishte shoqëri me Jusuf Vrionin, dhe ishte zgjedhur të kryente funksionin e Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për degën e Durrësit.

Pas kthimit në Shqipëri, më 4 shtator 1947 ndalohet me akuzën "Pjesëmarrje në grup kundër pushtetit" dhe dënohet me pesë vjet heqje lirie[1]. Vite që i kalon në Durrës, Vloçisht dhe në kënetën e Maliqit gjatë verës[2] - i përmendur edhe nga Ejëll Çoba në memuaristikën e tij ku s'e linin të punonte ngase qe shumë i hajthëm[3]. P. Zefi thoshte se Pashku pat nisë ta përkthente Danten me mend qysh gjatë burgut[4]. Lirohet më 1952 lirohet dhe vendoset edhe njëherë në Shkodër me familje, ku bën punë të rënda krahu për të jetuar. Më 1953-'54, TOB-i i kërkon të përkthejë veprën "Traviata" duke gjetur kështu shpëtimin tek Verdi nga puna e krahut.

Më 1954-'58 punon si mësues në shkollën tetëvjeçare të Fushë-Krujës, kohë që i shërbeu për përkthimin e “Komedisë Hyjnore” të Dantes, Purgatorit dhe Parajsës. Nasho Jorgaqi, atëherë drejtor i shtëpisë botuese i tha se po flitej me Nolin për ta përkthyer Danten. Por për arsye të ndryshme Noli nuk e mori përsipër, kësodore me ndihmën e Llazar Siliqit arrin të botohet Ferri i Pashkut tek "nëntori". Prej një letre drejtuar diktaktorit, ku i bënte të qartë kushtet që lypeshin për kryerjen e punës: biblioteka, konsultime; vendoset në Tiranë bashkë me të ëmën dhe nis të japë mësim në gjimnazin "Qemal Stafa". Banon së pari në një dyqan të rrënuar e pastaj në një dhomë tek Shallvaret. Më 1962 botohet e plotë Komedia me parathënie të Ll. Siliqit dhe Pashkut i jepet shpërblimi prej 300 mijë lekësh të vjetra. Më 1963 nis përkthimin e "Odisesë" së Homerit nga greqishtja e lashtë, duke pasë variantet italisht dhe frëngjisht të veprës, për ta bërë më të gjallë shpenzon gati krejt honoraret e Komedisë për të shkuar në Durrës të kundrojë detin.

Më 1964 martohet me Gjystina Kapedanin, banon me të ëmën, të shoqen dhe të bijën në po të njëjtën banesë me një dhomë. Kushtet shtynë çiftin me u nda mbas jo shumë vitesh. Më 1965 vazhdon si mësues në shkollën e natës në Kombinat. Nga 1968 gjer më 1972 jep latinisht në Fakultetin e Mjeksisë. Ndërkohë, më 1969 Komedia botohet në Kosovë. Me ndërmjetësinë e mikut Mark Dema, martohet me Nezaqet Gaganin. Me heqjen e latinishtes nga programi mësimor, gjë të cilën e konsideronte gabim të madh prejse bazat e mjeksisë qenë historikisht të skajuara me atë gjuhë në terminologji. Punon pranë shtëpisë së librit shkollor si korrektor deri në daljen në pension në shtator 1978. Më 1976 i botohet "Odisea" me parathënie të Myzafer Xhaxhiut, tirazh 15 mijë kopje[2]. Me rënjen e regjimit komunist dhe ardhjen e v. 2000, kryeveprat e prura nga ai në shqip ribotohen por edhe shohin për të parën herë dritën e botimit. Komedia dhe Odisea ribotohen më 2006, Fausti (pj.1) më 2008, "Andromaka" dhe "Atalia" e Rasinit më 2010 - përkthime që i kishin mbetur në dorëshkrim qysh kur banonte tek Shallvaret. Vdes në moshën 91 vjeçare.

Mirënjohje[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shoqata italiane "Dante Alighieri" në vitet e '70 vlerësoi ndërkombëtarisht shqipërimin e Gjeçit si njërin ndër tre përkthimet më të mira në botë të "Komedisë Hyjnore". Gjeçi u dekorua nga Presidenti Italian Çampi më 2004 me "Ordine della stella, della solidarietà italiana" për përkthimin e Dantes. Laureat edhe i disa çmimeve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare. Për 90-vjetorin e lindjes, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Shqipërisë i akordon Çmimin Kombëtar të përkthimit "Fan Noli", për përkthimin e veprës "Fausti" (Pjesa 1.) të Gëtes.

Referimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b c d Kaloçi D., Pashko Gjeçi : "Si e bëra Dante Alighierin të flasë shqip" : [historia e dhimshme e një prej kolosëve më të mëdhenj të letrave shqipe, studiuesit dhe shoqëruesit të famshëm, me origjinë nga Shkodra që përktheu "Komedinë Hyjnore", "Odisenë"], Shqip. - Nr. 10, 13 janar, 2008, f. 18 - 19.
  2. ^ a b c d e f Radi J., Skeda Biografike e Pashko Gjeçit, radiandradi.com, 2 gusht 2013.
  3. ^ Çoba E., "Jetë e humbun", Mediaprint, Tiranë 2010.
  4. ^ Shamku-Shkreli L., A njimend ike, Pashk?: [Pashk Gjeçi, njeriu i gjuhëve të vjetra, përkthyes i Homerit, Dantes, Faustit], Shekulli. - p. 2855, 22 janar, 2010, p. 18.