Persizmat në gjuhën shqipe
Persizmat në gjuhën shqipe kanë hyrë kryesisht nëpërmjet turqishtes.
Disa persizma, ashtu si edhe vetë disa turqizma, kanë hyrë në gjuhën shqipe jo drejtpërdrejt nga turqishtja, por me ndërmjetësinë e ndonjë gjuhe tjetër fqinje ballkanike. Gjithsesi këto trajtohen si orientalizma në shqipe, ndryshe nga disa fjalë të tjera me etimologji persiane. Për shqipen fjalë të tilla janë “oksidentalizma”, sepse kanë hyrë prej gjuhëve neolatine. Është e nevojshme të përmendim se kultura e qytetërimi persian, ashtu si edhe kultura e qytetërimi arab, kishin arritur një shkallë të lartë zhvillimi kur këta popuj u ballafaquan me Turqit osmanë dhe hynë në marrëdhënie të dendura. Me këtë epërsi kulturore shpjegohet edhe hyrja me shumicë e fjalëve persiane e arabe në turqishte. Filologët turq kanë luftuar me ngulm për ta pastruar turqishten sa më shumë nga këto fjalë, ashtu siç kanë luftuar edhe filologët shqiptarë (sidomos gjatë periudhës komuniste) për ta pastruar shqipen nga turqizmat. Në të dyja rastet është synuar të ruhet veçantia kombëtare e gjuhëve përkatëse, të ndihmohet zhvillimi i brendshëm i mjeteve dhe mundësive të tyre fjalëkrijuese. Te fjalori i shoqërisë “Bashkimi” (1908) një në çdo tetë fjalë është orientalizëm përkatësisht turqizëm, te “Fjalori i gjuhës shqipe” (1954), ky raport përgjysmohet dhe është 1:16. Po sa orientalizma mund t’i njohim shqipes së sotme? Përgjigjen më të besueshme, por gjithsesi të përafërt, për këtë pyetje mund ta marrim në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” (1980). Këtu gjenden 1800 orientalizma dhe raporti në këtë rast është 1:23. Mund të shtojmë këtu se në këtë fjalor kanë hyrë rreth 250 orientalizma që mungojnë të Fjalori i vitit 1954, ndërsa 160 orientalizma të këtij të fundit kanë mbetur jashtë te Fjalori i vitit 1980. Orientalizmat të të dy fjalorëve janë rreth 1400. Ndër orientalizmat e FGJSSH persizmat janë rreth 270, po të shtojmë këtu edhe fjalët e prejardhura e të përbëra të formuara me temat e tyre dhe me prapashtesa e tema të tjera të shqipes e të turqishtes, ky numër shkon në rreth 425. Në rast se i vështrojmë këto fjalë në raport me huazimet nga gjuhët e tjera ballkanike, na del kjo pamje: huazimet nga gjuhët sllave (fjalë rrënjë) në FGJSSH janë rreth 510, ndërsa huazimet nga greqishtja e re rreth 370. Epërsia e orientalizmave ndaj huazimeve prej gjuhëve fqinje ballkanike mund të shpjegohet me disa arsye: së pari, hyrjes së tyre i ka hapur rrugë të gjera administrata shtetërore osmane, shërbimi ushtarak, përgjithësisht pushteti; së dyti, shërbesat fetare myslimane dhe arsimi fetar; së treti, lidhjet ekonomike me qendra zejtare e tregtare të Turqisë si dhe emigracioni ekonomik i shqiptarëve (stinor ose afatgjatë) në këtë qendra.[1]
Fjalori
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Më poshtë kemi një përmbledhje të fjalëve më të përdorura shqipe që rrjedhin nga gjuha perse.
Aheng, ashiqare, avaz, bahçe, bajraktar, bakshish, barabar, behar, bel, birazer, bohçe, bostan, bylbyl, çakall, çadër, çardak, çark, çehre, çengel, çerek, çift, çinar, çirak, çoban, dadë, deng, dert, dervish, divan, dylber, ferman, gonxhe, gjergjef, gjoja, gjyle, gjym, gjynah, han, hem, hiç, hileqar, hoxhë, hurma, hyzmeqar, kafaz, kaur, kumri, legen, lalë, lejlek, lesh, llafazan, llullë, mahi, manushaqe, mejhane, meshin, musht, myzhde, nam, namaz, naze, nem, nevruz, nishan, niseshte, padishah, pambuk, panxhar, papuçe, para, patlixhan, pazar, pehlivan, pejgamer, pekmez, perçe, perde, perri, pertef, peshqesh, peshqir, pilaf, pishman, pusht, qar, qehlibar, qel, qemer, qese, qilim, qofte, qorr, qoshe, qyrk, raft, rast, reçel, revani, ruspi, rustem, rreng, sade, saraj, saze, sejmen, serbes, sevda, spahi, stan, shah, shahin, shegert, shend, shesh, shishe, tarhana, tas, tavë, taze, telef, terezi, tezgjah, tumane, turshi, usta, vishnje, xham, xhan, xhymert, zile, zinxhir, zor, zymbyl.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Dizdari, Tahir (2010). Persizmat në gjuhën shqipe. Tiranë: Ideart.