Qarku i Lezhës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Koordinatat:41°45′ Veri 19°50′ Lindje 41.75° Veri 19.833333° Lindje

Qarku i Lezhës
Qarku i Lezhës
Shteti Shqipëria
Rrethet
Kryeqendra Lezha
Kryetari i qarkut Pashk Gjoni
Sipërfaqja 1,588 km²
Popullsia (2010) 158,800 banorë
Dendësia e popullsisë 100 ban/km²
Kodi ISO 3166-2 AL-08

Qarku i Lezhës është një nga 12 qarqet në Shqipëri dhe ka një sipërfaqje prej 1.588 km². Qarku i Lezhës i përfshin rrethin e Kurbinit, rrethin e Lezhës dhe rrethin e Mirditës. Qendra e Qarkut të Lezhës ndodhet në qytetin e Lezhës. ISO 3166-2-Code është AL-08. Qarku i Lezhës kufizohet në veri me Qarkun e Shkodrës, në verilindje me Qarkun e Kukësit, në lindje me Qarkun e Dibrës, në jug me Qarkun e Durrësit dhe në perëndim me Detin Adriatik. Qarku i Lezhës ka një popullsi prej 158.377[1] banorë.

Gjeografia[redakto | redakto tekstin burimor]

Qarku i Lezhës ndodhet në pjesën veriperëndimore të Shqipërisë, në gjatësinë gjeografike 41o 51’ 40” në veri dhe 41o 35’ në jug dhe në gjërësi gjeografike 38° 08’ në perëndim dhe 20°10’ 03” në lindje dhe kufizohet: në veri me qarkun Shkodër, në verilindje me qarkun Kukës, në lindje dhe juglindje me qarkun Dibër, në jug me qarkun Durrës dhe në perëndim me detin Adriatik, me gjatësi vije bregdetare 38 km (nga rëra e hedhur në kepin e Rodonit).

Territori i qarkut të Lezhës ka një sipërfaqe prej 1588.4 km2 dhe shtrihet në krahinën malore-qëndrore dhe ultësirën perendimore, ku 65% e sipërfaqes shtrihet në zonën kodrinore-malore dhe 35% në zonën fushore.

Qarku i Lezhës ka një pozicion të favorshëm gjeogafik në Shqipëri, dhe ndodhet në kryqëzatën e të gjitha arterieve të transportit duke shërbyer si nyje lidhëse veri-jug dhe lindje-perëndim.

Relievi në këtë rajon prezanton kontraste të theksuara të të gjitha llojeve si bregdetar, fushor, kodrinor, malor, alpin etj me një alternim ndërmjet tyre si në asnjë rajon tjetër të vendit, ku deti, fusha dhe malet janë shumë pranë njëri tjetrit.

Lartësia mesatare mbi nivelin e detit të rajonit të Lezhës është 413 m, ajo maksimale 2121m (maja e Kunorës Mirditë) dhe minimale -4 deri -6 m (Knallë, Torovicë, Kakarriq, Tresh etj në Lezhë).

Në këtë rajon mbizotëron klima kontinentale për zonën malore dhe ajo mesëdhetare për zonën fushore. Temperatura mesatare është 15° C, ndërsa reshjet e shiut variojnë nga 1200-1700 mm, me shpërndarje të çrregullt gjatë vitit. Territori i këtij rajoni është i pasur me pasuri të mëdha mbi e nëntokësore, hidrike, minerare etj.

Larmia e relievit, klimës, topografisë, gjeologjisë, gjeomorfologjisë krijojnë kushte të favorshme për gjallesën e një shumëllojshmërie të florës dhe faunën tokësore dhe ujore, të egra dhe të buta.

Elementët fiziko-gjografike të territorit të qarkut të Lezhës, gërshtuar me njëri-tjetrin, florën dhe faunën dhurojnë peisazhe dhe bukuri mahnitëse që stimulojnë kryesisht zhvillimin e agrobiznesit dhe atë të turizmit në këtë rajon, si dy burime të rëndësishme të ardhurash për rritjen e mirëqenies dhe prosperitetit të banorëve të këtij rajoni dhe zhvillimin e tij.

Në territorin e rajonit të Lezhës jeton një popullsi prej 212008 banorësh (31 Janar 2007), ku 40% e saj jeton në zonat urbane dhe 60% në atë rurale.

Historia[redakto | redakto tekstin burimor]

Historia e këtij rajoni është e hershme, mbi 2000-vjet përpara lindjes së Krishtit. Lezha, Kurbini dhe Mirdita pjesë përbërëse të këtij qarku mbartin dhe trashëgojnë vlera të rëndësishme historike. Evenimente të rëndësishme të historisë sonë kombëtare kanë ndodhur në viset e këtij rajoni, ku padyshim banorët e tij dhe veçanarisht prijësit e tyre fisnikë kanë dhënë kontributin e tyre në këto ngjarje.

Ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë së këtij rajoni veçojmë:

Krijimi i shtetit të parë Shqiptar, shtetit të Arbërit në vitin 1190, emblema e të cilit është gjetur në Gëziq të Mirditës dhe ruhet në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë, ashtu si dhe emblema e Skurajve të Kurbinit e gjetur në Pllanë.

Në qytetin historik të Lezhës, nën drejtimin e Heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skendërbeu, më 2 Mars 1444, u mbajt Lidhja e Lezhës (Besëlidhja e Lezhës) e cila bashkoi princat shqiptar në luftën e përbashkët antiosmane.

Në truallin e këtij rajoni u hapën shkollat e para shqipe në rafshin kombëtar, si shkolla e Ipeshvnisë së Shnapremtes në Kurbin në vitin 1632, shkollat e Pllanës dhe Velës të vitit 1638, shkolla e Blinisht të Zadrimës e vitit 1639 etj.

Ndër monumentet e trashigimisë historiko kulturore me rëndësi kombëtare janë :

“ Kanuni i Lekë Dukagjinit: ( Kanuni i Maleve ) i mbledhur dhe kodifikuar nga dijetari atdhetar At Shtjefen Gjeçovi.

“ Kanuni i Skëndëndbeut” i mbledhur nga kleriku dijetar Frano Ilia

Mbajtja e Kuvendit të Arbërit në fshatin Mërqi të Kallmetit të Lezhës, më 14 Janar 1703 dhe botimi në gjuhën shqipe i “ Koncilit” 1706.

Vetëqeverisja e Mirditës me dymbëdhjetë bajrakët e saj të prirë nga dera princore e Gjonmarkajve.

Bashkëjetesa ndërfetare e trashëguar ndër kohëra është një vlerë që banorët e këtij rajoni kanë trashëguar ndër vite dhe po e çojnë më lart.

Këtë fakt të bukur e deshmojnë mijëra pelegrinë me besime të ndryshme që vijnë nga e gjithë shqipëria dhe diaspora në Kishën e Shnandout në Laç, duke e kthyer atë në një nga qendrat më të mëdha peligrinazhit fetar në Shqipëri.

Galeria[redakto | redakto tekstin burimor]


Lidhje te jashtme[redakto | redakto tekstin burimor]

 Commons: Qark Lezha – Album me fotografi dhe/apo video dhe material multimediale

Burimet[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ Tregues sipas Qarqeve Popullsi e Qarkut