Sabiha Kasimati

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Sabiha Kasimati
Emri: Sabiha
Mbiemri: Kasimati
Lindi më: 15 shtator, 1912
Vendlindja: Edrene ,
Turqi
Vdiq më: 26 shkurt 1951
Vdiq në: Menik
Profesioni: Biologe

Sabiha Kasimati (Edrene,15 shtator 1912 - Menik, 26 shkurt 1951) ka qenë biologe, punonjëse shkencore shqiptare e pushkatuar pas ngjarjes së shpërthimit të bombës në ambasadën sovjetike.[1] Sabiha u arrestua më 20 shkurt 1951 dhe u pushkatua dy ditë më pas. Ajo akuzohej se ishte kundra regjimit komunist dhe se mbante lidhje me elementë armiq.

Biografia[redakto | përpunoni burim]

Sabihaja u lind më 15 shtator 1912 dhe ishte e bija e dytë e doktorit Abdurrahman Kasimati (1865-1943) nga Libohova dhe të shoqes Zehra Mbreshtani, të vendosur në rrethin e Edirnesë që pas shpalljes së kushtetutës më 1908. Pas një viti familja zhvendoset në Shkodër ku i ati, doktor i njohur, shërbeu në vitet 1914 - 1915. Në vitet e Luftës së Parë Botërore, familja u vendos në pronat e veta në Verrie të Thesalisë. Pas shkëmbimeve të popullsive mes Greqisë dhe Turqisë, familja u kthye në Shqipëri duke rrezikuar edhe pronat e veta.

Më 1927, Sabihaja së bashku me familjen e saj u vendosën në Korçë ku familja u rehatua dhe fëmijët vijuan shkollimin, Sabihaja me motrat frekuentuan Liceun Frëng të cilin e përfundoi më 1931 - duke qenë vajza e parë që kreu atë lice. Sabiha Kasimati do të renditej e dyta në klasë për rezultatet e saj. Në provimet e vitit të fundit ajo vlerësohej me 269.4 pikë nga 352 pikët maksimale dhe vlerësohet me “As Bien”.[2] Pas mbarimit të liceut, punoi si mësuese në Normalen Femërore të Korçës, ku dha edukatë morale dhe gjuhë frënge. Më 1932 u emërua në Shkollën Amerikane të Kavajës(1932-1933) ku jepte biologji. Sabiha u rikthye sërish në Lice, më 3 tetor 1933, por tashmë si mësuese në klasat e ulëta të tij. Pas dy muajsh qëndrimi në Korçë Sabiha dha dorëheqjen për shkaqe shëndetësore. Ajo u transferua nga Ministria e Arsimit pranë Institutit Femëror “Nana Mbretëreshë”. Aty Sabiha punoi si mësuese e gjuhës frënge.

Studimet në Itali[redakto | përpunoni burim]

Në verën e 1936 iu akordua një bursë shtetërore për studime në Itali, ku ajo u regjistrua për të studiuar në Fakultetin e Shkencave Biologjike në Universitetin e Torinos.[3] Sabiha u diplomua në vitin 1940 me rezultat maksimal, me notat 30’/30 (trenta su trenta con lode). Kasimati zgjodhi si fushë specializimi ihtiologjinë dhe doktoroi me temën "Fauna ittica di acqua dolce d'Albania" (Fauna ihtike në ujërat e ëmbla në Shqipëri). Udhëheqja e Universitetit i ofroi asaj pozitën e asistentit në degën e ihtiologjisë, por propozimin e tyre ajo nuk e pranoi dhe u kthye në Shqipëri.

Kthimi në Shqipëri[redakto | përpunoni burim]

Me kthimin në Shqipëri më 13 nëntor 1940, Sabiha nisi punë në Institutin Pedagogjik Femëror "Donika Kastrioti", duke dalë fituese në konkursin e zhviluar. Ajo emërohet ndihmës-sekretare në grupin A (grada XI) të personelit të administratës arsimore dhe më 24 korrik 1941 fillon punë.[4] Në 1 dhjetor 1942 Sabiha bëhet pjesë e trupit mësimor të Institutit "Nana e Skënderbeut" si mësuese e shkencave dhe e kimisë. Në maj të 1943 Sabiha largohet nga mësimdhënia për shkaqe shëndetësore, pasi vuante nga tuberkulozi. Ajo vajti të kurohej në sanatoriumin anti-tuberkular në BolzanoItali, prej ku kthehet më 1945.[5]

Gjatë kohës që punonte si mësuese në Institutin “Nana e Skanderbeut”, ajo pati një bashkëbisedim me Ernest Koliqin, kryetar i Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare. Pas bashkëbisedimit, Sabiha Kasimati i dërgoi një letër/raport këtij të fundit, ku i paraqiste një projekt të mirëfilltë shkencor me disa pika. Marrëdhëniet e Sabiha Kasimatit me institucionet shkencore në Shqipëri nisin në janar të vitit 1943. Ajo kërkonte të ngrihej pranë Institutit të Studimeve Mbretërore: një koleksion zoologjik duke filluar me Ihtiologjinë, fushë për të cilën kishte studiuar në Itali vitin e dytë të studimeve dhe kishte mbrojtur temën e diplomës; një “erbario pasi flora shqiptare ka ngjallur interesim të botanistëve të shquar europianë, sidomos atyre gjermanë”; të vendosej një bashkëpunim i ngushtë me Drejtorinë e Minierave, për të bërë një grumbullim të mineraleve dhe fosileve që gjendeshin në shtresat e tokës në Shqipëri. Për realizimin e projektit nevojitej krijimi i një biblioteke e posaçme me vepra shkencore, bibliografinë e së cilës ajo i kishte përgatitur tashmë. Krahas bibliotekës, Kasimati propozonte edhe ngritjen e një laboratori studimesh mikroskopike që do të mundësonte kërkime shkencore relative.

Në mbledhjen e 18 shkurtit 1943 Instituti Mbretëror i Studimeve Shqiptare vendosi të krijojë pranë Institutit një muze të shkencave, për përgatitjen e të cilit ngarkoi pikërisht atë. Sabiha lidhi kontratë si punonjëse pranë Institutit që prej 22 shkurtit, duke marrë shpërblimin prej 200 frangash.[6]

Nisi bashkëpunimin me Selahydin Toto, me qëllim të organizimit të Institutit të Shkencave në Tiranë. U emërtua specialiste zoologe, e specializuar në ihtiologji[7].

Ekspozita pranë Muzeut të Shkencave të Natyrës

Puna gjatë regjimit komunist[redakto | përpunoni burim]

Sabiha e vijoi kërkimin shkencor edhe gjatë viteve të para të regjimit komunist. Në mbledhjen e Institutit të Studimeve gjatë 13 prillit 1946, Sabiha mori pjesë së bashku me figura të tjera të shquara akademike sikurse ishin: Kostaq Cipo, Mark Ndoja, Selahydin Toto, Eqrem Çabej, Aleks Buda, Gjergj Komnino, Gjergj Ashta, Jonus Tafilaj, Hasan Ceka dhe Nikolla Lako. Mbledhja u drejtua nga Sejfulla Malëshova , ministri i Arsimit. Mbledhja kishte për qëllim analizimin e veprimtarisë së kryer gjatë vitit 1945, prezantimin e planit të ri të punës dhe paraqiti ekipin e ri që do të drejtonte Institutin e Studimeve.

Sipas procesverbalit të mbledhjes, nga viti 1945 deri më 1946, Sabiha Kasimati punoi së bashku me Gjergj Komninon në grupin e drejtuar nga Eqrem Çabej, për përgatitjen e skedave të gjuhës shqipe, për terminologjinë e shkencave të natyrës.[8] Më 28 janar të vitin 1947, Këshilli i Ministrave me vendimin numër 16, vendosi “riorganizimin e Institutit të Studimeve Shqiptare në një ent autonom të lidhur drejtë për së drejti me Këshillin Ministror”. Instituti do të funksiononte me një rregullore të përkohshme.[9] Përgjatë vitit 1947 anëtarë të Institutit ishin vetëm 23 pjesëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të tij, pjesë e së cilës nuk ishte Kasimati. Në qershor të 1948, mbledhja e radhës e Asamblesë së Institutit të Studimeve, krahas ndryshimit të emrit në Institut të Shkencave, propozoi anëtarë dhe bashkëpunëtorë të rinj, në radhët e të cilëve ishte edhe Sabiha Kasimati.

Gjatë vitit 1950 në listën e “anëtarëve të rregullt” të Institutit nuk figuron emri i Sabiha Kasimatit.[10]

Studimet në iktiologji[redakto | përpunoni burim]

Profesor Sotir Angjeli, shef i seksionit të Shkencave të Natyrës, në referatin e mbajtur në inaugurimin e Institutit të Shkencave, krahas problemit të ujit, të pyjeve, e konsideroi të rëndësishëm edhe studimin e peshkut dhe të peshkimit në Shqipëri.[11] Kështu, Sabiha Kasimati si një ndër studiueset e para dhe të vetme të asaj kohë për fushën e iktiologjisë, do të ishte gruaja e parë studiuese që do të merrej me studimin e peshkut dhe peshkimit. Studimi ishte bazuar në kërkime shkencore të realizuara përmes ekspeditave dhe kërkimeve periodike. Ajo do të botonte në Buletinin e Shkencave, nr. 1-2, 1948 një artikull shkencor mbi peshqit dhe problemet e peshkimit në Shqipëri, që çuditshëm nuk u pasqyrua në përmbajtjen e lëndës së revistës.[12]

Artikulli vinte në dukje pasuritë kombëtare ujore të Shqipërisë duke theksuar faunën iktiologjike shumë të pasur në sasi dhe në cilësi. Rëndësi i kushtohej faktorëve të larmishëm natyrorë, duke analizuar ndikimin që ata kishin pasur në shumëllojshmërinë e peshqve në ujërat shqiptare. Këtë larmishmëri studiuesja Kasimati e përshkruante në terma shkencorë, duke e vënë theksin në kualitetin dhe cilësinë e peshkut në ujërat e ëmbla të bregdetit shqiptar. Nuk mjaftohej vetëm me konstatimin, por studiuesja shfaqej kritike ndaj situatës në të cilën gjendej peshkimi në Shqipëri. Disa prej zgjidhjeve që ajo ofronte ishin: pishikultura (degë e iktiologjisë) dhe organizimi i peshkimit në baza racionale dhe moderne duke ruajtur sigurisht pasurinë iktiologjike të vendit; organizimi më i mirë i peshkimit, duke përdorur mjetet moderne e ligjet ndërkombëtare. Sipas dokumentacionit, studimi “Peshqit e Shqipërisë” me autorësi të Sabiha Kasimatit është botuar në prill të vitit 1950, por nuk gjendet asnjë skedë që të vërtetojë ekzistencën, madje as gjurmë në inventarin e regjistrimit të librave të kohës.

Procesi dhe vdekja[redakto | përpunoni burim]

Më 19 shkurt 1951 ndodhi një shpërthim në Ambasadën e ish-Bashkimit SovjetikTiranë.Vendosja e “bombës” në legatën sovjetike do të konsiderohej si sulm terrorist ndaj regjimit dhe do të përdorej si pretekst për fillimin e një spastrimi ndaj “armiqve të popullit”. Nga sulmi nuk kishte asnjë të plagosur, por autoritetet shqiptare të asaj kohe si fajtorë konsideruan një grup prej 22 intelektualësh të rinj që punonin asokohe në Tiranë, duke përfshirë këtu edhe Sabiha Kasimatin (si e vetmja grua).

Pavarësisht nga mungesa e çdo provë të fajit, Sabihaja u arrestua nga Sigurimi më 20 shkurt 1951.Të dhëna të drejtpërdrejta për kohën dhe nivelin e survejimit nuk kemi, përderisa nuk ekziston një dosje hetimore. Sipas ish-drejtorit të Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kastriot Dervishit, dosjet e sigurimit për të gjitha ata që u ekzekutuan më 22 shkurt 1951, nën akuzën e bombës në Legatën Sovjetike janë eliminuar. Disa informacione në lidhje me survejimin e Sabiha Kasimatit janë gjetur nëpërmjet dosjes formula të Eqrem Çabejt. Në raportin e bashkëpunëtorit “Prurësja”, datë 20 prill 1950 bëhet me dije se S. Kasimati kishte thënë: '“është interesante të kesh gjith numurat e gazetave që përmbajnë diskutimet se sa raportin e Komandantit. Kush i humb kohën kot, kurse në diskutimet mund të gjesh gjëra interesante”.' 

Më 25 shkurt 1951 gjykata i dënoi që të gjithë me vdekje. Dënimi u ekzekutua natën e 26-27 shkurtit 1951 në afërsi të fshatit Mënik, disa kilometra në perëndim të Tiranës. Trupat u varrosën në një varr të cekët në fushën prapa.[13]

Trashëgimia[redakto | përpunoni burim]

Vepra e saj shkencore, punimet në fushën e florës dhe faunës së Shqipërisë u botuan në vitin 1955 nën emrin e shkencëtarit sovjetik Anatoli Poljakowa, si dhe të studiuesve shqiptarë Ndoc Filipi dhe Ndoc Raka. Në regjimin komunist përvetësimi i punës intelektuale ishte një fenomen që ndodhte. Sabiha dha kontributin e saj për shkencën shqiptare me punën për Muzeun e Shkencave dhe monografinë “Peshqit e Shqipërisë”. Në 60 vjetorin e vdekjes së saj, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi e nderoi me medaljen Nderi i Kombit[14].

Lidhje të jashtme[redakto | përpunoni burim]

Bibliografia[redakto | përpunoni burim]

Referenca[redakto | përpunoni burim]

  1. ^ Fjalor enciklopedik shqiptar, (Vëllimi II), Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, fq. 1130. ISBN 978-99956-10-28-9
  2. ^ Arkivi Qendror i Republikës së Shqipërisë (më tej: AQSH), Fondi (më tej: F.)Liceu i Korçës, Viti (më tej: V.) 1931, Dosja (më tej:D) 90, fl. 65
  3. ^ AQSH. F. Ministria e Punëve të Brendshme, V. 1937, d. 147, fl. 12, 56.
  4. ^ AQSH, F. Ministria e Arsimit, V. 1941, D.207, fl. 262. Dekreti i emërimit të S.Kasimatit si ndihmës sekretare në Institutin femëror “Nana Mbretëreshë”
  5. ^ AQSH F.195 D. IV117/3 V.1944, fl 95-96. Dekret ministror për nxjerrjen në pritmëni të Sabiha Kasimatit
  6. ^ AQSH, F. Instituti Mbretëror i Studimeve Shqiptare, V. 1943, D. 23. fl 3
  7. ^ Asllani, Uran (20 nëntor 2014). "Sabiha Kasimati Mehmet Shehut në hetuesi: Jeni kriminelë, do e paguani!". Panorama. Marrë më 2 mars 2018. 
  8. ^ AQSH, F. Instituti Mbretëror i Studimeve Shqiptare, V. 1942, D. 22, fl. 146-147 Mbledhja e Përgjithshme për Riorganizimin e Institutit, 13 prill 1946
  9. ^ AQSH, F. Këshilli i Ministrave (490), V. 1947, D. 7, fl. 1. Vendim i Këshillit të Ministrave, Nr. 16, dt. 28.1.1947.
  10. ^ Buletini i Institutit të Shkencave, Viti IV, Nr. 1-2, Tiranë 1950, f. 136-137. Anëtarët e rregullt të Institutit të Shkencave.
  11. ^ Buletini i Institutit të Studimeve, Viti I-rë, qershor 1947, Nr. 1, f. 42. Referat i profesor Sotir Angjelit.
  12. ^ Sabiha Kasimati, “Probleme të peshkut dhe të peshkimit në vendin tonë”, Buletini i Institutit të Studimeve, Viti II, Prill 1948, NR 2-3, f. 18-32
  13. ^ Uran Butka, Bomba në Legatën Sovjetike, Tiranë: Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, 2018 f. 34-36.
  14. ^ Informacion në lidhje me dekorimin e Sabiha Kasimatit me titullin "Nderi i Kombit"