Jump to content

Xhamia e Sheikh Saadit

Coordinates: 24°15′45″N 90°39′35″E / 24.262468°N 90.659698°E / 24.262468; 90.659698
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Xhamia e Sheikh Saadit
সাদী মসজিদ
Pamje këndore e xhamisë
Informacion i përgjithshëm
TipiXhami
Stili arkitekturalArkitektura Mogule
VendndodhjaBangladesh Katundi Egarosindur, upazila Pakundia, distrikti i Kishoreganxhit, divizioni i Dhakës, Bangladesh
Koordinatat24°15′45″N 90°39′35″E / 24.262468°N 90.659698°E / 24.262468; 90.659698
Përfundimi1651
Technical details
Floor area58.06 m2 (69.44 sq yd)

Xhamia e Sheikh Saadit është një faltore e vjetër myslimane e vendosur në bregun e majtë të lumit Brahmaputra, në fshatin Egarosindhur të upazilës Pakundia, distrikti i Kishoreganxhit të Bangladeshit. Ajo është shpallur monument arkeologjik i mbrojtur nga Departamenti i Arkeologjisë së Bangladeshit.[1][2]

Xhamia e Sheikh Saadit është një nga xhamitë më mirë të ruajtura në vend. Sipas një mbishkrimi në persisht, mbi mihrabin qëndror, xhamia u ndërtua gjatë mbretërimit të perandorit mogul Shah Xhahan, në vitin 1651 (viti 1062 i hixhrës) nga një person i quajtur Sheikh Saadi. Siç mësohet nga mbishkrimi, emri i babait të të cilit, ishte Sheikh Shiru.[1]

Xhamia përfaqëson një përzierje të arrirë të Arkitekturës Mogule me elemente të Arkitekturës së Sulltanatit të Bengalit. Disa nga veçoritë e punimeve artizanale të saj ngjasojnë me ato të shfaqura më herët në Bengal te Xhamia ShatgumbadBagerhat.[3]

Pamje e ballore e xhamisë

Xhamia e Sheikh Saadit ka planimetri katrore dhe është ndërtuar mbi një terren të ngritur. Gjatësia e secilës faqe muri është 7.62 m (8.33 yd) dhe ka vetëm një kupolë të madhe bulbore, që e zë gati të gjithë çatinë.[3] E gjithë xhamia ka 5 hyrje, tre nga të cilat ndodhen në murin lindor, ndërsa në murin verior dhe jugor nga një hyrje në mes. Çdo faqe muri është e dekoruar me dizajne prej terrakote.

Salla katrore e lutjeve mbulohet nga kupola mbi tambur rrethor, që është vendosur drejtpërdrejtë mbi mure. Katër këndet e sipërme janë mbushur me pendentivë të stilit të Arkitekturës së Sulltanatit të Bengalit. Kupola kurorëzohet me një zambak dhe majëz “kalasa”. Të gjitha hyrjet kanë formë harkore, me hyrjen më të madhe qëndrore të vendosur në një kornizë pak të dalë drejtkëndore. Ndërsa hyrjet anësore janë vendosur në korniza të pak futura drejtkëndore.[1]

Në pjesën e mbrendshme të murit perëndimor ndodhen 3 mihrabë gjysmë-tetëkëndorë, nga të cilët i mesmi është relativisht më i madh. Mihrabët që përputhen me tre hyrjet lindore, janë të dekoruar gjithashtu me dizajne terrakote. Mihrabi qëndror paraqet një kornizë të dalë drejtkëndore në konturin e jashtëm. Ndryshe nga hyrjet, mihrabët kanë harqe të thjeshtë të llojit me katër qendra, por mihrabi qëndror dhe hyrja qëndrore kanë harqe kuspore të vendosur në shtylla dekoruese.

Pamje anësore e xhamisë

Kornizat janë bërë dallueshmërisht të lakuara sipas stilit bengalez. Katër muret ngrihen mbi kornizat, një stil ndërtimor i futur në Arkitekturën e Bengalit gjatë Periudhës Mogule. Në faqen lindore, paraqet një pediment të bukur trekëndor mbi hyrjen qëndrore. Katër këndet e jashtme të saj përforcohen me kullëza tetëkëndore, që ngrihen mbi parapete dhe përfundojnë me një çhatri të vogël të brinjëzuar që kurorëzohet me zambak.[1]

Në faqen lindore, korniza drejtkëndore e hyrjes qëndrore është zbukuruar me përdredhje spirale me rozeta, ndërsa cepat e harkut të bukur me kuspe shfaqin rozeta. Rozeta të ngjashme zbukurojnë edhe cepat e harqeve të hyrjeve anësore. Në të dy anët e faqes lindore janë vendosur vertikalisht tre panele drejtkëndore, secili me një rozetë brenda.

Mihrabi qëndror, duke përfshirë edhe kornizën e tij drejtkëndore, është zbukuruar imtësisht me terrakota. Motivet e tyre përfshijnë bimë kacavjerrëze, rozeta të ndërthurura si dhe modele tradicionale varësesh. Kullëzat këndore dhe shtyllat dekoruese, që mbajnë harqet kuspore të mihrabit qëndror dhe hyrjes qëndrore janë ndarë në seksione të modeluara në fasha.[1]

  1. ^ a b c d e M. A. Bari (2012). "Sadi Mosque". përmbledhur nga Sirajul Islam; Sajahan Miah; Mahfuza Khanam; Sabbir Ahmed (red.). Banglapedia: The National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht). Asiatic Society of Bangladesh. ISBN 984-32-0576-6. OCLC 52727562. OL 30677644M. Marrë më 7 tetor 2024.
  2. ^ "শেখ সাদী মসজিদ ও শাহী মসজিদ". pakundia.koshoreganj.gov.bd (në bengalisht).{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  3. ^ a b "Sadi Mosque". Offroad Bangladesh (në anglisht).