Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë është shpallja e pavarësisë së vilajetit shqiptar nga Perandoria Osmane në kushtet e Luftës së Parë Ballkanike. Shqipëria u vetëshpall e pavarur në Vlorë më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali. Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 40 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë.
Arritja e kryengritjes shqiptare të 1912 u dha të kuptonte shteteve ballkanike se gjendja e Perandorisë Osmane ishte e dobët. Mbretëria e Serbisë ishte kundër planit të Vilajetit Shqiptar, duke parapëlqyer një shkartisje të Rumelisë mes katër shteteve ballkanike. Shtete të cilat planifikuan ndarjen e territoreve evropiane osmane dhe gjithashtu u ujdisën që territoret e pushtuara gjatë Luftës Ballkanike të qeveriseshin si Condominium. Kjo edhe është arsyeja e Asamblesë Mbarëshqiptare të tubuar nga Ismail Qemali, ku morën pjesë delegatët e ardhur nga të gjitha trevat shqiptare.
Pavarësia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Shpallja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Asambleja prej 40 delegatëve në kasabanë e Vlorës më 28 nëntor 1912, shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Procesverbali pas të cilit u radhitën firmat e të dërguarve që u ujdisën për shpalljen u diktua nga Ismail Qemali, u shkrua në gjuhën shqipe nga Luigj Gurakuqi dhe në vijim në osmanisht nga Shefqet Dajiu. Teksti i procesverbalit të mbledhjes nis me fjalët:
"Në Vlonë më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1328/1912
- Pas fjalëvet që tha z. Kryetar Ismail Kemal beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria më sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme.
- Passi upërmendën prej Ismail Qemal Beut Kryetarit të Kongresit, rreziqet e mjerimet në të cilat ndodhet Shqipnia, kongresistët me nji zâ pranuan Independencën edhe e proklamuan Shqipniën Shtet Independent e të lirë.
Firmëtarët
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Lista e atyre që e firmosën dokumentin që protokolloi shpalljen u botua më pas te gazeta e qeverisë së dalë nga ajo asamble, Përlindja e Shqipniës. Akti i shpalljes u shkrua në një copë letre, ku në formulimin protokollar radhiten 34 firma dhe në pjesën e pasme janë gjashtë firma tjera.[1]
- Ismail Qemali
(Ismaïl Kemal) - Nikoll Kaçorri
(Kaçorri) - Vehbi Dibra Agolli
(Abdyl Aziz Vehbi, me shkrimin osman) - Jorgji Karbunara
(J. Karbunara) - Elmas Boçe
(Elmas Boce) - Veli Harçi
(Veli Harçi) - Qazim Kokoshi
(Qazim Kokoshi) - Jani Minga
(J K Minga) - Rexhep Mitrovica
(Rexhep) - Dhimitër Tutulani
(D N. Tut) - Aristidh Ruçi
(A. Ruçi) - Abdi bej Toptani
(Abdi) - Abaz Dilaver Çelkupa
(Abas Dilaver) - Mid'hat Frashëri
(Midhat Frashëri) - Shefqet Dajiu
(Shefqet Daji) - Zihni Abaz Kanina
(Zihni Abbas Kanina) - Xhelal Koprëncka
(Xhelal Ko) - Hajredin bej Cakrani
(Hajredin Cakrani) - Qemal Karaosmani
(Qemal Elbasani) - Ilias bej Vrioni
(Iljas Vrijon) - Salih Gjuka
(Salih Gjuka) - Dhimitër Beratti
(D. Beratti) - Dhimitër Mborja
(Dh. Emmanuel) - Dhimitër Zografi
(Dimitri Zografi) - Murad bej Toptani
(Murad Toptani) - Pandeli Cale
(Pandeli Cale) - Luigj Gurakuqi
(Luiz Gurakuqi) - Bedri Pejani
(Bedri Pejani) - Spiridon Ilo
(Spiro T. Ÿlo) - Thanas Floqi
(Thanas V. Floqi) - Qemal Mullaj
(Qem Be Mullaj) - Lef Nosi
(Lef Nosi) - Myrteza Ali Struga
(D. H. Murteza) - Nuri Sojliu
(Nuri) - Mustafa Merlika-Kruja
(Mustafa Asim Kruja) - Ferit bej Vokopola
(M. Ferid Vokopola) - Ymer Deliallisi
(Ymer) - Xhemal Deliallisi
(Cemmalyyddin bey) - Nebi Sefa
(Nebi Sefa Lushja) - Zyhdi Ohri
(Zuhdi Ohria)
Cungimi i dokumentit të Pavarësisë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Dokumenti u ruajt më pas nga Lef Nosi,[2] i cili e vendosi në dispozicion të një ekspozite të mbajtur me 25 vjetorin e pavarësisë më 1937. Për qëllimet e kësaj ekspozite fotografi zyrtar i Oborrit Mbretëror Kel Marubi e fotografoi së bashku me një riprodhim të anës së pasme ku gjendeshin firma të tjera.
Në kohën e regjimit komunist, nga ndërhyrjet historiografike u cungua edhe dokumenti i pavarësisë. Në albumin Rilindja Kombëtare botuar më 1962, duke u mbuluar me dy fotografi firmëtarët e censuruar janë 9,[2] në albumin PPSH 1941-1966 me drejtoreshë Instituti Nexhmije Hoxhën firmëtarët e censuruar janë 14, ndërsa në tekstin kombëtar i Historisë së Shqipërisë 2008-2012 janë 4 të censuruar.[3]
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Shpallja e Pavarësisë së Kosovës
- Referendumi për autonomi teritoriale dhe politike në Iliridë
- Republika e Iliridës
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Frashëri, Kristo (2008). Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë: 28 Nëntor 1912. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. ISBN 978-99956-10-14-2.
- ^ a b Alpan, Necip (30 tetor 2015). ""28 nëntori"/ Akti i Pavarësisë, gabimet në kopjen e Lef Nosit (2)". Shqiptarja.com.
- ^ Alpan, Necip (31 tetor 2015). ""28 Nëntori" / Çfarë di Kristo Frashëri për Aktin e Pavarësisë (3)". Shqiptarja.com.