Lufta Ruso-Turke (1877-1878)
Me gjithë nxitjet politike që pati nga Rusia, nga Serbia dhe nga Mali i Zi, Preng Bibë Doda ngurroi të fillonte veprimet luftarake kundër Turqisë, derisa Rusia nuk i kishte shpallur luftë asaj. Ndërkaq, Serbia e Mali i Zi, me gjithë ndihmën e madhe që patën nga Rusia, nuk qenë në gjendje ta mundnin Perandorinë Osmane, së cilës i kishin shpallur luftë në fillim të verës 1876. Disfatat që pësuan ushtritë serbe lanë përshtypjen se Rusia nuk do të pajtohej me situatën e krijuar në Ballkan në dëm të saj dhe se së shpejti ajo do të hynte vetë në luftë kundër Perandorisë Osmane. Nën ndikimin e diplomatëve caristë, që e shfrytëzuan këtë rrethanë, kapedani mirditor filloi në fund të vitit 1876 përgatitjet për aksionin luftarak kundërosman. Në janar 1877 mirditorët bllokuan rrugën Shkodër-Prizren, kurse në shkurt arrestuan disa funksionarë të administratës perandorake.
Por ngjarjet ndërkombëtare u zhvilluan në dëm të Preng Bibë Dodës. Rusia nuk hyri menjëherë në luftë, siç parashihej. Madje, me propozimin e Anglisë, Fuqitë e Mëdha pranuan që çështjet e ngritura nga Rusia në kurriz të Perandorisë Osmane të shqyrtoheshin nga një Konferencë Ndërkombëtare, e cila do të zhvillohej me pjesëmarrjen e ambasadorëve të tyre të akredituar në Stamboll.
Konferenca Ndërkombëtare i filloi punimet në Stamboll, buzë Bosforit, më 24 dhjetor 1876. Por ajo ndeshi qysh në fillim në pengesa të organizuara nga vetë nismëtarja e saj, Anglia. Me përkrahjen e fshehtë të Londrës, ditën që u hap Konferenca sulltan Abdyl Hamiti shpalli kushtetutën e përgatitur nga Mithat Pasha, i cili u deklaroi ambasadorëve të Fuqive të Mëdha se në kuadrin e saj do të zgjidheshin të gjitha problemet që shqetësonin kombësitë e Perandorisë, prandaj e quante Konferencën Ndërkombëtare të panevojshme. Por manovra e Portës së Lartë nuk pati rezultat. Me përkrahjen që gjeti këmbëngulja e Rusisë, Konferenca Ndërkombëtare i vijoi punimet në Londër.
Qeveria ruse, e cila nuk kishte asnjë besim në Konferencën Ndërkombëtare, i vazhdoi përgatitjet për luftë kundër Perandorisë Osmane. Në këtë drejtim ajo kishte edhe nxitjen e Gjermanisë, e cila megjithatë e kushtëzonte përkrahjen e saj me pëlqimin që duhej të jepte për këtë luftë edhe Austro-Hungaria. Rusia u detyrua të bënte lëshime, të cilat u fiksuan në marrëveshjen e fshehtë që ajo lidhi me Austro-Hungarinë në Budapest, më 15 janar 1877.
Marrëveshja e Budapestit u hartua mbi platformën e miratuar gjashtë muaj më parë në Rajhshtat dhe u plotësua me një marrëveshje shtojcë që u nënshkrua më 18 mars 1877. Sipas tyre, Austro-Hungaria do të qëndronte asnjanëse në luftën ruso-turke. Si shpërblim ajo fitonte të drejtën të pushtonte ushtarakisht Bosnjën dhe Hercegovinën, kurse fati i sanxhakut të Novi Pazarit (Pazarit të Ri) do të caktohej me një marrëveshje të veçantë që do të lidhnin Peterburgun me Vjenën. Perandoria dualiste zotohej të mos i prekte Rumaninë, Serbinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi, të cilat Rusia i mbante si territore të zonës së saj të ndikimit. Perandoria Ruse do të kënaqej me aneksimin e Besarabisë në Ballkan dhe të Batumit në Kaukaz. Por, në rast se Perandoria Osmane do të shembej krejtësisht, Bullgaria, Rumania dhe Shqipëria do të bëheshin shtete autonome; Kreta, Thesalia dhe Epiri do të aneksoheshin nga Greqia, kurse Stambolli me rrethinën e tij do të shpallej qytet i lirë.
Marrëveshja e Budapestit, sado që në parim pranonte idenë e një shteti autonom shqiptar, e linte të papërcaktuar si hapësirën territoriale, ashtu edhe statusin e tij. Kjo rrethanë krijonte mundësinë për të cenuar rëndë tërësinë tokësore të Shqipërisë, i hapte rrugën Serbisë që të aneksonte krahinën e Kosovës, Malit të Zi viset e Shqipërisë Veriore, Greqisë trojet e Shqipërisë Jugore, të cilat përfshiheshin nën emërtimin Epir, kurse krahinat e Shqipërisë Lindore ishin në rrezik të përfshiheshin brenda kufijve të shtetit autonom sllav, që do të krijohej me emrin Rumeli. Veç kësaj, me marrëveshjen e Budapestit Rusia cariste e detyronte Austro-Hungarinë të mos i prekte Rumaninë, Serbinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi, por jo Shqipërinë. Kjo do të thoshte se Vjena, e cila e kishte ngritur çështjen e shtetit autonom shqiptar, kishte liri veprimi ta përfshinte atë në suazën e politikës së saj ekspansioniste. Si rrjedhim, me shembjen e Perandorisë Osmane, më shumë se gjysma e trojeve shqiptare do të copëtohej ndërmjet fqinjëve ballkanikë, kurse pjesa tjetër, edhe në qoftë se bashkohej në një shtet të veçantë autonom shqiptar, do të hynte nën kontrollin e Perandorisë dualiste. Megjithatë, duhet pranuar se marrëveshja e Budapestit, pavarësisht nga këto aspekte negative, ishte akti i parë diplomatik ndërkombëtar që pranoi në parim idenë e krijimit të një shteti shqiptar. Kjo ide ishte e Austro-Hungarisë, e cila u nis nga interesi për të krijuar në Ballkanin Perëndimor një barrierë kundër ekspansionit serb drejt Adriatikut e Maqedonisë.
Po aq negative për çështjen shqiptare qenë edhe vendimet që morën Fuqitë e Mëdha në Konferencën Ndërkombëtare të Londrës, e cila i mbylli punimet e saj me nënshkrimin e një protokolli në mars të vitit 1877. Konferenca nuk e mori fare në shqyrtim çështjen shqiptare. Protokolli i Londrës e njohu parimin e autonomisë për kombësitë e Perandorisë Osmane, por edhe nga ky parim shqiptarët u përjashtuan, pasi nuk u panë si një komb i veçantë. Protokolli e detyronte Portën e Lartë të pranonte formimin e një province autonome në Bosnjë-Hercegovinë dhe të dy provincave autonome të Bullgarisë dhe të Rumelisë Lindore. Madje njëra prej tyre, vilajeti perëndimor (Bullgaria) me qendër në Sofje, do të përfshinte në kufijtë e vet edhe disa vise të banuara nga popullsi shqiptare, siç ishin krahinat e Kaçanikut, të Tetovës, të Gostivarit, të Kërçovës e të Dibrës deri në rrjedhën e lumit Drin. Protokolli e detyronte gjithashtu Perandorinë Osmane që t’i jepte Malit të Zi, përveç të tjerave, tre ishuj në liqenin e Shkodrës dhe t’i njihte atij të drejtën e lundrimit të lirë në këtë liqen dhe në lumin Bunë. Çështjen e principatës autonome të Mirditës, me gjithë premtimet që i kishte bërë Preng Bibë Dodës, Rusia nuk e shtroi fare për diskutim në këtë Konferencë. Pas nënshkrimit të paqes ndërmjet Turqisë e Serbisë në mars 1877, Mirdita kryengritëse, e braktisur nga Rusia, Serbia e Mali i Zi, mbeti vetëm përballë Portës së Lartë.
Perandoria Ruse mbeti e pakënaqur nga Protokolli i Londrës. Rreziku i një lufte ruso-turke nuk u largua. Për të siguruar prapavijat e saj, Porta e Lartë vendosi atëherë ta shtypte me të shpejtë rebelimin e Mirditës, ndonëse Preng Bibë Doda qëndronte në pasivitet. Kapedani mirditor u orvat ta shmangte operacionin ushtarak osman duke bërë lëshime, por Porta e Lartë, e cila donte ta zhdukte me këtë rast vetëqeverisjen e Mirditës dhe venomet e saj, kërkoi dorëzimin e tij pa kushte. Kështu, pas një sërë ultimatumesh të përsëritura, më 8 prill 1877, filluan operacionet e vërteta ushtarake osmane kundër Mirditës.
Tri kolona të ushtrisë së rregullt osmane marshuan kundër Mirditës nga Lezha, nga Prizreni dhe nga Mati. Ndonëse me huta të vjetra, mirditorët trima e ndalën për një javë marshimin e tyre. Por javën e dytë kolona osmane, që marshonte nga Mati, duke përfituar nga pakujdesia që kishte treguar Preng Bibë Doda në këtë anë, përparoi me lehtësi në brendi të Mirditës dhe u mori krahët mirditorëve që luftonin në sektorin perëndimor e verior. Preng Pasha, i pushtuar nga paniku, braktisi më 15 prill Mirditën dhe u fsheh në Lurë. Pas tij krerët e tjerë u arratisën ose u dorëzuan te turqit. Malësorët e thjeshtë e vazhduan edhe disa ditë qëndresën derisa ajo u shtyp. Kështu, për të parën herë në historinë e sundimit shekullor osman në Shqipëri, më 22 prill 1877, ushtritë turke hynë në kryeqendrën e Mirditës, në Orosh, të cilin e plaçkitën dhe e dogjën.
Dy ditë më vonë, më 24 prill 1877, Perandoria Ruse i shpalli luftë Turqisë. Serbia, e cila ndërkohë kishte nënshkruar paqen me Stambollin, qëndroi mënjanë. Përkundrazi, Mali i Zi, i cili nuk kishte pranuar as të nënshkruante paqen, as të përsëriste armëpushimin, u bashkua me Rusinë në luftën kundër Perandorisë Osmane.
Sapo filloi lufta, rusët e malazezët u bënë thirrje përsëri shqiptarëve dhe në mënyrë të veçantë mirditorëve që të bashkoheshin me ta kundër Perandorisë Osmane. Por tashmë, edhe mirditorët kishin nxjerrë mësime. As malësorët, as krerët e tyre nuk kishin më besim në politikën e Rusisë e të Malit të Zi. Nën presionin e tyre kapedani i Mirditës u detyrua të mos i dëgjonte më nxitjet ruse e malazeze. Ndërkohë edhe Porta e Lartë, e cila tani nuk donte të kishte telashe me mirditorët, pasi mori garanci se Preng Pasha kishte hequr dorë nga ideja e kryengritjes së armatosur, shpalli faljen e tij dhe e pezulloi përsëri vendosjen e administratës së saj centraliste në Mirditë. Mirditorët u kthyen në shtëpitë e tyre të djegura, por armët nuk i dorëzuan.