Jump to content

Mustafa Reshit pashë Bushatlliu

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Mustafa Reshit Pasha ose Mustafa Pashë Bushati (Shkodër, 26 mars 1797 - Medine, 27 maj 1860) ka qenë vezir i Shkodrës, pashallëk të cilin e qeverisi në vitet 1810–1831, i fundit i vezirëve Bushatllinjë sunduan Shkodrën. Si poet njihej me mahlasin "Sherifi".

U lind më 27 të Ramazanit të 1211 H në Shkodër, i biri i Mehmet Asaf Pashës, nipi i Gazi Mehmet Pashës. U rrit nga i ati, shtetar dhe poet, por për shkak se xhaxhai i tij Ibrahim pashë Bushatlliu vdiq, dhe i ati një vit përpara tij, iu dha drejtimi i mytesarifatit me gradën e bejlerbeut që në rini të hershme, më 1810. Mustafa Pasha, të cilit iu dha grada e vezirit brenda dy vjetëve (maj 1812) punoi që të vinte rend e rregull në Rumeli, aq sa u caktua që të shtypte kryengritjen e Ali PashaitJaninës ndaj qeverisë qendrore.

Së bashku me valiun e atëhershëm të Rumelisë, Hysejn Pashën, arritën të fashitnin vezirin tashmë fermanli të Janinës. Ai kontribuoi në qetësimin e mëtejshëm të asaj pjese të Rumelisë duke eliminuar sulmet malazeze ndaj viseve shqiptare. Sidoqoftë ai kundërshtoi rekrutimin e rregullt ushtarak që u përpoq të implementohej në Rumeli, duke u bërë kësodore kundërshtar me kryevezirin Mehmed Reshid Pashën.

Ai u thirr nën armë për luftën Osmano-Ruse të 1828-29, duke iu dhënë komanda e krahut të Edrenesë, iu dha tagër të mobilizonte krejt Rumelinë. Ai luftoi kundër rusëve ku këta kishin okupuar Vidinin dhe Rahovën, shërbime për të cilat u lavdërua nga Sulltan Mahmudi II.

U radhit me krerët e pakënaqur boshnjakë, valiun e Egjiptit Mehmed pashë Kavallaliun, princin serb Millosh Obrenoviqin dhe princin malazez Petar Njegoshin II. Kur ia hoqën sanxhaqet e Ohrit, Elbasanit dhe Dukagjinit/Pejës nga administrimi i tij, ai reagoi duke shtirë në dorë qytetet e Nishit, Sofies dhe Shkupit, veprim për të cilin u shpall rebel.

Mehmed Reshid Pasha marshoi kundër pashait shkodran me trupat e tij të rregullta dhe e theu atë në malësitë e Babunesë, pranë Përlepit. Mustafa Pasha u ngujua në kalanë e Shkodrës, ku pasi u rrethua kërkoi që të dorëzohej dhe e shpurën në Stamboll.

Iu dha një banesë në Sulejmanije, ku në sajë të personalitetit të tij fetar, interesit për letërsinë, poezisë së tij dhe kuvendimeve, rrethi i miqëve të tij në kryeqytet erdhi duke u shtuar. Kësodore u kthye edhe njëherë nëpër detyra, në Bolu, Kastamony, Adana, Marash dhe Konja nëpër Anadoll. Më pas u kthye sërishmi në Rumeli, me detyrë në Hercegovinë me qendër vilajetiMostar më 1853.

Si detyrë të fundit u emërua shejh-ul harem në Medine, titull nderimit që u jepet dijetarëve nëpër dy qytetet e shenjta.[1] Ndërroi jetë në Medinën e Ndritur, ku dhe u varros në varrezat Bekije të saj.[2]

Gjatë sundimit të tij në pashallëkun e Shkodrës ai hapi kanale vaditëse duke shfrytëzuar ujin e Drinit, i dha rëndësi kulturës së orizit, pambukut dhe kulturave të tjera industriale e të drithërave.[2]

I dha rëndësi të veçantë institucioneve mësimore, pasuroi Biblioteka e Vakëfit duke sjellur libra të vlefshëm fetar dhe shkencor nga gjetkë.

Mustafa Reshiti mbështeti trupat e Hurshid Pashasë gjatë shtypjes së Kryengritjes së Parë Serbe në vitin 1813, e cila ishte nën udhëheqjen e Karagjorgje Petroviqit.

Mustafa Reshiti gjithashtu ka bërë përpjekje për të mbështetur njësitë shqiptare në Greqi gjatë trazirave që pasuan pas shkarkimit të Ali Pashës. Ai ishte dyshuar se ka ndihmuar jeniçerët dhe u shkarkua me dhunë nga pushteti nga Sulltan Mahmudit II, për shkak të rebelimit të tij kundër reformave turke mbas tre muajsh qendrese i rrethuar, u dorëzua.

Sulltani e dënoi me vdekje, por mandej e fali dhe e gradoi sërish pasha, duke ia kthyer edhe pasurinë që ia kishte konfiskuar. Mbas disa transferimeve u emërua Shejhul-Haremi Nebevi (Mbrojtës i haremit profetik) i Medinës ku ai sundoi deri në vitin 1860 kur vdiq. U varros ndër varrezat e quajtura "Beki".

  1. ^ "Mustafa Paşa, Buşatlı". islamansiklopedisi.org.tr (në turqisht). 2020.
  2. ^ a b Bushati H., Shkodra dhe motet (traditë, ngjarje, njerëz) v. II, Shkodër: "Idromeno", 1999.
Titujt
Parardhësi 
Ibrahim Bushati
Pasha i Shkodrës
1810–1831
Pasardhësi 
Titulli u heq