Preng Bibë Doda

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Prênk Bibë Doda)
Shko te: navigacion, kërko
Preng Bibë Doda
PBibëD.jpg
Ministër i Punëve të Jashtme
28 maj, 19143 shtator, 1914
Paraardhësi: Turhan pashë Përmeti
Pasardhësi: Mehmet bej Konica / Mehdi bej Frashëri
Të dhënat personale
Lindi më: 1860
Lindi në: Orosh, Perandoria Osmane
Vdiq më: 22 mars 1919
Vdiq në: Lezhë, Shqipëri
Kombësia: Shqiptar
Profesioni: Politikan


Preng Bibë Doda i njohur edhe si Preng Pasha (Orosh, 1860 - Lezhë, 22 mars 1919) ishte ushtarak i Perandorisë Osmane, prijës i fisit të Gjonmarkajve - oxhaku që ishte autoriteti më i lartë i pleqërimit të kodit zakonor shqiptarGegëri dhe prijësit tradicionalë të Mirditës me kajmekamllëk të mandatuar nga Porta e Lartë. Pas pavarësisë së Shqipërisë emërohet zv/kryeministër i Principatës së Shqipërisë pas punimeve të Kongresit të Durrësit.

Jeta[redakto | redakto tekstin burimor]

Leu në Orosh të Mirditës, asokohe nën Sanxhakun e Shkodrës, i biri i Bibë Dodë Pashës dhe Hides së Hasan Ajazit[1] më 1858. Me vdekjen e të atit, edhe ai ushtarak i lartë i Perandorisë, paria e konakut të Gjonmarkut dhe kajmekamllëku i Mirditës i lihet një kushëriri të tyre dhe Prenka ende në moshë të njomë merret (apo syrgjynoset) ndër lokalitete të tjera të perandorisë.

Fëmijërinë e vet e kaloi në Stamboll, prej ku kthehet në Mirditë më 1876. Me zhvillimet e Lidhjes së Prizrenit më 3 prill 1880 emërohet zëvendës i Hodo pashë Sokolit për degën e Shkodrës. Me ta marrë vesh këtë, Porta e Lartë e internon në Kastamuni të Azisë të Vogël[2] dhe më vonë në Liban. Pas kontakteve tregtare me agjencitë e interesuara për shfrytëzimin e resurseve të Mirditës, familja e Malhamëve në Beirut, i bëri kërkesë Stambollit që ta emëronin Dodën mytesarif i Malit të Libanit si zëvendësues për Vaso pashën[3].

Do të kthehej më 1908 pas Revolucionit Xhonturk. Át Pal Dodaj shkruante në ditarin e tij:

«18.09.1908
Mbramjen e kësaj dite mbërriti në Shëngjin nga mërgimi Prenkë Pasha, nga ku para 27 vjetësh qe nisun për nji destinacion të panjoftun. ... Qysh në qershor Papa Luani XIII ka veprue pranë Sulltanit për kthimin e tij. Gja që do të kishte ndodhë nëse Austria nuk do t'ishte kundërvu në fshehtësi."[4]

Kthimi i Prenk Bibë Dodës në Mirditë u shndërrua në festë të madhe, jo vetëm për mirditasit por edhe për tërë Shqipërinë e Veriut, të cilët atë e shihnin si udhëheqës të ardhshëm të Shqipërisë së Pavarur dhe të bashkuar me të gjitha vilajetet shqiptare. Përgjatë viteve 1908-1911 kur kryengritjet gëluan, më 26 prill 1911 Prenkë Pasha formoi qeverinë e Mirditës së bashku me arbëreshin Terenc Toçi në kuvendin që u mbajt në Fan dhe u ngrit flamuri pak javë mbasi u valëvit nga malësorët në Deçiq.

Prenga i ri me shpatën e argjendtë që iu dhurua të atit nga Napoleoni III i Francës, shpatë të cilën më vonë Enver Hoxha përflitet se ia dha Hrushçovit me rastin e vizitës së tij në Shqipëri.

Shqipëria mëvetësohet dhe me komplotin e Beqir Grebenesë, prej ndërkombëtarëve caktohet që fronin shqiptar ta marrë Princ Vidi. Radhitej në treshen me më ndikim të shqiptarëve të kohës, tok me Esad pashë Toptanin në Shqipërinë e Mesme dhe Ismail Qemal bej Vlorën në jug. Pas trazimeve me kryengritjen e Haxhi Qamilit, Prenkë Pasha merr pjesë aktive në luftimet kundër rebelëve. Me moskthimin e Princit në vend, rendohet Kongresi i Durrësit ku Prenkë pasha emërohet zëvendësi i kryeministrit Turhan pasha.

Vritet më 1919 rrugës nga Durrësi për në Shëngjin i shoqëruar në veturë me të ngarkuarin me punë të Mbretërisë së Bashkuar, Eden, i cili u plagos gjatë ngjarjes. Mendohet se dorasësit e tij kanë qenë të futur nga Çokët e Bregmatjes.

Me vrasjen e tij, prijësia e Gjonmarkajve dhe e Mirditës i kaloi barkut të Lleshit të Zi, prejse martesa e tij me Luçien e Kolë Xhuxhës (mbesën e Ndoc Xhuxhës)[5] nuk pati fëmijë. Parinë e muar gjegjësisht Marka Gjoni, i cili nuk çmohej edhe aq shumë pas ngjarjeve të revoltës kundër Princ Vidit[2].

Referencat[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ Lushaj R., Kurora e Dytë e Lurës, Dielli, 28 maj 2014.
  2. ^ a b Elsie R., The Tribes of Albania: History, Society and Culture, I.B.Tauris, 30 maj, 2015, fq. 228-229.
  3. ^ Toksöz & Kollouğlu, Cities of the Mediterranean: From the Ottomans to the Present Day, I.B.Tauris, 2014, fq. 136. ISBN 978-1-84885-127-6
  4. ^ Marrë nga Hylli i Dritës Nr. 2-3 (221-223) vjeti XXI/1993 Tr. fq 91-111, Át Pal Dodaj: Shënime vrojtimesh.
  5. ^ Atdhetari Ndoc Xhuxha, ndër filatelistët e parë shqiptarë