Jump to content

Kalaja e Shkodrës

Coordinates: 42°02′48″N 19°29′38″E / 42.04667°N 19.49389°E / 42.04667; 19.49389
Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Rozafati)

42°02′48″N 19°29′38″E / 42.04667°N 19.49389°E / 42.04667; 19.49389

Kalaja e parë nga Nënshkodra

Kalaja e Shkodrës që mban emrin Rozafa është një monument mijëvjeçar i ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës, në jug-lindje të tij. Qëndron mbi një kodër shkëmbore 130 metra mbi nivelin e detit, e rrethuar nga lumi Buna e Drin, me një sipërfaqe prej gati 9 hektarësh.

Kalaja përbën një simbol të qytetit, e pranishme ndër piktura, gdhëndje etj.

Dokumentimi i parë i emrit Rozaf është ndeshur në biografinë e Nemanjit nga Stefani i Parëkurorëzuar, më 1215. Te Barleti haset në trajtën Rozapha, rreth 1480. Emri vjen prej qytetit RusafaSirinë e sotme, jo larg Palmirës, që është qyteti i përmendur në legjendën e shenjtorëve Sergius dhe Bacchus. Kjo ndërlidhet me kuvendin e famshëm të këtyre shenjtorëve në rrjedhën e lumit Buna, dhe populli e kaloi vendlindjen e këtyre martirëve sirianë te rrethinat më të afërta.[1] Hahn quan "kodrat e Rozafës" krejt kodrat që ndajnë ultësirën e liqenit me atë të lumit Drin.[2] Populli i Shkodrës nuk e njihte me këtë emër, shkruan Hamdi Bushati. Dukagjinasit kishin shprehjen "Kush të sundojë kalanë, jemi me të!".[3]

Barleti te Rrethimi i Shkodrës kumton se ka një rrëfenjë vernakulare mbi ndërtimin, sipas të cilit i kishin rënë në dorë disa shkrime ku flitej për njëfarë Roze dhe të motrën, quajtur Fa, që ishin themelueset e para të Shkodrës dhe prandaj fortesa u quajt Rozafa.

Shekuj më vonë konsujt francez Hecquard dhe Degrand variante tjera të kësaj balade, në të cilën gjendet edhe motivi i murosjes.[3] Karaxhiq mbledh këngën që në gjuhën serbe titullohet Zidanje Skadra (Ndërtimi i Shkodrës), e regjistruar prej një vendësi nga Kolashini, që Skëndi e çmon se duhet të ketë qenë tradicionale nga ato anë. Sipas të cilës ndërtimi i kalasë i atribuohet mbretit Vukagjin dhe vëllezërve të tij, Uliosha e Goiko të Mrnjavçeviqëve.[1]

Kanga e kalasë së Shkodrës siç e këndonte populli, u mblodh gjithashtu nga Kasem Taipi.[3]

Prej pozicionit të vet, kodra ka qenë e banuar që nga antikiteti. Ka qenë qendër e fortifikuar ilire dhe u pushtua nga romakët më 168 para Krishtit. Historiani Tit Livi e quante "vendi më i fortë i labeatëve". Në veprën De AedificisProkopit të Çezaresë përmendet Skydreonopolis në grupin e fortesave të rindërtuara në kohën e Justinianit.[4]

Sipas kronika, kalaja iu pushtua njëherë Balshajve nga osmanllinjtë më 1392. Osmanët ia dhanë dhuratë Balshës, i falënderuar nga Sulltan Murati II sepse i kishte dërguar për harem një vajzë shumë të bukur. Balsha hoqi dorë nga qyteti dhe ia kaloi Republikës së Venedikut, kohë në të cilën zhvillohen punime fortifikuese dhe ndërtohet Barbakania në vitet 1407-1414. I gjithë kompleksi i hyrjes përfundoi së ndërtuari më 1468.

Kronisti osman Evlija Çelebi e përshkruan te Sejahatnameja:[3]

"Kalaja çohet mbi një shkamb të naltë e të rreptë buzë liqenit të madh dhe lumit Buna. Ka katër kande, por pak si e gjatë, e ndërtueme me gurë të gdhendun, e papengueme nga ndonjë mal. Asht fortesë e plotë, por e vogël. Nuk ka hendeqe, por ka plot kulla, dhambë e bedena (pirgje), ka dy porta, njena vështron fushën e vogël, brenda kësaj porte asht tyrbja e Mujo Babës. Në këtë kala ka pak shtëpi dhe vetëm një xhami, ajo e Sulltan Muhammedit, e cila është e ndërtuar me tjegulla dhe e ndërtuar sipas stilit të vjetër. Fortesa ka 7 a 8 saranxha plot me ujë shiu. Prej kalasë deri në liqen ka rrugë nëndhese, të cilat i dinë vetëm njerëzit e kalasë që mbushin ujë përmes tyne në raste rrethimi. Brenda në kala nuk ka dyqane, ka vetëm 100 banesa ushtarësh, ka depo për grunë e municione edhe ka shumë topa".

Më 1787 ushtria osmane rrethoi Kara Mahmud Pashën, ku Bushatlliu doli ngadhënjimtar; po ashtu veziri i fundit i Shkodrës, Mustafa Pasha u rrethua më 1830 nga ushtria osmane dhe në fund u dorëzua për mungesë buke e municioni. Deri më 1858 valiu kishte selinë e vet në kala dhe deri më 1865 si qendër administrative, më pas mbeti vetëm garnizoni i rregullt

Oborri i tretë dhe Muzeu te Kapiteneria

Hyrjen kryesore kalaja e ka nga veri-lindja, sipërfaqja e brendshme ndahet nga muret e tre oborreve, me porta mes tyre. Oborret vijnë duke u ngritur njëri pas tjetrit, i treti është në pjesën e lartë të kodrës. Muret dalëse kanë të dalura drejtkëndore që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm kullat janë më të dendura.

Brenda kalasë ka disa ambiente që lidhen me një kullë cilindrike, një depo si dhe një godinë trekatëshe të kohëve venedikase, quajtur Kapiteneria. Oborri i dytë në pjesën qendrore ka katër depozita për grumbullim uji, katërkëndëshe të mbuluara me qemerë, prej ku merrej uji përmes grykave të puseve rrethore. Aty është depoja, burgu si dhe Xhamia e Fatihut.

Oborri i parë

Oborri komunikon me hyrjen kryesore të kalasë, para së cilës në vitet 1407-1416, u ndërtua një oborr i fortifikuar, një sistem paramuresh me kthesa të mprehta që zënë pjesën lindore të kalasë. Oborri përbëhet nga një kullë katërkëndëshe me gjerësi 10 metra dhe gjatësi 20 metra, kati i poshtëm i së cilës është i mbuluar me një qemer cilindrik përshkues që nga hyrja. Në dy anët e kësaj galerie ndodhen nga katër nike të mbuluara me qemer cilindrik.

Një fushatë arkeologjike polake zbuloi më 2014 një hamam të shekullit të 14.[5]

Barleti përmend edhe territorin rreth kështjellës se Rozafatit: Kazenë (kodra matanë Bunës ku ndohet kisha e Sh. Mari Magdalenës), Maldunus ose Valdunus (kodra mbi të cilën ngrihet kalaja) dhe Zarufe (kodra e Pashës).

Për të shkuar në kala duhet ndjekur Rruga e Pazarit të vjetër, e cila çonte për te mullri i Danes ku në një pikë bashkohet me mbetjet e asaj që qe rruga e asqerëve. Më 1936 Bashkia e Shkodrës e shtroi me zall, më vonë u rregullua me parmakë dhe bazament të mirë. Fortesa në faqen e saj nga jugu ka një rrugë të vjetër, e cila tani është jashtë përdorimi, në periudhën osmane quhej Rruga e varrit - Mezar jolli, sepse nga ajo rrugë ulnin poshtë të vdekurit.

Duke u ngjitur për në kala ka patur një varr të rrethuar me hekura kafazli, me një gur mermeri me shkrim osmanisht të gdhendur. Ky ka qenë Varri i Kaja Hanmit, i cili sipas një dokumenti vakëfnor të Mustafa Pashës, pandehet se ka qenë varri i të ëmës. Pa mbërritur te porta e madhe e kalasë, në kthesën e rrugës bërryl në të djathtë, janë ende rrënojat e Tyrbes së Mujo Babës - sipas gojëdhënës, me origjinë turke. Tyrbe e cila e përmendur prej Çelebiut, ekzistonte deri më 1914, kur e prishën disa ushtarë italianë të nxitur.[3]

  1. ^ a b Stavro, Skendi (2007). Poezia epike gojore e shqiptarëve dhe e sllavëve të jugut. Tiranë: IDK. fq. 75–77. ISBN 9789994398201.
  2. ^ Von Hahn, Johan Georg (2013) [1854]. Studime shqiptare. Përkthyer nga Veniamin Dashi. Tiranë: IDK. fq. 136. ISBN 978-99943-982-5-6.
  3. ^ a b c d e Bushati, Hamdi (1998). Shkodra dhe motet. Vëll. 1. Shkodër: Idromeno. fq. 210–225. OCLC 645720493.
  4. ^ Lahi, Bashkim (dhjetor 2011). "Pellgu i Shkodrës dhe trashëgimia e tij historike". Art & trashëgimi. 3: 28–30.
  5. ^ "Early Turkish bath discovered in Shkoder, Albania". invest-in-albania.org (në anglisht). 12 korrik 2014.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)