Shko te përmbajtja

Gjeneral gramafoni

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Gjeneral gramafoni
Arkivi i filmit
Titulli shqip Gjeneral gramafoni
Vendi i prodhimit Shqipëri
Viti i prodhimit 1978
Koha (Zëri) - (PAL/DVD) 104:10
Gjuha origjinale Shqip
Ekipi realizues
Regjia Viktor Gjika
Skenari Vath Koreshi
Muzika e filmit Aleksandër Peçi
Kameramani Viktor Gjika

Pëllumb Kallfa

Drejtori artistik Polivaq Lina
Prodhuesi i filmit:Shqipëria e Re
Aktorë kryesorë
Bujar Lako
Guljelm Radoja
Sheri Mita
Reshat Arbana
Aktorët tjerë
Sander Prosi
Kadri Roshi
Llambi Kaçani
Muhamet Sheri
Tinka Kurti
Dhimitër Orgocka

Gjeneral gramafoni është një film shqiptar, prodhim i Kinostudios "Shqipëria e Re", viti 1978. Regjisor i filmit është Viktor Gjika, me skenar nga Vath Koreshi dhe muzika Aleksandër Peçi. Regjistrimet muzikore në film janë interpretuar nga Laver Bariu e Remzi Lela dhe si këngëtarë Mentor Xhemali me Ylli Zeqiri, kurse vallja e Osman Takës[1] është ekzekutuar në film nga valltari popullor Taip Madani.

Premierë: 11 shkurt 1978, Tiranë

Shfaqur në:

Filmi është restauruar në mënyrë digjitale nga AQSHF në bashkëpunim me Fondazione di Puglia në qendrën DAMIBUS SRL, Bari, Itali. Prezantimi i filmit të restauruar: 20 prill 2023, kinema Cineplexx, TEG, Tiranë.[2][3]

Përmbajtja e filmit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Filmi i vendos ngjarjet në kohën e Mbretërisë Shqiptare të mesit të viteve ’30, pak kohë pasi qe organizuar një kryengritje e armatosur (Kryengritja e Fierit), që kishte synuar rrëzimin nga froni të monarkut Zogu I. Është koha kur kapitali italian vazhdon të vërshojë gjithnjë e më shumë në Shqipëri nëpërmjet konçensioneve në degë të ndryshme të ekonomisë, si një pararendje e pushtimit ushtarak të vitit 1939 nga Italia fashiste.

Në qendër të filmit është figura e Halit Beratit, një punëtor i thjeshtë në shoqërinë italiane të naftës AIPA, e cila kishte marrë konçensionin e shfrytëzimit të puseve të naftës në Kuçovë. Veçantia e Halitit ka të bëjë me pasionin e tij, të qënit një artist, një klarinetist virtuoz popullor. Pas punës së ditës nën diellin përvëlues tek puset e naftës, ku shpesh dëgjohen thirrjet e kryepunëtorit italian "hajde, puna-puna", ai, së bashku me Xha Parandilin, Bushin etj, që përbënin grupin e sazeve që kishin krijuar ata vetë, luanin meloditë e traditës në Kafe "Tomori" të Xha Brahos dhe bashkëqytetarët, në klub apo rrugë, i dëgjonin me ëndje këngët dhe meloditë e tyre, duke harruar për pak çaste varfërinë dhe hallet e jetës.

Gjëndja e brendshme në vend është e trazuar, kryengritja sapo ishte shtypur dhe shumë antizogistë ishin burgosur. Në korridoret e burgut komandanti i xhandarmarisë, Misiri, u sjell të burgosurve kryengritës “xhevapin e naltmadhnisë” për fatin e jetëve të tyre dhe mbi urën e qytetit duket kolona e të burgosurve të tjerë, që kthehen në mbrëmje të rraskapitur nga puna detyruese.

Në pazarin e qytetit është një ditë e zakonshme; zejtarët dhe zanatçinjtë me zhurmat e tyre karakteristike të punës dhe dy djem të vegjël që kalojnë në çdo dyqan për t’i lajmëruar se janë të ftuar tek dasma e Gori Xhokaxhiut. Brenda në pazar është hapur një dyqan i ri për shitjen e disqeve, gramafonëve, librave e revistave italiane nga ku dëgjohen këngët italiane që bashkohen me zhurmat e pazarit. Idea e hapjes së dyqanit me disqe muzike është e zotit Alberto, një italian, i veshur plot sqimë dhe që nga dukja i ngjan shumë një zyrtari diplomat. Miku i tij, Mikele, që është mbikqyrësi i konçensionit të nxjerrjes së naftës, e ngacmon zotin Alberto, duke i thënë se i ngjan me një gjeneral fantazmë - gjeneral gramafoni që lufton me disqet e tij kështjella të padukshme. Me ftohtësi, Alberto i përgjigjet se është thjesht një lloj pasioni për gramafonet dhe disqet.

Të dy miqtë shkojnë për vizitë në shtëpinë e prefektit Krisithon, prej nga shihej dasma që zhvillohej në oborrin ngjitur. Teksa shohin Halit Beratin me sazet e tij dhe interpretimin e valles së Osman Takës, Alberto me komentet e tij tregon se ka shumë informacion për këngët dhe muzikën tradicionale shqiptare. Ndërkohë, tek Sheshi i të Varurve, po ekzekutohen luftëtari i vjetër, Sefedini dhe i riu, Zigur, dy antimonarkistë kryengritës. Dasma e djalit të Gori Xhokaxhiut u prish, të gjithë shkuan tek Sheshi i të Varurve dhe qyteti po ulte dritaret e shumta në shenjë revolte të heshtur. Artistët kthehen tanimë tek kafe “Tomori” dhe aty Haliti luan një kaba që shprehte shumë dhimbje por dhe protestë. Melodia “bezdisi” komandant Misirin, i cili urdhëroi të arrestohen “frymaxhinjtë”, por aty ndërhyn  z. Alberto, i cili me diplomaci e shmangu arrestimin duke pretenduar se kjo ishte një mënyrë për t’u afruar me sazexhinjtë. Dukej qartë që ai kish shumë pushtet jo vetëm mbi komandantin por edhe mbi prefektin. Kuriozitetit të Mikeles se përse veproi ashtu dhe nuk i la në dorë të xhandarëve “kështjellat” që ai do të pushtonte me disqe gramafoni, Alberto iu përgjigj: “Është kollaj të varësh njerëz, por ne jemi komb i qytetëruar. Ushtarët tanë kur të vinë këtu, këta duhet t’i presin me lule, si shpëtimtarë.”

Alberto i propozon Halitit t’ia regjistrojë  muzikën e tij në 50.000 disqe, prej të cilave usta Berati do të fitojë famë dhe para. Haliti e pranon propozimin dhe megjithëse i keqardhur që nuk do të vinin dhe shokët e tjerë të grupit të sazeve, pas pak ditësh ai dhe Alberto nisen për në Korçë, tek Radio Korça, ku do të bëheshin regjistrimet e disqeve. Në vend të udhëtimit komod me makinë, Alberto preferoi të udhëtonin me karvan. Gjatë rrugës, shpesh ai zbriste nga kali, fotografonte rrugë e gryka strategjike dhe bënte shënime në një hartë fshehurazi bashkëudhëtarëve të tjerë. Pas justifikimit se me këto pamje do dalin kartolina mahnitëse, fshihej qëllimi i vërtetë i tij; si një gjeneral i vërtetë ushtarak, Alberto po “skiconte” rrugët nga mund të kalonte ushtria gjatë pushtimit që nuk do të vononte.

Në Korçë po kryheshin regjistrimet e këngëve dhe melodive dhe disqet filluan të dalin në shitje. Në kafenenë e xha Brahos, miqtë sazexhinj të usta Beratit, në mungesë të tij, dëgjonin të përmalluar dhe të habitur në gramafon një këngë të tij të sapo regjistruar. Në fund, ata mbetën të befasuar kur teksa kthyen diskun nga ana tjetër, aty filloi një muzikë italiane. Xha Parandili shpreh habinë duke thënë: “Po kjo?! Ç’është ky marifet kështu? I paskan ngjitur nga një italiankë mbrapa!”. Ndërkohë, Haliti dhe muzikantët e tjerë të grumbulluar në Korçë, e kishin kuptuar këtë “hile” të disqeve dhe të ndikuar nga bisedat me Nasin, anëtar i lëvizjes komuniste të kohës, vendosin të largohen dhe braktisin regjistrimet. Haliti dhe të tjerët fillojnë të kuptojnë se nën veshjen e tregtarit të disqeve të gramafonit është fshehur plani dinak i Albertos. Ata fillojnë të kuptojnë demagogjinë fashiste dhe të gjithë marrin pjesë në demonstratën e punëtorëve të naftës në Kuçovë, si një paralajmërim se pushtuesit nuk do të priten me lule si shpëtimtarë, por siç thërret xha Parandili, në fund të filmit, gjatë përleshjes së përgjakshme të punëtorëve me xhandarët: “Bjeruni! Bjeruni!”

Skenë nga filmi "Gjeneral gramafoni"

- Kupa e Festivalit si filmi artistik më i mirë;

- Regjia më e mirë - Viktor Gjika;

- Medalje për interpretuesit më të mirë - Bujar Lako, për rolin e Halit Beratit, në filmin Gjeneral gramafoni;

- Medalje për interpretuesit më të mirë - Kadri Roshi, për rolin e Xha Parandilit, në filmin Gjeneral gramafoni.

  • Fiton Çmimin e Republikës së Klasit I - Viktor Gjika, për regjinë.
  • Fiton Çmimin e Republikës së Klasit I - Bujar Lako, për rolin e Halit Beratit.
  • Fiton Çmimin e Republikës së Klasit II - Vath Koreshi, për skenarin.
  • Fiton "Diplomë nderi" (jashtë konkursit) në Festivalin II të Filmit Ballkanik në Stamboll, Turqi, prill, 1979.[6]

"Diagramat" e momenteve jetësore të skenarit të Vath Koreshit, janë dhënë në ekran me masë artistike dhe tempo-ritëm të saktë. Regjisori Viktor Gjika dhe bashkëpunëtorët e tij kineastë, duke zotëruar e njohur mirë peshën e ngjarjeve, intesitetin e konfliktit dhe zhvillimin e figurave, theksimet ideoemocionale i bëjnë me vend dhe me mjete shprehëse të fuqishme. Masa e këtij theksi buron nga thelbi i ngjarjes ose veprimi i tipave dhe nuk "injektohet" nga jashtë, me mjete të kërkuara, me truke kinematografike. Kështu edhe harmonizimi e shkrirja e përbërësve filmikë, rrjedh nga kërkimet për të shprehur sa më mirë e më plot brendinë ideore. Te Sheshi i të Varurve, p.sh., ka mjaftuar vetëm muzgu dhe qetësia solemne, kurse në dasmën e djalit të Gori Xhokaxhiut, gjallëria dhe momenti ka kërkuar dhe gjallërinë e kameras, edhe dritën e bollshme, edhe ngarkesën e tingujve muzikorë, zhurmave...[7]

Në filmin “Gjeneral gramafoni”, personazhi kryesor është njeru i thjeshtë, muzikanti popullor. Muzikanti Halit Berati në këtë film flet shumë nëpërmjet këngës dhe klarinetës së tij, por edhe me veprimet e qëndrimet e tij si qytetar. Kur ndërpritet muzika, flasin sytë e tij, flet një nuancë a një detal i gjetur bukur nga aktori. Të gjitha këto karakteristika të Halit Beratit - Lako, të paraqitura në planin psikologjik emocional, ndeshen në film me dinakërinë dhe demagogjinë e Albertos. Aktori Guljelm Radoja, duke iu përmbajtur figurës së dhënë në skenar, me aftësinë e tij interpretuese, krijoi në ekran një figurë të goditur. Ai vizaton saktë portretin e urryer të agjentit dinak e demagog, fashistit të egër, që ka ardhur në vendin tonë t’i prijë agresionit ushtarak. Përballë tij ngrihet monumentale figura e njeriut të thjeshtë të popullit. Dhe, si të thuash, brenda kësaj ndeshjeje midis dy njerëzve me botë krejt të ndryshme, vizatohet me ngjyra të qarta ndeshja për jetë a vdekje ndërmjet artit popullor dhe pseudoartit.[8]

I bërë njësh me hallin e tij, me marazin e tij, me dhembjen dhe muzikën e tij, ky aktor (Kadri Roshi) ka skalitur aq bukur xha Parandilin e “Gjeneral gramafonit”. Këtu na zbulohet njeriu me shpirtin e ndjeshëm plot brenga e halle, me zemër të gjerë dhe dashuri për jetën.[9]

Një nga momentet më emocionues të filmit “Gjeneral Gramafoni” është dhe interpretimi i valles së Osman Takës nga valltari i njohur Taip Madani, një nga perlat e folklorit shqiptar. Vathi e rishkroi skenarin edhe njëherë nga e para, duke e pasuruar me sugjerimet e bashkëpunëtorëve të grupit. Nga Festivali Folklorik i Gjirokastrës ai zgjodhi vallen heroike të Osman Takës, ku heronjtë vallëzonin mbi barqet e shoku-shokut.[10]

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. "Premiera e filmit të restauruar "Gjeneral Gramafoni"". sot.com.al. 21 prill 2023. Marrë më 29 nëntor 2025.
  2. Asqeri, Irini (2025). Enciklopedi e Filmit Shqiptar (1904-2022). Durrës: Botimet Jozef. fq. 408. ISBN 978-9928-940-44-5.
  3. "Jepet premiera e filmit të restauruar "Gjeneral Gramafoni"". shqip.com. 20 prill 2023. Marrë më 29 nëntor 2025.
  4. Hoxha, Abaz (1987). Filmi artistik shqiptar. Tiranë: "8 Nëntori". fq. 153.
  5. Asqeri, Irini (2025). Enciklopedi e filmit shqiptar (1904-2022). Durrës: Botimet Jozef. fq. 867–868. ISBN 978-9928-940-44-5.
  6. "Surprizat e kinematografisë shqiptare, mendime të shtypit turk mbi filmat shqiptarë në Festivalin II të Filmit Ballkanik". Drita: f. 15. 3 qershor 1979.
  7. Abazi, Xhezair (14 shtator 1980). "Mishërimi artistik i brendisë ideore në film". Drita: f. 3.
  8. Keko, Ilir (9 nëntor 1980). "Mishërimi i kontradiktave në konfliktin artistik dhe personazhet e filmit". Drita: f. 6.
  9. Dilo, Vasil (26 tetor 1980). "Mbi krijimin e figurës nga aktori". Drita: f. 7.
  10. Gjika, Viktor (2009). Vit pas viti: kujtime. Tiranë: Toena. fq. 78. ISBN 9789994314836.