Jump to content

Princ Vidi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Mbreti Vidi)
Princ Vidi
Princ i Shqipërisë
7 mars 1914 - 3 shtator 1914
Lindi26 mars 1876
Vdiq18 prill 1945
KombësiaShqiptare dhe Gjermane
ProfesioniUshtarak, Politikan

Princ Vilhelm Vidi[1] ose formailsht Madhëria e Tij Princ Vidi, Skëndërbeu II i Shqipërisë (gjermanisht: Wilhelm Friedrich Heinrich Prinz zu Wied, 26 mars 1876Neuwied, Gjermani - 18 prill 1945Predeal, Rumani), ishte princ gjerman i Shqipërisë për 6 muaj në vitin 1914 i cili mbretëroi nga 7 marsi 1914 deri më 3 shtator 1914. Më 30 nëntor 1906 Vidi u martua me Princeshën Sofi me të cilën pati dy fëmijë Princesha Marie Eleonore, Donika (1909–1956) dhe Princin trashgimtar Carol Victor, Skënderi (1913–1973).

Wilhelm zu Wied dhe zonja e tij Sofia gjatë mbërritjes në Durrës, Shqipëri

Princi Vilhelm Vidi arriti në Durrës7 mars 1914 në orën 3 pasdite. Rrethet patriotike si dhe përkrahësit e tjerë të Vidit nga radhët e çifligarëve e pritën me entuziazëm ardhjen e tij në Shqipëri, me bindjen se ai do të realizonte aspiratat e tyre nacionale e shoqërore. Për kryeqytet të Shqipërisë Princ Vidi zgjodhi pikërisht Durrësin, ku edhe kishte ndikim të fortë Esat Pashë Toptani. Esat Pasha me qëllim që të siguronte një pozitë me rëndësi në kabinetin qeverisës të princ Vidit, zyrtarisht deklaroi se e mirëpret caktimin e tij për princ të Shqipërisë, por fshehurazi vazhdoi tërë kohën, të nxiste lëvizjen për një princ mysliman në vend. Më 17 mars Vidi formoi qeverinë e re shqiptare, në krye me Turhan Pashë Përmetin, një diplomat i vjetër që kishte qenë ambasador i perandorisë Osmane për 25 vjet rresht në Peterburg të Rusisë. Kabinetin e tij qeveritarë e përbënin: 1. Esat Pashë Toptani-Ministër i Luftës dhe i Punëve të Brendshme; 2. Aziz Pashë Vrioni-Ministër i Bujqësisë dhe i Tregtisë; 3. Myfit bej Libohova-Ministër i Drejtësisë dhe i Kultit; 4. Dr. Mehdi bej Frashëri-Ministër i Financave; 5. Hasan Bej Prishtina-Ministër i Postë-Telegrafikeve; 6. Dr. Mihal Turtulli-Ministër i Arsimit; 7. Prenk Bib Doda-Ministër për Punët Botore.

Princ Vidi në fronin e Shqipërisë

Regjimi i Vidit u sanksionua nga Statuti Organik i Shqipërisë[2], (ligji i parë themelor i shtetit shqiptar), i cili u përgadit nga KNK dhe bazohej kryesisht në vendimet themelore të marra nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 29 korrik 1913. Sipas nenit 1 të këtij Statuti, shqipëria shpallej:”Principatë kushtetuese e pavarur dhe e trashëgueshme”, nën garancinë e Fuqive të Mëdha. Me nenin 2, Fuqitë e Mëdha garantonin gjithashtu tërësinë dhe paprekshmërinë e tokave të Shqipërisë në kufijtë që kishin caktuar ato. Me nenin 3 shteti shqiptar do të ishte asnjanës dhe kjo asnjanësi garantohej po nga Fuqitë e Mëdha. . . Sipas nenit 7 në fronin e Shqipërisë njihej me të drejta sovrane princi Vilhelm Vid, i cili ishte kryetar i administratës civile e ushtarake dhe kishte të drejtë të emronte Këshillin e Ministrave. Organi legjislativ i Shqipërisë ishte Asambleja kombëtare. Gjuhë zyrtare dhe e detyruar në shkolla ishte shqipja. Nga ana administrative, Shqipëria ndahej në 7 sanxhaqe (prefektura), të cilat ndaheshin në kaza (nënprefektura) dhe kazatë në nahije (komuna). Statuti Organik i Shqipërisë caktoi institucionet e larta të shtetit, përbërjen e forcave të armatosura, të administratës, të financave, të drejtësisë, të arsimit. . . dhe garantonte ushtrimin e lirë të veprimtarisë ekonomike, shoqërore e politike.

Me tu vendosur në fronin e Shqipërisë, princ Vidi u përpoq të zgjidhte problemin më urgjent dhe më të ndërlikuar të vendit, atë të largimit të trupave greke nga Shqipëria e jugut dhe të vendosjes së administratës shqiptare në këto vise . Por qysh në fillim ai tregoi se nuk ishte i vendosur të mbronte deri në fund, pa kompromis interesat e shtetit shqiptar. Për të zgjidhur këtë çështje ai hyri në bisedime me qeverinë”vorio-epirote” të shpallur në Gjirokastër. Dhe për këtë qëllim Vidi caktoi si komisar të jashtëzakonshëm për shqipërinë e Jugut oficerin holandez Tomson, i cili kishte ardhur në Shqipëri për të ristrukturuar xhandarmërinë shqiptare. Ky shkoi në Korfuz dhe më 10 mars zhvilloi bisedime me përfaqësuesin e”vorio-epirotëve”, Karapanon. Tomsoni, duke ditur se Fuqitë e Mëdha, KNK dhe vet princ Vidi nuk donin të kishin shumë kokëçarje, u premtoi grekëve disa të”drejta të veçanta”për popullsinë e”Epirit të Veriut”. Kompromisi i Tomsonit ngjalli protesta të ashpra në rrethet patriotike shqiptare. Edhe qeveria e Durrësit/e Turhan Pashës/poashtu nuk e pranoi këtë kompromis, prandaj e shkarkoi Tomsonin nga detyra e komisarit dhe u shpreh kundër çdo lloj autonomie për krahinat e jugut.

Në këto rrethana trupat greke për t´i realizuar planet e veta(pasi ishin tërhequr nga Korça më 1 mars)natën, duke gdhirë 2 prilli 1914 bënë një puç-komplot të armatosur më qëllim të pushtimit të Korçës. Mirëpo xhandarmëria shqiptare nën komandën e majorit holandez G. Sneller dhe korpusi i vullnetarëve me qindra fshatarë nën udhëheqjen e Themistokli Gërmenjit, intervenuan shpejt dhe brenda një kohe të shkurtër e shtypën puçin e komplotistëve grek. Repartet e xhandarmërisë shqiptare pastaj vazhduan marshimin e tyre për të marrë në dorëzim Kolonjën, Leskovikun, Ersekun etj. Dështimi i puçit të Korçës, vendosmëria e forcave shqiptare për të kundërshtuar çdo veprim shovinist e antishqiptar si dhe qëndrimi i ftohtë i Fuqive të Mëdha ndaj planeve aneksioniste greke që shkelnin edhe vendimet e Londrës, e bindën më në fund qeverinë greke dhe Jorgji Zografin, se nuk ishte e lehtë të sigurohej”autonomia”e plotë e krahinave jugore. Prandaj ata fuqive të mëdha u paraqitën kërkesa më të zbutura, duke pranuar tani autonominë e Korçës dhe të Gjirokastrës pa i shkëputur ato nga Shqipëria, por me kusht që të administrohen nga një guvernator me origjinë të huaj, xhandarmëria të formohej nga popullsia vendase nën komandën e oficerëve grekë me origjinë”epirote”. . . etj. Në të vërtet qeveria greke e bëri këtë për të fituar kohë në përpjekjet e tija për pushtimin e Shqipërisë jugore.

Qeveria shqiptare e Durrësit i hodhi poshtë këto kërkesa dhe për më tepër ajo mori vendim që të organizoheshin sa më parë reparte të reja të armatosura për të dëbuar nga krahinat e jugut pushtuesit grekë dhe për të vendosur atje administratën shqiptare. Ndonëse përballë aleancave politike ushtarake evropiane(Antantës dhe Bllokut Qëndror)Greqia mbante ende një qëndrim të papërcaktuar, ajo përkdhelej nga të dya palët, sepse ato lakmonin pozitën e saj strategjike. Më 24 prill 1914 fuqitë e mëdha, e njoftuan Venizellosin se ishin të gatshme t´u bënin lëshime”vorio-epirotëve”dhe se mund të pranonin rishikimin e kufirit greko-shqiptar në favor të Greqisë. E ndodhur nën një presion të gjithanshëm, qeveria shqiptare u detyrua më në fund, më 5 maj, t´ia besonte KNK zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-grek. Bisedimet ndërmjet KNK dhe përfaqësuesve”vorio-epirot” u mbajtën në Korfuz.

Ato filluan më 10 maj dhe përfunduan më 17 maj me nënshkrimin e një protokolli, e që u quajt ”protokoli i Korfuzit”. Në këtë protokoll parashikohej që dy prefekturat në jug të Shqipërisë, ajo e Korçës dhe e Gjirokastrës, ndonëse formalisht do të bënin pjesë në shtetin shqiptar, do të kishin një administratë më vete, pothuajse autonome, organizimi i së cilës i lihej në dorë Këshillit Ndërkombëtar të Kontrollit. KNK pranoi gjithashtu edhe kërkesën e Spiromilos për t´i njohur krahinës së Himarës, në një zonë që shtrihej tani në 14 fshatra të bregdetit të Jonit. Meqenëse Italia luftoi energjikisht për arritjen e marrëveshjes së Korfuzit, për shkak të interesave të veta në Vlorë, Venizellua e kënaqi kërkesën e saj, duke i paraqitur parlamentit grek më 18 maj, projektligjin mbi lëshimin e Sazanit shtetit shqiptar dhe ky projektligj u miratua më 27 maj. Protokolli i Korfuzit do të fuqizohej pasi të ratifikohej nga qeveria shqiptare(më 23 qershor 1914) dhe nga qeveria”vorio-epirote” si dhe pasi të miratohej formalisht nga gjashtë fuqitë e mëdha. Njoftimi mbi nënshkrimin e marrëveshjes së Korfuzit e cila ishte plotësisht në kundërshtim me Statutin Organik të Shqipërisë dhe shkelte hapur sovranitetin e shtetit shqiptar, shkaktoi një indinjatë të thellë në tërë Shqipërinë.

Shpërthimi i kryengritjes në Shqipërinë e Mesme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në këto rrethana gjendja e brendshme e Shqipërisë u ndërlikua shumë edhe nga shpërthimi i kryengritjes së armatosur në Shqipërinë e Mesme, kundër regjimit të Vidit. Në të vërtet kreu i kryengritësve ishte i larmishëm. Në të u rreshtuan ithtarë të ndryshëm si:partizanët e një princi mysliman, antividistët, xhonturqit, panturkistët apo panislamistët siç u quajtën ndryshe, antifeudalët. . . dhe pas këtij koalicioni laraman qëndronin qarqe të huaja serbe, franceze, ruse, greke, turke, italiane. . . , të cilat ishin të interesuar për një gjendje sa më kaotike në Shqipëri. Pra bartësit kryesor të së keqes në Shqipëri në atëkohë qenë reaksioni feudal proserb, pro italian. . . i udhëhequr nga Esat Pashë Toptani, reaksioni grekoman i udhëhequr nga peshkopët grek (Jakovi e Germanos), J. Zografos, Spiromilo etj, reaksioni turkoman i kryesuar nga myftiu i Tiranës Musa Qazimi etj.

Kryengritja e Shqipërisë së Mesme ose e rebelëve, siç u quajt ndryshe, filloi në rrethin e Tiranës. Më 17 maj 1914 u sulmua te ura e Limuthit afër Tiranës batalioni i vullnetarëve tiranas që ishte nisur në drejtim të Durrësit për të shkuar në jug, në frontin kundër shovinistëve grek. Pasi shpartalluan batalionin e vullnetarëve kryengritësit hynë në Tiranë. Të nesërmen grumbuj fshatarësh të armatosur zunë Shijakun dhe iu drejtuan Durrësit, mirëpo në hyrje të qytetit hasën në rezistencë të forcave qeveritare të Vidit. Drejtuesit e kryengritjes me këtë rast dolën hapur kundër princ Vidit dhe kërkuan një princ turk.

Për vendosjen e një princi mysliman prej kohësh angazhohej edhe Esat Pashë Toptani. Esat Pasha edhe pse kishte dy ministri më të rëndësishme në qeverinë e Durrësit, me kohë u shpërndau armë mercenarëve të vet”kinse për t´iu bërë ballë fqinjëve”ndërsa fshehtas propagandonte nëpërmjet njerëzve të vet kundër V. Vidit, duke i këshilluar” me kërkue një mbret prej Stambollit, me qëllim që këto pshtjellime e trazime t´i sillnin fitim për ta shtie në dorë pushtetin”.

Qeveritarët në oborrin e princit në kohën kur po përballeshin me sulmet e kryengritësve, duke menduar se prapa kërkesave të kryengritësve qëndronte Esat Pasha, më 19 maj 1914 organizuan xhandarmërinë e Durrësit dhe e arrestuan atë në shtëpinë e tij. Goditja kundër Toptanit u konsiderua nga Italia si një grusht që i jepej ndikimit të Romës në Shqipëri. Brenda qeverisë dominonte mendimi që Toptani duhej të gjykohej, mirëpo princi atë as nuk e denoi as nuk e nxori të pafajshëm, gjë që u indinjuan shumë besnikët e tij. Pas ndërhyrjes energjike të ministrit italian në Durrës, baronit Alioti, Vidi ia dorëzoi Toptanin legatës italiane e cila e mori me një luftanije dhe e dërgoi në Itali. Para se të largohej nga Shqipëria, Esati do të firmos një premtim se ai nuk do të kthehej më në shqipëri dhe se nuk do të përzihej më në politikën shqiptare ose në intrigat kundër fronit, mirëpo ai nuk do ta mbaj premtimin e dhënë. *Pas largimit të Esatit pasuan ndryshime në qeverin e Vidit. Turhan Pasha mbeti kryeministër; Preng Bib Doda - ministër i punëve të jashtme; Aqif pashë Elbasani - ministër i brendshëm dhe i luftës; Filip Noga - ministër i financave; Dr. Mihal Turtulli - ministër i arsimit, Mithat Frashëri – ministër i punëve botore dhe i Postë-telegrafave dhe Abdi Toptani - ministër i bujqësisë. Largimi i Esat Pashës edhe pse u konsiderua si një fitore e madhe, kryengritja e nisur nuk u ndërpre dot. Zjarri i kryengritjes u përhap edhe në krahinat tjera. Duke shfrytëzuar sukseset e kryengritjes, krerët e saj me 3 qershor 1914 në Shijak organizuan një mbledhje, ku u zgjodh” Këshilli i Parë i Përgjithshëm” me këtë përbërje: Mustafa Ndroqi - kryetar; Xhenabi Adili. - nënkryetar, Musa Qazimi - anëtarë etj, dhe Qamil Haxhi Feza - u emrua komandant i përgjithshëm i kryengritësve. Në këtë mbledhje u miratua edhe një program politik thellësisht fshatar, që iu paraqit përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në KNK. Programi përmbante kërkesa për largimin e princ Vidit;për kthimin e Shqipërisë nën administrimin Turk, ose sjelljen e një princi turk të varur nga Sulltani;për ngritjen e flamurit të Turqisë; për përdorimin e alfabetit turko-arab në gjuhën shqipe (Elifba); zgjedhjen e kryemyftiut të Shqipërisë nga Sheih-ul-Islami i Stambollit etj.

Kryengritësit edhe pas disa përpjekjeve për ta shtirë në dorë Durrësin nuk patën sukses, andaj iu drejtuan qyteteve tjera dhe gjatë muajit qershor shtinë në dorë Kavajën, Krujën, Peqinin dhe Elbasanin. Mbas pushtimit të Elbasanit, - Qermenika, Quksi dhe Mokra, njëra pas tjetrës bashkohen me kryengritësit, kurse në veri ata u shtrinë deri në Milot, buzë lumit Mat. Në fillim të korrikut kryengritësit marshuan drejt jugut dhe brenda pakë ditëve morën Lushnjën, Fierin, Beratin dhe nga lindja arritën deri në Pogradec, ku aty më 11 korrik nënshkruan edhe një marrëveshje të përkohshme me “vorio-epirotët”të cilët ato ditë kishin pushtuar Kolonjën, Korçën, Tepelenën dhe kishin arritur deri në Berat.

Duke e ndjerë rrezikun nga sukseset e kryengritësve, princ Vidi bëri thirrje për ndihma nga të gjitha anët, por vetëm nga veriu mundën të vinin disa forca të pakta, ndërsa Shqipëria e jugut duke qenë përballë ndjekjeve, mizorive e shpërnguljeve nga forcat greke, nuk mundi të jepte ndihmë. Për rrjedhojë, në fund të korrikut 1914 dhe në pragun e shpërthimit të luftës së parë botërore, Shqipëria ishte në gjendje të rëndë politike. Pushteti i qeverisë Shqiptare tashmë ishte kufizuar vetëm në Durrës e në Vlorë-(deri më 1 shtator kur ajo ra në duarë të kryengritësve);në Shqipërinë e Mesme shtrihej pushteti i kryengritësve;viset e jugut ndodheshin nën shtypjen e forcave greke, krahinat e verilindjes nën presionin e vazhdueshëm të serbëve, ndërsa Shkodra ndodhej nën administrimin e forcave ndërkombëtare.

Princ V. Vidi bëri përpjekjen e fundit për të shpëtuar qeverisjen e tij. Ai iu drejtua edhe Fuqive të Mëdha me kërkesën për të zbatuar zotimin që kishin marrë në Konferencën e Londrës për të garantuar bashkarisht pavaresinë dhe sovranitetin e Shqipërisë dhe për këtë qëllim kërkoi formimin prej tyre të një force ndërkombëtare prej 3 mijë vetësh, për të shtypur kryengritjen. Por fuqitë e mëdha duke qenë në konflikt me njëra-tjetrën, premtuan se do të ndihmonin për të shpëtuar vetëm jetën e princit dhe të familjes së tij, por jo edhe intervenimin ushtarak atje.

Në këto rrethana, kur edhe kishte filluar lufta e parë botërore, princ Vidi u detyrua të largohej nga Shqipëria, më 3 shtator 1914 pas gjashtë muaj qëndrimi. Me Vidin u larguan edhe anëtarët e qeverisë së bashku me shumë udhëheqës të lëvizjes patriotike shqiptare, të cilët u vendosën pjesërisht në Shkodër dhe një pjesë kaloi në vende të ndryshme të Evropës.

Dy kabintet qeveritare të krijuara nga Vidi

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lista e dy kabineteve qeverisëse të emëruar nga Princ Vidit.

Qeveria "Përmeti I" - 9 mars 1914 deri më 20 maj 1914

Qeveria "Përmeti II" – 20 maj 1914 deri më 2 shtator 1914

Rrasa e varrit në kishën evangeliste A. B. në Bukuresht. Në të cilën është gdhendur Princ Vidi Princ i Shqipërisë

Aktet ndërkombëtare të viteve 1913-14 edhe pse kishin definuar pozitën neutrale të Shqipërisë dhe garancinë e Fuqive të Mëdha për këtë statut të saj, megjithatë Shqipëria u përfshi në planet ushtarako-strategjike të fuqive ndërluftuese, veçanërisht të Austro-Hungarisë e Italisë dhe të shteteve fqinje, Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë, të cilat që nga tetori 1912 nuk rreshtnin për ta coptuar atë.

"Regjenca" e Parë, 1920-1925 Periudha nga Kongresi i Lushnjës që rinjohu formën monarkike të shtetit, deri në rrëzimin e qeverisë së Fan Nolit.

Me largimin e Princ Vidit nga Durrësi, për Shqipërinë do të vijojnë 6 vite të gjata lufte, kaosi, rrëmuje, pushtimesh, dhe rreziku për zhdukje nga harta e Ballkanit. Hapin vendimtar për t‘i dhënë fund këtij kaosi dhe rreziku që po bëhej real, e ndërmori Kongresi i Lushnjës, me përfaqësues nga e gjithë Shqipëria. Ndër të tjera, Kongresi vendosi që, duke ruajtur regjimin monarkik, deri në kthimin e Princ Vidit ose vendosjen e një Mbreti tjetër, të krijohej një organ regjence, i quajtur Këshilli i Naltë i Regjencës, që përbëhej nga 4 anëtarë, nga një për secilin komunitet fetar të vendit. Ky sistem vijoi të funksiononte, megjithëse me disa dorëheqje apo ndryshime të parakohshme, deri në janar të vitit 1925. Po ashtu, në këtë kohë vlen të përmendet fushata elektorale dhe zgjedhjet e para parlamentare që u zhvilluan në Shqipëri në pranverën e vitit 1921.

  • Duncan Heaton-Armstrong: The six month kingdom. Albania 1914, Verlag Tauris, London 2005, ISBN 978-1-85043-761-1
  • Peter Marxheimer: Nach Albanien, Karl! Eine andere Reise in das Jahr 1914. Books on Demand, Hofheim 2007, ISBN 978-3-8370-0265-2
  • Ferdinando Salleo: Albania : un regno per sei mesi. Verlag Sellerio, Palermo 2000, ISBN 88-7681-129-X
  • Marenglen Kasmi: "Die deutsch-albanischen Beziehungen 1912-1939", in: Zeitschrift für Balkanologie, Band 49, Nr. 1, Wiesbaden 2013, S.60-86.
  • Michael Schmidt-Neke: Entstehung und Ausbau der Königsdiktatur in Albanien (1912 - 1939). Regierungsbildungen, Herrschaftsweise und Machteliten in einem jungen Balkanstaat. (= Südosteuropäische Arbeiten. 84) Verlag Oldenburg, München 1987. ISBN 3-486-54321-0
  • Wilhelm Tullius: Die wechselvolle Geschichte des Hauses Wied. Verlag Kehrein, Neuwied 2002

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ Princ Vidi për shkak barazie me monarkun e Malit të Zi Knjaz Nikollën i cili mbante titullin "mbret" megjithëse mbretëria e tij ishte shumë herë më e vogël se vendi ku ishte sovran Vidi. Për këtë arsye në zhargonin e përgjithshëm në kryeqytetin Durrës dhe Shqipëri e quanin edhe Vidin mbret.
  2. ^ "Albania | Costituzione | Generale | Statuto organico d'Albania 1914". Arkivuar nga origjinali më 27 shkurt 2012. Marrë më 8 nëntor 2011. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)