Sokol Olldashi
Sokol Olldashi | |
|---|---|
| Deputet i Kuvendit të Shqipërisë | |
| Në detyrë 2001–2013 | |
| Ministër i Brendshëm i Shqipërisë | |
| Në detyrë 10 shtator, 2005 – 18 janar 2007 | |
| Paraprirë nga | Igli Toska |
| Pasuar nga | Bujar Nishani |
| Ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, pas prillit 2010 Ministër i Punëve Publike dhe Transportit | |
| Në detyrë 30 prill, 2007 – 2013 | |
| Paraprirë nga | Lulzim Basha |
| Pasuar nga | Edmond Haxhinasto |
| Të dhëna vetjake | |
| U lind më | 17 dhjetor 1972 Durrës |
| Vdiq më | 20 nëntor 2013 Krrabë |
| Nënshtetësia | Shqiptar |
| Partia politike | PD |
| Bashkëshortja/et | Enkeleda Olldashi |
| Fëmijët | dy fëmijë |
| Punësimi | Politikan |
Sokol Olldashi (Durrës, 17 dhjetor 1972 - 20 nëntor 2013) ka qenë deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë dhe Ministër i Punëve Publike dhe Transportit në qeverinë shqiptare nga viti 2009 deri në vitin 2013.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Shkollimin e mesëm e kreu në vendlindje, Durrës, ndërsa studimet e larta për drejtësi i kreu më 1995 dhe në vitin 2004 Kolegjin e Mbrojtjes, pranë Komandës së Doktrinave. Që nga koha e studimeve fillon të punojë si gazetar në Albania, Rilindja Demokratike, Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe bëhet kryeredaktor i televizionit ATN, pastaj zgjidhet në krye të Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe, në vitin 2001, zgjidhet deputet në Parlament.[1]
Në vitin 2005 i ngarkohet detyra e Ministrit të Rendit, të cilën e dorëzoi për t'u kandiduar në postin e kryetarit të Bashkisë Tiranë më 2007. Pas "humbjes" së këtij kandidimi, nga viti 2007, mbajti postin e Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit në qeverinë e Shqipërisë.
Në korrik të vitit 2013, pas humbjes së zgjedhjeve elektorale nga Partia Demokratike dhe dorëheqjes së Sali Berishës nga posti i kryetarit të partisë, ai kandidon për kryetar partie, përballë Lulzim Bashës, në zgjedhje të debatuara për moskorrektesë, dhe nuk fiton.
Ka qenë njohës i gjuhës angleze dhe italiane.
Vdekja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 20 nëntor 2013, Olldashi ndërroi jetë pas një aksidenti të rëndë me makinë në Krrabë.[2] Aksidenti ndodhi në mbrëmje dhe shkak ishte terreni i lagësht dhe shpejtësia me të cilën po udhëtonte Olldashi. Makina e tij, Mercedes-Benz S Class, humbi kontrollin gjatë një kthese dhe përfundoi në humnerë, 20 metra poshtë rrugës.[3][4]
Teoritë konspirative rreth vdekjes
Pas ndarjes nga jeta të deputetit dhe ish-ministrit Sokol Olldashi më 20 nëntor 2013, në një aksident automobilistik në aksin rrugor Tiranë–Elbasan, në media dhe opinionin publik janë shfaqur teori konspirative lidhur me rrethanat e vdekjes së tij. Disa komente publike dhe raportime në media sugjeruan se aksidenti mund të mos ketë qenë i rastësishëm. Këto teori u nxitën nga vonesat në publikimin e raportit zyrtar të ekspertizës, mungesa e një hetimi të thelluar, dhe rrethanat e paqarta të aksidentit, përfshirë faktin se automjeti kishte dalë nga rruga në një zonë pa sinjalistikë dhe ishte gjetur vetëm pas disa orësh.[5]
Sipas raportimeve të medias, përfshirë “Gazeta Sot”, “Panorama” dhe “Telegrafi”, Prokuroria e Tiranës e mbylli hetimin duke e klasifikuar ngjarjen si një aksident të zakonshëm rrugor, ku shkak ishin shpejtësia e lartë, humbja e kontrollit të mjetit dhe mungesa e rripit të sigurimit. Megjithatë, disa raportime spekulative në media të tjera dhe portale online kanë përmendur hipoteza se Olldashi mund të ketë qenë viktimë e një atentati të inskenuar si aksident. Madje, janë përmendur pretendime për ekzistencën e një ekspertize alternative që do të sugjeronte ndërhyrje të qëllimshme në vendin e ngjarjes, por asnjë nga këto nuk është mbështetur me prova konkrete dhe nuk është konfirmuar nga institucionet shtetërore.
Pavarësisht këtyre spekulimeve, asnjë provë ligjore apo konkluzion hetimor i pavarur nuk ka dalë në dritë për të mbështetur zyrtarisht pretendimet për një vrasje të mundshme. Vdekja e tij mbetet zyrtarisht një aksident rrugor tragjik, por teoritë konspirative vazhdojnë të qarkullojnë në diskursin publik dhe mediatik.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ↑ "Këshilli i Ministrave". Arkivuar nga origjinali më 23 korrik 2013. Marrë më 5 maj 2013.
- ↑ "Humb jetën në aksident deputeti Sokoll Olldashi, u aksidentua me makinë në Krrabë". Arkivuar nga origjinali më 23 nëntor 2013. Marrë më 20 nëntor 2013.
- ↑ "Aksidenti fatal. Makina del nga rruga, humb jetën Sokol Olldashi". Gazeta Panorama. Arkivuar nga origjinali më 23 nëntor 2013. Marrë më 21 nëntor 2013.
- ↑ "Humb jetën Sokol Olldashi". Albeu.com. Arkivuar nga origjinali më 23 nëntor 2013. Marrë më 21 nëntor 2013.
- ↑ "Vdekja e Sokol Olldashit "makthi" më i madh i Berishës, zbardhen 35 arsyet pse aksidenti i ish-ministrit ishte i dyshimtë". Sot News | Lajme (në anglishte amerikane). 2022-10-20. Marrë më 2025-08-05.