Dialekti i Tiranës
Dialekti i Tiranës (Shqip:Dialekti i Tiranës, në dialekt: Dialekti Tironas) është nëndialekt i gjuhës shqipe flitet nga shqiptarët që janë rritur në Tiranë.[1][2]
Rënditja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në hartën dialektore të Shqipërisë Tirana me fshatrat e saj bën pjesë në të folmet e gegërishtes jugperëndimore, dmth. në një zonë që përfshin ç’përmbledh trekëndëshi Durrës-Elbasan-bregdet. Por edhe brenda kësaj zone Tirana ka veçantitë e saj gjuhësore.Ashtu si shumica e dialekteve të gegërishtes edhe e folmja e Tiranës ka zanore të gjata, të mesme e të shkurtra, ka zanore hundore, i asimilon tingujt mb, nd, ngj në m, n, nj (mâjta, nava, njita etj.), grupin va e bën vo (voj, vorr, votër), përdor infinitin e tipit me shku, me punu, formën e pakryer të foljeve e ndërton me sh: merrsha, bojsha etj. Këtyre do t’i shtonim disa veçori, që janë tipike ‚tironçe’: Zanorja a e theksuar bëhet ô: dhônri, fullônza, kom mor, moca, kurse a-ja e patheksuar shpesh del si o: gamori, damotja, aborri shem:(Kur ishim fëmijë tregonim edhe këtë anekdotë: Mësuesi tironas u thotë nxënësve: „Sot, të dashun nxonës, do morim gërmën O. Përsrisni bashkë me mu: As-mo-ni-„ – fjala ishte për Osmanin); diftongjet ue, ye, ie zakonisht janë tkurrur në u:, y:, i:, duke u zgjatur këto zanore: gru, ftu, kryt, t’lyn, mill, qill, dill. Zanorja ë kur është e patheksuar shumë shpesh nuk dëgjohet: kpuc, knet, shnet, gzim, klysh etj. Fjalët me burim turk theksohen në rrokjen e parafundit: páre, káfe, xháde, budállë, bakllávë, ndërsa disa fjalë të tjera e marrin theksin në fund: kaqí, aqí, gadí etj.Ndoshta edhe këto pak karakteristika mjaftojnë për të krijuar përfytyrimin e së folmes origjinale tironase, ku dallon në radhë të parë hundorësia dhe ndërrimet zanore që përmendëm. Përfytyroni që një fjali e gjuhës letrare si: „Ku t’i fshihem babait se më hëngri macja bakllavanë“ në tironçe do të tingëllonte: „Ku me iu mçef babs se m’hôngri moca bakllavën“ dhe e keni marrë aromën e veçantë të këtij dialekti. Është interesante të vihet re, sidomos me kalimin e tingullit hundor â në ô, se tironçja afron më shumë pikërisht me skajin tjetër të të folmeve gege ne Kososvë.
Gjuha zyrtare dhe ndryshimi i dialektit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Por flasim gjithmonë për hartën dialektore të Shqipërisë dhe një gjendje që mbizotëronte në Tiranën para 1944-s. Deri në atë kohë, në dekadat e para të shtetit shqiptar, e folmja tironase u zgjerua dhe u bë mbisunduese në kryeqytetin e ri të Shqipërisë; kjo për dy arsye: mënjanë u zgjerua jeta tregtare dhe ajo e zanatçinjve, sidomos me Pazarin e Vjetër; së dyti, gjuhë zyrtare e Shqipërisë ishte vendosur që në vitin 1918, me Komisinë Letrare të Shkodrës gegërishtja jugore, konkretisht elbasanishtja, që duke mos qenë larg tironçes ndihmoi që kjo e folme të mos humbte asgjë nga karakteri i saj i mirëfilltë.Natyrisht që vendosja e pushtetit komunist mbas 1944-s do të ndryshonte shumë gjëra në të folmet e Tiranës, sikurse ndryshoi në gjuhën zyrtare të saj dhe të gjithë Shqipërisë. Dihet se toskërishtja u bë menjëherë mbisunduese, ngaqë edhe shumica e brigadave partizane dhe e udhëheqësve komunistë vinin prej Jugut të Shqipërisë. Në vitin 1972 gjuhë standarde e Shqipërisë u vendos toskërishtja me disa ndryshime të vogla njësuese, duke u ndaluar njëkohësisht shkrimi dhe përdorimi publik i varianteve gege. Në Tiranë erdhën e u vendosën shumë familje nga gjithë Shqipëria, por kryesisht nga qytetet dhe fshatrat e jugut, si të zonës së Vlorës, Gjirokastrës, Korçës etj. Nga ana tjetër armiqësimi me Jugosllavinë dhe izolimi gjithmonë e më i madh i Shqipërisë bënë që Tirana të mos ketë më asnjë lloj komunikimi me Kosovën dhe Maqedoninë, ku dhe ishte përqëndruar popullata më e madhe që fliste dialekte të ngjashme me ato të zonës së Tiranës. Të gjithë këta faktorë bënë që të ndryshojnë katëcipërisht raportet dialektore dhe raporti i së folmes vendase me gjuhën zyrtare në kryeqytet.Mirëpo gjuha dhe dialektet e saj janë njësi të qëndrueshme dhe njëkohësisht kryeneçe. Nuk e mbaj mend tani se kush njeri i shquar e ka thënë: gjuha është si një shtëpi, një strehë e jona. Aty ndihemi mirë, brenda saj lëvizim lirshëm, ndiejmë, përçojmë e shijojmë të gjitha nuancat e jetës. Kjo është dhe arsyeja që edhe në vendet më të qytetëruara, megjithë zhvillimin marramendës informatik-masmedial, dialektet vijojnë të ruhen krahas gjuhëve zyrtare. Merrni edhe vetëm shembullin e Zvicrës, ku ‚Schwitzerdutsch’ ka gati statusin e një dialekti kombëtar. Kur studjoja në vitet ’80 univesitetin e Insbrukut në Austri më dukej në fillim gati e pabesueshme që një pjesë e studentëve përdornin në seminare të folurën tiroleze. Më ngjante ky dialekt disi i pagdhendur dhe fshatar, me tingujt e tij grykorë, sikur nuk ishte i aftë të përçonte dije shkencore. Por dalëngadalë dëgjova që e përdornin edhe një pjesë e profesorëve dhe kuptova se ai dialekt ishte jo vetëm shtëpi dhe strehë për gjithë ata djem e vajza të reja, si dhe për shkencëtarë të një rangu botëror, por edhe njëfarë rezistence ndaj hegjemonisë së gjuhës së madhe gjermane, ashtu siç flitet nga stacionet ZDF e ARD ose shkruhet nga „Frankfurter Allgemeine Zeitung“ dhe „Der Spiegel“.Në mënyrë të pandërgjegjshme, por këmbëngulëse dhe depërtuese, gjatë gjithë periudhës së diktaturës tironçja përbëri mënyrën kryesore të mbijetesës së shpirtit tironas, të gjithë atyre shtresave artizanësh, zanatçinjsh, tregtarësh, kafexhinjsh a kopshtarësh, që nuk pranonin të asfiksoheshin dhe vdisnin nën peshën e aparatit, i cili kërkonte „krijimin e njeriut të ri“ - ashtu siç u shkatërrua dhe vdiq Pazari i tyre i Vjetër ose rruga e Barrikadave. Tironçja vazhdonte të flitej jo vetëm te Pazari i Ri dhe në kafenetë tironase, te “Tymi”, te „Derri“ e te “Postiqja”, jo vetëm në dy stadiumet dhe te Pallati i Sportit, por ajo flitej edhe nëpër takime, në bulevard dhe lulishtet e mëdha të kryeqytetit, ku njerëzit haheshin për sport ose vinin baste fshehurazi. Tironçja flitej jo vetëm nga tironasit denbabaden (me pus dhe carac në oborr), por për çudi edhe nga shumë të rinj, prindët e të cilëve vinin prej qyteteve të Jugut ose Veriut të Shqipërisë. Tironçe flisnin pikësëpari gati të gjithë tifozët e „17 Nëntorit“, që ishte ekipi më i mirë i kryeqytetit dhe i Shqipërisë, edhe pse „lart“ nuk e donin shumë (të gjithë udhëheqësit e atëhershëm ishin ose me „Partizanin“ ose me „Dinamon) dhe nuk linin rast pa e dëmtuar, duke i marrë nganjëherë lojtarët e mirë për ekipet e „tyre“ ose duke mos i lënë të dalin jashtë shtetit futbollistët „me biografi të keqe“. Mirëpo me biografi jo të mirë ishin shumica e atyre futbollistëve, për arsye se vinin nga familjet e zanatçinjve ose tregtarëve jokomunistë tironas: e pra shihet se si rreth klubit „17 Nëntori“ erdh e u mbodh njëfarë rezistence e heshtur, ku tifozllëku kundër ekipeve të Ushtrisë Popullore ose Sigurimit të Shtetit ishte po aq i rëndësishëm sa edhe kryerja e këtij tifozllëku në dialektin më të skajshëm tironas. Megjithatë, për hir të së vërtetës, duhet thënë se tiranasit kanë qenë e janë në përgjithësi një popull i butë, që shohin pikësëpari kopshtin e tyre, rakinë që duhet ta nxjerrin sa më të mirë dhe muhabetin e shtruar. Nuk ishin pra, bie fjala, aq kokëfortë e kryengritës sa shkodranët, banorët e një qyteti me histori shumë më të vjetër e që ishte goditur kulturalisht në një mënyrë shumë më të tmerrshme sesa Tirana.Ndërkohë kishte marrë hov gjuha letrare, nëpërmjet shtypit, botimeve, radios e më vonë televizionit. Me shtimin e shkollave të mesme dhe studentëve universitarë, u rëndua ana tjetër e peshores gjuhësore, duke u krijuar, krahas ngjyrimeve lokale që vinin prej zonash të tjera, një gjuhë standarde gjithmonë e me më neutrale nga ana dialektore, një proces që ndodh thuajse në të gjitha vendet që hyjnë në rrugën e qytetërimit. Vetëm se ky mbisundim i „gjuhës së kulturuar“ bëri që tironçja ta ndjejë veten gjithmonë e më të zmbrapsur e të diskriminuar, si zhargon i një rruge „pa nivel“. Në publik ajo s’përdorej asnjëherë, e shumta në ndonjë skeç estrade dhe te komedia e mrekullueshme „Prefekti“, që krijonin të gjitha së bashku idenë e një gjuhe të njerëzve të pakënduar. Natyrisht që kjo gjë u vinte për mbarë udhëheqësve dhe personazheve të tjerë që bënin politikën gjuhësore-kulturore në Shqipëri; ata kishin arritur të degradonin në gjuhë estrade edhe variante me një histori shumë më të madhe shkrimi, siç ishte shkodranishtja, e jo më të shqetësoheshin për margjinalizimin e tironçes.Karakteristikë e gjithë zhvillimeve demografike-kulturore, ku hyjnë edhe zhvillimet gjuhësore, në Shqipërinë e pas vitit 90 është gjendja e pakontrolluar, shpesh anarqike. Këto zhvillime përfshinë në radhë të parë Tiranën, ku erdhën e u vendosën banorë të shumtë, sidomos nga Verilindja e Shqipërisë, por edhe nga zonat e Jugut, që shpërnguleshin herë-herë si fshatra ose fise të tëra në rrethinat e kryeqytetit. Në pikëpamje gjuhësore kjo bëri që dikotomisë tradicionale gjuhë e kulturës-tironçe, kryeqytetit t’i shtoheshin një numër dialektesh ose gjysmë-dialektesh; nga ana tjetër fuqizimi i masmediave ka bërë që shqipja standarde, me gjithë gabimet e shumta dhe vërshimin e fjalëve të huaja nga italishtja dhe anglishtja, të depërtojë përherë e më thellë në masat e banorëve që thuajse janë trefishuar në vetëm dymbëdhjetë vjet. Tingëllimi i veçantë tironas prapëseprapë nuk ka humbur. Ndoshta në brumin e vet më origjinal atë mund ta dëgjosh vetëm nga njerëz të moshuar që vijnë kryesisht prej fshatrash përreth. Por – dhe kjo është e habitshme – tironçen vazhdojnë ta bëjnë të vetën edhe të rinj që vijnë prej trevash të tjera të Shqipërisë, sidomos nëpër kantieret e ndërtimit, në dyqanet e kafenetë e shumta që u hapën prej 1991-shit e këndej.Me sa duket është një tharm i fortë që s’ka për të vdekur asnjëherë. Aq më shumë kur njerëzit ta kuptojnë dalëngadalë se përdorimi i një dialekti nuk tregon as prapambetje e as injorancë, por mbart jetë dhe ngrohtësi njerëzore si shumëpak tjetër gjë e kësaj bote.[3]
Burimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ "Dialektet e shqipes dhe gjuha standarde". Torino Communue (Ital). Arkivuar nga originali në 2013-02-18.
- ^ "1662 Evliya Chelebi: Seyahatname - a Journey through Northern Albania and Montenegro"(një udhëtim përmes Shqipërisë së Veriut dhe Malit të Zi"). Robert Elsie. Arkivuar nga originali në 2011-08-11.
- ^ Dialekti si strehë dhe si rezistencë nën shembullin e Tironces - Ardian Klos 27.01.2010