Kancelarët e Gjermanisë
Kancelar Federal i Republikës Federale të Gjermanisë
Bundeskanzler der Bundesrepublik Deutschland | |
---|---|
Dega ekzekutive e qeverisë | |
Stili | Zoti Kancelar (Normal) Shkelqësia e tij/saj (diplomatik)[1] |
Statusi | Kreu i qeverisë |
Anëtar/e i | Kabineti Këshilli evropian |
Selia | Kancelaria Federale, Berlin (parësor) Palais Schaumburg, Bonn (dytësor) |
Nominues | Presidenti i Gjermanisë |
Emërues |
|
Kohëzgjatja e detyrës | korrespondon me periudhën legjislative të Bundestagut, e rinovueshme |
Instrumenti konstitues | Kushtetuta e Gjermanisë |
Mbajtësi inaugurues |
|
Themelimi |
|
Zëvendës | Zëvendëskancelari i Gjermanisë |
Faqja zyrtare | bundeskanzlerin |
Kancelari i Gjermanisë, zyrtarisht Kancelari Federal i Republikës Federale Gjermane (Gjermanisht: Bundeskanzler der Bundesrepublik Deutschland) është kreu i qeverisë dhe shefi ekzekutiv i Gjermanisë, si dhe komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura Gjermane gjatë kohës së luftës. Kancelari zgjidhet nga Bundestagu me propozimin e Presidentit dhe pa debat (neni 69 i Kushtetutës së Gjermanisë).[2]
Mbajtës aktual i zyrës është social-demokrati Olaf Scholz, i cili u zgjodh Kancelar në vitin 2021.
Historiku i zyrës së Kancelarisë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Zyra e kancelarit ka një histori të gjatë, që rrjedh që nga Perandoria e Shenjtë Romake, kur posti i kryekancelarit gjerman zakonisht mbahej nga kryepeshkopët e Mainzit. Titulli është përdorur ndonjëherë i ngjashëm edhe në disa shtete të Evropës gjermanishtfolëse. Zyra moderne e kancelarit u krijua me lindjen e e Konfederatës së Gjermanisë së Veriut dhe pozicionin e parë të Kancelarit Federal e ka mbajtur Otto von Bismarck, i cili u bë Kancelar Federal në vitin 1867. Me zgjerimin e këtij shteti federal në Perandorinë Gjermane në vitin 1871, titulli u riemërua në Reichskanzler (që do të thotë "Kancelar perandorak"). Me kushtetutën e Gjermanisë të vitit 1949, titulli i Bundeskanzler u ringjall.
Roli i kancelarit ka ndryshuar gjatë periudhave të ndryshme. Nga viti 1867 deri në 1918, kancelari ishte i vetmi ministër përgjegjës në nivel federal. Ai u emërua nga Presidiumi Federal (d.m.th. mbreti prusian; që nga viti 1871 quhet Perandor). Sekretarët e Shtetit (Staatssekretäre) ishin nëpunës civilë në varësi të kancelarit dhe të ngjashëm me ministrat. Përveç detyrave të tij ekzekutive, kushtetuta i dha kancelarit vetëm një funksion: kryesimin e Bundesratit (Këshillit Federal), organi përfaqësues i shteteve (i cili së bashku me Rajhstagun ishte organi ligjvënës i Rajhut). Kancelari ishte gjithashtu pothuajse gjithmonë ministër-president i shtetit të Prusisë. Në mënyrë indirekte, kjo i jepte atij fuqinë mbi Bundesratin, duke përfshirë edhe kompentenca për shpërbërjen e parlamentit.
Në tetor 1918 u ndryshua kushtetuta për të kërkuar që kancelari të kishte besimin e parlamentit. Rreth dy javë më vonë, kancelari Max von Baden deklaroi abdikimin e perandorit dhe megjithëse i mungonte autoriteti kushtetues, ia dorëzoi detyrën e tij Friedrich Ebertit të Këshillit Revolucionar të Deputetëve Popullorë.
Sipas Kushtetutës së Vajmarit të vitit 1919, kancelari ishte kreu i një qeverie kolegjiale. Kancelari emërohej nga presidenti i Rajhut, sd bashku meministrat,me tij, që propozoheshin me rekomandimin e kancelarit. Kancelari kishte detyrën për të përcaktuar udhëzimet e qeverisë. Në realitet ky pushtet ishte i kufizuar nga nevojat e qeverive të koalicionit dhe nga pushtetet e presidentit të Rajhut.
Kur nazistët erdhën në pushtet më 30 janar 1933, Kushtetuta e Vajmarit de fakto u la mënjanë. Pas vdekjes së Presidentit Hindenburg në vitin 1934, Adolf Hitler, lideri i partisë naziste dhe kancelari i atëhershëm, mori kompetencat e presidentit. Titulli i ri zyrtar u bë Führer und Reichskanzler (që do të thotë "Udhëheqës dhe Kancelar Perandorak").
Kushtetuta e vitit 1949 e riktheu pozicionin e Kancelarit në krye të ekzekutivit dhe i dha kancelarit kompetenca shumë më të mëdha sesa ato qe ekzistoning gjatë Republikës së Vajmarit, ndërkohë që e zvogëloi fuqimisht rolin e presidentit. Gjermania sot përmendet shpesh si një "demokraci kancelare", duke reflektuar rolin e kancelarit si shef ekzekutiv i vendit.
Që nga viti 1867, 33 individë kanë shërbyer si kryetarë qeverie të Gjermanisë, Gjermanisë Perëndimore ose Gjermanisë Veriore, pothuajse të gjithë me titullin Kancelar.
Kancelari Federal (1949–sot)
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kushtetuta gjermane e vitit 1949, e njohur ndryshe si Ligji Bazë (Grundgesetz), i jep kancelarit kompetenca të gjera për të udhëhequr politikën e qeverisë. Për këtë arsye, disa vëzhgues i referohen sistemit politik gjerman si një "demokraci kancelare". Edhe pse posti i kancelarit shpesh konsiderohet si më i fuqishmi në sistemin politik gjerman dhe shihet si i tillë brenda publikut gjerman, ai është vetëm posti i tretë më i lartë, pas kreut të shtetit, Presidentit të Gjermanisë dhe Presidentit të Bundestagut, një pozicion i ngjashëm me kryetarin e parlamentit federal.
Cilado parti e madhe (CDU/CSU ose SPD) që nuk mban kancelarinë zakonisht e quan kandidatin/en e saj kryesor për zgjedhjet federale "kandidat-kancelar". Qeveria federale përbëhet nga kancelari dhe ministrat e kabinetit.
Kancelari i parë i kësaj periudhe Konrad Adenauer, krijoi shumë precedentë që vazhdojnë edhe sot të ndiqen dhe vendosi kancelarinë si fokusin e qartë të pushtetit në Gjermani. Sipas dispozitave të Ligjit Bazë, që i jepte atij fuqinë për të vendosur udhëzime për të gjitha fushat e politikës, Adenauer ia atribuoi vetes pothuajse të gjitha vendimet kryesore. Ai shpesh i trajtonte ministrat e tij thjesht si zgjerime të autoritetit të tij dhe jo si kolegë. Ndërsa pasardhësit e tij kanë qenë më pak dominues, kancelari ka fituar mjaft autoritet ex officio (përveç kompetencave të tij/saj kushtetuese) saqë Gjermania shpesh përshkruhet nga ekspertët e ligjit kushtetues si një "demokraci kancelarie".
Kancelari apo Kancelarja përcakton përbërjen e Kabinetit Federal. Presidenti emëron dhe shkarkon zyrtarisht ministrat e kabinetit, me rekomandimin e kancelarit/es. Shkarkimet e ministrave, nuk kanë nevojë për miratim parlamentar. Sipas ligjit bazë, kancelari/ja mund të caktojë numrin e ministrave të kabinetit dhe të diktojë detyrat e tyre specifike. Kancelari Ludwig Erhard kishte kabinetin më të madh, me 22 ministra, në mesin e viteve 1960. Helmut Kohl kryesoi me mbi 17 ministra në fillim të mandatit të tij të katërt në vitin 1994; kabineti i vitit 2002, i dyti i kancelarit Gerhard Schröder, kishte 13 ministra dhe kabineti Angela Merkel më 22 nëntor 2005 kishte 15.
Zëvendëskancelari
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kancelari duhet të emërojë një nga ministrat e kabinetit si zëvendëskancelar (neni 69.1 i ligjit bazë). Zëvendëskancelari mund të zëvendësojë kancelarin, nëse mungojnë ose nuk është në gjendje të kryej detyrën. Megjithëse kancelari është teorikisht i lirë të zgjedhë çdo ministër kabineti, në qeveritë e koalicionit, udhëheqja e partisë së dytë më të madhe të koalicionit zakonisht cakton një nga ministrat e tyre për postin, të cilin kancelari e emëron në përputhje me rrethanat.
Nëse mandati i kancelarit përfundon ose nëse jepet dorëheqja, Bundestagu duhet të zgjedhë një kancelar të ri. Presidenti i Gjermanisë mund t'i kërkojë ish-kancelarit të veprojë si kancelar derisa të zgjidhet një mbajtës i ri i postit, por nëse ata nuk dëshirojnë ose nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë, presidenti mund të emërojë gjithashtu zëvendëskancelarin si ushtrues detyre.
Adresimi protokollar
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Stili i saktë i adresimit protokollar në gjermanisht është Herr Bundeskanzler (mashkull) ose Frau Bundeskanzlerin (femër). Në korrespondencën ndërkombëtare, kancelari përmendet si "Shkëlqesia e Tij/Saj Kancelari/ja i/e Republikës Federale të Gjermanisë".[3]
Kryeqeveritarët e Republikës Federale Gjermane | ||||||
Nr. | Emri | D.L-D.V | nga: | deri më: | Partia | Mandati |
---|---|---|---|---|---|---|
1 | Konrad Adenauer | (1876-1967) | 15 shtator 1949 | 15 tetor 1963 | CDU | 4 vjeçar |
2 | Ludwig Erhard | (1897-1977) | 16 shtator 1963 | 30 nëntor 1966 | CDU | 3 vjeçar |
3 | Kurt Georg Kiesinger | 1904-1988) | 1 dhjetor 1966 | 20 shtator 1969 | CDU | 3 vjeçar |
4 | Willy Brandt | (1913-1992) | 21 shtator 1969 | 7 maj 1974 | SPD | 5 vjeçar |
5 | Helmut Schmidt | (1918) | 16 maj 1974 | 1 shtator 1982 | SPD | 8 vjeçar |
6 | Helmut Kohl | (1930) | 1 shtator 1982 | 26 shtator 1998 | CDU | 16 vjeçar |
7 | Gerhard Schröder | (1944) | 27 shtator 1998 | 22 nëntor 2005 | SPD | 6 vjeçar |
8 | Angela Merkel | (1954) | 22 nëntor 2005 | 8 dhjetor 2021 | CDU | 16 vjeçar |
9 | Olaf Scholz | (1958) | 8 dhjetor 2021 | aktualisht | SPD | 4 vjeçar |
Shiko dhe këtë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ "Ratgeber für Anschriften und Anreden" (PDF) (në gjermanisht). Bundesministerium des Innern – Protokoll Inland. fq. 40.
- ^ Parliamentary Council of the Federal Republic of Germany. "Basic Law for the Federal Republic of Germany". Wikisource (në anglisht). Wikimedia. Marrë më 24 nëntor 2020.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ https://www.protokoll-inland.de/SharedDocs/downloads/Webs/PI/DE/Allgemeines/Anschriften.pdf?__blob=publicationFile&v=1