Mongolia

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Mongolia
Монгол Улс
Flag of Mongolia.svg State emblem of Mongolia.svg
Flamuri i Mongolisë Emblema e Mongolisë
Vendndodhja e Mongolisë
Vendndodhja e Mongolisë   (e gjelbër e errët)
Himni Kombëtar "Монгол улсын төрийн дуулал"
Mongol ulsyn töriin duulal (Himni Kombëtar i Mongolisë)
Kryeqyteti Ulan Bator gjithashtu qyteti më i madh
Gjuha zyrtare Mongolisht
Krijimi
Perandoria Xiongnu
Perandoria Mongole
Pavarësia nga Dinastia Çing
Republka Popullore Mongole
Kushtetuta e tanishme

209 Para Krishtit
1206

29 dhjetor 1911

26 nëntor 1924
13 shkurt 1992
Anëtarësimi në OKB 27 tetor 1961
Forma e qeverisjes Republikë Gjysmë Presidenciale
President Cahiagijn Elbegdorxh
Kryeministër Chimediin Saikhanbileg
Monedha Tögrög (MNT)
Zona kohore
– zakonisht
– në verë

UTC+7
UTC+8
Prefiksi telefonik +976
Kodi i internetit .mn
Kodi ISO 3166-1 MN

Mongolia (mongolisht: Монгол улс, Mongol uls, Monggol ulus.svg ) është shtet pa dalje në det. Ndodhet në Azinë Lindore e Qendrore, mes Kinës dhe Rusisë. Kryeqyteti Ulan Bator është vendbanimi më i madh ku jetojnë 38% të popullsisë. Sistemi politik i Mongolisë është republika parlamentare.

Me 1,564,116 km², Mongolia është vendi i 19-të në botë për nga madhësia dhe me dendësinë më të ulët të banimit me afro 2,9 milion banorë. Është poashtu shteti i dytë më i madh pa dalje në det pas Kazakistanit. Toka mongole ka pak hapësirë të punueshme dhe pjesa më e madhe e saj përbëhet nga stepa të thata jopjellore, ku dallohen malet në veri e perëndim dhe shkretëtira Gobi në jug. Përafërsisht, 30% e popullsisë janë nomadë ose gjysmënomadë. Feja mbizotëruese në Mongoli është budizmi tibetian, dhe shumica e popullsisë janë mongolë etnikë, ndonëse në vend jetojnë edhe kazakët, tuvanët dhe minoritete të tjera, sidomos në perëndim.

Gjatë mbretërimit të Xhengis Hanit në shek. XIII, mongolët krijuan perandorinë më të madhe që kishte parë njerëzimi deri atëherë. Në shekujt vijues ishin pjesë e Perandorisë Kineze, ndërsa gjatë shek. XX ranë nën sferën e ndikimit sovjetik. Viti 1990 shënoi fillimin e rendit demokratik dhe ndërtimin e ekonomisë së tregut. Sot, Mongolia është vend në zhvillim; ka zhvillim mesatar njerëzor dhe zë vendin e 124-të në botë sa i përket prodhimit vendor bruto prej 3.541 USD për kokë banori.[1]

Historia[redakto | redakto tekstin burimor]

Hapësira që sot ngërthen Mongolia ka qenë e sunduar nga perandori të ndryshme nomade, përfshirë hunët e lindjes, çouçanët, shianbejtë, gokturqit e të tjerët. Perandoria Mongole u themelua nga Xhengis Kani më 1206 dhe përfshinte toka nga Lindja e Largët deri në Evropë. Pas rënies së dinastisë Juan, mongolët iu kthyen avazit të mëparshëm të grindjeve të brendshme.

Në shekujt XVI e XVII, Mongolia iu nënshtrua ndikimit budist. Në fund të shekullit XVII, pjesa më e madhe e Mongolisë ra nën sundimin e dinastisë King. Me rrëzimin e kësaj dinastie më 1911, Mongolia shpalli pavarësinë, por iu desh të përpiqej deri më 1921 për të vendosur pavarësinë faktike dhe deri më 1945 për të gëzuar njohje ndërkombëtare. Si rrjedhojë e ndikimit të egër ruso-sovjetik: më 1924 u shpall Republika Popullore Mongole, ndërsa politika mongole po ndiqte brazdën e sundimit sovjetik. Pas përmbysjes së regjimeve komuniste në Evropën Lindore në fund të 1989-ës, Mongolia jetësoi Revolucionin Demokratik në fillim të viti 1990, filloi zbatimi i sistemit shumëpartiak, kushtetutën e re të vitit 1992 dhe tranzicioni i vështirë në ekonomi të tregut.

Politika[redakto | redakto tekstin burimor]

Mongolia është republikë parlamentare. Kuvendi i zgjedhur nga populli, emëron qeverinë. Kryetari i shtetit zgjidhet në zgjedhje të drejtpërëdrejta. Kushtetuta e Mongolisë garanton liri të plotë të shprehjes, besimit, si dhe liri të tjera. Mongolia ka sistem politik shumëpartiak, të mbizotërurar nga Partia Revolucionare e Popullit Mongol (PRPM) dhe Partia Demokratike (PD).

PRPM-ja qeverisi vendin prej 1921 deri më 1996 (deri më 1990 përmes sistemit njëpartiak) dhe prej 2000 deri më 2004. Prej 2004 deri më 2006, ishte pjesë e një koalicioni të gjerë me PD-në dhe dy parti të tjera, ndërsa nga 2006 ka qenë partia dominuese e dy koalicioneve tjera. Të dy ndryshimet në qeveri pas 2004 ishin nismë e PRPM-së. PD-ja ishte forca mbizotëruese mes 1996 e 2000, si dhe partner gati i barabartë me PRPM-në në koalicionin 2004-2006. Zgjedhjet e fundit parlamentare u zhvilluan në qershor 2008, ndërsa rezultatet u kontestuan nga PD-ja dhe pas protestave të dhunshme u shpall gjendje e jashtëzakonshme për një afat katërditor. Më 2009, zgjedhjet presidenciale i fitoi udhëheqësi i PD-së, Cahiagijn Elbegdorxh.

Njësitë administrative[redakto | redakto tekstin burimor]

Mongolia ndahet në 21 ajmagë (krahina), të cilat më pas ndahen në 315 sumë (rrethe). Kryeqyteti Ulan Bator administrohet ndaras si hot (komunë) me status të krahinës. Krahinat e Mongolisë janë (të përshtatura për shqiptim në shqip): Arhangai, Bajan-Olgij, Bajanhongor, Bulgan, Darhan-Uul, Drmod, Dornogovi, Dundogovi, Govi-Altaj, Govisumber, Hentij, Hovd, Hovsgol, Omnogovi, Orhon, Ovorhangaj, Selenge, Suhbaatar, Tov, Uvs dhe Zavhan.

Gjeografia[redakto | redakto tekstin burimor]

Relievi mongol

Pozita gjeografike e Mongolisë përfshin pikën strategjike mes Kinës dhe Rusisë. Për nga sipërfaqja, Mongolia është 54 herë më e madhe se Republika e Shqipërisë dhe pak më e madhe se Gjermania, Franca e Spanja së bashku. Relievi është malor dhe me rrafshnalta kodrinore me shkallë të lartë relievore. Në përgjithësi, treva mongole zbret nga malet e larta Alltaj në perëndim e veri drejt rrafshinave dhe fushëgropave në lindje e jug, ku ndodhet edhe shkretëtira Gobi. Maja Hyjten në skajin perëndimor të Mongolisë, në kufi me Kinën, është pika më e lartë (4.374 metra). Pikë më e ulët është 560 metra, përndryshe një hapësirë e pashquar në pllajën lindore të Mongolisë. Vendi ka një lartësi mesatare mbidetare prej 1.580 metrash. Peizazhi përfshin një prej liqeneve më të mëdha ujëmbël të Azisë (Liqeni Hovsgol), shumë liqene të njelmëta, këneta, kodra rëre, kullota të pjerrëta, pyje alpine dhe akullnaja të përhershme malore. Mongolia veriore dhe perëndimore janë zona aktive seizmike me tërmete të shpeshta, shumë burime të ngrohta dhe vullkane të vdekura.

Ekonomia[redakto | redakto tekstin burimor]

Ekonomia mongole është e përqendruar në bujqësi dhe xehetari. Mongolia ka nëntokë të pasur me xehe; bakri, qymyri, molibdeni, kallaji, tungsteni dhe ari përbëjnë pjesë të madhe të prodhimit industrial. Ka rreth 30.000 biznese të pavarura në Mongoli, kryesisht të ndodhura në kryeqytet. Shumica e popullsisë jashtë zonave urbane jetojnë nga blegtoria; kopetë përbëhen zakonisht nga delet, dhitë, lopët, kuajt dhe devet baktriane. Kulturat bujqësore përfshijnë grurin, elbin, pataten, perimet, domaten, bostanin etj.

Prodhimi vendor bruto (PVB) për banor më 2006 ishte 2.100$.[2] Sipas shënimeve të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, PVB për krye banori është rritur në 3.541 më 2009.[1] Megjithëse PVB-ja është ngritur bindshëm prej 2002-ës në shkallë 7,5% sipas një vlerësimi zyrtar më 2006, qeveria po përpiqet të mënjanojë një deficit të konsiderueshëm tregtar. Një borxh i rëndë prej 11 miliard dollarë ndaj Rusisë u la nga qeveria më 2004 me një pagesë prej 250 milionë dollarësh. Me gjithë rritjen ekonomike, vlerësohet se nën nivelin e varfërisë jetonin 35,6% të popullsisë më 1998, 36,1% më 2002-2003 dhe 32,2% më 2006,[3] ndërsa shkalla a papunësisë dhe inflacionit janë relativisht të larta: 3,2, përkatësisht 6%. Deri më 2006, 68,4% të eksportit mongol u drejtua kah Kina, ndërsa nga Kina ishte burimi i 29,8% të importit.[4]

Bursa Mongole, e themeluar më 1991 në Ulan Bator, është bursa më e vogël në botë sipas kapitalizimit të bursës.

Demografia[redakto | redakto tekstin burimor]

Sipas vlerësimeve amerikane të korrikut 2007, Mongolia ka 2.951.786 banorë dhe radhitet e 138-a në botë. Vlerësimet mongole dhe ato të Kombeve të Bashkuara flasin për 2,6 milion banorë. Shumica e banorëve të Mongolisë janë me përkatësi etnike mongole (85%), një pjesë janë kazakë, tuvanë, tungusikë, kinezë e rusë. Rritja e popullsisë qëndron në 1,2%. Dy të tretat e popullsisë janë nën moshën 30 vjeç.

Gjuhë zyrtare është mongolishtja e bazuar në dialektin halha dhe shkruhet me alfabetin cirilik. Kazakët, tuvanët e të tjerët flasin edhe gjuhët e tyre amtare.

Historikisht, Mongolia ka qenë vatër e budizmit tibetian, fe që sot ndiqet nga 50% e popullsisë, sipas statistikave të CIA-s; 40% janë të renditur ateistë( nuk besojne ne perendi), 6% si shamanë e të krishterë dhe 4% si myslimanë. Sidoqoftë, të dhënat e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit nënvizojnë se 94% janë budistë, 6% myslimanë dhe 2% të krishterë e shamanë.

Kultura[redakto | redakto tekstin burimor]

Te kultura mongole vërehet ndikim i thellë i mënyrës nomade të jetesës. Ndikim ka pasur edhe nga Tibeti dhe budizmi tibetian, si dhe nga Kina. Prej shek. XX, kultura ruse dhe, përmes Rusisë, kultura evropiane-perëndimore kanë lënë vragën e tyre në Mongoli. Jo vetëm Xhingis Kani, por edhe popujt nomad kanë qenë me ndikim në artet e bukura mongole.

Tradita e festivalit Naadam në Mongoli ngërthen në vete sportet kombëtare të mongolëve: qitjen, garën me kuaj dhe mundjen. Mundja japoneze ka fituar popullaritet në mesin e mongolëve dhe zhvillohet si sport ndërkombëtar, ndërsa luhet edhe futbolli dhe prej vitit 1990 Mongolia ka marrë pjesë në gara ndërkombëtare të këtij sporti. Në Lojërat Olimpike 2008, mongolët fituan një medalje të argjentë në qitje me pistoletë.

Ndër banorë të Mongolisë janë të përhapura banesat e tipit jurt (mongolisht: ger), lloj tentash që kanë mundësuar zhvillimin e kulturës nomade dhe kanë shërbyer njëherësh edhe si faltore budiste. Sot, arkitektura mongole numëron ndikesa të shkollës sovjetike dhe së fundmi asaj bashkëkohore botërore.

Si pjesë e kulturës mongole shquhet këndimi fytor, i njohur si homei, sidomos në pjesën perëndimore të vendit. Vallja cam është gjithashtu e popullarizuar. Ndërkaq, prej zhanreve botërore, mongolët ende veçojnë grupin Soyol-Erdene, që duke imituar Beatlesat në vitet 1960 sfiduan me mjeshtri cenzurën sovjetike që kishte ndikim të gjerë në Mongoli.


Lidhje të jashtme[redakto | redakto tekstin burimor]

 Commons: Mongolia – Album me fotografi dhe/apo video dhe material multimediale
 Commons: Mongolia – Album me fotografi dhe/apo video dhe material multimediale

Referencat[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ a b Fondi Monetar Ndërkombëtar, "Mongolia" n. 22.04.2009.
  2. ^ CIA World Factbook: Mongolia
  3. ^ Statistical Yearbook of Mongolia 2006, National Statistical Office, Ulaanbaatar, 2007
  4. ^ Morris Rossabi, Beijing's growing politico-economic leverage over Ulaanbaatar, The Jamestown Foundation, 2005-05-05, (retrieved 2007-05-29)