Jump to content

Ohri

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Oher)
Ohër
Охрид
Qytet
Popullsia
 • Gjithsej54.380
Emri i banorëveOhriar/Ohrian ose Ohrixhan
{{{postal_code_type}}}
6000
TargatOH
Faqja zyrtareKomuna e Ohrit

Ohër edhe Ohri/a, (maqedonisht: Охрид/Ohrid) është qytet i cili ndodhet në pjesën jug-perëndimore të Maqedonisë së Veriut pranë liqenit me të njëjtin emër dhe ka diku rreth 50.000 banorë.

Vendndodhja gjeografike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Qyteti i Ohrit është i vendosur në brigjet veri-lindore të Liqenit të Ohrit. Ai shtrihet sipër dhe rreth dy kodrave kryesore, atë të kalasë dhe atë të Debojit. Ndërsa qyteti sot është i përhapur edhe në fushat pjellore në veri, veri-lindje dhe lindje, ai më herët ishte i përqendruar sipër dhe në këmbë të dy kodrave, i rrethuar nga një mur guri.[1]

Nga qendra e Ohrit deri në qendrën e Strugës, ka një distancë rrugore prej vetëm 15.5 kilometra. Qyteti i Strugës gjendet në veri-perëndim. Fushat rrethuese të të dy qyteteve janë të ndarë nga një kodër që fillon në brigjet të liqenit dhe kalon në veri në masivin malor të Karaormanit. Në lindje të Ohrit ngrihet mali i Galiçicës me një lartësie maksimale prej 2255 metra. Ai i ndan liqenet të Ohrit dhe të Prespës. Kufiri shqiptaro-maqedonas i Shën Naumit në jug të Ohrit dhe në afërsi të Pogradecit, është nga qendra e qytetit rreth 30 kilometra larg. Ai nuk e ka atë rrëndësinë ekonomike dhe infrastrukturore si kufiri tjetër i Qafë Thanës afër Strugës, por kalohet sidomos nga turistë dhe tregtarë rajonal.[2]

Ohri ka një klimë tipike kontinentale. Gjatë verës, moti është i nxehtë dhe me shumë pak reshje, ndërsa dimrit, moti është shumë i ftohtë dhe me shumë reshje bore. Zjarret pyjore në verë nuk janë të rrallë. Shkaqet janë thatësira dhe nxehtësia verore, por edhe gabime njerëzore, si për shembull hedhja e bishtave të cigareve të pashuara ose ndezja e zjarrit në natyrë. Në afërsi të liqenit, shpesh herë fryn një erë e freskët nga perëndimi ose veriu.[3]

Komuna e Ohrit ka 54.380 banorë (sipas censusit 2002). 45.985 janë maqedonë, 2.962 shqiptarë, 2.268 turq dhe 3.165 i përkasin etnive të tjerë. Maqedonët i përkasin kishës ortodokse, ndërsa shumica e shqiptarëve janë myslimanë, ndërsa me kalimin e viteve një pjesë e tyre janë konvertuar në ortodoksë. Turqit janë myslimanë.[4]

Sipas Radoslav Katiçiqit mendohet se emri modern është një version i modifikuar i emrit të vjetër grek, ku kalimi i "Lychnidus" në "Ohri" presupozon një zhvillim karakteristik tingullor nga shqipja, si në rastin e Vlorës nga "Aulona" në "Avlona" e pastaj në "Vlora", Ohri nga "Lychnidus" në

"Li-hnid" e pastaj në "O-hrid". Ndërsa sipas Doikov emri i qytetit, ″Ohrid″, rrjedhën nga fjalët bullgare vo/во (sipër, mbi) dhe hrid/хрид (kodër, mal), domethënë, ″mbi kodër″.[5]

Lashtësia dhe Mesjeta

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ohri i ka rrënjët në parahistori. Fisi ilir i enkelejve e ndërtoi vendbanimin të parë me emrin Lyhnidos. Ato banonin në këtë rajon që përfshijnte liqenin e Ohrit dhe trevat rreth tij.[6] Pas vitit 148 p. e. r. qyteti u bë pjesë e Perandorisë Romake.[5]

Më 29 dhe 30 maj të vitit 526, Lyhnidosi u shkatërrua nga një tërmet i fuqishëm. Për fatin e qytetit të lashtë faktet historike nuk japin më të dhëna. Vetëm tre shekuj më vonë përmendet një qytet bullgar me emrin Ohrid, çfarë do të thotë ″mbi kodër″.[7]

Gjatë mesjetës, Ohri ishte qendër e veprimtarisë artistike dhe kulturore e bullgarëve. Në atë kohë, Klementi i Ohrit e themeloi Shkollën e Ohrit. Por edhe Shën Naumi ishte një dijetar i rrëndësishëm i atij institucioni. Në Shkollën e Ohrit mësohej gjuha e vjetër kishtare sllave, gjuha më e vjetër e shkruar sllave. Në shekullin e dhjetë, Ohri për 17 vjet ishte në kohën e sundimin të mbretit Samoil kryeqyteti i Perandorisë Bullgare.[8]

Në vitin 1462, Skënderbeu e mposhti me ushtrinë e tij Ohrin dhe rajonin rreth tij. Por pas disa vitesh, sulltani Mehmeti i II e rifitoi qytetin.[9]

Në vitin 1912, Serbia e zaptoi Ohrin bashkë me gjithë Maqedoninë dhe më pas u bë pjesë e Jugosllavisë.[10]

Në gusht të vitit 2001, në Ohër u nënshkrua nga liderët të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe përfaqësuesit të qeverisë maqedonase Marrëveshja e Ohrit, e cila pas disa muajsh e mbylli Luftën në Maqedoni.[11]

Atraksioni më i madh i Ohrit është liqeni i tij. Ndër më të vjetrit dhe më të thellët në Evropë, ai tërheq jo vetëm pushues por edhe sportistë, peshkatarë dhe shkencëtarë. Nga kalaja ka një pamje të jashtëzakonshme mbi qytet, liqen dhe deri tek malet rrethuese të tij. Edhe pse vuan nga ndotjet njerëzore, sidomos nga ana e Shqipërisë, ai mbetet një nga atraksionet më të pasur të gadishullit ballkanik. Siç u përmend, kalaja ndodhet mbi qytet dhe mbi kodrën kryesore. Kalaja i ka rrënjët në lashtësi, por në formën ekzistuese ajo u ndërtua nga mbreti bullgar Samoil në shekullin e dhjetë.

Qyteti i Ohrit është qendra administrative e Komunës së Ohrit (maqedonisht Opština Ohrid / Општина Охрид), e cila përfshijnë poashtu 29 fshatra të tjera në rrethinën e tij. Komuna ka një sipërfaqe prej 389.93 kilometra katrorë dhe një dendësie prej afro 140 banorë për kilometër katror, domethënë shumë më lartë sesa mesatarja shtetërore prej 80 banorë për kilometër katror.

Prej vitit 2013, kryetari i komunës është Nikola Bakračeski nga partia VMRO-DPMNE. Ai u votua për herë të parë në këtë post dhe mori 59.48 përqind të votave.[12]

Ohri është qendra e turizmit maqedonas. Plazhet e shumta, qyteti i vjetër me arkitekturën tipikisht ballkanike, kishat ortodokse mesjetare, xhamitë osmane dhe jeta shumëngjyrëshe e natës janë vetëm disa gjëra që Ohri ofron për vizitorë të huaj. Sot, turizmi është sektori më i rrëndësishëm ekonomik i Ohrit. Disa janë edhe në industri dhe në bujqësi të punësuar. Por shumica merret me shërbimet dhe me tregtinë.

Ohri ka lidhje të mira infrastrukturore brenda shtetit përmes Kërçovës, Gostivarit dhe Tetovës me Shkupin (rreth 170 kilometra), përmes Manastirit me Prilepin (rreth 110 kilometra) dhe përmes Strugës me Dibrën (rreth 65 kilometra). Por nga aktivitetet ndërtimore të viteve të kaluara, Ohri sot arrihet edhe shpejtë nga Shqipëria. Kështu Korça është vetëm rreth 75 kilometra larg, Elbasani rreth 90 kilometra dhe Tirana rreth 135 kilometra. Lidhjet për në Greqi janë modeste, Follorina arrihet për rreth 100 kilometra.

Ohri sot nuk ka më linjë hekurudhore. Nga Lufta e Parë Botërore deri në vitin 1966, ekzistonte një hekurudhë që lidhte Gostivarin dhe Ohrin, por udhëtimi ishte me 17 orë tepër i gjatë.

Aeroporti i Ohrit me emrin ″Apostulli Shën Pali″ është aeroporti i dyti në Maqedoninë e Veriut sipas madhësisë. Në vitin 2011, u transportuan rreth 71.000 pasagjerë. Ai gjendet në veri-perëndim të qytetit në rrafshin e Strugës.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
 Commons: Ohri – Album me fotografi dhe/apo video dhe materiale multimediale
  1. ^ "Harta e Ohrit" (PDF) (në anglisht). Komuna e Ohrit. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 29 nëntor 2011. Marrë më 29 maj 2014.
  2. ^ "Harta e Liqenit të Ohrit" (në anglisht). Summit Post. Marrë më 29 maj 2014.
  3. ^ "Diagrame dhe tabela mbi klimën në Ohër" (në anglisht). World Climate Guide. Marrë më 29 maj 2014.
  4. ^ "Censusi i Popullsisë 2002" (PDF) (në maqedonisht dhe anglisht). Zyra Shtetërore Statistike. Marrë më 29 maj 2014.
  5. ^ a b "Ohrid - the city of centuries" (në anglisht). Ohrid.com.mk. Arkivuar nga origjinali më 26 qershor 2010. Marrë më 29 maj 2014.
  6. ^ Hildegard Temporini, Wolfgang Haase, Walter de Gruyter (Sh.B.): Aufstieg und Niedergang der römischen Welt: Geschichte und Kultur Roms im Spiegel der neueren Forschung. Principat. Sprache und Literatur. 2. 29. Walter de Gruyter, 1983, ISBN 3110095254, Fq. 537 (Versioni Online ; Aktualizuar më: 29 maj 2014).
  7. ^ Fanoula Papazoglou: Les villes de Macédoine à l’époque romaine. Athènes 1988, ISBN 2-86958-014-2.
  8. ^ E. Trapp: Die Viten des hl. Naum von Ochrid. Në: Byzantinoslavica. 35, 1974, Fq. 161–185.
  9. ^ Machiel Kiel: Okhrī. Në: Brill (Sh.B.): The Encyclopaedia of Islam. New Edition. 8 Botimi. Brill, Leiden, Fq. 164–168.
  10. ^ Leo Trotzki, Arbeiterpresse Verlag (Sh.B.): Die Balkankriege 1912–1913. Arbeiterpresse Verlag, Essen 1996, ISBN 3-88634-058-9.
  11. ^ Ulrich Büchsenschütz: Die Mazedonien-Krise. Në: Politikinformation Osteuropa. 95, Bonn 2001, ISBN 3-89892-031-3 (Versioni Online ; Aktualizuar më: 29 maj 2014).
  12. ^ "Rezultatet të zgjedhjeve lokale në Maqedoni 2013" (në maqedonisht). Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Arkivuar nga origjinali më 27 mars 2013. Marrë më 29 maj 2014.