Jump to content

Abetarja shqipe

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Abetarja e Parashqevi Qiriazit

Abetarja është libri fillestar i mësimit të leximit dhe shkrimit (shkrimit dhe leximit) të gjuhës shqipe e po ashtu edhe të një vargu gjuhësh të tjera.

Abetarja e parë e gjuhës shqipe, ajo e vitit 1844, me titull "Fort i shkurtër e i përdorshëm Evetar shqip", u përgatit nga personaliteti i shquar e Rilindjes Kombëtare, Naum Veqilharxhi. Nga ajo kohë kanë kaluar plot 175 vjet. Që atëherë e deri më sot janë shtypur mëse 150 abetare në trevat shqiptare dhe jashtë tyre, si në Bukuresht, Stamboll,[1] Bruksel, Sofje, Vjenë, Napoli, Selanik, Athinë, Paris, Milano, Bari, Vorçester, Lajpcig, Konstancë, Aleksandri të Egjiptit etj. Hartimi dhe realizimi i abetares së saj e vuri Shqipërinë në radhën e vendeve të qytetëruara, duke treguar se ky vend i vogël ka një popull me karakteristikat e tij, me gjuhën dhe zakonet e veta dhe me një thesar të trashëguar nga brezat. Punën e Veqilharxhit e vijoi Kostandin Kristoforidhi, një figurë tjetër e shquar e Rilindjes Kombëtare, i cili në vitin 1867 botoi një abetare në gegërisht dhe një në toskërisht dhe u mësoi me to shqipen shumë bashkatdhetarëve gjatë udhëtimeve nëpër Shqipëri. Epokën e re për librat shkollore dhe përgatitjen e truallit për shkollën kombëtare e përgatitën figurat e njohura, si Jani Vreto, Sami Frashëri, Pashko Vasa dhe Koto Hoxhi, të cilët, gjatë periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në vitin 1879, botuan "Alfabetarja e gjuhës shqipe". Më pas, rruga e hartimit të Abetares Shqipe kalon ndër emra të njohur, të cilët punuan me përkushtim brenda dhe jashtë vendit, si Luigj Gurakuqi (1905), Parashqevi Qiriazi (1906), Nikolla Lako (1906), Simon Shuteriqi (1911) etj, dhe në vitet e mëvonshme, A. Xhuvani, Th. Papapano, Mati Logoreci, J. Minga, duke krijuar kështu një traditë të mirë. Punimi i mirëfilltë shkencor i Abetares Shqipe u bë pas vitit 1944, përgatitja e të cilit u vu mbi baza shkencore pedagogjike e gjuhësore.

Ana funksionale e këtij teksti popullor nuk është më e madhe se ajo shkencore-didaktike. Shumica e autorëve të tyre janë të njohur në analet e historisë së arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar si pedagogë të shquar, si didaktë të aftë dhe si metodistë të përsosur e origjinalë në mjeshtërinë e mësimdhënies. Të tillë kanë mbetur Naum Veqilharxhi, Konstandin Kristoforidhi, Jani Vreto, Sami Frashëri, Gaspër Benusi, Jani Terova, Parashqevi Qiriazi, Luigj Gurakuqi, Jani Minga, Simon Shuteriqi, Jashar Erebara, Nikolla Lako, Mati Logoreci, Gaspër Beltoja, Ndue Paluca, Aleksandër Xhuvani, Pertef Pogoni, Qamil Guranjaku, Kolë Xhumari, Mehmet Gjevori etj. Janë këta autorë, që kanë njohur metodat sintetike dhe ato analitike, që kanë ndjekur me kujdes evolucionin (zhvillimin) e tyre gjatë shekujve dhe që kanë zbuluar përshtatjet me veçoritë e gjuhës sonë.

Abetaret Elektronike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Abetaret Elektronike, janë një përpjekje individuale apo edhe të institucioneve shtetrore për të ju mundësuar njohjen me alfabetin e gjuhës shqipe përdoruesve të internetit. Një abetare e till është prezentuar edhe me gabime të shkrimit.[2]

Një kategori në Wikimedia Commons përmban dokumente multimediale për Abetarja shqipe.
  1. ^ "Abetarja e parë në gjuhën shqipe u botua në Stamboll". KOHA. Marrë më 2019-02-19.
  2. ^ "Hutini ty, ndërsa lexohet Huti". Arkivuar nga origjinali më 10 maj 2012. Marrë më 18 qershor 2012.